Kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu këto ditë ka vizituar vendet e prekura nga tërmeti në Shqipëri ku gjithashtu ka koordinuar edhe çështjen e dërgimit të ndihmave të mbledhura në këtë komunë, por edhe për mjetet e ndara nga buxheti i kësaj komune. Në vazhdim keni të gjitha njoftimet për aktivitetet e ndërmarra nga Komuna e Zhelinës për të ndihmuar të dëmtuarit nga tërmeti në Shqipëri:
Sot, nga oborri i Komunës së Zhelinës drejtë Shqipërisë, u nis edhe kamioni i ngarkuar me materiale ushqimore, batanije dhe veshmbathje të destinuara për familjet e prekura nga tërmeti.
Një falenderim pa masë ndaj të gjithë atyre që ndihmuan dhe ndanë nga pjesa e tyre për t’i dhënë tjetrit që sot ka nevojë.Falenderues dhe mirënjohës edhe ndaj imamëve të xhamive në Komunën tonë, bashkësive lokale dhe afaristëve që ndihmuan.Falenderim i veçantë ndaj Hajrulla Ibishi që vullnetarisht dhe pa kompensim bën transportin e materialeve nga Zhelina deri në Shqipëri.
Mirënjohës edhe ndaj stafit të komunës dhe NPK, që disa ditë me rradhë, deri në orët e vona të natës kanë qëndruar në komunë, për t’i pranuar materialet e donuara nga ana e qytetarëve.
Ju jeni shembulli që n’a bëni krenarë të gjithëve!
Zoti ju Bekoftë!
Pamje nga vizita në Thumanë:
Kryetari i Komunës së Zhelinës Blerim Sejdiu, së bashku me kryetarin e partisë Lëvizja BESA Bilall Kasami, nënkryetarët Fadil Zendeli dhe Kastriot Rexhepi, si dhe kryetarin e FR Liridon Useini, vizituan vendet më të goditura dhe të rrezikuara nga tërmeti me epiqendër në Thumanë dhe Durrës të Shqipërisë.
Përmes vizitës në zonat e prekura nga tërmeti, ofruan ndihmë dhe siguruan mbështetje institucionale për të ndihmuar banorët e kësaj zone.
Video nga vizita në Shqipëri:
https://youtu.be/Yc3AaARFBNk
APEL I SHTABIT TË EMERGJENCAVE
Shtabi i Emergjencave në Komunën e Zhelinës, fton të gjithë qytetarët që t’i bashkangjiten këtij mobilizimi të gjithanshëm shqiptar për të ndihmuar vëllezërit tanë në Shqipëri.
I njoftojmë të gjithë ata që duan të ndihmojnë se pikë grumbullimi e donacioneve, do të jetë ndërtesa e Komunës së Zhelinës, ku të gjithë qytetarët vullnetarë mund të dorëzojnë pakot e tyre në hapësirat e komunës, edhe atë në formë të produkteve ushqimore, batanijeve, veshmbathjeve, dyshekëve, etj.
Ky aksion vullnetar fillon ditën e nesërme (28.11.2019), me fillim në ora 08:00 deri ora 00:00, dhe kjo do të vijojë deri ditën e Dielë, 01.12.2019.
Me Ty Shqipëri
Në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të komunës së Zhelinës, sot në orët e mëngjesit (27.11.2019), me pikë të rendit të ditës:
Propozim Vendim për ndarje të mjeteve për të prekurit nga tërmeti i fuqishëm që goditi Shqipërinë, u soll vendim për ndarje të mjeteve në vlerë prej 307.000 den, gjegjësisht 5000 €, që do të shkojnë për familjarët e viktimave dhe persona tjerë të lënduar si pasojë e kësaj fatkeqësie natyrore.
Me zemër, për Shqipërinë
Komuna e Zhelinës mbledh Shtabin e Emergjencave
Me iniciativë të Shtabit komunal të emergjencës, në komunën e Zhelinës, sot më datë 27.11.2019, u mbajt mbledhje e jashtëzakonshme, me ç’rast u vendos për pikë të rendit të ditës: Solidarizim me bashkëkombasit tanë në Shqipëri, pas goditjes nga tërmetet.
Mbledhja filloi pas një minutë heshtje për viktimat dhe familjet e prekura nga tërmeti i fuqishëm me përmasa katastrofike që goditi Republikën e Shqipërisë, mëngjesin e ditës së martë. Në prezencë të kryetarit Blerim Sejdiu, kësaj mbledhjeje iu bashkangjitën qytetarë, përfaqësues të Organizatave joqeveritare, imamë të xhamive, dhe vullnetarë tjerë të interesuar.
Komuna e Zhelinës, përveç që ndau mjete financiare me vlerë prej 5000 eurosh nga buxheti i saj, në shenjë solidarizimi me vëllezërit tanë në Shqipëri, organizon edhe aksion vullnetar për grumbullim të ndihmave materiale që do t’u destinohen familjeve të prekura nga fatkeqësia natyrore që goditi qytetin e Durrësit, mëngjesin e ditës së martë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe viktima në njerëz.
