Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov, duke cituar raporte të inteligjencës, tha të premten para deputetëve të vendit të tij se Rusia ka grumbulluar më shumë se 94.000 trupa afër kufirit me Ukrainën dhe mund të jetë duke u përgatitur për një ofensivë të shkallës së lartë për fundin e janarit. Zyrtari i lartë ukrainas tha se Ukraina nuk do të bëjë asgjë për ta provokuar situatën, por se është e gatshme të luftojë, nëse Rusia do të niste sulm, shkruan Reuters, përcjell Gazeta Express.
“Inteligjenca jonë i analizon të gjithë skenarët, përfshirë atë më të keqin. Ajo vë re se mundësia për një eskalim të shkallës së lartë nga Rusia ekziston. Koha më e mundshme për arritjen e gatishmërisë për një eskalim do të jetë fundi i janarit”, tha ministri ukrainas. Ukraina u ka bërë thirrje këtë javë Bashkimit Evropian dhe aleatëve të NATO-s që të përgatitin një pako të fuqishme të sanksioneve për ta trembur Rusinë nga nisja e ofensivës. Në anën tjetër, Moska i ka akuzuar Ukrainën e Shtetet e Bashkuara për sjellje destabilizuese dhe sugjeroi se Kievi mund të jetë duke e përgatitur ofensivën e vet në lindje të Ukrainës. Autoritetet ukrainase e kanë mohuar fuqishëm këtë. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, të enjten e paralajmëroi Rusinë për “kosto të rëndë”, nëse ky shtet do ta eskalonte situatën, duke i bërë thirrje homologut rus që të kërkojë dalje diplomatike nga kriza.