Ballina Bota Analiza Sfidat që e presin Olaf Scholz, kancelarin e ri të Gjermanisë

Sfidat që e presin Olaf Scholz, kancelarin e ri të Gjermanisë

The Economist

Dhjetë vjet më parë Christoph Holstein mori një telefonatë nga zyra e Olaf Scholz. Scholz sapo kishte udhëhequr Social Demokratët (SPD) në një fitore elektorale mbresëlënëse në qytetin e Hamburgut,ku i kishte kërkuar zotit Holstein të shërbente si zëdhënës i qeverisë lokale.

Ai i dha dy këshilla:“Ne nuk ofendohemi asnjëherë, dhe nuk do të sillemi kurrë si histerikë”.  Holstein, që sot është anëtar i këshillit shtetëror në landin e Hamburgut, e cilësoi atë këshillë aq të dobishme saqë ajo mbetet e vendosur në zyrën e tij nën fjalët:“Ligji i parë i Scholz”.

Gjermanët por edhe të tjerët, që janë mësuar të vlerësojnë sjelljen e qetë të Angela Merkel, e cila tani ka dhënë dorëheqjen si kancelare pas 16 vjetësh, duhet të gjejnë siguri tek zoti Scholz, që u betua të mërkurën si pasardhësi i saj në detyrë.

Nëse bisedon me njerëz që kanë punuar me Scholz gjatë gjithë karrierës së tij të gjatë, atëherë kupton disa nga tiparet e kreut të ri të qeverisë gjermane. Besueshmëria është njëra prej tyre. “Ai premton vetëm gjëra që mund t’i arrijë ti bëjë”-thotë Dorothee Martin, deputete e SPD nga Hamburgu, e cila e ka njohur zotin Scholz më shumë se një dekadë më parë.

“Është ky dallimi midis tij dhe politikanëve të tjerë”- thekson ajo. Gjatë fushatës për zgjedhjet e shtatorit, Scholz e reduktoi ofertën e tij në një sërë propozimesh modeste, të cilat u pranuan që të gjitha në marrëveshjen e koalicionit midis SPD dhe 2 partive më të vogla të nënshkruar më 24 nëntor:rritje të pagës minimale, ruajtje të pensionit shtetëror dhe ndërtimin e 400.000 apartamenteve të reja çdo vit.

Kolegët e tjerë, të djeshëm e të sotëm, e lavdërojnë etikën e punës së zotit Scholz dhe pragmatizmin e tij:virtyte të pastra hanseatike, tipike për qytetin e tij të lindjes. Një tipar tjetër është padurimi. Scholz është në përgjithësi i qetë dhe kompetent si zonja Merkel.

Por në dallim nga ajo, ai përpiqet që ta maskojë përbuzjen e tij ndaj cilitdo që e konsideron atë të keq-informuar, një tipar ky që mund t`i zemërojë kundërshtarët e tij politikë. Në Hamburg, ndihmësit e zotit Scholz të frustruar nga disidentët,i shpërfillnin këta të fundit duke thënë vetëm “OWD”, shkurtim i emrit në gjermanisht Olaf will das! (Këtë e dëshiron Olafi!).

Kolegët e tij thonë se Scholz mund të jetë i këndshëm në bisedë. Por stili i tij i ngatërruar dhe i ndërlikuar i të folurit në publik, vështirë se mund të kënaqë ata që dëshirojnë një mënyrë komunikimi më të drejtpërdrejtë nga kancelari e tyre.

Kur u kritikua për personalitetin e tij robotik në fillim të këtij viti, Scholz tha se donte të bëhej kancelar, dhe jo drejtues cirku. Konferencat e tij për mediat janë shumë të mërzitshme. Ashtu si shumë socialdemokratë të vjetër, Scholz e kaloi rininë e tij duke qenë pjesë e të majtës radikale, përpara se sipas vetë fjalëve të tij të “detoksifikohej” në një demokraci të moderuar sociale në të 20-at e tij.

Ai e ka kaluar karrierën e tij midis partisë, drejtimit të qytetit dhe politikës federale, duke pësuar humbje (si për shembull në rolin e njërit prej drejtuesve të lartë të SPD nëvitin 2004, nga trazirat e G20 në Hamburg në vitin 2017, dhe duke humbur zgjedhjet për kreun e partisë në vitin 2019), por edhe fitore (dy fitore të mëdha elektorale në Hamburg, dhe në zgjedhjet kombëtare të këtij viti).

Në vitin 2018, ai e nxiti partinë e tij shumë nguruese që t’i bashkohej një tjetër “koalicioni të madh”, si partner i vogël i Kristiandemokratëve të zonjës Merkel. Ai u bë zëvendës/kancelar dhe Ministër i Financave, një rol që shërbeu si një lloj shkolle për të përfunduar tani në postin më të lartë në karrierë.

