Ballina Blog Faqe 469

Sela: Nisma për bashkëpunim opozitar, në rrugë të mbarë (VIDEO)

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, thotë se nisma për bashkërendimin e opozitës në zgjedhjet e 12 prillit është në rrugë të mbarë. Në intervistën e tij për gazetën LAJM, Sela, ka thënë se partia që drejton ai ka qëllime të sinqerta me këtë nismë, ndërsa ka porositur subjektet tjera që dëshirojnë të bëhen pjesë e bashkëpunimit që të jenë me këmbë në tokë. Sa i përket zërave për koalicionime parazgjedhore mes partive shqiptare me LSDM-në, ai ka thënë se për një gjë të tillë ende nuk ka ardhur koha. “Kjo do të ishte vulë tradhëtie”, është shprehur Sela. Ai ka përjashtuar zërat që në takimet me liderët shqiptarë të ketë biseduar për listat e kandidatëve për deputetë.

“Sa i përket Aleancës për Shqiptarët, ne çdo herë kemi qenë për t’i bashkuar forcat në mënyrë që të sjellim ndryshimin. Kjo është e vetmja formë që shqiptarët, të gjithë bashkë, të bëhen fitimtarë. Ka struktura brenda sistemit që vazhdimisht janë munduar ta ndajnë sa më tepër votën e shqiptarëve. Me këtë, duke ndarë sa më tepër votën e shqiptarëve humbet fuqia politike e subjekteve të shqiptarëve. Edhe në vitin 2016, Aleanca për Shqiptarët ka qenë pro idesë së bashkimit të gjithë spektrit opozitar të asaj kohe, fatkeqësisht nuk ndodhi. Ne tani përsëri jemi në drejtim të krijimit të një koalicioni që do të sjellë ndryshime. Shpresoj që kësaj radhë do t’ia dalim” u shpreh Sela për gazetën LAJM.

LAJM: Kur pritet të ndodh bashkëpunimi?

Sela: Ju do të jeni të informuar kur do të ndodh bashkëpunimi. Kohë ka. Ne nuk po bëjmë një bashkëpunim ilegal. Por, ne po bëjmë një bashkëpunim që do të jetë publik dhe në të mirë të të gjithë qytetarëve shqiptarë. Prandaj do të jetë i informuar gjithë opinion në momentin që ne do të arrijmë ta finalizojmë këtë bashkëpunim me Lëvizjen BESA dhe Alternativën. Besoj dhe shpresoj që shumë shpejtë do të jeni të informuar.

LAJM: A shihni gatishmëri te “BESA” dhe “Alternativa” për bashkëpunim?

Sela: Për këtë do të deklarohen ata vetë. Ne kemi gatishmërinë tonë. Unë mund të ju them vetëm kaq, që jemi në rrugë të mbarë që të arrihet një bashkëpunim. Mundohemi që të jemi me këmbë në tokë dhe është mirë që të gjithë që dëshirojnë të bëhen pjesë e këtij bashkëpunimi të jenë me këmbë në tokë në mënyrë që bashkëpunimi të arrihet.

LAJM: Ka zëra se disa parti shqiptare mund të lidhin koalicione parazgjedhore me LSDM-në, cili ështe qëndrimi juaj?

Sela: Nëse ka parti të tilla që vetëm e mendojnë një koalicion parazgjedhor me LSDM-në, rruga e mbarë ju qoftë. Nuk është ndonjë risi kjo për shqiptarët në Maqedoni, për shqiptarët në përgjithësi që kanë jetuar në ish-Jugosllavi. Zërat për çdo ditë duhet të shtohen se ato shqiptarët që janë bërë pjesë e subjekteve politike maqedonase pa apostrofuar ndonjërin dhe presioni ndaj tyre nga opinioni shqiptar duhet të jetë i madh që mos i’a kthejnë shpinën gjenit të tyre, sepse ne nuk e kemi realizuar vetën. Deklarata dhe sllogane të tipit “Shoqëri e përbashkët për të gjithë”, janë të rrejshëm sepse siç e kemi parë kohën e fundit, kufi na vendosen në Idrizovë e Çashkë për të mos u hapur shkollat shqipe. Situata që kemi edhe në sferën e arsimit në Maqedoni, ku kemi shumë shqiptarë që janë të detyruar të mësojnë në gjuhën maqedonase, kjo assesi nuk ka krijuar kushte akoma që të bëhen koalicione të tilla. Prandaj them nëse ka dikush që vetëm mendjen e çon, rruga e mbarë i qoftë, por kjo është vulë tradhëtie, asgjë tjetër./Gazeta LAJM

Në videon më poshtë mund të ndiqni intervistën e plotë të kreut të ASH-së Ziadin Sela për gazetën LAJM.

VIDEO/ Humbën 9 persona, anëtarët e familjes Lala zhvendosen në Tiranë, ja momenti kur futen në shtëpinë e re

Pak ditë pas tërmetit katastrofik, që i mori tetë anëtarë, familja Lala nga Këneta e Durrësit, është bërë me banesë të re. Kryeministri Edi Rama ka vënë në dispozicion apartamentet te banesat sociale në Shkozë, Tiranë, për këtë familje dhe persona të tjerë që humbën familjarët nga tërmeti në Thumanë e Durrës.

Mbrëmjen e kaluar tragjedia u rëndua akoma më shumë në këtë familje, pasi ndërroi edhe Fiqirete Lala 64 vjeçe, pas ceremonisë mortore, pasi nuk e përballoi dot dhimbjen e madhe. “Kjo është shtëpia juaj tani. Keni tre shtëpi në këtë apartament”, u tha Rama familjarëve. Ndërsa Veliaj theksoi se do të kenë edhe një mjek në dispozicion, por edhe ushqim tre vaktet falas.

