Një aeroplan pasagjerësh i Tibet Airlines ka shpërthyer në flak pasi doli nga pista në qytetin jugperëndimor kinez të Chongqing këtë të enjte në mëngjes.
Të 113 pasagjerët dhe nëntë anëtarët e ekuipazhit u “evakuan në mënyrë të sigurt”, tha linja ajrore përmes një deklarate për media.
Më shumë se 40 pasagjerë patën lëndime të lehta u dërguan në spital, bën me dije Aeroporti Ndërkombëtar Chongqing Jiangbei.
Administrata e Aviacionit Civil të Kinës (CAAC) tha se 36 persona pësuan mavijosje dhe ndrydhje gjatë evakuimit.
“Sipas ekuipazhit të fluturimit, avioni ka përjetuar një anomali gjatë ngritjes. Ata e ndaluan ngritjen pas procedurave,” tha CAAC. “Pasi avioni doli nga pista, motori u gërvisht në tokë dhe mori flakë. Zjarri është shuar.”, thuhet në njoftimin e CAAC.
Një video që qarkullon në rrjetet sociale tregon pasagjerët të cilët vrapojnë nga avioni për të shpëtuar jetën e tyre.
Fluturimi ishte nisur për në Nyingchi në Tibet. Pamjet e postuara tregojnë flakët e furishme të cilat kanë përfshirë pjesën e përparme të mjetit fluturues.
Shkaku i aksidentit është nën hetim dhe operacionet e fluturimit në aeroport janë kthyer në normalitet, bën me dije aeroporti.
Incidenti erdhi më pak se dy muaj pasi një avion i linjës ajrore China Eastern Airlines me 132 persona u rrëzua në malet e rajonit Guangxi të Kinës jugore, duke vrarë të gjithë personat në bord. Autoritetet janë ende duke hetuar shkakun e rrëzimit dhe për këtë aksident ajror.
https://youtu.be/5FW8XmipJAI