Zoti Scholz lexon shumë,dhe e rrethon veten me njerëz të lexuar. Kohët e fundit ai është marrë me studimin e veprës së Michael Sandel, një teoricien amerikan, skepticizmi i të cilit mbi meritokracinë dikton edhe theksin që vendos Scholz tek “respekti”, term me të cilin ai nënkupton një shoqëri që ofron respekt të barabartë si për grumbulluesit e mbeturinave po ashtu edhe për drejtuesit e kompanive të mëdha.

Për këtë arsye, ai planifikon ta rrisë me 25 për qind pagën minimale në vend, në12 euro në orë. Më e rëndësishmja, Scholz përvetësoi shumë kohë leksionin e ofruar nga shumica e fituesve të mëparshëm të zgjedhjeve nga SPD:që gjermanët janë një grupim centristësh, që janë të kujdesshëm ndaj vizionarëve.

Jo shumë popullor tek një pjesë e anëtarësisë sëSPD-së, që donin në krye një lider akoma më të majtë, Scholz arriti ta udhëheqë thuajse i vetëm partinë e tij drejt një fitoreje të papritur më 26 shtator. Edhe pse ishte një fitore e ngushtë – më pak se 800.000 vota ndanë SPD-në nga konservatorët e Merkelit-ai arriti gati një mrekulli për një parti që kishte qëndruar në hije prej shumë vitesh.

Pandemia luajti rolin e saj në ri-ngritjen e madhe të Scholz. Ai i kaloi dy vitet e para si Ministër i Financave, duke zhgënjyer ata që kishin shpresuar se një socialdemokrat mund t’i jepte fund maturisë së tepruar fiskale të Gjermanisë. Por kur u shfaq Covid-19, Scholz hapi “rubinetin”, duke e pezulluar qasjen e “frenimit të borxhit” për të akorduar qindra miliarda euro në skemat e ndihmës ndaj qytetarëve dhe korporatave të mëdha.

Ai pati një rol të rëndësishëm edhe në hartimin e fondit të rimëkëmbjes të BE-së prej 750 miliardë eurosh, duke krijuar një marrëdhënie të ngushtë me Emmanuel Macron, e cila do të jetë vendimtare sidomos nëse presidenti francez do të fitojë një mandat tjetër në detyrë pranverën e vitit të ardhshëm.

Në fillim të këtij viti, Scholz luajti një rol të rëndësishëm edhe në arritjen e një marrëveshjeje ndërkombëtare mbi taksimin e korporatave, fillimisht në G7 dhe më pas në organizmat e tjera. Politika e jashtme dhe ajo evropiane, do t’i marrë me siguri pjesën më të madhe të kohës zotit Scholz.

Por ambiciet e tij të brendshme do të përqendrohen kryesisht në mbrojtjen e klimës. Menaxhimi i tranzicionit drejt një të ardhmeje pa karbon, thotë ai, do të jetë testi më i madh industrial i Gjermanisë në një shekull. Por ai do të ketë gjithashtu edhe një sfidë politike. Marrëveshja e koalicionit, e angazhon qeverinë Scholz të përmbushë objektiva të përpiktë, përfshirë një pjesë prej 80 për qind të burimeve të rinovueshme në prodhimin e energjisë elektrike deri në vitin 2030, edhe pse mbetet e paqartë se si do të financohen investimet e kërkuara.

Dy departamentet qeveritare, të ngarkuara për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, do të drejtohen nga dy politikanë që vijnë nga parti të ndryshme dhe me ide shumë të ndryshme:Christian Lindner nga Demokratët e Lirë që lobojnë pro uljes së taksave, do të jetë Ministër i Financave; dhe Robert Habeck nga Të Gjelbrit, i cili do të drejtojë Ministrinë e Ekonomisë dhe Klimës.

Menaxhimi i përplasjeve brenda koalicionit të tij, mund të dëmtojë aftësitë e njohura të Scholz në negociatat politike. Për të menaxhuar mosmarrëveshjet, Scholz do të mbështetet tek një pjesë e vogël të ndihmësve të tij të besuar.

Më kryesori mes tyre është Wolfgang Schmidt, një figurë e shkëlqyer, që pasi ka shërbyer për dekadash ndaj zoti Scholz, do të shpërblehet me drejtimin e stafit të kancelarisë. Edhe pse thonë se këshilltarja më e afërt e Scholz është gruaja e tij Britta Ernst, e cila mban postin e Ministres së Arsimit në landin lindor të Brandenburgut.

Ashtu si Merkel, që e mori detyrën duke premtuar reforma, por që do të mbahet mend kryesisht si menaxherja kryesore e krizave në Evropë, ngjarjet e papritura do të jenë një test për zotin Scholz,po aq sa edhe miratimi i programit të tij qeveritar.

Ai e merr detyrën në mesin e një vale të katërt brutale të Covid-19, kërcënimit nga varianti i ri Omicron dhe perspektivës së përtëritjes së luftimeve në Ukrainë. Një atmosferë optimizmi e rrethon qeverinë e tij të re dhe ambiciet e saj për ta modernizuar Gjermaninë. “Olaf will das”. Por kancelari i ri i Gjermanisë mund të mos marrë gjithmonë atë që dëshiron. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al