“Ata nuk i kthejmë dot” tha Rama, ndërsa u tha familjarëve se. “Për çfarë të keni nevojë unë jam këtu. Unë e dija që ju nuk do të rrinit atje, prandaj atje do të ndërtojmë një çerdhe”. Kryeministri u kërkoi banorëve që t’i presin me ngrohtësi anëtarët dhe ti trajtojnë me kujdes. Gjithashtu, Rama kishte një porosi edhe për kryetarin e bashkisë, Erion Veliaj duke i kërkuar që të lyejë muret e pallatit. “Unë dal në 5:30 unë dal në 4:30 do dalësh të lyesh shkallën” tha ai. Vëllezërit dhe motrat e familjes janë zhvendosur në Tiranë tashmë te banesat sociale./abcnews.al

Disa këshilla se si të kthehemi në normalitet pas një gjendje të rënduar emocionale

Asnjëherë nuk e dimë se kur zemërimi, frika, mohimi ose pranimi i një personi do të udhëheqin personalitetin e tyre, veçanërisht në kohë të larta stresi, paniku dhe traumash. Disa prej nesh duket se qëndrojnë të njëjtë gjatë gjithë procesit të traumës, si dhe shumë prej nesh preken nga një tragjedi pa e pranuar në të vërtetë se janë prekur.

Shumë herë, kur ka një tragjedi, sidomos kombëtare, ne nuk e kuptojmë se dhimbja i godet të gjithë ndryshe, si dhe duhet të jemi të kujdesshëm se si i qasemi temës, apo njëri-tjetrit.

Si miq, familjarë dhe qytetarë, duhet të jemi të vetëdijshëm për ato që nuk duhet të themi dhe si të veprojmë gjatë kohës së emocioneve dhe vuajtjeve, veçanërisht nëse nuk jemi në rrethin e brendshëm të atyre që preken. Mirëpo, për të ndihmuar dikë tjetër, së pari duhet të ndihmojmë veten tonë. Më poshtë, disa mënyra se si mund të rikuperojmë pas një fatkeqësie:

Kalo kohë me fëmijë

Zbulo një pasion të ri

Lexo një libër

Udhëto

Kërko për buzëqeshje në fytyrat e njerëzve

Shkruaj letra falënderimi

Ushtrohu

Ndihmo dikë

Gjej një ngjyrë që të pëlqen

Kalo kohë në natyrë

Bëj diçka kreative

Prano ndihmë nga njerëzit

Mëso diçka të re

Dëgjo muzikë

Bëj pak pushim

Medito

Fatos Lubonja: Manipulimi i Edi Ramës për t’i ikur përgjegjësisë

Nga Fatos Lubonja

Shumë njerëzve u ka bërë përshtypje përdorimi nga Edi Rama i shprehjes “pabesi e natyrës” në mesazhin e parë të ditës së tërmetit. Personalisht më bëri të qesh hidhur, por edhe më futi në reflektim. Qesha duke thënë me vete se edhe në këtë rast ky njeri, që nuk mund të komunikojë veçse në mënyrë manipulative, nxitoi të gjejë armikun për t’ua hedhur si kockë njerëzve, me synim që të largojë çdo përgjegjësi nga vetja. Qeshja ishte e hidhur, sepse, duke dëgjuar ato fjalë, thashë me vete se edhe kësaj here, me ç’duket, faji do të mbetet jetim.

E vërteta është se edhe sikur ta marrim natyrën si një qenie me vullnet e qëllime të mbrapshta ndaj njerëzve, nuk mund të thuhet se na ka bërë një pabesi, sepse ajo na ka paralajmëruar vazhdimisht se herë pas here do të na tregojë se është më e fortë se ne. Paralajmërimin e fundit ajo na e dha vetëm para dy muajsh në tërmetin e 21 shtatorit. E megjithatë, fjala e parë që i doli këtij njeriu nga goja, ishte fjala “pabesi e natyrës” dhe jo përgjegjësitë që kemi ne për shkallën e tragjedisë që krijoi ky tërmet.

Pas disa ditësh, ngaqë e kuptoi se kishte shkuar larg me përdorimin e natyrës si armik apo ndoshta kur pa se kishte shkaktuar zemërimin e besimtarëve, që punë të tilla si tërmetet ia atribuojnë Zotit, i cili nuk mund të jetë armik dhe i pabesë ndaj krijesave të tij, manipulatori gjeti një shprehje tjetër: “është e shkruar” u thoshte njerëzve, duke ia vënë përgjegjësinë e vdekjes së 51 qyqarëve Zotit. Por, në këtë rast, harroi se ata që besojnë në Zot, punë të tilla si tërmetet i quajnë ndëshkime për shoqëri keqbërësish që janë zhytur në krim e degjenerim. Duket që ky tërmeti e ka çoroditur shumë Ramën, sepse e ka zënë paniku i përgjegjësisë. Me siguri sikur t’i dilte vetë Zoti përpara, do t’i thoshte se korrupsionin e degjenerimin, për të cilin ai i ndëshkoi shqiptarët, e kishte krijuar opozita deri në 2013 e se ai kishte bërë një gabim të madh që e hodhi tërmetin ndëshkues në kohën e qeverisjes së tij, por për këtë e kanë fajin gazetarët e kazanit që e kanë keqinformuar.

