Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka nisur takimin në Moskë me homologun e tij rus, Vladimir Putin, takim që ka për qëllim të ulë tensionet pas grumbullimit të trupave ruse në afërsi të Ukrainës.
Macron i tha Putinit se ai shpreson që bisedimet do të çojnë në uljen e tensioneve.
“Këto diskutime mund të shënojnë fillimin e një drejtimi në të cilin ne duhet të shkojmë, që është drejt shtensionimit”, tha Macron më 7 janar, para nisjes së takimit me Putinin. Ai shtoi se shpreson që të “shmanget lufta” dhe “të ndërtohen elemente të besimit, stabilitetit dhe dukshmërisë për të gjithë”.
Commençons à bâtir une réponse utile pour la Russie, utile pour toute notre Europe, une réponse qui permette d’éviter la guerre, de construire les éléments de confiance, de stabilité, de visibilité. Ensemble. pic.twitter.com/gutNEE5Frb
— Emmanuel Macron (@EmmanuelMacron) February 7, 2022
Putini përshëndeti rolin e Francës në formësimin e sigurisë evropiane dhe theksoi se bisedimet po zhvillohen në 30-vjetorin e nënshkrimit të marrëveshjes për miqësi.
“E kuptoj se ne ndajmë shqetësime lidhur me atë se çfarë po ndodh në Evropë, në sferën e sigurisë”, i tha Putin Macronit, duke shtuar se ai i vlerëson përpjekjet e presidentit francez për të ndihmuar që të ketë “një siguri të barabartë në Evropë” dhe për përpjekjet e tij që të ndihmojë në zgjidhjen e krizës ukrainase.
Para takimit, Kremlini u mundua që të ulte pritshmërinë nga bisedimet Macron-Putin, teksa zëdhënësi i presidentit rus, Dmitry Peskov tha se nuk pritet ndonjë përparim i madh.
“Situata është shumë komplekse që të presim ndonjë rezultat në një takim”, u tha Peskov gazetarëve, pavarësisht se i cilësoi bisedimet si “shumë të rëndësishme”.
https://youtu.be/bNiNnsSzPCA
Macron më 6 shkurt zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin amerikan, Joe Biden.
Shtëpia e Bardhë tha se dy liderët kanë diskutuar për “përpjekjet diplomatike në përgjigje të grumbullimit të vazhdueshëm ushtarak të Rusisë në kufijtë e Ukrainës”.
Perëndimi thotë se Rusia ka grumbulluar mbi 100,000 trupa në kufi dhe dyshon se Moska mund të jetë duke u përgatitur që ta pushtojë Ukrainën.
Rusia mohon se ka plane që ta pushtojë Ukrainën, por kërkon që t’i plotësohen një sërë kërkesash të sigurisë, përfshirë edhe që NATO-ja të mos e pranojë kurrë Ukrainën./REL