Skena të pabesueshme janë regjistruar në rrugët e qytetit të Napolit, në prag të ndeshjes së kthimit të Champions League përballë Eintracht Frankfurt.
Qindra tifozë gjermanë kanë mbërritur në qytetin italian dhe janë përplasur me rivalët vendas dhe policinë duke hedhur sende të forta në drejtim të tyre.
Sipas raportimeve nga mediat italiane, shumë makina janë djegur nga mysafirët, mes tyre dhe mjete të policisë.
Qindra efektivë janë angazhuar për mbajtjen e qetësisë, ndërkohë që dëme të shumta raportohen në zonat më të frekuentura të qytetit.
Napoli dhe Eintracht Frankfurt luajnë ndeshjen e kthimit në Champions League, ku djemtë e Spalletit kanë fituar të parën në transfertë me rezultatin 2-0.
Prefektura e Napolit kishte ndaluar më parë tifozët nga Frankfurti që të hynin në stadium për ndeshjen në mbrëmje. Eintracht, i indinjuar nga kjo, hoqi dorë nga kontigjenti i biletave të mysafirëve dhe u bëri thirrje mbështetësve të tyre që të mos vinin në Napoli. Pavarësisht apelit, disa qindra tifozë të Frankfurtit udhëtuan drejt Italisë.
Frika e autoriteteve u konfirmua pasditen e së mërkurës: pasi një marshim i tifozëve nga porti drejt qendrës së qytetit kaloi kryesisht pa incidente, situata u përshkallëzua para muzgut.