Nga paniku i përgjegjësisë për vdekjen e 51 vetave dhe dëmet kolosale që ka pësuar vendi, Edi Rama nuk po lë gjë pa bërë. Po luan teatër ku të mundet e si të mundet që të prekë njerëzit, që t’u thotë se ai është njeri i mirë, që i do ata si Gregu, veç që të mos mendojnë se ai ka ndonjë përgjegjësi për këtë që ndodhi. Ndërkohë që në këtë aktrim bëri armik natyrën dhe Zotin dhe e harroi fare armikun që e ka përqeshur, kërcënuar e fyer pafund, opozitën, duke e ftuar atë të ulet në tryezë me të për të zgjidhur këtë hall të madh. Harroi se tepsinë e donte të tërën për vete dhe tani që në tepsi ka mbetur vetëm përgjegjësia dhe vështirësia e pamasë që ka krijuar kjo tragjedi, e fton Lulzim Bashën t’i ndajë llokmat e boshësisë me të. Por nuk mjaftohet vetëm me këtë. Ndërkohë që gjatë dymbëdhjetë vjetëve kryetar bashkie nuk la fushë futbolli e basketbolli pa e kthyer në shesh ndërtimi të pallateve monstra, shkon në spitale te fëmijët e plagosur të mbetur pa prindër e pa shtëpi dhe luan teatër me ta, duke u dhuruar topa basketbolli e duke u premtuar se do t’u sjellë fanellat e Ronaldos dhe Donarumës të firmosura prej tyre (sepse i ka miq të afërt). Çmenduri! Por në këtë çmenduri nuk harron që të dëgjojnë të gjithë, që të mos shikojnë televizor dhe të mos hyjnë në “Facebook”, sepse atje (nënkuptohet) mund të dalin armiqtë që flasin për përgjegjësitë e tij. Të mjerët fëmijë! Kur t’i shohin këto filmime të rritur, do ta kuptojnë se kë kanë takuar në ditën e tragjedisë së tyre më të madhe.

Ajo që na ndodhi me këtë tërmet tragjik: vdekja e 51 personave, shembja apo kthimi në të pabanueshme i qindra, mos mijëra ndërtesave, trauma psikike e një populli të tërë, kostot që do të na duhet të paguajmë në të ardhmen, do të kishin qenë shumë herë më të vogla, ndoshta edhe të papërfillshme, sikur të mos kishim pasur në krye njerëz si Edi Rama me shokë, që kanë inkurajuar me veset e tyre pjesën më të keqe të njeriut shqiptar e që ia kanë dhënë në dorë fatet tona e të natyrës që kemi trashëguar nga paraardhësit pjesës më të mbrapshtë të shoqërisë. Edi Rama, në 12 vjet kryetar bashkie, nuk bëri një plan urbanistik, i cili përcakton, përveç të tjerave, edhe lartësitë e ndërtesave sipas zonave sizmike dhe gjeologjike. Ai shkatërroi çdo institucion shtetëror që kontrollon mënyrën e ndërtimit, duke ua lënë në dorë gjithçka oligarkëve të tij sipas parimit “një pallat, një votë”. Ai bëri gjithçka që të kontrollojë mediat, gazetarët dhe specialistët që duhet të informonin njerëzit edhe për rreziqet që paraqisnin këto lloj ndërtimesh. Nën shembullin e tij pararojë, kështu kanë vepruar në Durrës dhe kudo jo vetëm të tijtë, por edhe ata të opozitës. Mënyra sesi i ka shpenzuar paratë publike për t’i shpërndarë nëpër duart e babëzitura (për një kilometër rrugë 20 milionë euro) ka bërë që trupat e shpëtimit, për turp të botës, të punonin me duar dhe lopata për nxjerrjen e viktimave. Janë këto përgjegjësi morale dhe ligjore që e kanë panikuar Edi Ramën e që ai kërkon t’i verë në heshtje me çdo mjet, deri edhe me kërcënime mbylljeje të portaleve apo edhe me arrestime. E pra, të mos flasësh për përgjegjësi në këto ditë, është sikur të rrish të qash të vrarin në shtëpi pa kërkuar të dish se cili është vrasësi dhe nëse u kap apo jo. Është sigurt se në këtë rast ai do kryejë vrasje të tjera.

Thënë të gjitha këto për këtë njeri që meriton të ndëshkohet dhe jo t’i lihet në dorë menaxhimi i katrahurës së shkaktuar nga ky tërmet – nëse duam që të ngrihemi mbi të dhe jo të zhytemi edhe më – ngulmoj se vrasësi duhet kërkuar jo thjesht te ky njeri, por te një sistem dhe një kulturë që ka pjellë njerëz të tillë. Shtjellimin se çfarë kam parasysh me këtë po ia le shkrimit mbi reflektimet që më ngjalli shprehja e Ramës “pabesi e natyrës”. /panorama/

Bilanci i deritanishëm pas tërmetit – 131 banesa të prishura, 805 pallate e 7230 ndërtesa private të dëmtuara

Zyra për menaxhimin e Fatkeqësive Natyrore ka bërë bilancin paraprak të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntori.

Sot është dita e 6-të pas tërmetit të rëndë të 26 nëntorit, i cili solli tragjedinë e humbjes së jetës për 51 bashkëqytetarët tanë, dhe shkaktoi të lënduar dhe dëme të mëdha në shumë banesa në bashkitë Durrës, Krujë, Shijak, Kurbin, Tiranë, Kamëz, Vorë dhe Lezhë.

Kjo komunikatë e përditshme për media ofron informacion dhe bilanc paraprak mbi punën e institucioneve publike për adresimin e pasojave të tërmetit të datës 26 nëntor 2019, duke qenë se veprimet e ndërmarra janë në proces, dhe ecin përpara me shpejtësi.

Gjatë ditës së sotme:

U miratuan nga Këshilli i Ministrave paketat e ndihmës për familjet e 51 viktimave të tërmetit të 26 nëntorit, që përfshijnë strehimin e menjëhershëm të familjarëve, pensione speciale, si dhe mbulimin e shpenzimeve për ceremonitë mortore;
Janë kontaktuar familjet e 51 viktimave të tërmetit të 26 nëntorit për të diskutuar me ta hapat konkretë për strehimin e tyre të menjëhershëm dhe fillimin e procedurave për marrjen e pensioneve speciale;

Vazhduan të funksionojnë Shtabet e Emergjencës;
në Tiranë, Durrës dhe Lezhë, të cilat menaxhojnë të gjitha aspektet e punës për adresimin e pasojave afatshkurtra dhe afatmesme të tërmetit;

Vijojnë të marrin ndihmë mjekësore 29 persona nga të cilët 22 në Spitalin e Traumës, 4 në Spitalin e Durrësit dhe 3 të tjerë të transferuar jashtë vendit për kurim;

Numri i qytetarëve të strehuar në struktura hoteliere në Durrës, Shëngjin dhe Kavajë ka arritur në 2633;
U liruan katër palestra në Durrës, pas verifikimeve të bëra me Njësitë Administrative. Banorët që janë bërë të pastrehë nga tërmeti u sistemuan në strukturat hoteliere.

