Ballina Blog Faqe 466

I mbijetuari i tërmetit: Si arrita të shpëtoja nga vrima e vogël e betonit!

Pas 4 orësh nën rrënoja, Lavdosh Petoshati, sipërmarrës nga Durrësi, lutej për jetën dhe falenderonte Zotin që familja e tij, një kat më lart, i mbijetoi tërmetit. Dëmet e mëdha në biznesin e tij, nuk e ndaluan të dhuronte 5 milion lekë për të dëmtuarit nga tërmeti.

Fiks Fare solli historinë e një familjeje që i mbijetoi tërmetit shkatërrimtar ku në ato momente ata ishin në ambientet e biznesit. Kompania private e Lavdosh Petoshatit është e vendosur që në fillim të viteve 2000 në Shkozet të Durrësit. Lidhja e ngushtë që ka me biznesin por edhe me punëtorët e tij, e kanë bërë të krijojë një ambient familjar brenda fabrikës.

Gjatë mëngjesit të së martës ai bashkë me bashkëshorten, vjehrrën por edhe vajzën 5 muajshe ndodheshin në këtë ambient. Lavdoshi e tregon me shumë emocion momentin e tërmetit dhe sytë e tij, mbushen me lot sa herë përmend vajzën e mitur. Shpërthen në ngashërim sa herë përmend punëtorët e tij, të cilët pas rënies së tërmetit lanë familjet e tyre dhe nxituan për ta shpëtuar. Ai tregon tmerrin që përjetoi momentet e para kur u gjet i bllokuar nën rrënoja. Shpirti ju çel kur dëgjoi zërin e gruas, vjehrrës dhe vajzës. Ai u qetësua sapo mori vesh që ato ishin mirë. Me gjithë forcën thërriste dhe godiste hekurat, por bashkëshortja nuk e dëgjonte dot. Ai u mundua të jepte shenja jete dhe fatmirësisht nuk u braktis.

Në godinën katër katëshe e cila u shemb e gjitha që në sekondat e para të tërmetit, të parët që erdhën në ndihmë ishin punëtorët dhe grupet shpëtimit të ngritura nga vetë banorët. Më pas mbërriti zjarrëfikësja dhe ambulanca. Pas 4 orësh nën rrënoja është bërë e mundur që ai të nxirret nga një vrimë betoni. Ai tregon se ishte i vetëdijshëm, por mban mend shumë pak. Kujton se në momentet e fundit, një nga punëtorët hyri vet në vrimë, për ta nxjerrë që aty.

“Mendoja se ajo ishte godina më e fortë në Durrës, por nuk rezultoi ashtu. Jam i shokuar.Është e tmerrshme ajo çfarë ka ndodhur” rrëfen mes lotësh zoti Petoshati. Ai tregon se godinën e kishte blerë nga një ndërtues në fillim të viteve 2000, me leje ndërtimi, hipotekë etj. Të gjitha brenda rregullave. Por në fund tërmeti tregoi se dëmet më të mëdha ndodhen pikërisht në këto godina. Ndërsa repartet e vendosura në ambiente të ndërtuara para viteve 90 qëndrojnë në këmbë, të forta.

Biznesi ka pësuar shumë dëme, dhe nuk dihet nëse do të marrin veten nga e gjithë kjo situatë, por kjo nuk e ka ndaluar të dhurojë 5 milion lekë për të prekurit nga tërmeti. “Nëse do të kisha qenë mirë, nuk e di se çfarë do të kisha bërë” -shtoi ai.
Pas shpëtimit, ai dhe familja gëzojnë shëndet të plotë dhe në ndërtesë nuk ka njerëz të tjerë nën rrënoja, përveç dëmeve të konsiderueshme materiale.

“Është një mrekulli që jemi gjallë. Jemi 4 të mbijetuar nga një tragjedi e madhe. Zoti ishte me ne” -me këto fjalë mbyll edhe rrëfimin e tij. Rrëfim që s’mund të ishte i lehtë për një sipërmarrës që ndjen përgjegjësi, jo vetëm për familjen, por edhe për 300 punëtorët e tij, që nuk e braktisën në ditën e tyre më të keqe.

“Zëri i Amerikës”: Tërmeti zbuloi mungesën e cilësisë së ndërtimit në Shqipëri

Specialistët në Shqipëri mendojnë se pasojat e rënda pas tërmetit të 26 Nëntorit në një pjesë të konsiderueshme të territorit, kanë si shkak përveç tërmetit edhe faktorin njerëzor.

Gjeologë, inxhinierë dhe urbanistë konstatojnë se dëmet u shumëfishuan si rrjedhojë e ndërtimeve në zona të rrezikshme, pa kriter pa planifikim, me cilësi të dobët jashtë kushteve teknike, për të cilat prej vitesh i kanë tërhequr vëmendjen autoriteteve por pa rezultat.

Ligjet për kontrollin e ndërtimeve dhe të cilësisë së tyre ekzistojnë por në mjaft raste ato nuk janë zbatuar thonë ekspertët. Ata shprehen se tërmeti zbuloi të gjitha defektet e ndërtimeve në 3 dekada në Shqipëri.

Tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri që shkaktoi 51 viktima, afro 900 të plagosur dhe dëmtoi sipas të dhënave paraprake 7900 pallate dhe banesa zbuloi një sërë problemesh që lidhen me planifikimin e territorit, ndërtimet pa leje, projektimet dhe zbatimin e kushteve teknike të ndërtimit. Specialistë të fushës së gjeologjisë, urbanistikës dhe inxhinierisë rendisin si shkak të kësaj katastrofe krah tërmetit edhe faktorin njerëzor.

“Janë disa faktorë. Faktor është tërmeti. Faktor është gjeologjia. Faktor është cilësia e materialeve të ndërtimit. Faktor është çimentoja, hekuri dhe mënyra se si përgatiten materialet” – thotë Fitim Bello Inxhinier ndërtimi.

Specialistët mendojnë se ajo që ndodhi në Durrës është rrjedhojë e ndërtimeve me leje dhe pa leje në zona të cilësuara të rrezikshme për ndërtime si në zonën e kënetës dhe në atë të plazhit.

“Është ndërtuar sipas njohjeve. Tani miku është shoqëruar dhe me ca vlera monetare, sepse nuk është vetëm mik. Problemi është që

gjithë ai plazh që menduan autoritetet për t’a zhvilluar në zonë të banuar ku e kanë planin?”– shprehet Luljeta Bozo, Pedagoge në fushën e Gjeoteknikës.

Urbanistët mendojnë se zhvillimi i territorit në Shqipëri ka ardhur i paplanifikuar dhe se i është dhënë më shumë rëndësi lejeve të ndërtimit se sa planifikimit të territorit.

“Kjo ka sjellë që niveli i korrupsionit të jetë i lartë, në shumë dimensione. Jo vetëm korrupsioni në kuptimin e mitmarrjes që njohim, por dhe të trafiqeve politike dhe marrëdhënieve të dyshimta ose të diskutueshme, si përsa i përket moralit ashtu edhe përsa i përket ligjit”– thotë Gent Kaprata, specialist urbanist.

Ekspertët ngrenë shqetësimin për mënyrën se si është ndërtuar, kriteret e dhënies së lejeve të ndërtimit, zbatimin e projekteve, kontrollin e cilësisë së punimeve gjatë ndërtimit të godinave disakatëshe që u rrëzuan ose mbetën të dëmtuara rëndë nga tërmeti.

“Një pjesë e mirë e atyre që janë dëmtuar kanë qenë për mungesë projekti, mungesë të respektimit të rregullave elementare të zbatimit të projektit, për mungesë të materialeve të përshtatshme, të gjitha, janë bashkuar tw gjitha. Por mbi të gjitha është për mungesë projekti. Kur them projekti, kam parasysh se duhet të njohësh truallin. Si mund të bësh 4 kate dhe të shtosh dhe 4 të tjera. Themeli mban vetëm 4, kush do t’i mbajë 4 të tjerat. Hotel Palma në Durrës edhe pa tërmet do ishte shembur”. shprehet Luljeta Bozo Pedagoge në fushën e Gjeoteknikës.

Ekspertët sqarojnë se ekzistojnë të gjitha ligjet, që parashikojnë kontrolle që nga marrja e lejës së zhvillimit dhe deri në dorëzimin e godinës së ndërtuar tek autortetet lokale, që përfshijnë projektin, studimin gjeologjik dhe sizmik, kontrollin e supervizorit në cdo hap të

zbatimit të projektit, kontrollin e eksperteve të pushtetit vendor, kryerjen e analizave të cilësisë së betonit dhe hekurit dhe deri tek certifikimi final ai që quhet kolaudimi, pa të cilin objekti nuk mund të merret në dorëzim nga bashkia. Por çfarë ka ndodhur dhe përse godina si ato në Durrës që parashikohet të përballojnë një tërmet i shkallës 8 sipas Rihterit u rrëzuan me 6.4?

“Ato që janë ndërtuar mirë i provoi tërmeti. Tani janë 4 godina, 3 prishen 1 nuk prishet. Çdo të thotë kjo? Ky që nuk është prishur është ndërtuar mirë. Të tjerët kanë ndërtuar keq”– pohon Fitim Bello inxhinier ndërtimi.

Pedagogia e fushës së gjeologjisë Luljeta Bozo nënvizon disa problem të evidentuara ndër vite, në fushën e ndërtimit në Shqipëri, të cilat tërmeti i zbuloi tërësisht.

“A është zbatuar projekti pikë për pikë, apo ata që e zbatojnë janë futur në presionin e investitorit i cili do të kursejë sa më shumë. Nuk kanë bërë prova, jo të gjithë kanë bërë prova edhe për betonin edhe për hekurin edhe për çimenton. E fillojmë që nga themeli. U hodh themeli.

Ku i ke provat që ke realizuar themelin? Duhet të kesh marrë kubikë betoni, të kesh marrë hekurin t’a kesh dërguar në laborator, të kesh certifikatat e cilësisë që vërtetojnë që ti e ke patur në cilësinë e duhur këtë material që ke përdorur. Kjo herë është bërë dhe herë jo. Këtu mungon hallka. Është supervizori por ai në shumë raste blihet ose paguhet nga investitori. Investitori ka interes të mbarojë shpejt”– shprehet Luljeta Bozo Pedagoge në fushën e Gjeoteknikës.

Një nga problemet që doli në pah pas lëkundjeve të forta të tërmetit të 26 nëntorit lidhet me ndërtimet pa leje, të cilat llogariten mbi 300 mijë, me

një rritje vit pas viti në tre dekadat e fundit. Ekspertë të fushës juridike vërejnë se këto ndërtime e thelluan dëmin njerëzor dhe material.

“Ndërtimi pa leje është si të ta marrë mendja. Pa supervizor, Mundohen të kursejnë sa më shumë. Pas ndërtimeve pa leje, kjo politikë ky shtet kishte shansin t’i çonte në një skaner sizmik gjeologjik këto ndërtime, që për efekte elektorale i legalizoi. Ti ja kthen fizikisht objektin këtij njeriu, por ti s’mund t’i kthesh një banesë të pabanueshme nesër”– pohon Genc Gjokutaj avokat për çështjet penale.

Specialist të fushës së ndërtimit shohin problem edhe tani gjatë procesit të inspektimit të godinave të dëmtuara.

“ Lëri të lirë specialistët. Shkon atje dhe thua, ky pallat bën dhe ky nuk bën. Me ç’të drejtë? Ku e ke procesverbalin? Ku janë analizat? Dalin dhe thonë se pamë 50 pallate, Ku i pe ti 50 pallate. Ku janë dokumentet. Për mendimin tim ka shumë vend për përmirësime”- thotë Fitim Bello Inxhinier ndërtimi

Ndërkohë prokuroritë e rrethit të Durrësit dhe Tiranës dy qytetet më të prekura nga tërmeti kanë nisur hetime prej disa ditësh në lidhje me ndërtesat e dëmtuara. Avokati Genc Gjokutaj vëren se hetimi po shoqërohet me zhdukjen e provave.

