Orët e fundit janë rritur tensionet në Ukrainë. Gazetarja e ABC Linda Karadaku ka shkuar në Odesa, aty ku ndodhet komuniteti më i madh shqiptar në Ukrainë.
“Në Odesa janë disa fshatra shqiptare, janë rreth 3000 shqiptarë në Odesa. Unë kam folur me kryetarin e shoqatës rilindja. Kemi folur për gjendjen në Ukrainë dhe më tha se nëse do të ketë luftë do shkojnë të luftojnë për të mbrojtur këtë vend ku janë qytetarë besnik të Ukrainës”, tha Karadaku.
Karadaku thotë se Odesa është një zonë me rëndësi strategjike, për Putin, duke e lidhur këtë me historinë.
“Për Putin dhe njerëz si Putin është zonë historike për Rusinë. Dua t’ju rikujtoj një nga 2 filmat më të famshëm është Potemkin dhe është xhiruar në Odesa. Odesa është vendi i tretë me rrezikshmëri të lartë. Një nga gjërat që është problem nuk është si të hysh në Ukrainë por si të dalësh. Në rast të shpërthimi të një lufte do të ketë një krizë refugjatësh”, tha Karadaku.
Rusia ka rritur aksionin për pushtimin e Ukrainës. Pas urdhrit të presidentit rus Vladimir Putin për trupat ruse në dy rajone separatiste pro-Moskë në Ukrainën lindore, Presidenti amerikan Joe Biden ka njoftuar një raund të ri sanksionesh kundër Rusisë.
Biden njoftoi anksione të rënda financiare ndaj bankave ruse, oligarkëve rusë dhe familjarëve të tyre, duke deklaruar se Moska ka shkelur në mënyrë flagrante ligjin ndërkombëtar duke sulmuar Ukrainën.
Sanksionet përfshijnë jo vetëm bankat ruse, por edhe borxhin sovran të Rusisë. Sanksionet do të zbatohen ndaj bankës VEB dhe ndaj Promsvyazbank, e cila shërben si banka e ushtrisë ruse dhe kryen transaksionet në fushën e mbrojtjes. Nga dita e mërkurë, sanksionet do të fillojnë edhe ndaj elitave ruse dhe familjarëve të tyre. Presidenti Biden tha se një goditje e tillë ndaj borxhit sovran të Rusisë, do të thotë se praktikisht Rusisë do t’i ndërpritet financimi perëndimor. /abcnews.al