Në terren vijon me intensitet puna për inspektimin e të gjithë dëmeve në banesa nga ekipet vendase dhe ndërkombëtare në të gjithë qarqet e prekura.

Në Tiranë janë ngritur 27 grupe vlerësimi. Në Durrës, grupi i ekspertëve të vlerësimit të banesave përbëhet nga 70 ekspertë inxhinierë, nga të cilët 50 të huaj.

Në Kamëz janë 4 grupe pune në terren, në zonën e Bathores dhe atë të Paskuqanit nga tre grupe pune secila. Në Rrogozhinë veprojnë 5 grupe verifikimi, ndërkohë që vazhdon inspektimi në terren edhe në të gjitha zonat e tjera të prekura, si Kruja, Laçi, Lezha, Shijaku apo Vora.

DËMET NË BANESA

Në Qarkun Tiranë, rezultojnë 2 mijë objekte të dëmtuara, nga të cilat 410 shtëpi private të pabanueshme. Sa i përket pallateve, 202 të dëmtuar dhe 4 të pabanueshëm.

Në Qarkun Durrës, është ngritur njësia e koordinimit për vlerësimin e dëmeve në koordinim me zëvendësministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë z. Artan Shkreli.

Ekipe të vlerësimit me ekspertë kanë ardhur: Greqia, Turqia, SHBA, BE, Zvicra, Franca.

Ekipe shqiptare: Instituti i Ndërtimit, inxhinierët e Bashkisë Durrës, Fondi i Zhvillimit dhe Departamenti i Rrugëve (ARRSH), të cilët janë ndarë në ekipe në 11 Njësitë Administrative Durrës.

Grupet e inspektimit janë shpërndarë përkatësisht në: Ishëm, Manëz, Katund i Ri, Rrashbull, Rajoni 1, Rajoni 2, Rajoni 3, Rajoni 4, Rajoni 5, Rajoni 6, Sukth.

Bilanci paraprak është:

Bashkia Durrës – 187 Objekte të inspektuara, 86 të pabanueshme, 4 për tu prishur;

Bashkia Krujë – 46 Objekte të inspektuara, 5 të pabanueshme, asnjë për t’u prishur;

Bashkia Shijak – 45 Objekte të inspektuara, 25 të pabanueshme, asnjë për t’u prishur;

Në rang qarku, 278 objekte të inspektuara

Vazhdon shembja e banesave të shkatërruara nga tërmeti në bashkinë Durrës, mbi bazën e vendimeve të këshillit bashkiak, sipas vlerësimit teknik zyrtar të ekspertëve. Deri më sot, ora 13:30, janë prishur 14 objekte të shkatërruara, 7 objekte në qytetin e Thumanës dhe 7 objekte në Durrës.

Aktualisht, në Durrës vijon aksioni dhe po punohet në 8 objekte dhe në Thumanë, në 1 objekt.

Me grupet e vlerësimit në terren, raporti për dëmet materiale po përditësohet orë pas ore, por paraprakisht, në rang kombëtar ekziston ky bilanc:

Banesa të shembura 131

Banesa të dëmtuara rëndë 3811

Banesa të dëmtuara lehtë 3149

Pallate të dëmtuar rëndë 461

Pallate të dëmtuar lehtë 324

Pallate të shpallur të pabanueshëm pas verifikimit 20

PERSONA TË STREHUAR NË HOTELE, ÇADRA, QENDRA SOCIALE DHE FAMILJE DHE TË AFËRM

Vijon procesi i strehimit të të dëmtuarve në qendra sociale dhe hotele. Sipas të dhënave të deritanishme, janë:

Në hotele: ?1 961 qytetarë

Në çadra: ?964 qytetarë. Duhet të kujtojmë se shumë nga të dëmtuarit kanë kërkuar vetë të qëndrojnë në çadra në zonat rurale, për të asistuar dhe për t’i qëndruar pranë gjësë së gjallë dhe bagëtisë.

Në qendra sociale: ?867 qytetarë

Në familje dhe të afërm: ?2 525 qytetarë

QENDRA E RE DISPECER

Në bashkinë Durrës është krijuar qendra dispecer ku janë vendosur 6 telefona dhe operatorë të cilët nisin punën brenda ditës së sotme. Shumë shpejt, kjo qendër do të jetë funksionale për të pritur çdo telefonatë dhe për të koordinuar për çdo shqetësim. Ftojmë të gjithë qytetarët të kontaktojnë qytetarët për çdo nevojë asistencë apo ndihmë materiale numrat do të afishohen në vijim.

Kurti e Mustafa konfirmojnë mospajtimet, s’ka marrëveshje

Ka përfunduar takimi në mes të liderëve të LDK-së e VV-së mirëpo, nuk është arritur marrëveshje për koalicion, shkruan Gazeta Express.

Pas takimit ka folur para mediave lideri i VV-së, Albin Kurti derisa i njëjti deklaroi se do të vazhdojë të qëndrojë në kontakt me të parin e LDK-së, Isa Mustafën.

“Kur ta kemi marrëveshjen e plotë do të mund ta shpalosim gjerë e gjatë, përfundon takimi I sotëm dhe unë jam në kontakt të drejtpërdrejtë me kryetarin e LDK-së që ta përcaktojmë takimin e radhës sa i përket ditës dhe orës që të vazhdojmë më tutje drejt marrëveshjes”, ka shtuar ai.