“Një pallat, gjysmë i shembur është prova mbi të cilën ekspertët do të konkludojnë dhe duhet t’i thonë shtetit, ti nuk do vazhdosh më në këtë formë. Të gjitha ndërtesat e dëmtuara duhet të inspektohen, të dalin përgjegjësit dhe pastaj të shemben”– argumenton Genc Gjokutaj avokat për çështjet penale.

Specialistët prej kohësh kanë ngritur shqetësime mbi cilësinë dhe ndërtimet pa kriter në të gjithë vendin. Ata herë pas here kanë paralajmëruar autoritetet mbi pasojat, por thirrjet e tyre nuk janë dëgjuar. Në të gjitha rastet, ajo që vihet re është mungesa e theksuar e rolit të shtetit për të kryer funksionin kryesor atë të sigurisë së banorëve Edhe në komentet e fundit të drejtuesve të shtetit, kritikat kryesore janë drejtuar ndaj ndërtuesve duke lënë jashtë zyrtarët për abuzimet e shumta që dyshohet se kanë bërë, në një kohë kur përgjegjësia mund të jetë e barabartë. (VOA)

ASH: Tetovarët nuk i besojnë Teuta Arifit, bojkotohet debati publik (Foto)

Komuna e Tetovës sot ka prezentuar propozim buxhetin e vitit 2020, në një debat publik me qytetarët. Por, ky institucion dhe Teuta Arifi kanë qenë të bojkotuar nga ana e qytetarëve të Tetovës. Të pranishëm në sallë kanë qenë vetëm administratorët komunal, disa këshilltarë dhe gazetarë. Ndërsa Teuta Arifi, edhe vetë nuk ka marrë pjesë në këtë takim.

Të parët që kanë reaguar, ka qenë Aleanca për Shqiptarët, ku kreu i degës së Tetovës Altrim Mamuti nëpërmjet një postimi ka deklaruar që më qytetarët nuk i besojnë Teuta Arifit:

Sot komuna e Tetovës pati takim me qytetarët për shpalosjen e projektit për buxhetin e vitit 2020 nga fotografitë që shihen shihet qartë se Teuta Arifi pati një anashkalim total nga ana e tetovarëve sepse qytetaret më nuk iu besojnë gënjeshtrave të sajë.

Në këto fotografi shihet një numër shumë i vogël i të pranishmëve ku një pjesë janë gazetarë, këshilltarë komunal dhe anëtar të organizatave joqeveritare,që kanë shkuar për të kryer obligimet e tyre kritike ndaj udhëheqësisë momentale, ajo qe bije në sy është se Teuta Arifi është anashkaluar totalisht nga të punsuarit e komunës dhe të partisë së saj që po shkon drejt humnerës!

Dhe më interesante është fakti se përkundër asaj që bëri ftesë të hapur për këtë takim vet ajo nuk mori pjesë në këtë takim!

Këto pamje të kamerës së sigurisë tregojnë më së miri sa zgjati tërmeti i 26 nëntorit (VIDEO)

Durrësi me rrethinë në orët e para të mëngjesit të 26 nëntorit janë shkundur nga një tërmet i fuqishëm prej 6.4 ballësh, i cili la të vde kur 52 persona, qindra të lënduar e pa strehë.

Disa ndërtesa i shembi plotësisht e disa i bëri të pabanueshme. Në media kanë qarkulluar pamje të ndryshme për lëkundjet që ka shkaktuar në objekte të ndryshme.

Megjithatë një video kamerë në një objekt në Durrës ka regjistruar gjatë gjithë kohës, duke treguar se sa kohë ka zgjatur tërmeti vr astar i mëngjesit të 26 nëntorit./Express/

https://youtu.be/rIUE2enBlpQ

VIDEO bonus:

https://youtu.be/Xt6hK1ejlOQ

https://youtu.be/xAOhs5sWyDI

https://youtu.be/0FuwbvDBIIk

https://youtu.be/4ul5cei2HlQ

https://youtu.be/B__r_V-VcHs

https://youtu.be/KquB5P77GtA

Galeria e tërmetit:

Milioneri nga Vushtrria lëvron arat, na njeh me pasurinë marramendëse (VIDEO)

Emisioni N`Kosovë Show, ka realizuar një intervistë me bizesmenin e njohur nga Vushtrria, Naser Imeri.

Naser Imeri, i cili njihet edhe si milioneri i Vushtrrisë, në këtë emision tregon se si ai e punon edhe tokën në fshatin e tij të lindjes Dumnicë, raporton Albanienshow

Naseri thotë që nuk ka asnjë kompleks madje këtë punë e bën shumë me qejf.

VIDEO:

“O figurë, hajde hajde ulu”/ Kërkon kafe në lokal, Rama ndeshet me kamarierin shqiptar në Itali (Video)

Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë mbrëmjen e sotme në emisionin “Porta a Porta” të gazetarit italian Bruno Vespa në Rai Uno, për të sensibilizuar dhe për t’i bërë thirrje komunitetit atje që të ndihmojnë Shqipërinë.

Teksa qëndron ulur në një prej lokaleve pak para regjistrimit të emisionit, Rama bisedon me këshilltarin e tij Endri Fuga dhe në një moment kur kërkojnë të japin porosinë, surprizohen nga kamarieri. “A caffee, caffee”, thotë Rama, ndërsa kamarieri duke e njohur kryeministrin ia kthen në shqip “një kafe espreso?”.

Menjëherë kryeministri e fton të riun nga Elbasani të ulet për pak në tavolinën e tyre dhe i tregon se sot do të kërkojnë ndihmë për Shqipërinë te Bruno Vespa.

Rama: Hajde mor figurë hake, ulu, ulu. Si je, kur ke ardh këtu?

Kamarieri shqiptar: Ketu ne Itali jam që nga 2003.

Rama: Nga je?

Kamarieri: Nga Elbasani. Më erdhi keq shumë për tërmetin që ndodhi në Shqipëri.

Rama: Ca t’i bëjmë. Ja kemi ardhur këtu për…

Kamarieri: Më bëhet qejfi që Italia ka ndihmuar si shumë shtete të botës.

Rama: Italia na ka ndihmuar vërtet shumë. Tani jemi te Bruno Vespa për një regjistrim te Bruno. Do
bëjmë dhe një thirrje aty për sensibilizim dhe mbështetje. Duhet mbështetja e të gjithëve, dhe ne do t’i bëjmë ato tonat.

https://youtu.be/W6eBV-1csLo

Lëvizja Besa: Nevojiten reforma serioze në sistemin e drejtësisë (VIDEO)

Sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes BESA, Arjanit Hoxha, sot përmes një press konference ka reaguar rreth shqyrtimit të gjykatës kushtetuese për iniciativën e ish presidentit Gjorge Ivanov për amnesti, gjë që nëse ndodh, sipas BESËS, do ishte edhe një goditje shumë e rëndë për sistemin gjyqësor ose thënë ndryshe gjyqësori do pësonte vdekje klinike:

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Të nderuar qytetarë,

Jemi dëshmitarë se kjo qeveri u formua mbi premtimin se do rikthejë shtetin e së drejtës, se drejtësia do jetë e njejtë për të gjithë pavarsisht përkatësisë etnike, fetare, kulturore apo ndonjë përcaktimi tjetër.
Për fat të keq ashtu si kalon mandati i këtij pushteti, ashtu po thellohen problemet në sistemin e drejtësisë, dhe në vend që të kemi përmirësim, përkundrazi kemi vetëm skandale të njëpasnjëshme dhe përkeqësim të funksionimit të sistemit gjyqësor.

Për të qenë të sinqertë kjo qeveri duhet të pranojë se sundimi i ligjit dhe shtetit të së drejtës filloi teposhtëzën e saj në momentin kur Kryeministri i vendit ofroi të ashtuquajturën “pajtim nacional” me ç’rast u bë amnestim i disa deputetëve që ishin të kyçur në dhunën e 27 Prillit të vitit 2017, ku u bë ndëryhrje brutale në Kuvendin republikan.

Pas kësaj vijuan edhe ngjarjet skandaloze si ikja e Nikolla Gruevskit, prolongimi i dënimit për Jankulovskën, futja në labirinthet e gjykatave të lëndëve ku të akuzuar kanë qenë ish pjesëtarë të regjimit të kaluar dhe gjithë kjo kulmoi kur nëpër gjykata filloi edhe vjetërsimi i lëndëve që hetoheshin nga Prokuroria Speciale.

Që ironia të jetë më e madhe gjithë kjo katrahurë në sistemin gjyqësor kulmon kur Gjykata Kushtetuese po merr në shqyrtim iniciativën për të abroguar një nen nga ligji për amnesti me çrast do ishte kthyer në fuqi abolimin skandaloz që nënshkroi ish Presidenti Ivanov, gjë që nëse ndodh do ishte edhe një goditje shumë e rëndë për sistemin gjyqësor ose thënë ndryshe gjyqësori do pësonte vdekje klinike.

Lëvizja BESA në vazhdimësi ka apeluar që për të filluar reformat e mirëfillta dhe cilësore është më se e nevojshme që Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski të marrë në konsideratë propozimin tonë për të inicuar formimin e një komisioni shtetëror i cili do ishte i përbërë nga ekspertë të brendshëm por edhe nga ekspertë të jashtëm si nga SHBA dhe Bashkimi Evropian, dhe përmes këtij komisioni të fillon reforma e plotë, cilësore dhe thelbësore në gjitha nivelet e gjyqësorit dhe prokurorisë.

Në drejtim të apelit shumë mujor të Lëvizjes BESA ishte edhe mesazhi i kryeministrit Zoran Zaev ,i cili para disa ditëve kërkoi nga komisioni për anti-korrupsion që të hetojë në detaje pasurinë e çdo gjykatësi dhe prokurori. Për t’ia lehtësuar kryeministrit Zaev i propozojmë që në Kuvend të sillet ligj ku do pamundësohet që familjarë të afërt me funksionarë politik të jenë të punësuar si gjykatës apo prokurorë, gjithashtu të sanksionohet me ligj që pjesëtarë nga rrethi i ngushtë familjar mos kenë të drejtë të jenë edhe avokatë edhe gjykatës ose prokurorë, pasi që ky lloj i nepotizmit dhe ky konflikt interesi ka sjellë gjyqësorin në situatën aktuale ku kemi të rrënuar në tërrësi gjithë sistemin e drejtësisë së vendit.

Shpresojmë që apelet e kryeministrit Zaev të jenë të sinqerta dhe qëllim mira, dhe nuk do kishim dashur të besojmë që gjitha skandalet që kanë ndodhur në gjyqësor pas 27 Prillit të vitit 2017 janë të lidhura në një apo mënyrë tjetër me të ashtuquajturën iniciative për pajtim që inicoi kjo qeveri e udhëhequr nga LSDM dhe BDI.

Maqedonisë së Veriu i duhet urgjent një reformë serioze, thelbësore dhe cilësore e sistemit të drejtësisë, përndryshe me këtë sistem të drejtësisë me qasje selektive, të partizuar, të korruptuar dhe jo funksionale ky shtet asnjëherë nuk do mund të krijojë të ardhme të sigurtë.

Sekretari Gjeneral, Arjanit Hoxha

Lëvizja BESA
04.12.2019

https://youtu.be/KjTJhc5FUmI

VIDEO-LAJM/ Momenti kur shembet vila 5-katëshe në Shkozet

Sot rreth orës 15:00 është shembur vila 5-katëshe në Shkozet të Durrësit.

Shembja është bërë me shpërthim të kontrolluar me tritol.

Vila u dëmtua nga tërmeti i fortë i 26 nëntorit, në kollona dhe në strukturë, kësisoj ekspertët vendosën që objekti të shembet.

https://youtu.be/lhvkpUnft0Y

VIDEO bonus:

https://youtu.be/go-y-mCZ5AM

https://youtu.be/zGu5zJ8nUDQ

Galeria e tërmetit:

INVESTIGIMI/ Ikja e trurit: A do t’i fikë dritat mjeku i fundit që largohet nga Kosova?

