Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, deklaroi se në të kaluarën ka arritur që ta ulë inflacionin për rreth 4% dhe se këtë gjë do të arrijë ta bëjë sërish, teksa çmimet vjetore janë rritur për 21%.
Erdogani tha se politika e re, e bazuar në nivele të ulëta të interesit, ishte pjesë e “luftës së suksesshme për pavarësi ekonomike”. Por të kundërtën kanë thënë shumica e ekonomistëve, të cilët deklarojnë se janë të gabuara dhe parashikojnë se inflacioni do të shkojë përtej shifrës prej 30% gjatë vitit të ardhshëm.
“Herët ose vonë, siç e kemi ulur inflacionin për 4 për qind kur unë erdha në pushtet, do ta ulim sërish. Do Zoti, së shpejti inflacioni do të filloi të bie”, shtoi ai.
Të premten, monedha kombëtare turke, lira arriti rekordin më të ulët kundrejt dollarit amerikan. Gjatë këtij viti, lira ka humbur rreth 55 për qind të vlerës së saj, përfshirë 37 për qind të vlerës e ka humbur vetëm gjatë 30 ditëve të fundit.