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa pas takimit me Kurtin tha se patën një takim përmbajtjesore, mirëpo, që nuk u dakorduan në disa çështje. Ai konfirmoi se me VV-në kanë dallime.

“Ne patëm një bisedë mjaft përmbajtjesorë sepse pa biseda të tilla është e vështirë që të arrihet një bashkëpunim I ardhshëm I qëndrueshëm katër vjeçar natyrisht se ne kemi pasur pajtueshmëri sa I përket programit qeverisës, kemi edhe çështje të tjera që i kemi diskutuar sot për të cilat do të punojmë për të arritur përafrim, sot nuk ka marrëveshje për koalicion ka marrëveshje që të punojmë e të hulumtojmë rrugë që të përafrohemi qëndrimet tona. Dallimet tona do të jua tregojmë kur të jua përafrojmë”, ka thënë ai./GazetaExpress/

Profesori italian: Tërmeti në Shqipëri, efekte sizmike deri në vargmalin e Apenineve në Italinë e Jugut

Ekspertët italianë të sizmologjisë analizojnë efektet e aktivitetit sizmik të tërmetit që goditi Shqipërinë më 26 nëntor e mbi pasojat që mund të ketë për të ardhmen në Italinë e jugut.

Eksperti italian i sizmologjisë Enzo Montavani, Profesor në Departamentin e Shkencës Fizike të Tokës e Ambientit në Universitetin e Sienës në një intervistë të dhënë për portalin meteoweb.ue është shprehur se tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri mund të ndikoj duke manifestuar brenda pak vitesh efekte sizmike në vargmalin e Apenineve në Italinë e Jugut.

Madje profesori italian i bëri apel Departamentit të Mbrojtjes Civile të inkurajojë ndërhyrje parandaluese në territoret e Irpinia, Benevento e në të gjitha zonat sizmike të Apeninit Jugor.

Pas intervistës së tij Departamenti Italian i Mbrojtjes Civile ka dalë me një deklaratë zyrtare ku sqaron se ” ky institucion është i impenjuar në parandalimet strukturore e jo strukturore. Relativisht në studimin e fenomeneve pararendëse të ngjarjeve sizmike, ky departament në bashkëpunimin me Institutin e Sizmologjisë e Vullkanologjisë është angazhuar në përpunimin e një projekti të gjerë kërkimor që do t’i prezantohet së shpejti Komisionit Kombëtar për parashikimin e parandalimin e rreziqeve të mëdha me qëllimin e përmirësimit të sistemit të sigurisë për qytetarët italianë.”

Sipas profesorit italiane të gjitha aktivitetet sizmike të regjistruara në territorin e Apenineve jugore janë paraprirë nga lëkundje të forta sizmike në Alpet Dinarike jugore duke argumentuar me fakte se tërmeti i fortë i prillit të 1979 i shkallës 7 Richer në Mal të Zi u pasua me tërmetin katastrofik në Irpinia në nëntor të 1980 i shkallës 6.8 ballë. Probabiliteti se një korrespondencë e tillë mund të jetë e rastësishme është mjaft i ulët.

Supozimi më i mundshëm është se këto dy zona kanë një ndërlidhje tektonike mes tyre. Madje në tërmetet me shkallë më të ulët se 5.2 vetëm 1 në çdo 15 tërmete të regjistruara në Apeninet jugore nuk paraprihet nga lëkundje të forta sizmike në alpet Dinarike,

Sipas profesorit italian analizat sasiore të fenomenit fizik që nënvizojnë lidhjen e vëzhguar mes këtyre dy zonave tregojnë se koha e pritur për përhapjen e trazirave sizmike të shkaktuara nga një tërmet ballkanik në Apeninet Jugore është 1 deri në dy vite.

Ndërsa Departamenti italian i Mbrojtjes Civile informon se qeveria italiane prej vitit 2009 ka investuar rreth 965 milionë euro për të parandaluar rrezikun sizmik pikërisht në zonat e përmendura nga Profesori italian pra në territorin e Apenineve Jugore./ora

VIDEO/ Tërmetet janë vërtet të paparashikueshëm, por ekziston një shtrat i cili ju mbron prej tyre

Tërmetet janë ngjarje të tmerrshme, të rrezikshme, veçanërisht nëse ato ndodhin gjatë natës dhe ju zgjon papritmas nga gjumi. Shumica e tyre, nuk shkaktojnë vetëm panik por shkaktojnë dhe humbje jetësh.

Duke qenë se tërmeti nuk është një dukuri e parashikueshme, secili prej nesh është i rrezikuar në çdo moment dhe nuk ka mundësi të marrë masa paraprake.

Zgjidhja e vetme e sigurt, është shpikja më e fundit nga një rus, i cili ka krijuar atë që quhet ndryshe ‘’arkivoli i çelikut’’. Nga emri duket mjaft i frikshëm, por në funksion nuk është aspak i tillë.

Ky ‘arkivol’ në të vërtetë është një shtrat, relativisht i lartë, i pajisur me sensorë të cilët ndjejnë lëkundjet e para të tërmetit dhe ju zhysin poshtë në pjesën e poshtme të shtratit metalik, duke ju mbrojtur nga rënia e mundshme e muraturës ose edhe nga një shembje e ndërtesës.

Brenda tij, do të gjeni ushqimi mjaftueshëm, ujë, materialet e ndihmës së parë dhe madje edhe maskat me gaz të cilat mbahen në fund të strukturës, për të siguruar mbijetesën tuaj derisa të dilni që aty.

Ky lloj shtrati është krijuar dhe testuar në Kinë për herë të parë në vitin 2012.

Këngëtarja me famë botërore Bebe Rexha mbërrin në familjet e prekura nga tërmeti: Nuk do ta harroj kurrë gjakun prej nga vij (VIDEO)j

Këngëtarja me famë botërore Bebe Rexha ka mbërritur në Bubq ku do të vizitojë një nga familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit.