BIRN zbulon pasojat alarmuese që ka emigrimi në sistemin shëndetësor të Kosovës – që është përkeqësuar edhe më shumë nga industria private që po rrëmben staf mjekësor për eksport në Gjermani.

Nga Shkumbin Ahmetxhekaj

Dikur u dorëzua. Udhëtimet e lodhshme e të gjata për në punë e bindën që të marr vendimin e padëshiruar.

Blerim Berisha ishte kardiolog në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në kryeqytetin, Prishtinë, ku punonte ditë pas dite duke ekzaminuar elektrokardiogramet dhe ultratingujt.

Pas një turni tetë-orësh, ai hipte në një makinë rrangallë dhe udhëtonte për 60 kilometra përgjatë rrugës M9 për në qytetin e Klinës, në perëndim të Prishtinës, ku jetonte me gruan, vajzën dhe djalin.

Në të vërtetë, nuk është se arrinte t’i shihte shpesh ata. Kjo pasi që mënyra e vetme për të mbuluar shpenzimet e jetës dhe specializmit ishte që të punonte në turne nate në burgun e Dubravës, 30 kilometra më tutje. Pastaj kthehej në shtëpi sa për të ngrënë e pushuar pak dhe sërish drejt Prishtinës për ta nisur sërish nga fillimi.

“Nganjëherë më dukej se nuk do të arrija kurrë të ngopesha me gjumë,” rikujton ai. “E aq më pak të kisha kohë të kaloja me familjen.”

Këto ditë, Berisha, 42, shkon në punë me makinë përgjatë rrugëve me shtëpi gjysmë prej druri në qytezën piktoreske të Pegnitzit, pranë qytetit gjerman të Nurembergut, ku punon si kardiolog në spitalin kryesor të zonës.

Ai fiton dhjetë herë më shumë se sa në Kosovë dhe kalon fundjavat duke vizituar vendbanime historike bashkë me gruan dhe fëmijët.

Pesë vjet pasi mori stetoskopin dhe u zhvendos në Gjermani, Berisha nuk është bërë pishman.

“Vendimi për të ardhur këtu ishte shumë i vështirë, po nuk kisha zgjidhje tjetër,” tha ai, teksa më priti për intervistë në shtëpinë e tij në Nuremberg.

Ndërsa orët e gjata të punës dhe udhëtimi i përditshëm e lodhën shumë, diagnoza që ai i bëri sistemit shëndetësor të Kosovës është ajo që i ndryshoi mendjen përfundimisht.

“Korrupsioni, mungesa e perspektivës dhe nepotizmi në institucionet publike po vrasin të ardhmen e vendit,” tha ai.

Berisha është një nga qindra mjekë të Kosovës që kanë shkëmbyer pagën e ulët dhe stresin e lartë për jetë më të mirë jashtë vendit. Shumica shkojnë në Gjermani, vend që njeh diplomat mjekësore të Kosovës.

Ndërsa rruga e migrimit bëhet më e lehtë për mjekët, infermierët dhe punonjësit e tjerë të shëndetësisë në Kosovë, BIRN zbuloi përmasa të gjera të ikjes së trurit në shtetin më të ri të Evropës.

Në një vend që ka një nga densitetet më të ulëta të mjekëve në kontinent për kokë banori, një mjek emigron çdo dy ditë ndërsa dy infermierë largohen çdo ditë, bazuar nga të dhënat e Odës së Mjekëve dhe Odës së Infermierëve.

Emigrimi vjen me një kosto: qendrat e mjekësisë gradualisht po zbrazen nga stafi, pacientët po përballen me mungesë përkujdesje primare ndërsa shkollimi i ofuar publik po shkon huq. Dhe pastaj është kostoja për taksapaguesit – pasi vlerësohet se arsimimi i një mjeku tjetër kushton rreth 100 mijë euro.

“Stuhia po vjen,” thotë Afrim Blyta, një profesor i neuropsikiatrisë në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës.

“Mund të them se 95 për qind e studentëve po mësojnë gjermanisht dhe synojnë të shkojnë në Gjermani. Shumë shpejt Kosova do të përballet me një mungesë akute në staf mjekësor.”

Ekspertët e shëndetësisë fajësojnë sistemin në përgjithësi si shkaktar kryesor, duke u nisur nga pagat e ulëta dhe mungesa e perspektivës për punësim në Kosovë, shto këtu edhe kërkesën e jashtëzakonshme për staf mjekësor në Gjermani, vendi që është ekonomia më e madhe në Evropë por që po përballet me plakje të popullsisë.

Por një fenomen më pak i njohur po ushqen gjithashtu largimin: një industri private në lulëzim, qëllimi i vetëm i së cilës është të tërheqë punonjësit e gatshëm të shëndetësisë për t’i dërguar në Gjermani.

Nga kolegjet private tek kompanitë e shumta të ‘etura’ për rekrutim e deri tek marrja e certifikatave false të gjuhës gjermane, BIRN hedh dritë mbi këtë treg në përgjithësi të parregulluar të eksportit të punëtorëve shëndetësor.

Kritikët thonë se pasojat e kësaj do të jenë zbrazja e vendit si dhe promovimi i sasisë përkundrejt cilësisë, që do të ketë pasoja serioze për sektorin e shëndetit publik.

Mjekë pa kufij

Blerim Syla, kreu i Sindikatës së Punonjësve të Shëndetësisë, është i shqetësuar mbi pasojat e ikjes së trurit mjekësor. Foto: Shkumbin Ahmetxhekaj

Në Gorance, një fshat i strukur në kodrat e Kosovës së jugut, vendësit janë mësuar me mjekët që i ikin për në Gjermani. I fundit iku shumë muaj më parë dhe banorët thonë se kanë pak shpresa për një zëvendësim të shpejtë.

Në qendrën mjekësore, infermierja Sevime Shkreta bën çfarë të mundet për t’u përkujdesur për të sëmurët. Ajo është ndihmëse me një termometër dhe për të lidhur fasha rreth plagëve të vogla. Por shpesh asaj i duhet të dërgojë pacientët për qendrën shëndetësore të Hani i Elezit.

Ky nuk është një opsion për familjen e 65 vjeçares Arife Berisha. Ajo vuan nga hipertensioni ndërsa bashkëshorti i saj ka probleme me zemrën e vjehrra vuan nga diabeti.

“Ne nuk kemi mundësi të udhëtojmë për në Han të Elezit për shkak se nuk kemi makinë dhe fëmijët i kam të papunë,” tha ajo ndërsa infermierja Shkreta i mati tensionin.

Në të gjithë vendin me 1.8 milionë banorë, disa qendra shëndetësore që dikur ishin të zhurmshme janë kthyer në zyra fantazmë. Edhe spitalet rajonale në qytetet perëndimore të Pejës dhe Gjakovës u detyruan të mbyllin njësi.

Në të gjithë vendin, 4,100 mjekë ushtrojnë këtë profesion, sipas Odës së Mjekëve, Kjo do të thotë se vendi ka 2.3 mjekë për 1 mijë banorë, një nga normat më të ulëta mes 47 vendeve që përbëjnë Këshillin e Evropës (Kosova ende nuk është anëtare e kësaj organizate).

Vendet e vetme që kanë raport edhe më te keq janë Shqipëria (1.2), Turqia (1.8) dhe Bosnjë e Herzegovina (2.0), sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Në kontrast me këtë, Gjermania ka 4.2 mjekë për 1 mijë banorë ndërsa Suedia ka 5.4.

Pleurat Sejdiu, kreu i Odës së Mjekëve të Kosovës, thotë se vendi ka nevojë për së paku 5 mijë mjekë për të plotësuar standardet e rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Kjo do të thotë se ka nevojë edhe për 900 mjekë të tjerë përveç ekzistuesve.

Por statistikat tregojnë nivele alarmuese. Ndërsa vendi arsimon 150 mjekë në vit, së paku 180 mjekë ikin, shpjegoi Sejdiu.

“Shumica e tyre kanë në plan të ikin nga Kosova, pavarësisht faktit se ata do të duhet të kalojnë përmes trajnimeve dhe praktikave shtesë në vendin pritës,” tha Sejdiu.

Përgjatë vitit të fundit, ai mori 176 kërkesa nga mjekët për certifikata për të kaluarën etike dhe profesionale, të cilat kërkohen ligjërisht për të marrë punë jashtë vendit.

Suzana Manxhuka Kërliu, dekane e Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, është gjithashtu e bombarduar nga kërkesa për certifikata nga studentë të shkuar dhe aktualë që po kërkojnë të emigrojnë.

“Ana negative është që fuqia jonë mendore po largohet,” tha ajo. “Në anën pozitive, ajo që ne po ofrojmë në treg po vlerësohet pozitivisht, por për ne kjo është keq për shkak se do të përballemi me mungesa.”

Ajo shtoi se pothuajse të gjithë studentët e mjekësisë në Universitetin e Prishtinës po ndjekin kurse private për të mësuar gjuhën gjermane, në përgatitje për emigrim.

“Nuk mund t’i kërkosh dikujt të qëndrojë vetëm për patriotizëm,” tha ajo. “Jo nëse ne nuk ofrojmë kushte të mira pune dhe studimi.”

Ironia është se pavarësisht deficitit në mjekë, shumë të diplomuar në mjekësi nuk po arrijnë të punësohen në Kosovë.

Oda Dhoma e Mjekëve thotë se Kosova ka prodhuar 440 mjekë të kualifikuar të cilët nuk kanë gjetur punë — së paku jo në atdhe.

Ekspertët ia hedhin fajin një kulture nepotizmi në një vend që shpenzon vetëm 220 milionë euro në vit në kujdes shëndetësor, sipas Ministrisë së Shëndetësisë. Kjo i bie 122 euro për person, në krahasim me 5 mijë euro që shpenzohen në Gjermani.

“Nëse nuk ke njohje, është e vështirë të gjesh një vend pune apo një vend në programet e specializimit,” thotë Blerim Syla, kryetar i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë në Kosovë.

Por edhe ata që kanë kontrata pune, janë me dy mendje.

Një hulumtim i kohëve të fundit nga Oda e Mjekëve zbuloi se arsyeja kryesore se pse stafi mjekësor synon migrimin janë kushtet e këqija të punës, pasuar nga mungesa e mundësive për zhvillim profesional. Vetëm pas këtyre renditet faktori i pagave të ulëta.

Flamur Llabjani, 34, është një i pakënaqur tipik. I diplomuar prej pesë vitesh, ai është afër përfundimit të specializimit në gastroenterologji në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në Prishtinë, ku punon cdo ditë, duke udhëtuar nga qyteti i Ferizajt, 40 kilometra në jug.

“Për fat të keq, mjekët më me eksperiencë që supozohet se duhet të na mësojnë neve dhe të na japin dijen që kanë, nuk po e bëjnë këtë, me ndonjë përjashtim” tha ai.

Llabjani ka frikë se do të përfundojë specializimin pa mësuar si të kryejë procedurat bazë të diagnostikimit, të tilla si gastroskopinë dhe kolonoskopinë. Ai pret që të ketë angazhime shtesë në Gjermani në kuadër të specializimit.

“Unë kam qenë kategorik kundër largimit,” tha ai. “Tani e shoh se edhe shokët e mi më të ngushtë që m’u lutën të mos e bëja, janë vetë duke menduar të ikin.”

Studentë infermierie në Universitetin për Biznes dhe Teknologji në Prishtinë duke ndjekur një ligjëratë. Shumë prej tyre duan të ikin në Gjermani. Foto: Shkumbin Ahmetxhekaj

Biznesi po lulëzon

Gjermania ka nevojë për rreth 70 mijë mjekë dhe infermierë më shumë nga 500 mijë që ka aktualisht, thotë ministria e shëndetësisë së Gjermanisë.

Rreth një e dhjeta e forcës punëtore vjen nga jashtë, tërhequr në një vend që shpenzon më shumë në shëndet publik se sa çdo vend tjetër në Evropë — 351.7 miliardë euro më 2016, sipas agjencisë evropiane të statistikave, Eurostat.

