Profesori dhe ish-kandidati i LDK-së për deputet, Milaim Berisha ka humbur jetën nga COVID-19.
Në faqen zyrtare në rrjetin social “Facebook”gjimnazi “Ahmet Gashi” në Prishtinë ka konfirmuar lajmin, teksa i ka shprehur familjarëve ngushëllimet për ndarjen nga jeta të prof. Milaim Berisha.
“Të nderuar nxënës, mësimdhënës dhe prindër të shkollës sonë! Me pikëllim të thellë iu njoftojmë se si pasojë e virusit COVID-19 u nda nga jeta mësimdhënësi i shkollës sonë prof.Milaim Berisha. Prof.Milaim Berisha ka qenë modeli më i mirë i mësimdhënësit shembullor. Ai dha një kontribut mjaft të vyer në arsim e sidomos në gjimnazin tonë. Gjimnazi”Ahmet Gashi” shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Berisha”, shkruhet në njoftimin e publikuar.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Milaim Berishës.
Reagimi në rrjetin social “Facebook”:
Me rastin e ndarjes nga jeta të veprimtarit Milaim Berisha, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa dërgon këtë telegram ngushëllimi:
“Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të veprimtarit të LDK-së dhe mësimdhënësit shumëvjeçar, Milaim Berisha.
Prof. Berisha do të mbetet model i mësimdhënësit punëtor dhe i përkushtuar për të arsimuar gjenerata të tëra.
Në emrin tim personal dhe të LDK-së i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Berisha, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij!”
Prof. Berisha në zgjedhjet e fundit ishte kandidat i LDK-së për deputet.