Udhëheqësja franceze e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen ka përshëndetur vendimin e presidentit Emmanuel Macron për të thirrur zgjedhje të parakohshme.
“Ky votim historik tregon se kur njerëzit votojnë, njerëzit fitojnë. Ne jemi gati të marrim pushtetin nëse francezët na japin besimin e tyre në zgjedhjet e ardhshme kombëtare.
Ne jemi të gatshëm të ushtrojmë pushtetin, t’i japim fund migrimit masiv, t’i japim përparësi fuqisë blerëse, të gatshëm për ta bërë Francën të jetojë përsëri,” theksoi ajo.
Presidenti Macron ka njoftuar përmes një deklarate se po shpërndan Asamblenë Kombëtare dhe do të thërrasë zgjedhje të parakoshme më 30 qershor dhe 7 korrik.
Presidenti francez tha se nuk mund të pretendojë se asgjë nuk ka ndodhur. Rezultati i zgjedhjeve të BE-së nuk është i mirë për qeverinë e tij dhe se rritja e nacionalistëve është një rrezik për Francën dhe Evropën.
“Kam vendosur t’ju kthej zgjedhjen e së ardhmes sonë parlamentare përmes votimit. Prandaj po shpërndaj Asamblenë Kombëtare. Votimi do të bëhet në dy raunde më 30 qershor dhe 7 korrik”, tha ai.