Vetëm një pjesë shumë e vogël e mjekëve të huaj në Gjermani janë nga Kosova. Oda Gjermane e Mjekëve jep shifrën 292 deri me 31 Dhjetor 2018, megjithëse Oda e Mjekëve të Kosovës thotë se janë më shumë se 450.

Sado të vogla duken këto shifra në krahasim me popullsinë e Gjermanisë prej 84 milionësh, ato janë gjithsesi një pjesë e konsiderueshme e forcës punëtore të shëndetësisë në Kosovë.

Dhe ekspertët thonë se portat e shkarkimit në Kosovë janë duke u hapur – veçanërisht sa i përket infermierëve.

Kosova ka rreth 27 mijë infermierë të certifikuar, sipas Dhomës së Infermierëve, megjithëse vetëm 21 mijë janë të punësuar në vend. Shanset janë se shumë nga ta mund të jenë duke punuar në Gjermani. Dhe shumë të tjerë janë rrugës.

Më 2016, Kosova lejoi kolegjet private të fillojnë të arsimojnë infermierë dhe mami në masë. Gjashtë të tilla aktualisht funksionojnë krahas dy universiteteve publike që ofrojnë studime në mjekësi.

Ndërsa kolegjet private mund të pranojnë studentë pa limit, universitetet publike kanë një kufi prej 50 studentësh në vit për secilin nga institucionet, tavan i vënë nga Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA), e cila mbikëqyr standardet e arsimit të lartë.

Hyrja e kolegjeve private në skenë ka sjellë një shpërthim të stduimeve në infermieri. Pothuajse menjëherë, këto drejtime tjekaluan ekonominë dhe juridikun si zgjedhjet më të pëlqyera të të rinjve për studime.

Më shumë se 5,700 studentë ishin aktiv në infermieri dhe mami në vitin akademik 2017/18, sipas të dhënave të ministrisë së arsimitstria e arsimit.

Gjenerata e parë e studentëve të kolegjeve private do të diplomohet këtë vit – që do të thotë se mijëra infermierë do të jenë në kërkim të vendeve të punës.

Kritikët thonë se se kjo valë masive e studentëve në infermieri ngre pikëpyetje mbi kontrollin e cilësisë (shiko kutinë: Një çështje standardesh).

“Është e pamundur të arsimosh siç duhet më shumë se 4,000 studentë,” tha Sejdiu nga Oda e Mjekëve. “Unë i shoh ata duke u endur ditë për ditë nëpër korridoret e klinikës, por ata nuk marrin praktikën e nevojshme.”

Një çështje standardesh

Ndërsa mijëra studentë synojnë infermierinë si një mënyrë për t’u zhvendosur drejt Gjermanisë, ekspertët e shëndetësisë shqetësohen për rënien e standardeve.

Suzana Manxhuka Kerliu, dekane në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, dënoi një vendim të tre viteve më parë nga Agjencia Kosovare e Akreditimit (KAA) për të lejuar universitetet private të pranojnë studentë pa limit në infermieri çdo vit.

“Si mundet që fakulteti ynë të lejohet të pranojë 50 studentë në infermieri ndërsa privatët pranojnë mijëra?” tha ajo. “Është mirë të kesh konkurrencë, por ne duhet t’i kushtojmë vëmendje edhe cilësisë dhe monitorimit të rreptë.”

Kreu i AK-së Gazmend Luboteni tha se vendimi u bazua në një vlerësim se “nevojat e tregut ishin më të larta se sa oferta e Fakultetit të Mjekësisë” pavarësisht faktit se qindra të diplomuar në mjekësi dhe infermieri nuk kanë arritur të gjejnë vende pune në Kosovë.

Lul Raka, profesor i mikrobiologjisë në Universitetin e Prishtinës dhe ish anëtar bordi i AKA-së, tha se Kosova ka shkelur si direktivat e Komisionit Europian ashtu edhe ligjet mbi arsimin e lartë.

“Bazuar në direktivat e BE-së, tituj të tillë si mjek, dentist, farmacist, infermier apo fizioterapist mund të jepen vetëm nga një universitet apo universitete që janë të lidhura me institucione shkencore,” tha ai. “Asnjë nga universitetet private nuk e plotëson këtë kusht.”

Ajo që shton ankthin mbi standardet janë raportet që tregojnë për ‘rrugë të shkurtra’ të gjetura nga kolegjet private.

“Ata nuk i respektojnë rregullat… Kanë shumë staf me titullin profesor që nuk kanë Phd,” tha Manxhuka-Kerliu.

Kolegjet private të cilat zakonisht i faturojnë studentët për 1,000-2,000 euro në vit, përgjigjen duke thënë se Universiteti i Prishtinës nuk ka monopol mbi cilësinë.

Fitim Alidemaj, kreu i departamentit të infermierisë në Universitetin e Biznesit dhe Teknologjisë, tha se institucioni i tij investon më shumë në staf dhe infrastrukturë.

“Ne kemi 102 vetë staf vetëm te infermieria,” tha ai.

Një analizë nga BIRN i CV-ve të stafeve të publikuara në internet zbulon se të gjitha universitetet publike dhe private ofrojnë studime infermierie me stafe akademike që nuk kanë PhD sipas kërkesave të ligjit. Në shumë raste, pedagogët janë studentë masteri.

Në mbrojtje të tyre, institucionet e arsimit të lartë citojnë një urdhër administrativ të lëshuar nga ministria e arsimit më 2017 që i jep atyre një “grejs periudhë pesëvjeçare”, kohë gjatë së cilës duhet të sigurojnë diplomat e nevojshme pasuniversitare.

AKA supozohet se monitoron universitetet dhe kolegjet për t’u siguruar se stafi është adekuat, por disa ekspertë vënë në pikëpyetje aftësinë – apo gatishmërinë – e AKA-së për ta bërë këtë.

Në Shtator, Shoqata Europiane për Garantimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), një grup me bazë në Bruksel që përfaqëson organizatat e sigurisë, anuloi anëtarësinë e AKA-së me argumentin se nuk po bënte mjaftueshëm për të garantuar standardet.

“Nuk ka pasur monitorim apo ndjekje të rekomandimeve të bëra nga rishikimet e mëparshme,” shkroi ENQA në një letër në AKA, e disponueshme online. “Monitorimi është kufizuar vetëm te kërkesat formale, kufizuar te kontrolli më shumë se sa te përforcimi i cilësisë.”

Ekspertët thonë se vendimi i ENQA mund ta bëjë më të vështirë për studentët e Kosovës ekujvalentimin e diplomave.

Ekosistem emigrimi

Nuk është koincidencë që një ekosistem i tërë është krijuar për të dërguar punonjësit e shëndetësisë në tregun gjerman.

Qindra qendra për kurse gjuhe nëpër Kosovë premtojnë ndihmë për ata që aspirojnë për të emigruar se do të kalojnë testet e gjuhës gjermane që kërkohen për aplikim për vizë pune.

Shumë kolegje private kanë kontrata me agjenci punësimi të krijuara për të gjetur staf për spitalet në Gjermani.

Michael Weiss-Gehring, menaxher i infermierëve në spitalin publik Hassberg në qytezën bavareze të Hasfurit, i tha BIRN në korrik, se spitalet gjermane zakonisht paguajnë 6 mijë euro për agjencitë e punësimit për çdo mjek apo infermier që ata e sjellin. Një nga qendrat më të mëdha të gjuhës në Kosovë është InterPersonnel në Prishtinë, e cila ofron 18 muaj kurs falas për gjuhën gjermane dhe praktikë infermierie për rreth 550 studentë në vit – që të gjithë me destinacion Gjermaninë.

Kjo qendër, nxjerr paratë vetëm nga tarifat e rekrutimit nga vet institucionet gjermane. Kursistët duhet të nënshkruajnë një kontratë në të cilën bien dakord se do të gjejnë punë përmes InterPersonnel, e cila bashkëpunon me kompaninë gjermane të burimeve njerëzore Dekra.

“Çdo 3 muaj ne hapim konkurs për 140 vende të lira, e pranojmë rreth 3 mijë aplikime,” thotë drejtori ekzekutiv i InterPersonnel Musa Ahmeti. “Ne nuk po kontribuojmë për të zbrazur Kosovën por për të reduktuar papunësinë dhe për t’i ofruar infermierëve një mundësi për jetë më të mirë.”

Duke nuhatur një mundësi, agjencitë e burimeve njerëzore të përqendruara në Kosovë dhe vende të tjera të Ballkanit po shfaqen në të gjithë Gjermaninë.

“Kërkesa nga spitalet është e lartë dhe po rritet shumë,” tha Sadik Shkreli, i cili la Kosovën më 1991 dhe tashmë drejton një kompani rekrutimesh në qytezën Landshut, pranë Mynihut. Ai vlerëson se sjell në Gjermani 50-60 infermierë e mjekë në vit, nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Por rekrutuesit e burimeve njerëzore munden që së shpejti të gjejnë më pak kërkesë për shërbimet e tyre.

Në janar, Gjermania do të lehtësojë kufizimet për profesionistët e huaj që kërkojnë punësim, duke lejuar mjekët dhe infermierët të hyjnë me viza gjashtëmujore në mënyrë që të kërkojnë vetë për punë.

Punëkërkuesve do t’u kërkohet sërish të dinë gjuhën – një pengesë domethënëse për ata që nuk kanë prirje për gjuhë të huaja. Por disa kanë gjetur një rrugë më të shkurtër, ndonëse joetike.

BIRN bisedoj me katër kosovarë që thonë se kanë paguar të tjerë për të kaluar provimin e gjuhës gjermane në vend të tyre.

Njëri ishte një infermier 39 vjeçar nga pjesa lindore e vendit, i cili vendosi të shkojë në Gjermani pasi nëna e tij vdiq nga kanceri i gjirit. Një problem me furnizimet me barna në spital bëri që ai të paguante vetë për ilaçet e saj, proces që pothuajse e falimentoi financiarisht.

“Imagjino si është kur ti ki pagë vetëm 400 euro në muaj por të duhet të blesh ilaçe që kushtojnë 5 mijë,” tha ai. “U ndjeva i braktisur. Unë isha vetë i fushës së mjekësisë, por nuk munda të ndihmoja shumë as nënën time.”

Për të aplikuar për vizë pune në ambasadë, infermierit i nevojitej një dëshmi e aftësisë në nivelin B2 në gjermanisht. Ai tha se e gjeti veten duke rënë dakord me dramaturgun britanik Oscar Wild që thotë se “jeta është tepër e shkurtër për të mësuar gjermanisht”. Dhe për 2 mijë euro, ai nuk kishte nevojë ta mësonte gjuhën në atë nivel, duke e marr një certifikatë nga njëra prej qendrave të gjuhës në Serbi.

Ekzaminuesit në teste të tilla si Diploma e Gjuhës Austro-Gjermane (OSD) dhe në Institutin Gëte thonë se ata po bëjnë çfarë munden për të parandaluar mashtrime të tilla.

“Ofruesit e testit si OSD po dëmtohen shumë rëndë nga mashtrimet e tilla të përshkruara, në lidhje me marrjen e testit të gjuhës,” tha Brigitte Mitteregger, drejtuese e zyrës së Vjenës për OSD në një email.

Raportet për mashtrime kanë shtyrë edhe Ambasadën e Gjermanisë në Prishtinë që të kufizojë listën e qendrave që pranon certifikatat e tyre. Ambasada pranon certifikatat nga OSD dhe Goethe-Zentrum në Kosovë; OSD në Maqedoninë e Veriut dhe në Austri; dhe Instituti Gëte dhe TELC në Gjermani.

Michael Weiss-Gehring, menaxher i departamentit të infermierisë në Klinikën Hassberg në qytezën gjermane Hassfurt, e di shumë mirë se sa e vështirë është të plotësosh mungesat në staf. Foto: Shkumbin Ahmetxhekaj

Fusha e minuar’ mjekësore e Kroacisë

Kosova nuk është vendi i vetëm në Europën Juglindore që përballet me ikjen e trurit mjekësor. Fenomeni prek të gjitha vendet e rajonit, përfshirë anëtarin më të ri të BE-së, Kroacinë.

