Një udhëheqës i lartë i talebanëve konfirmoi për “Zërin e Amerikës” në kushte anonimiteti se grupi është në fazat përfundimtare të shpalljes së një kabineti të ri, i cili pritet të përfshijë të gjithë anëtarët e atij që njihet si Këshilli Udhëheqës (Rahbari Shura).
Komandanti suprem i talebanëve Hibatullah Akhundzada po zhvillon konsultime në Kandahar, qyteti i njohur si vendlindja e grupit, së bashku me zëvendësit e tij, Sirajuddin Haqqani, kreu i rrjetit Haqqani, si dhe Mullah Mohammad Yaqoob-in, djalin e themeluesit të talebanëve Mullah Omarin, që është kreu i komisionit ushtarak të talebanëve.
“Aktualisht, udhëheqja talebane është duke u këshilluar me grupe të ndryshme etnike, parti politike si dhe brenda Emiratit Islamik për formimin e një qeverie që duhet të pranohet e të njihet si brenda ashtu edhe jashtë Afganistanit”, tha gjatë një fjalimi televiziv të shtunën Sher Mohammad Abbas Stanikzai, një tjetër udhëheqës i lartë taleban.
Zëdhënësi i talebanëve Zabiullah Mujahid i tha “Zërit të Amerikës” se procesi ishte “pranë përfundimit”.
“Udhëheqja ka caktuar dy zëvendës shefat Sirajuddin Haqqani dhe Mullah Mohammad Yaqoob për të finalizuar emrat e kabinetit”, tha udhëheqësi i lartë taleban. Por miratimi përfundimtar i emrave do të bëhet nga vetë Akhundzada.
Ai tha se kabineti mund të ketë më shumë se 26 anëtarë e në të mund të përfshihen edhe persona të tjerë që nuk janë anëtarë të këshillit udhëheqës.
Ky i fundit (Rahbari Shura) është organi më i rëndësishëm vendimmarrës për talebanët dhe drejtohet nga vetë Akhundzada, i cili quhet Ameer ul Momineen, ose udhëheqësi i besimtarëve.
Ndërsa talebanët pretendojnë se qeveria do të jetë gjithëpërfshirëse, zëdhënësi i tyre tha se tani për tani ndarja e pushtetit nuk ishte përparësi e grupit.
“Nuk ka asnjë marrëveshje me asnjë udhëheqës politik për ta future atë në qeveri”, tha Muxhahid Said. “Dua ta bëj të qartë se nuk jemi të përqëndruar tek ndarja e qeverisë me të tjerët”.
Ai shtoi se grupi po kërkonte opinione nga “fytyrave të njohura, ish-udhëheqës muxhahedinë”, mbi sistemin e ri të qeverisjes.
Këshilli udhëheqës mbajti takimin e parë zyrtar në pallatin presidencial në Kabul që pas marrjes së qytetit. Ai u bashkëkryesua nga Haqqani dhe Yaqoob-i. Prej atij momenti anëtarët e këshillit e zyrtarë të tjerë të lartë kanë mbajtur takime joformale pothuajse çdo ditë./VOA