Bebe ka premtuar se do ndërtojë nga e para shtëpinë e një familje.

SHBA, shqiptaro-amerikanët luten për viktimat e tërmetit (VIDEO)

Mbrëmë në Michigan komuniteti shqiptaro-amerikan u lut për ata që humbën jetën dhe ata që u dëmtuan nga tërmeti në Shqipëri.

Në një ceremoni të organizuar nga “Kisha Pajtore” me rastin e 107 vjetorit të pavarësisë, u mblodhën fonde për të prekurit nga tërmeti.

Në tubim u bë edhe inaugurimi i një salle të re të kishës si dhe u përurua qendra kulturore Nënë Tereza. /Voa

Milot Rashica, gol në Gjermani me dedikim special për Shqipërinë

Milot Rashica ka shënuar golat e radhës në Gjermani, dhe një prej tyre ka vendosur t’ia dedikojë Shqipërisë.

Kosovari i dha fitoren Ëerder Bremen në transfertën e Ëolfsburg, dhe pikërisht Rashica pasi shënoi golin e parë në minutën e 13′ festoi me ‘shqiponjë’ ndërkohë në rrjetin e tij Facebook sipër fotos së publikuar shkruan “Për Shqipërinë”.

23- vjeçari veshi për dy ndeshje fanellën kuqezi për t’u larguar më pas me atë të Kosovës. Ai është një nga lojtarët më premtues të dardanëve dhe në Gjermani në këtë sezon po bën mjaft mirë.

Grekët në radhë për të dhuruar, japin ndihma për Shqipërinë (VIDEO)

Krahas emigrantëve shqiptarë në Greqi, qindra qytetarë grekë po ndihmojnë për familjet e prekura nga tërmeti në Shqipëri.

Në disa zona ata iu bashkuan fushatave të solidaritetit të komuniteteve shqiptare. Ndërkohë vetë emigrantët po bëjnë thirrje për menaxhimin sa më të mirë të ndihmave nga autoritetet shqiptare.

Korrespondenti i Zërit të Amerikës Raimond Kola ishte në Patra dhe përgatiti një kronikë:

Rama e nis ditën me fjalë nga Kurani dhe jep një mesazh të rëndësishëm

Kryeministri Edi Rama e ka nisur mëngjesin e kësaj të hënë, duke postuar disa fjalë të shenjtë nga libri i Kuranit, ku flitet për situatën aktuale në vendin tonë pas rënies së tërmetit me 26 nëntor.

Ashtu siç ka theksuar kryeministri Rama, në këtë situatë të vështirë, ka rëndësi që banorët të kenë durim për të përballuar pasojat e tërmetit.

Nndërsa një problem i ngritur nga qeveria dhe autoritetet shtetërore, ka qenë edhe publikimi i lajmet, të cilët sipas tyre nuk janë verifikuar më parë.

E dhimbshme/ Fiqerete Lala vdiq gjatë ceremonisë së varrimit të 8 familjarëve të saj

Një tjetër anëtare e familjes Lala ka ndërruar jetë. Viktima është Fiqerete Lala dhe kjo humbje e çon në 9 numrin e anëtarëve që humbën jetën. Fiqerete Lala ndërroi jetë gjatë kohës që bëhej varrimi i 8 anëtarëve të familjes së saj.

Raportohet se pas ceremonisë mortore që u përcollën në banesën e fundit tetë anëtarët e familjes, ndërroi jetë nga dhimbja për tragjedinë edhe Fiqerete Lala 64 vjeçe.

I vetmi i mbijetuar nga shembja e banesës së familjes Lala në Durrës është 17-vjeçari Ramë Lala. Gjendja e tij shëndetësore nuk është paraqitur e mirë prandaj është nisur drejt Italisë për të marrë një mjekim më të specializuar.

Jetën e Ramë Lalës, e shpëtoi një lavatriçe. Struktura metalike e kësaj orendie shtëpiake krijoi mjaft hapësirë sa për t’i mbrojtur trupin dhe kokën 17-vjeçarit./ abc news

“Jam burrë e s’derdh dot lot”, i moshuari: Tani që bleva shtëpi u shkatërrua. Mesazhi për Ramën

Një i moshuar është mes qytetarë që po e kalojnë natën para bashkisë së Durrësit dhe para stadiumit “Niko Dovana” në mes të ftohtit.

Në një intervistë për Ora News, ai tha se kurseu gjithë jetën për të blerë një shtëpi dhe e gjithë pasuria e tij iku për shkak të ndërtuesve neglizhentë.

I moshuari i kërkoi kryeministrit Edi Rama ti marrë paratë ndërtuesve dhe t’ua kthejë blerësve të apartamenteve.

“Kam 42 vite mësues, kurseva sa kurseva dhe bleva një shtëpi. 9 muaj kam që jam futar aty. Është e shkatërruar. E di që qoftë qeveria dhe Shqipëria janë në hall. Nuk dua gjë tjetër veçse Edi Rama do i marrë pronarit, ndërtuesit, arkitekti paratë. S’dua gjë tjetër, do fle jashtë. Vetëm më jepni paratë e mia e të iki. Është fatkeqësia më e madhe. Çfarë do të bëj unë në këtë moshë. Ata do ti suvatojnë dhe do shesin prapë. Ishin të reja dhe u bënë të tilla, jo më tani që janë lëkundur.

Unë kam besim tek të huajt sepse shqiptari nga natyra është mashtrues. Pallati i ri 13 katësh të ndërtohet në mes të kënetës është shitur sikur janë kulla Parisi.