Oda e Mjekëve të Kroacisë thotë se më shumë se 10% e mjekëve të vendit – rreth 1,700 në total – kanë kërkuar certifikata që nevojiten për të punuar jashtë vendit.

“Zakonisht unë them se sistemi shëndetësor kroat është një fushë e minuar për mjekët dhe pacientët dhe se situata po përkeqësohet çdo ditë,” thotë Ljiljana Cenan, një mjeke e Mjekësisë Familjare në fshatin Ivankovo në lindje të vendit.

Pasi ka punuar 20 vjet në fshat, Cenan ka siguruar një vend pune në Suedi. Ajo thotë se do të jetë e vështirë për të gjetur një mjek zëvendësues kur ajo të ikë.

Njësoj si kolegët e tyre në Kosovë, shumë mjekë kroatë ankohen se kanë mundësi të kufizuara për specializim.

Në përpjekje për të ndalur eksodin, Kroacia ka vendosur t’i kërkojë mjekëve në programe specializimi të vijojnë të punojnë në spitalin ku kryejnë specializimin pasi të mbarojnë kursin – ose të paguajnë një gjobë, që varion deri në 135,000 euro.

Ivan Bekavac, kreu i Zyrës së Dhomës së Mjekëve për Çështje Ndërkombëtare, tha se ndërsa ai kundërshtonte lidhjen me ‘pranga’ të mjekëve të rinj në këtë mënyrë, vendi përballej gjithsesi me një problem të madh.

Ai përmendi shembullin e një spitali në Slavonski Brod që shpalli vende të lira pune për 32 mjekë por mori vetëm shtatë aplikime.

“Sistemi ynë i ri tregon se sa mjekë do të dalin në pension brenda pak viteve të ardhshme në secilin rajon, dhe se sa shumë mjekë sipas të gjitha specializimeve i kanë letrat gati për të ikur jashtë vendit,” tha ai.

Kroacia ka rreth 470 mjekë në pension që vijojnë të punojnë me gjysëm orari për shkak se nuk ka mjekë të rinj.

Horizonte të reja

Në shkurt, parlamenti i Kosovës miratoi ligj të ri për pagat, që pothujase do të dyfishoj pagat e mjekëve, por ky ligj nuk ka nisur ende të zbatohet. Mjekët në spitalet publike aktualisht marrin mes 600 dhe 750 euro në muaj.

Infermierët do të marrin gjithashtu një rritje me rreth 50% në rreth 600 euro në muaj, nga 400 që e kanë aktualisht.

“Bashkë me një përmirësim në kushtet e punës, mjekët e rinj dhe infermierët do të duhet të mendojnë më mirë para se të vendosin të ikin,” tha Basri Sejdiu, drejtor i Qendrës Spitalore Universitare të Kosovës.

Ai shtoi se qendra, e cila menaxhon spitalet rajonale, po punon për të riorganizuar programet e specializimit në të gjithë vendin në mënyrë që vendet e punës të ndahen në mënyrë të drejtë.

Ministria e shëndetësisë synon të rrisë numrin e studentëve të mjekësisë në Universitetin e Prishtinës në 250 nga 150 që janë aktualisht.

Në të njëjtën kohë, Gazmend Luboteni, kreu i agjencisë së akreditimit tha se planet për të rivendosur kuota në pranimet në kolegjet private mund të nisin të zbatohen që këtë vit.

Përpjekje të tilla për të mbajtur talentet në vend gjithsesi mund të rrezikohen nga një marrëveshje mes Kosovës dhe Gjermanisë në korrik për të hapur një qendër rajonale për të përgatitur dhe akredituar infermierë nga Kosova, posaçërisht për tregun gjerman.

Qendra, e cila do të ndërtohet në një vend ende të papërcaktuar në Kosovë, do të ofrojë shkollim të financuar nga shteti gjerman, eksperiencë praktike pune dhe kurse të gjuhës gjermane për ata që dëshirojnë të punojnë si infermierë në Gjermani.

Në shkëmbim, Gjermania do të ndihmojë Kosovën të fuqizojë sistemin e kujdesit të vet shëndetësor, përfshirë zhvillimin e sigurimit shëndetësor publik.

Kritikët mendojnë se kjo iniciativë do të bëhet mundësi transportimi për ata që kërkojnë një biletë njëdrejtimëshe për në Gjermani.

I pyetur në një konferencë për shtyp nëse qeveria po përpiqej të promovonte migrimin mjekësor, ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili tha: “I takon atyre të vendosin nëse duan të kthehen apo jo.”

Ndërkohë, për punonjësit e shëndetësisë së Kosovës, opsionet vetëm sa po shtohen, për shkak se edhe vende të tjera po hapin dyert e veta.

Ahmeti, drejtori ekzekutiv i InterPersonell, tha se kompania e tij është në bisedime me Kryqin e Kuq Zviceran, i cili certifikon infermierë, “për të hapur një treg të ri në Zvicër”.

“Pagat janë jashtëzakonisht të mira dhe fillojnë në 8 mijë franga zvicerane (7200 euro) [në muaj],” tha ai. “Por ata do të duhet të kenë së paku tre vjet eksperiencë pune dhe nivel gjermanishteje B2.”

Për mjekët si Blerim Berisha në Pegnitz afër Nurembergut, nuk është e gjitha vetëm për para.

I pyetur nëse ka diçka që mund ta shtyjë të kthehet pas në Kosovë, ai u mendua një çast para se të përgjigjej.

“Respekt dhe ndershmëri,” tha ai.

Integrim ndërkombëtar

Një infermiere kujdeset për Alfred Schmitt në Klinikën Hassberg. Kjo është vetëm hera e dytë në jetën e tij që ai është shtruar në spital. Foto: Shkumbin Ahmetxhekaj

Ekspertët japin shumë arsye për të shpjeguar mungesat në punonjës të shëndetësisë në Gjermani, përfshirë norma të ulëta nataliteti si dhe emigrimi i mjekëve e infermierëve të vendit, kryesisht drejt Zvicrës, Britanisë, Shteteve të Bashkuara dhe Austrisë, ku pagat janë më të larta.

Administratorët që përpiqen të mbushin mungesat e 70 mijë punonjësve të shëndetësisë thonë se punësimi nga jashtë vendit nuk është i lehtë për shkak se aplikantët duhet të dinë gjermanisht si dhe të kenë diplomat të njohura dhe të certifikuara. Në rastin më të mirë, procesi mund të marrë 9 deri në 12 muaj.

Menaxherët e spitaleve thonë se integrimi i stafit të huaj mund të jetë gjithashtu një problem.

“Edhe pasi i punësojmë, mund të nevojiten dy vjet për të pasur integrim të plotë të një të punësuari të ri këtu,” thotë Michael Weiss-Gehring, një menaxher infermierësh në Klinikën Hassberg në qytetin gjerman Hasfurt, ku gjysma e të gjithë mjekëve janë jo-gjermanë.

Weiss-Gehring organizon takime të përjavshme, të tipit të ekskursioneve për të ndihmuar stafin të përmirësojë gjuhën dhe të integrohen.

“Gjuha është problemi më i madh që ne kemi, por gjëja tjetër është kultura,” tha ai. “Njerëzit vijnë nga sisteme shëndetësore tërësisht të ndryshme – veçanërisht për infermierët, për shkak se puna e tyre këtu është krejt e ndryshme.”

Ai shtoi: “Shumë pacientë besojnë se mjekët nuk i kuptojnë problemet e tyre.”

Alfred Schmitt, një pacient 82 vjeçar në Klinikën Hassberg, tha se atë nuk e shqetësonte fakti që shumë nga stafi nuk janë gjermanë. “Ata kuptojnë nevojat e mija,” tha ai.

Por një infermierë shqiptar që punon në qytetin jugor të Mynihut tha se të tjerët nuk ishin kaq tolerantë.

“Në një nga turnet e natës, nga 10 vetë staf, vetëm dy ishin gjermanë,” tha infermieri i cili refuzoi të identifikohej. “Mund të dëgjoje pacientët që ankoheshin dhe shanin faktin që po trajtoheshin nga të huaj.”

Tërmeti tmerrues i Durrësit në vitin 1267, si e përshkruan historiani: Menduam se u shkatërrua gjithë Universi, ishte rrënqethëse. Trupat nxirreshin me cfurk dhe drapër

Një kronikë mesjetare tregon se çfarë ndodhi në një tërmet, të cilit ne nuk ia dimë magnitudën, por që tmerri i të cilit bëhet më i kuptueshëm, vetëm nëse ke përjetuar tërmetin e 26 nëntorit.

Tërmeti i 26 nëntorit me magnitudë 6.3 ishte një nga më të fortët që ka goditur Shqipërinë përgjatë historisë së njohur të vendit. Kjo do të thotë, për aq kohë sa tërmetet maten në mënyrë shkencore, ose pak a shumë që nga fillimi i shekullit të njëzetë.

Enciklopedia shqiptare e vitit 1985 përshkruan edhe disa tërmete të tjerë të fortë. Një tërmet i qershorit 1905 në qytetin e Shkodrës vlerësohet se kishte magnitudë 6.6 dhe intensitet në epiqendër 9 ballë. Ai u shoqërua me mbi 600 pasgoditje që vijuan deri në korrik të vitit 1906.

Për tërmetet më të hershme, ne na duhet të mbështetemi te përshkrimet e dhëna nga kronikanët e kohës për të marrë me mend afërsisht se çfarë ka ndodhur. Një i tillë ishte përshkrimi i kronikanit bizantin George Pachymeres, sjellë për lexuesin shqiptar fillimisht nga studiuesi Robert Elsie në faqen albanianhistory.net

Robert Elsie shkruan:

Historiani dhe studiuesi George Pachymeres (1242-afërsisht 1310) lindi në Nikea dhe mbajti poste të larta në Kostandinopojë. Libri i tij “Historia” mbulon sundimet e Mikailit të VIII Paleologut (1261-1282) dhe Andronikut II (1282-1328) dhe përbën burimin kryesor për këtë periudhë. Në këtë libër gjendet edhe një përshkrim prekës i një tërmeti të tmerrshëm që goditi qytetin e Durrësit. Historiani francez, Alain Ducellier jep korrikun e vitit 1267 si datë për këtë ngjarje tragjike.

Teksti i Pachymeres

Pas një periudhe kohore, një ngjarje e dhimbshme dhe e vajtueshme ndodhi në Durrës. Gjatë muajit korrik, zhurma të pazakonta e bënë tokën të dridhej vazhdimisht, zhurma që ne normalisht i quajmë ofshama. Ato paralajmëruan për diçka rrënqethëse që do të ndodhte.

Një ditë, zhurma ishte më e madhe dhe më e gjatë se sa kishte ndodhur më parë. Frika që rrëmbeu disa nga njerëzit i detyroi ata të kërkonin strehë jashtë qytetit, për shkak se kishin frikë se gjërat do të bëheshin edhe më keq.

Nata ra mbi ofshamën shurdhuese të ditës së mëparshme dhe bashkë me të, një tërmet i fortë ndodhi, më i dhunshëm se çdo tërmet tjetër për aq sa mbahej mend.

Nuk ishte, siç dikush mund ta përshkruajë atë, një dridhje e tokës që lëviz tërthor, por më shumë një valëzim i stërmadh dhe i përsëritur, i tillë që brenda njëçasti, i gjithë qyteti u kthye përmbys dhe u rrafshua.

Shtëpitë dhe ndërtesat e larta që nuk mbijetuan as edhe një sekondë, u lëshuan dhe rrëzuan, duke varrosur banorët brenda tyre. Sepse nuk kishte ku njerëzit të shpëtonin, për shkak se ndërtesat ishin ngritur njëra ngjitur me tjetrën.

Në të vërtetë, shumë më i madh ishte shansi i mbijetesës për ata që qëndruan brenda se sa për ata që vrapuan për të dalë nga shtëpitë që kishin shpëtuar pjesërisht.

