Aktori Valter Gjoni ka ndërruar jetë në moshën 66-vjeçare, pasi ka qenë i prekur nga koronavirusi.
Lajmi për ndarjen nga jeta të Gjonit është bërë i ditur edhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Në një status në Facebook, ai shkruan:
“Valteri ynë gojëmjaltë e zemërbardhë nuk e mundi dot këtë flamë të pabesë.
I shërbeu qytetit tonë me dashuri përditë për 4 dekada, duke lënë sot një boshllëk të pangushëllueshëm për familjen dhe mijëra kolegë e miq që e njohën dhe e deshën si kujtesa historike e Tiranës”, shkruan Veliaj.
Gjoni ka në biografinë e tij artistike 60 role në teatër dhe estradë, 8 role në kinematografi, ka realizuar 5 filma dokumentar. Po ashtu, Gjoni ka qenë edhe drejtor i Protokollit në Bashkinë e Tiranës.
Ai ka kryer kualifikime në disa vende si Francë, Holandë, Danimarkë, Greqi etj. Ka shkruar shumë artikuj kulturor.
Në vitin 1991 Gjoni nisi punë në Bashkinë e Tiranës, ku punonte si drejtor i protokollit.
Valter Gjoni gjithashtu ka realizuar rreth 20 ekspozita dhe 8 botime tematike. Ai mban disa tituj nderi brenda dhe jashtë vendit, ku titulli më i larta është Kalorës i Urdhrit të Meritës së Republikë franceze dhe Urdhrin “Naim Frashëri” i Republikës së Shqipërisë dhe “Mirënjohja e Qytetit të Tiranës”.