Jemi burra e nuk derdhim dot lot por të ikë gjithë pasuria vetëm për neglizhencën për ata që kanë pastruar paratë duke ndërtuar. Ky është shteti, e kanë filluar që në ’90 deri tani. Edi Rama nuk ka çfarë bën më, nuk mund ti luftojnë dot me asgjë. Ai duhet të rrijë pranë çdo projektuesi pastaj të bëhet. Por nuk ka çfarë bën dot një njëri,”-tha ai.

Ndërtimet skandaloze në Durrës, Prokuroria nis hetimet

Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet pas tërmetit të 26 nëntorit ku u shemben disa pallate dhe banesa në Durrës dhe Thumanë dhe ku humbën jetën 51 persona.

Prokuroria thotë se pasojat kanë ardhur si shkak i ndërtimeve pa leje dhe të moskryerjes së detyrës nga inxhinierët zbatues dhe personave pergjegjës si dhe nga mospërmbushja e rregullt e detyrës nga nepunësit shtetëror të ngarkuar me mbikqyerjen e këtyre ndërtimeve.

“Më datë 29.11.2019 Prok. Durrës ka regjistruar çështjen penale që i referohet tërmetit të datës 26.11.2019 ku si pasojë e tij janë shembur një numër ndërtesash që kanë shkaktuar vdekjen e një numri personash.

Për këtë dyshohet se pasojat kanë ardhur si shkak i ndërtimeve pa leje dhe të moskryerjes së detyrës nga inxhinierët zbatues dhe personave pergjegjës si dhe nga mospërmbushja e rregullt e detyrës nga nepunësit shtetëror të ngarkuar me mbikqyerjen e këtyre ndërtimeve.

Çështja është regjistruar për veprat penale; “Ndërtim pa leje”, dhe “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga nenet 199/a, 3 dhe 248 k.penal”

Siç duket, përveç natyrës, fajtorë në thellimin e tragjedisë janë edhe institucionet e vendit. Kujtojmë se Bashkia e Durrësit 12 vitet e fundit drejtohej nga Vangjush Dako, i cili ka dhënë çdo leje ndërtimi.

U arrestua për përhapje paniku, jepet vendimi për 25-vjeçaren nga Durrësi

Gjykata e Durrësit ka liruar nga burgu 25-vjeçaren Xhuljana Aliaj, e cila u arrestua për përhapje paniku pas tërmetit të 26 nëntorit.

Ndaj të resë gjykata ka vendosur “detyrim paraqitje”, duke rrëzuar kështu arrestimin, i cili ishte i pari i këtij lloji.

Aliaj u arrestua më 29 nëntor me akuzën se shpërndau në rrjetet sociale shkrime me përmbajtje të rreme duke përhapur panik tek qytetarët.

Xhulia është studente pranë Universitetit të Durrësit dhe nga të gjithë njihet si besimtare, dhe praktikante e fesë katolike.

Nxori të afërmit nga rrënojat, zjarrfikësi rrëfen dramën në familjen e tij: Ndjeu dorën e ftohtë të birit, tani nuk di…

Komisar Arben Cara është një nga efektivët e shërbimit zjarrfikës, i cili ka qenë në terren në Durrës dhe në Thumanë, për të nxjerrë nga rrënojat të mbijetuarit por edhe trupat e pajetë të viktimave të tërmetit të 26 nëntorit.

Ditën e sotme ai ishte i ftuar në emisionin “Wake Up”, ku ka rrëfyer momentin e rënies së tërmetit dhe si e ka ndjerë në shtëpinë e tij dhe më pas punën në terren.

Dhimbja e Arbenit vazhdon të jetë shumë e madhe pasi 7 viktimat e familjes Cara, ishin njëkohësisht edhe familjarë të Arbenit, ishin kushërinjtë e tij.

“Mëngjesi i 26 nëntorit ka qenë një traumë e madhe për ne pasi atë mëngjes pasi tërmeti goditi vendin kam qenë në shtëpi, mu desh të nxjerr familjarët e mi pasi frika se mund të pasohej nga një goditje tjetër e pasi i kam nxjerrë dhe lënë jashtë, nusen me djalin se Zoti na ka rënduar na ka sjellë një fëmijë me probleme të spektrit autik, na është dashur shumë kohë për ta nxjerrë jashtë. Familjen e lashë në shtëpi. Vajta te salla operacionale ku kishte lumë telefonatash dhe kur gjendja u agravua u nisëm në Durrës”.

E teksa ishte në krye të detyrës, komisari Cara nuk ka mundur që të shmangë pjesën emocionale teksa nxirrte nga gërmadhat njerëzit e tij të familjes. Ai ishte mbi rrënojat e hotelit “Vila Palma” në krye të operacionit për shpëtimin e Klajdi Qatos, kur kolegët e lajmëruan se duhet të nisej drejt Thumanës aty ky ndodheshin edhe familjarët e tij.

Efektivi i zjarrfikësve u shpreh kjo ka qenë një nga ngjarjet më të rënda që ka përjetuar dhe një nga aksionet më të vështira ku i është dashur të ndërhyjë. Gjatë bisedës në studio, Arbeni ka treguar momente prekëse kur përpiqej të nxirrte nga rrënojat e pallatit në Thumanë të afërmit.

Ai rrëfeu momentin kur Albert Cara, 55 vjeçari i vetmi i mbijetuar i familjes Cara që ka humbur familjen pyeste vazhdimisht për të birin që kishte humbur jetën në rrënoja.

“Ai nuk e di që i biri nuk jeton më por më sa duket diçka ka kuptuar sepse ai ndërkohë që ne përpiqeshim ta shpëtonin ndjente se dora e të biri ishte ftohur. Para se të nisej për në Itali me urgjencë ai përsëri pyeti për të birin, si është”, rrëfeu Albert Cara.