Asnjë nga ndërtesat nuk mbijetoi e paprekur. Ato u rrëzuan mbi njëra-tjetrën, çdo ndërtesë që ndodhi të kishte shpëtuar nga fati i shkatërrimit, u rrëzua nga kolapsi i të tjerave.

Katastrofa ishte tepër e papritur dhe shumë mbytëse për të lejuar ndonjë që të mbijetonte duke ikur.

Për shumë njerëz, kjo ishte si një ëndërr; ata nuk e morën vesh kurrë se nëçfarë ngjarjeje vdiqën. Fëmijë të vegjël dhe foshnja, duke mos kuptuar çfarë ndodhi, u varrosën në rrënoja.

Shamata dhe trazirat ishin të tilla që të mbijetuarit, pasi e gjetën veten nga një dallgë shkumëzuese e detit, e imagjinuan këtë jo vetëm si fillimi i më shumë vuajtjeve, por më tepër, si fundi i botës.

Për shkak se qyteti ishte në breg të detit dhe tërmeti i tmerrshëm ndodhi kaq papritur, ata që e gjetën veten jashtë, të cilët praktikisht ishin shurdhuar, përballur me një potere të tillë nga zhurma e shtëpive që binin mbi njëra-tjetrën, nuk menduan gjë tjetër veçse për shkatërrimin e të gjithë universit.

Tërmeti zgjati për ca kohë derisa asgjë nuk mbeti më këmbë. Çdo gjë brenda qytetit ishte rrëzuar dhe kishte zënë banorët brenda, me përjashtim vetëm të Akropolit që qëndroi më këmbë dhe i mbijetoi tërmetit.

Kur dita zbardhi, banorët e zonave përreth vrapuan për në qytet menjëherë dhe filluan të gërmojnë, duke përdorur çdo gjë që mund të kapnin: kazma, cfurk dhe çdo lloj vegle tjetër që mund të gjenin.

Me të katra ata filluan të gërmojnë, duke u përpjekur natyrisht të shpëtonin çdo viktimë të pafat që mund të ishte ende gjallë, por për më shumë, duke u përpjekur për të kapur çfarëdolloj pasurie që ata mund të nxirrnin nga rrënojat. Siç ndodhi, me të vdekurit vdiqën edhe trashëgimtarët dhe nuk kishte kush të kërkonte pronën.

Kështu, pasi gërmuan nëpër rrënoja për shumë ditë dhe, me cfurkë dhe drapër, pasi morën një të korrë me ar, shqiptarët dhe të tjerët që jetonin përreth eventualisht e braktisën këtë qytet të lashtë në vetminë e vet, një qytet që tashmë vështirë se njihet, numëruar mes qyteteve ekzistuese jo për shkak se ekziston, por vetëm për shkak të emrit, Peshkopi i tij, Nicetas, i cili kishte qenë atje në këtë kohë, mbijetoi, megjithëse ai kishte plagët e katastrofës në të gjithë trupin e tij.

Pasi pa një katastrofë të tillë, të cilën askush nuk e kishte menduar kurrë si të mundshme, atë e zuri paniku dhe u arratis, duke e lënë metropolin jo vetëm pa personin e tij por gjithashtu edhe pa banorët, pa shkëlqimin e ndërtesave të saj dhe pa lulëzimin e mëparshëm.(BIRN)

Studimi Amerikan për Qytetin e Durrësit gjatë viteve 1920

Nga Dr.Fatjona Lubonja

Një nga iniciativat më të rëndësishme gjatë periudhës së themelimit të Shtetit Shqiptar (Arkiva,1912) të ofruar në formën e ndihmës humanitare ka qënë projekti i Fondacionit Rockefeller me qëndër në New York në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky studim me përdorimin e metodave studimore kuantitative dhe kualitative dhe me një process të gjatë analitik të studimit gjatë një periudhe që zgjati 24 vjet i dha një kontirubut të rëndësishëm popullit shqiptar. Ky studim kishte për qëllim eradikimin epidemik të malarjes që kishte prekur masivisht popullsinë Shqiptare, themelimin, ndërtimin, apo zhvillimin e insitutcioneve edukuese të fushës së pedagogjise, mjeksisë, infermjerisë, epidemologjise, dhe laboratoreve. (Lubonja, 2019)

Përgjatë kësaj periudhe studiuesit American Dr. Hackett (Harvard University, 1914), Dr. Russell (Columbia University, 1893) shtuan edhe një iniciativë të rëndësishme në projektin studimor siç ishte ai inxhinierik i studimit të infrastrukturës në shumë zona dhe qytete të ndryshme të Shqipërisë.

Ky studim ishte consideruar i nevojshem për studiuesit Amerikan sikurse njohja dhe aplikimi i të cilës do të sillte ndryshime të vlefshme dhe të studiuara drejt themelimit të infrastructurës së edukimit dhe shëndetsise se Shteti Shqiptar gjithashtu edhe eradikimin të semundjes së malarjes.

Ky program nëpërmjet financimit, investimit, dhe ndihmës akademike dhe shkencore ndihmoi direkt popullsinë shqiptare në atë periudhë të vështirë nën influencën e epidemisë së malarjes dhe mungesën e infrastukturës përkatëse të specializuar (Hackett, 1927).

Një nga qytetet e studiuara ishte qyteti i Durrësit, që në atë periudhë, konsiderohej si një nga qytetet më të prekura nga epidemia e malarjes. Duke u referuar në raportin dhe analizën e humultimit nga studiuesit dhe inxhinieri Amerikan (Hackett, 1926) një nga faktorët kryesorë që influenconte përhapjen epidemike në popullsinë e qytetit të Durrësit dhe përeth ishte infrastruktura kënetore, laguna e gjirit dhe ndryshimet klimatike gjatë vitit.

Në dokumentet e bashkangjitura theksohen qartësisht disa nga problemet që duhet të merreshin në konsideration gjatë studimit dhe ndërtimit të infrastruktures. Janë diskutuar nëvecanti tre (3) probleme:

1. Kanale në afërsi të qytetit,

2. Gropa me një distance 2 klm. nga qendra e qytetit,

3. Laguna dhe toka kënetore në afërsi të qytetit 9 klm. e gjatë dhe 2 klm. e gjerë, ku pjesaveriore ishte 20cm. nën nivelin e detit.

Ky studim është shumë i rëndësishëm për to referuar për cilësinë studimore, dokumentimi në detaj, dhe rëndësinë që ka për të kuptuar zhvillimet që kanë pasuar gjatë shekullit deri në vitete fundit. #fatjonalubonja

SHQIPËRIA –TËRMETI VDEKJEPRURËS

Nga Xhelal Zejneli

I madh e i vogël, në këmbë për Shqipërinë
Një gjuhë e një racë
Një flamur e një gjak

Fatkeqësia natyrore – tërmeti, që e goditi Shqipërinë, ishte tmerrshëm. Kudo u panë skena apokaliptike. Flamuri i Gjergj Kastriotit, si rrallë në historinë politike të kohës më të re, në hapësirat e NATO-s valoi hijerëndë, në gjysmë shtize.
Që në çastin e goditjes, qeveria shqiptare u vu në veprim me të gjitha potencialet që i kishte në dispozicion. Ishte në krye të detyrës.
Konfliktet politike midis partisë në pushtet, në një anë dhe opozitës, në anën tjetër, gjatë ditëve tragjike u lanë mënjanë.

Kryetari i Shqipërisë, Ilir Meta, kryeministri Edi Rama si dhe shefi i opozitës, Lulzim Basha treguan se asnjë interes personal, konjuktural apo partiak nuk është përmbi interesin e shtetit apo të kombit.
Tërmeti katastrofik goditi me tërë forcën e vet dy ditë para festës së madhe të Pavarësisë. Megjithëkëtë, kryetari I. Meta dhe kryeministri E. Rama, të bërë bashkë, Ditën e Flamurit nuk e lanë pa e shënuar, qoftë edhe simbolikisht.

Si gjithmonë gjatë zezonave, edhe në rastin e kësaj goditjeje tmerruese, shqiptarët reaguan si një komb. Tragjedinë e përjetuan me dhimbje të thellë.
U ngritën në këmbë: Shqipëria, Kosova, Kosova lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), shqiptarët në Maqedoni, shqiptarët në Mal të Zi, çamët, diaspora shqiptare në ShBA dhe në Evropë.

Çdo individ, çdo fshat dhe çdo qytet shqiptar në rajon dhe në diasporë treguan një ndjenjë të thellë solidariteti.
U solidarizuan, aq sa mundën dhe aq sa ditën: nxënës, studentë, mësues, arsimtarë, profesorë, pedagogë, vajza e djem, gra e burra, të rinj e pleq, shoqata joqeveritare, shoqata të bamirësisë, bujq, blegtorë, zejtarë, intelektualë, politikanë, organet e pushtetit vendor të të gjitha hapësirave shqiptare në Ballkan.
U mobilizuan në shkallë kombi shkollat fillore, shkollat e mesme, universitetet.

Solidaritet në shkallë kombi treguan edhe spitalet, mjekët, infermierët, farmacistët.
U solidarizua edhe bota e sportit: sportistët, klubet sportive të të gjitha niveleve.
Reaguan përnjëherë edhe yjet e estradës muzikore, artistë, këngëtarë me famë në shkallë kombi si dhe yjet shqiptare me famë botërore.

Të gjitha mediumet, në shkallë kombi – gazetat ditore, studiot televizive, radiostacionet, mediumet elektronike, portalet – pandërprerë e njoftuan publikun me të gjitha ndodhitë që ndërlidheshin me dramën tragjike.
Për t’i dërguar ndihmat e grumbulluara në zonat e goditura, u vunë në veprim pronarët e mjeteve të transportit.

Nga të gjitha trojet etnike, u dërguan ndihma: mjete monetare, artikuj ushqimorë, barna apo medikamente, produkte higjienike, veshmbathje, shtretër, ndërresa shtretërish, batanije, rekuizita gjumi etj.

Shumë hotele, në shkallë kombi, në hapësirat hoteliere të tyre i strehuan qytetarët të mbetur nën qiell të hapur.
Shumë qytetarë të trojeve etnike i çelën dyert e shtëpive dhe i strehuan të mbeturit pa kulm mbi kokë.

Si gjithmonë, edhe këtë herë u solidarizua edhe bota e biznesit në Shqipëri, në Kosovë në Maqedoni dhe në diasporë – Shefqet Kastrati, Lazim Destani, Bexhet Pacolli etj. Ky varg është i gjatë. Mirënjohje e madhe dhe respekt i thellë për të gjithë të tjerët që nuk arrijmë t’i përmendim.

Në të gjitha trojet etnike shqiptare dhe kudo ku ka shqiptar në rruzullin tokësor, gjatë ditëve të zisë, ora e historisë u ndal. Me shpirtin dhe mendjen kah Shqipëria, u ndalën të gjitha ceremonitë, përfshi edhe dasmat martesore.
Si gjithmonë, edhe këtë herë, Kosova tregoi se është zemra e shqiptarisë.

Ushtria heroike e Kosovës, orët e para të dridhjeve apokaliptike, u vu në vijën e parë të frontit të përballimit me gjëmën.
Edhe gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitin 1999 kundër pushtuesve serbë, shqiptarët vepruan si një komb i bashkuar. Në Shqipëri, nga jugu në veri, u strehuan 600.000 shqiptarë të Kosovës, ndërsa në Maqedoni, 360.000.
I tërë kombi shqiptar ndjen dhimbje të thellë për 51 personat q humbën jetën nën rrënojat e ndërtesave të shembura.
I tërë kombi shqiptar i trimëron të lënduarit që ndodhen të shtrirë nëpër spitale që ta marrin veten sa më parë.

Që në çastin e goditjes së fuqishme, ndërhynë me ekipet profesionale të shpëtimit të gjitha shtetet e rajonit, shtetet e Bashkimit Evropian, shtete të Evropës Lindore si dhe shtete nga shumë vende të tjera të botës. Ata punuan me vetëmohim. Kombi shqiptar u është mirënjohës.
Autoritetet amerikane thanë: “… si gjithmonë gjatë historisë, edhe këtë herë, ShBA-ja është pranë Shqipërisë, pranë shqiptarëve…”

Në situata të këtilla ndodhin edhe lëshime, gabime dhe abuzime.
Në situata të këtilla, të gjitha punët mbase është më mirë që të gjitha veprimet të bashkërendohen nga një qendër. Kjo duhet të jetë qendër shtetërore.
Edhe pse roli i individit, i shoqatave joqeveritare apo i shoqatave bamirëse është i jashtëzakonshëm, megjithëkëtë në situata të këtilla duhet vepruar si shtet dhe jo si kryetar shteti, si kryeministër, si shef i opozitës apo si kryeministër që pritet ta marrë detyrën.

Në situata të këtilla, duhet të jetë më i organizuar:
– grumbullimi i ndihmave;
– seleksionimi dhe sistemimi i ndihmave;
– transporti dhe dërgimi i ndihmave;
– dorëzimi dhe shpërndarja e ndihmave.

Shtabet e krizës apo të emergjencës duhet t’i krijojë shteti apo pushteti vendor.
Çdo shqiptar ka dashur dhe dëshiron të solidarizohet. Kjo është një ndjenjë e jashtëzakonshme që meriton mirënjohje dhe respekt të thellë. Megjithëkëtë, mbase është më mirë që ndihmat të dërgohen në marrëveshje me autoritet e Tiranës. Autoritetet e Shqipërisë duhet ta dinë më mirë se çfarë ndihme duhet dërguar, në çfarë sasie, me çfarë dinamike dhe në çfarë intervali kohor.
Dërgimi i paorganizuar i ndihmave, i çfarëdo ndihme qoftë, mund ta ndërlikojë punën e autoriteteve të Tiranës. Ambasadori i Kinës pyeti: “Na tregoni se ç’është prioritare që t’jua dërgojmë menjëherë?”

Në situata të tilla nevojiten kryesisht: ndihma monetare, artikuj ushqimorë, barna apo medikamente, preparate higjienike, shtretër, ndërresa shtretërish, tenda, veshmbathje, mundësisht të reja.
Nuk duhet harruar se ndihma nga këto të sipërthënat kanë dërguar dhe dërgojnë – në mënyrë të organizuar dhe të planifikuar – edhe shtetet e botës. Shtetet e botës dërgojnë edhe ekspertë të sizmologjisë, inxhinierë ndërtimi, arkitektë etj.

Konfliktet politike në botën shqiptare janë të një intensiteti të lartë, si në asnjë vend tjetër të rajonit.
Bota shqiptare duhet t’i kushtojë rëndësi parësore kodit etik. Shthurja morale e individit apo e grupit të caktuar, s’është në dobi të kombit.

Shqiptarët në të gjitha trojet etnike duhet t’i kushtojnë rëndësi planit urbanistik. Duhet t’u jepet fund ndërtimeve pa leje, ndërtimeve pa kritere arkitekturore dhe mbindërtimeve. Zonat e goditura nga tërmeti shkatërrimtar janë rajone sizmike. Rrjedhimisht, edhe ndërtimet në këto zona duhet të jenë sipas standardeve që u përgjigjen ndërtimeve në zonat sizmike.
S’ka qytet në botën shqiptare ku nuk ka ndërtime në kundërshti me planin urbanistik. S’ka qytet në hapësirat shqiptare ku nuk janë bërë abuzime gjatë ndërtimeve, ku nuk janë bërë ndërtime shtesë apo mbindërtime. Të gjitha këto farë ndërtimesh janë bërë në kundërshti me kriteret, normat dhe standardet arkitekturore. Një ndërtese, të ndërtuar një herë, nuk mund t’i ngulet as edhe një gozhdë e vetme, e jo më t’i shtohen asaj edhe katër-pesë kate të tjera.

Përgjegjësi për kaosin ndërtimor e mban pushteti vendor, pushteti qendror, biznesmenët, projektuesit, inxhinierët e ndërtimit, arkitektët. Në situata të tilla vihet në qarkullim ryshfeti, mita, korrupsioni. Pasojat e këtij kaosi dikush e paguan me jetë. E paguajnë me jetë familje të tëra. Pasojat i vuan, për një kohë të gjatë, i tërë një komb.

Për t’i kapërcyer pasojat e tërmetit shkatërrues dhe vdekjeprurës dhe për ta rikthyer jetën normale në zonat e goditura, duhet shpresuar se bashkësia ndërkombëtare do të solidarizohet në mënyrë konkrete me ndihma financiare të duhura. Kombi shqiptar do t’i jetë mirënjohëse botës.
Çdo shqiptar, në Ballkan dhe në diasporë, duhet të vazhdojë të ndihmojë me mjete monetare. Për të ndihmuar, duhet të heqësh dorë nga një shpenzim i caktuar që nuk është aq i domosdoshëm. Pa e privuar veten nga një dëshirë e caktuar, nuk mund të ndihmosh.

VIDEO bonus:

https://youtu.be/4ul5cei2HlQ

https://youtu.be/B__r_V-VcHs

https://youtu.be/KquB5P77GtA

Galeria e tërmetit:

Lajm mpakës!

Nga Fatmir Sulejmani

MJESHTRI i vargut dhe i prozës narrative Agron Tufa – artisti gjuhëkrijues e erudit, intelektuali që prej vitesh sfidon krimet e kueçedrave të së shkuarës dhe pinjollëve të tyre të sotëm…, është larguar nga Shqipëria për të kërkuar azil politik në Zvicër.
Duke e njohur nga afër karakterin e Gonit, jam i bindur se këtë hap e ka bërë vetëm pasi e ka kuptuar mirëfilli se është në rrezik serioz jete, bashkë me pesë engjejt dhe Elvanën e dashtun.

Kërcënimet për likuidimin e tij fizik muajve të fundit kanë qenë publike, kërcënuesit e njohur për organet e rendit, po askush nuk ndërmorri asgjë kundrejt vrasësvë potencialë të Artistit. Për hir të së vërtetës, duhet thënë se as klasa intelektuale (respekt përjashtimeve!), e cila sot vajton ikjen e Agronit, nuk e përkrahu sa duhet luftën e mohikanit shpirtlirë e atdhedashës. Ndaj, në këso rrethanash, sado e dhimbshme qoftë, e përkrah vendimin e mikut tim Gonit, i cili sigurisht do të kthehet një ditë, nëse do Zoti e shpëton Shqipërinë nga varrmihësit.

“Nuk do t’i harroj kurrë klithmat nën rrënoja të Klement Çupit”, xhaxhai shpërthen në lot: Ja fjala e tij e fundit, çfarë na tha mjeku grek (VIDEO)

Rrëfime tronditëse vijojnë të vijnë nga Thumana, aty ku prej mëngjesit të 26 nëntorit ka pllakosur dhimbja, trishtimi dhe zia, ndërsa e gjithë zona ndodhet nën rrënoja.

Mes lotësh, xhaxhai i Klement Çupit, të riut që përloti me mijëra zemra në mbarë botën, pasi luftoi me vdekjen mbi 16 orë nën rrënoja dhe nuk fund mbylli sytë përgjithmonë, tregon çastet e fundit me nipin.

Në një intervistë për gazetarin e “News24” dhe “BalkanWeb”, Enver Doçi, xhaxhai rrëfen në lot si i vdiq nipi para syve, ndërsa shton se një gjë të tillë nuk do ta harrojë kurrë.

Kur e morët vesh lajmin?

Në 4, 4:10 të mëngjesit, mora në telefon vëllain Hamzain, më tha nuk kemi gjë në Tiranë. Kur i bija telefonit në Thumanë, vëllait Hajredinit, nuk e hapte telefonin asnjë. Atëherë u nisa direkt, njëkohësisht i thashë edhe vëllait Hamzait, që diçka në Thumanë ka ndodhur. Ai e konfirmoi se pallati i vëllait është shembur totalisht.

Nisemi poshtë, rreth orës 06:30 mbërrijmë në Thumanë, çfarë të shihni atje, ishte një skëterrë e vërtetë. Tentuam t’i shihnim të gjithë, nuk na la policia, duke përjashtuar vetëm Aleksin, që e gjetëm të gjallë dhe që e nxorën shpejt nga gërmadhat. Kur shkuam në anën tjetër të pallatit pamë djalin tjetër, Kelmentin, që bërtiste “ndihmë, ndihmë”, por që nuk arritëm dot ta shpëtonim. Bëmë të pamundurën, edhe ekipet nga Kosova, ato greket bënë ç’mos, por ishte e pamundur. Vetëm pjesën e Klementit nuk do ta harroj kurrë, ai bërtiste “xhaxhi më shpëto”.

Do bëj të pamundurën i thashë, do të të shpëtojmë. Përpjekjet ishin deri në orët e vona të darkës, madje kërkoi edhe cigare. Qendrat shëndetësore bënë të pamundurën, i bënë gjilpëra e serume. Gjatë darkës kërkoi edhe batanije, se kishte ftohtë. Një doktor grek na tha të mos mërzitemi, se do ta nxirrni shumë shpejt të gjallë. U bë e pamundur, nuk arritëm dot, fjala e fundit që tha “vdiqa”, kaq ishte amaneti i fundit.

Ata kanë 20 vite që rrinë në Thumanë, ky pati ardhur ka dy ditë nga Anglia për një gëzim familjar, për fejesën e vëllait, Aleksit. Kishte mbi 15 vite në Angli, kishte ardhur vetëm dy ditë më parë.

Pallati në Golem i pabanueshëm,12 vjeçari në ankth: Nuk kthem në këtë shtëpi (VIDEO)

Një familje 4 anëtarëshe në Golem të Kavajës fle në makinë prej një jave, për shkak të panikut nga tërmeti. Dy djemtë e familjes, 10 dhe 12 vjeç nuk pranojnë të kthehen në banesë, ku përjetuan tmerrin e tërmetit të 26 nëntorit. Ndërsa i ati pret një vlerësim nga ekspertët mbi gjendjen e pallatit.

“Duam të jetojmë në një shtëpi të fortë me nja bazament të fortë mos të lëvizë nga tërmeti dhe mos të tronditemi më nga tërmeti”.

Kështu e nis rrëfimin Orgeni nga Golemi i Kavajës. Pallati në të cilin banon 12 vjecari me familjen e tij është shpallur i pabanueshëm. Dy vëllezërit Sallaku, 10 dhe 12 vjeç rrëfejnë për ABC News përjetimin e tmerrshëm të mëngjesit se 26 nëntorit.

“Mbaj mend babin që na kapi prej krahësh, ishte tepër errësirë, pashë mamin dhe babin të trembur. Ne kaluam direkt hekurat, na tha babi, dhe ne kaluam, tjetër nuk mbaj mend”.

Babai i dy djemve tregon se ata nuk mund të kthehen në shtëpinë ku kaluan moment ankthi e paniku.

Gazetarja: Keni frikë të ktheheni në shtëpi?

“As bëhet fjalë të kthehem më këtu. Siç e shikoni po flemë në makinë bashkë me nusen dhe dy fëmijë. Plus që edhe po të shkoj në shtëpi të tjera, fëmijët nuk shkojnë se janë të trembur, nuk pranojnë, vetëm në makinë rrinë”.

Bujari është njëkohësisht edhe administrator i pallatit. Ai kërkon nga ekspertët të vendosin sa më parë çfarë do të bëhet më këtë objekt.

“Ne kërkojmë të paktën të vijnë personat kompetentë dhe të na thonë banohet në këtë pallat apo nuk banohet. Siç e shihni, ky ka marrë dëmtime në kollona, në mure, kjo është anuar në një krah, që s’ke as çfarë ti riparosh më. Jemi munduar ta përforcojmë me ca mentela por prapë është e paarritshme”.