Turqia nis punën për ngritjen e 500 shtëpive, ja ku do ndërtohen

Turqia hedh hapin e parë drejt konkretizimit të zotimit për të ndërtuar 500 banesa në Shqipëri. Ambasada e saj në Tiranë bëri me dije se me udhëzim të presidentit Rexhep Taip Erdogan që këto shtëpi të ngrihen, zhvilloi takimin e dytë me delegacionin shqiptar të kryesuar nga Ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Përmes një njoftimi në faqen e vet zyrtare në Facebook, misioni diplomatik turk theksoi se në takim u vendos të përcaktohet toka e përshtatshme për 500 shtëpi që do të ndërtohen, por pa sqaruar ende se ku do të jetë saktësisht.

“Delegacioni ynë i përbërë nga Drejtoria e Administrimit dhe Banesave Publike kryesuar nga Ambasadori Yörük, në zbatim të udhëzimit të Presidentit Rexhep Tajip Erdogan për ndërtimin e 500 banesave në Shqipëri, zhvilloi takimin e dytë me delegacionin shqiptar të kryesuar nga Ministrja e Kulturës znj. Elva Margariti.

Në takim u vendos të përcaktohet toka e përshtatshme për 500 shtëpi që do të ndërtohen”, shkruan ambasada në krah të fotove të takimit.

Dy ditë më parë, ambasadori i shteti turk, Murat Ahmet Yörük, u citua të pohonte se kanë ardhur në vendin tonë ekipet që do të bëjnë të gjitha studimet, dhe në bashkëpunim me qeverinë të ndajnë vendet dhe qytetet ku do të ndërtohen këto godina të reja për gjithë të prekurit nga tërmeti i fuqishëm që la pas dhjetëra viktima.

Sa e kemi të sigurt kulmin mbi kokë në Maqedoninë e Veriut?

Shtëpia është streha e çdonjërit, por në rast të tërmetit kulmi mbi kokë mund të bëhet vrasës nëse objekti nuk është ndërtuar sipas standardeve. Dilema të tilla janë ngritur në vendin tonë tani më një javë pas tërmetit fatal në Shqipëri. Përveç Shkupit, në zonat me rrezikshmëri të lartë sizmike shtrihen edhe qytetet të tjera të vendit, në të cilat ekspertët thonë se jo të gjitha objektet janë të ndërtuara sigurtë. Sipas Ligjit për ndërtim çdo objekt mbi 300 metra katrorë duhet patjetër të marr miratimin nga Instituti i Inxhinierisë së Tërmeteve dhe Sizmologjisë Inxhinierike. Por, sipas inxhinierit Hamdi Sulejmani, në Tetovë jo të gjitha këto objekte të mëdha kanë kërkuar pëlqimin nga ky institut për rezistencë ndaj tërmeteve.

Të gjitha objektet që pësojnë më tepër janë objektet e tilla, pasi që ndërtohen sipas dëshirës së investitorit. Me hekur apo pa hekur, me beton apo pa beton, me material të lirë apo jo cilësor. Kështu pësojnë njerëzit dhe përgjegjësi nuk mban askush, përveç kryetarit të komunës apo këshillit që ka legalizuar ato objekte. Është numër i madh, të them mbi 70% është vërtetë e pa besueshme- deklaroi Hamdi Sulejmani, Inxhinier i Ndërtimtarisë.

Nga Komuna e Tetovës thonë se nuk kanë legalizuar asnjë objekt pa pëlqimin e Institutit Sizmologjik.

Kurse nga Komuna e Kumanovës thonë që nëse një tërmet rrënon ndërtesat si pasojë e ndërtimit të dobët, përgjegjësia e plotë bie mbi investitorin e objektit dhe inxhinierin e ndërtimit.

Zyra e Urbanizmit nga Komuna e Kumanovës

“Kërkesa për ndërtim përpos trë gjitha dokumenteve të tjera duhet të ketë të bashkangjitur edhe vërtetimin e Institutit të Inxhinierisë së Tërmeteve dhe Sizmologjisë Inxhinierike se objekti është i qëndrueshëm ndaj magnitudave të caktuara të tërmeteve dhe ka të siguruar konstruktimin e sistemit të evakuimit. Nëse kjo nuk respektohet sipas projektit përgjegjës janë investitorët dhe inxhinierët.”

Inspektorati shtetëror i ndërtimtarisë dhe urbanizmit si dhe inspektorët ndërtimor komunal mund të shqiptojnë gjoba deri më 17 mijë euro për kundërvajtje nëse gjatë ndërtimit të objekteve nuk respektohen rregullat e ndërtimit si dhe mund të bëjnë kallëzim penal që mund të ndëshkojnë në burg nga 1-5 vjet, nëse kompetentët nuk posedojnë vërtetimin se objekti i reziston tërmeteve.

Qyteti i Ohrit sa duket i bukur është dhe i sigurtë thonë nga Komuna, pasi ndërtimet në 15 vitet e fundit janë bërë nën masa të rrepta të mbikëqyrjes. Por, për objektet e ndërtuara në të zezë dhe mbindërtimet ilegale, nga sektori i urbanizmit thonë se nuk kanë siguri banimi në rast të tërmetit.

Sa i përket atyre objekteve ka ligj të posaçëm për ndërtim të parregullt. Ato janë të rregulluara me ligj tjetër dhe nuk kërkohen pëlqim nga instituti Sizmologjisë. Për objekte të tilla kërkohet vërtetim për rezistencën e statikës së ndërtesave nëse pas legalizimit vendoset ndonjë mbindërtim shtesë- tha Branko Arnaudov – Udhëheqës i sektorit të urbanizmit në Ohër.

Nga Instituti i Inxhinierisë së Tërmeteve dhe Sizmologjisë Inxhinierike thonë se deri në 7 shkallë të Rihterit është qëndrueshmëria e objekteve të fabrikave të kategorisë A dhe të godinave të banimit të kategorisë B. Sipas këtij Instituti nëse bie termet me epiqendër në vendin tonë, me mbi 7 ballë dhe kohëzgjatja e lëkundjeve të tokës është mbi 30 sekonda, atëherë gjithçka mbetet në mëshirë të fatit.