Ky pallat ne Golem kishte pasur dëmtime qe nga tërmeti i 21 shtatorit, por banoret i kishin riparuar vete ato./abcnews.al

INTERVISTA E PLOTË/ Haradinaj flet për ndihmën humanitare, Ramën dhe Hagën (VIDEO)

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj në një intervistë për gazetaren e “Abc News”, Linda Karadaku ka rrëfyer se si u organizua shteti i Kosovës brenda 30 minutash për ti ardhur në ndihmë Shqipërisë së goditur nga termeti. Po kështu ka folur për mospajtimet me Ramën, thirrjen në Hagë, etj.

“E kemi përcjellë me shqetësim lajmin për tërmetin, 26 nëntori dhe tërmeti ishte një ngjarje me përmasa të mëdha dhe na ka tronditur edhe në Kosovë. Unë personalisht kam qenë gjatë mobilizimit të njësive të specializime të ekipeve- kërkim shpëtim”, tha Haradinaj.

Haradinaj tregon se pas marrjes së lajmit, ka komunikuar me Presidentin Meta, ndërsa me Ramën e ka patur të pamundur, sepse ndonjëherë për të komunikuar me kryeministrin duhet të kalohet nëpër stafe.

“Komunikimi me kryeministrin Rama është bërë e pamundur, kam një periudhë të gjatë kohorë ka qenë e vështirë për të komunikuar, ndërsa me presidentin Meta kemi komunikim direkt”, tha ai.

“Komandanti i ushtrisë tonë ka komunikuar me komandantin e ushtrisë shqiptare. Ka qenë një bashkëpunim i shkëlqyeshëm mes ushtrisë shqiptare dhe asaj të Kosovës. I kam komunikuar që në orën 8 të mëngjesit, kemi kryer të gjitha protokollet për tu organizuar për ti ardhur në ndihmë Shqipërisë. Për të mos humbur kohë i kemi realizuar të gjitha protokollet sepse e dinim se koha për ato banorë ishte shumë e çmueshme dhe e gjithë procedura është kryer në kohë rekord”.

“Nuk kam hezituar të bashkëpunoj me Hashim Thaçin, kam qenë i bindur që ai do të ishte dakord me të gjitha përgatitjet”, shtoi ai.

Sa i përket mekanizmave të Kosovës, Haradinaj thotë se shteti i ri në disa raste ka përparësi. “Ne kemi përfituar shumë nga bashkëpunimi me NATO-n. Ka një nivel të mirë të vendimmarrjes në Kosovë apo të reagimit, por edhe ne i kemi disa mungesa, kemi marrë shumë mësim nga tërmeti. Ushtria, policia, zjarrfikëset në Kosovë funksionojnë plotësisht”.

“30 minuta na janë dashur për tu përgatitur, së pari kam marrë në telefon Komandantin e Ushtrisë, Policisë, ende pa u marrë ftesa nga Shqipëria ne të jemi gati, dhe kur të merret ftesa të jemi gati për tu nisur. Në rastin tonë kemi shkuar si njësi jo si individ”.

Mendohet një numër i madh i shqiptarëve të strehuar në Kosovë, disa prej të cilave janë strehuar në shtëpi të qytetarëve.

“Në kampin në Prizren jemi duke bërë identifikimin e pajisjen kartave që menaxhohet nga zyra e Kryeministrit, po bëhen shërbime sa i përket kontrolleve shëndetësore. Nuk janë kushte ideale dhe ndaj ne po përpiqemi të tregohemi të kujdesshëm”, tha Haradinaj.

Ai u shpreh se gjatë identifikimit do të bëhet një sqarim se si është gjendja nëse ka apo jo qytetarë të cilat nuk janë të prekur nga tërmeti, kjo mbetet për tu verifikuar dhe nëse nuk vijnë nga zonat e prekura ne do ti kthejmë edhe pse disa prej të cilëve janë kthyer me dëshirë. “Duhet të tregohemi solidarë, por jo ti mashtrojmë njerëzit. Nuk len Kosova asnjë shqiptar të Shqipërisë jashtë, por nuk duhet të bëjmë gabime duke i mashtruar njerëzit. “Nuk kemi pasur incidente deri më tani, qarkullojnë informata se ka persona me precedentë penal por ende nuk kemi diçka të konfirmuar”, u shpreh ai.

Haradinaj: Me Ramën nuk pajtohem vetëm për kufijtë
“Mospajtim me kryeministrin e Shqipërisë kam vetëm me një temë, ajo është ndarja e Kosovës, nuk është personale, mbroj interesin e vendit tim”, tha Haradinaj. Kjo nuk më pengon të bashkëpunoj me kryeministrin Rama, kam bërë përpjekje për të komunikuar me Ramën, por nuk kam pasur asnjë komunikim.

Sa i përket ndryshimit të kufijve apo marrëveshjes së saj ai thotë se nuk kam parë një marrëveshje, por kam parë qëndrime që e bëjnë një marrëveshje. “Jam kundër të shkëmbimit të territoreve, Pavarësia e Kosovës është në territorin e tanishëm të kufijve dhe nuk të pranoj ndryshim të kufijve.

Ne jemi opozitë nuk i bëjmë opozitë vendit tonë, nuk do të bëjmë politikë vetëm për të kundërshtuar. Kemi mjaft integritet politik”, tha Haradinaj.

Gjyqi në Hagë është politik
Sa i përket thirrjes në Gjykatën e Hagës, Haradinaj tha se i ka kryer detyrat e tij. “Nëse ka tendenca i sfidoj sërish, janë hetime krejtësisht politike. Kam qeverisur si kryeministër i një vendi sovran, shqiptari nuk ka luajtur nga e drejta vet”, u shpreh kryeministri në detyrë i Kosovës.

Së fundmi Haradinaj i është drejtuar me një mesazh shqiptarëve. “Njeriu për njeriun është çdo gjë, duhet ti qëndrojmë afër secilit prej tyre që kanë humbur të afërmit. Nuk duhet të lëmë askënd pa përkujdesje, kudo që janë njerëzit të mos kursehen u shpreh Haradinaj./abcnews.al

Noizy rrëfen tmerrin e tërmetit: Isha mes rrënojave me mamin, mbesën dhe motrën shtatzënë (VIDEO)

Noizy ka folur për momentin e tërmetit të 26 nëntorit.

Noizy ka qenë një nga personazhet e famshëm që ka kontribuar shumë në këto ditë të vështira që kaloi vendi.

Së fundmi reperi ka qenë në Fier ku ka marrë edhe një certifikatë “Mirënjohjeje” për kontributin që ka dhënë ndër vite.

Gjatë vizitës në Fier Noizy ka takuar edhe persona me aftësi të veçanta dhe në një intervistë për “Balkanweb”, është shprehur se e ka përjetuar shumë keq tërmetin, pasi ka qëlluar mes rrënojave në

Durrës, së bashku me të ëmën, mbesën dhe motrën shtatzënë.

“Më vjen mirë që i kaluam ato streset e mëdha, sepse ishte me të vërtetë fatkeqësi e madhe, jo vetëm për Durrësin, por për të gjithë Shqipërinë. Shyqyr Zotit u lehtësua dhe inshallah nuk e kalojmë më kurrë atë gjë. Ishte diçka shumë e keqe, shumë e hidhur, pasi unë qëllova mes rrënojave me mamin, mbesën dhe motrën shtatzënë, që është diku gjashtë-shtatë muaj, ka qenë tmerr për mua. Shyqyr Zotit shpëtuam pa dëme, por siç dihet ka pas shumë të vdekur dhe ndihem sikur ata mund të ishin pjesëtarët e familjes sime. I lutem Zotit që kurrë më mos t’i përjetojmë këto gjëra që na ndodhën”, tha Noizy.

Tërmeti goditi Durrësin, nënat e strehuara në Prizren sjellin në jetë dy fëmijë

Në qytetin e Prizrenit kanë ardhur në jetë dy foshnje. Nënat e tyre kishin gjetur strehë në këtë qytet pas tërmetit që ndodhi në Durrës. Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë ka vizituar nënat e reja në spitalin rajonal të qytetit. Ndonëse në muajin e nëntë të shtatzënisë Manushaqe Hoda u detyrua ti kalojë dy netë nën tenda.

Nëna e cila solli në jetë fëmijën, Manushaqe Hoda, ka treguar se ishte e vështirë të qëndronin jashtë për shkak se ishte ftohtë, kjo ishte edhe arsyeja që ata vendosën të strehoheshin në Kosovë.

Kurrë nuk e kishte menduar më herët që fëmijën e saj të shtatë do ta lindte në Kosovë, konkretisht në Prizren, thotë ajo.

Atë e ka vizituar sot ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Qemal Minxhozi. Por nuk është vetëm Manushaqja nga Durrësi që ka sjellë fëmijë në jetë në Prizren, në po të njëjtën ditë një nënë tjetër Morena Selimi po durrsake ka sjellë në jetë një foshnjë të gjinisë mashkull. Të dy foshnjat dhe nënat gëzojnë shëndet të plotë. Qyteti i Prizrenit ka numrin më të madh të personave të ardhur nga qytetet e Shqipërisë të cilët janë të prekur nga tërmeti./abcnews.al

VIDEO/ Tavani në ajër, dyshemeja në humnerë: Si shpëtuan dy të moshuarit në Ishëm

Dy të moshuar në Ishëm të Durrësit kanë shpëtuar mrekullisht nga vdekja mbrëmjen e 26 Nëntorit, kur vendi u trondit nga termeti 6.4 ballë. Dhoma e tyre e gjumit ra në greminë, dhe në qiell ka ngelur vetëm tavani i shtëpisë. Gazetarja Esiona Konomi dhe operatori Ndriçim Maku na sjellin po nga Ishmi edhe historinë e 80-vjeçarit që është braktisur nga shteti. Ai ka ndërtuar me lopata dhe plastmas një vend për të futur kokën.

Lumiri, djali i familjes ka rrëfyer për Abc News se gjithçka ndodhi brenda një kohe të shkurtër. Dhoma ku ata flinin ra në greminë 10 sekonda pasi kishin dalë prej saj.

Pak poshtë Lumirit, jeton dhe xhaxhai i tij, Rifati. Shteti, as pas 8 ditësh, nuk ka trokitur në portën e tij.
Banorët e Ishmit thonë se çadra kanë marrë nga shoqatat, dhe jo nga administrata, teksa ankohen se ushqimet janë të pagatuara, dhe ata nuk kanë ku i përpunojnë për tu ushqyer./abcnews.al

Tërmeti, Neli Demi: Autoritetet duhet të ofrojnë siguri (VIDEO)

Mjeku psikiatër Neli Demi i ftuar në studion e “Provokacija” ka folur për panikun e qytetarëve pas tërmetit. Ai shprehet se tërmeti që goditi vendin ka shkaktuar jo vetëm dëme të mëdha, por edhe një frikë te qytetarët për shkak të lëkundjeve të shpeshta.

“Paniku influencohet në mënyra të ndryshme, media në pjesën më të madhe të rasteve ka pasur një qëndrim që ka përcjellë ndjeshmëri ndaj fenomenit. Një kritikë e autoriteteve ndaj mediave është një energji e shkuar dëm për shkak se tani autoritetet kanë detyra më të rëndësishme për të bërë”, tha Demi.

“Çdo situatë meriton reagimin e vet, kemi traumatizim në nivele të ndryshme të shoqërisë. Kemi njerëz të humbur, kjo kërkon kohën e vet për tu brendësuar nuk mund të presin një reagim qëndrestar. Individët e përjetojnë në mënyrë të caktuar një situatë, secili prej nesh ka një mënyrë të reaguarit ndryshe nga një tjetër”, u shpreh Demi.

Më tej ai u ndal te paniku që krijohet te fëmijët, sipas tij ata janë më të prekurit.

“Ata kanë nevojë për prindërit që të ndjehen të sigurt. Një fëmijë ka shanse të mëdha ta kalojë këtë tronditje, duhet të punohet në mënyrë profesionale”, tha ndër të tjera Demi. Qytetarët tashmë dalëngadalë duhet ti rikthehen aktivititeve të tyre, u shpreh ai./abcnews.al