Komuna e Zhelinës fton të gjithë qytetarët që t’i bashkangjiten këtij mobilizimi të gjithanshëm shqiptar për të ndihmuar vëllezërit tanë në Shqipëri. Me këtë rast, Komuna e Zhelinës do të jetë pikë grumbullimi e donacioneve, ku të gjithë qytetarët vullnetarë mund të dorëzojnë pakot e tyre në hapësirat e komunës së Zhelinës, edhe atë në formë të produkteve ushqimore, batanijeve, dyshekëve, etj. Ky aksion vullnetar fillon ditën e nesërme (28.11.2019), me fillim në ora 08:00, dhe do të vijojë deri ditën e dielë, 01.12.2019.
Durrësi nuk do të jetë më i pari, pasi për një javë u kthye në vatrën e nxehtë të një tërmeti “apokaliptik”, që Shqipëria nuk e kishte përjetuar prej dekadash.
Tërmeti që la 50 të vdekur bëri që në qytetin bregdetar të pllakoste frika, të kishte eksod, ndërsa u rikthye edhe një herë në qendër të vëmendjes debati mbi cilësinë e ndërtimeve në këtë qytet.
Kjo pasi njerëzit u njohën me fakte nga më tronditëset dhe të pabesueshmet, si heqja e kolonave të një pallati për t’u kthyer në kafene, modifikim apo shtesa pallatesh, si dhe hotele të ngritura në rërë.
Kryebashkiaku më me ndikim në dekadën e fundit në Durrës ka qenë pikërisht Vangjush Dako, që në 12 vjet në pushtet u kthye në politikanin më të shigjetuar nga opozita, por edhe njerëz të njohur të sferës publike në vend, për dhënien e lejeve të dyshimta të ndërtimit.
Dako është fiksuar nga kamerat e mediave teksa kaloi me një makinë luksoze pranë hoteleve që tanimë janë kthyer në gërmadha, ose janë fshirë nga faqja e dheut, siç është rasti i “Mira Mare”.
Ndonëse ka firmosur mijëra leje ndërtimi, që koha po tregon se kanë qenë më së paku të gabuara, Dako parakalon i qetë fare pranë rrënojave. Në 12 vjet qeverisje Dako i shumëfishoi lejet e ndërtimit, buzë detit apo pranë objekteve të trashëgimisë kulturore duke u pagëzuar nga kritikët si “Gjush Betoni”.
Në një emision televiziv ai u cilësua si “injorant”, “që duhet arrestuar” nga analisti Fatos Lubonja, ndërsa do të mbronte me zell projektin “Veliera” dhe etjen për betonizuar si një nevojë të kohës. Duket se pasi la karrigen e kryebashkiakut, Dako lëviz si qytetar i zakonshëm, pa marrë mbi supe fajet e të shkuarës.
Tanimë që lëkundjet janë shuar, fatura financiare në Durrës do të jetë shumë e madhe, por mbi të gjitha garancia për të jetuar në këtë qytet do të jetë më e vogël. Banorët e Durrësit kanë shumë pyetje që lidhen me gjënë më të shtrenjtë, jetën e tyre.
Për të gjitha këto, do të duhej që të kishte një përgjigje nga Vangjush Dako, dhe të gjithë ata që kanë “bekuar” ndërtime nga më të paimagjinueshmet në këtë qytet.
Është koha për reflektim, jo vetëm nga Dako, por cilido kryebashkiak që deri më tani ka ecur me turravrap në gjurmët e tij, për të rivlerësuar çfarë u bë keq dhe çfarë duhet të bëhet mirë në të ardhmen.
Politikanët duhet të dëgjojnë zërin e gjeologëve, inxhinierëve, dhe ndërtuesit duhet t’i kenë të qarta “pikat mbi i”, para se të marrin një leje ndërtimi. Nëse nuk nxjerrim mësime sot, mund të jetë shumë vonë nesër!
Qytetarët kanë nevojë për ndihmë urgjente, pasi kalojnë natën nëpër makina dhe çadra të cilat edhe për shkak të kushteve atmosferike janë të papërshtatshme.
Në Vorë banesat e qindra familjeve janë të dëmtuara dhe të pabanueshme. Shumë prej tyre kanë nevojë për ndihma dhe për ushqime.
Në Kavajë me dhjetëra objekte janë të pabanueshme. Prej katër ditësh njerëzit po presin ekspertet të vlerësojnë gjendjen e objekteve të banimit, ndërsa netët i kalojnë nëpër makina, pa mundur të marrin as rrobat e trupit nga frika se pallatet mund të shemben.
Kërkohet urgjentisht vëmendje për këto zona me dëmtime të rënda, banorët e të cilave kanë nevojë për strehë, ushqime dhe vlerësim të banesave.
U riktheva sot në Laç për të parë gjendjen. Qindra qytetarë të dëmtuar nga tërmeti më thanë se prej pesë ditësh po i kalojnē netët jashtë, dhe po vuajnë një situatë të rëndë humanitare.
Banorët nuk kanë asnjë qartësi nëse mund të përdorin banesat të cilat duken të dëmtuara rëndë. Shumë prej tyre thanë se nuk ju është dhënë zgjidhje për strehim, megjithëse banesat e tyre janë të pabanueshme tashmë. Prej ditësh askush nuk ka shkuar të shohë gjendjen ku ndodhen dhe dëmtimet që kanë në banesa. Gjithashtu ata thonë se nuk u është ofruar asnjë lloj ndihme tjetër në ushqime dhe rroba, gjë që e bën situatën shumë të rëndë për këto familje.
Duhet një reagim i menjëhershëm për ti ardhur në ndihmë këtyre familjeve që perveç traumës se shkatërrimit të gjithçka që kishin, janë dhe pa asnjë ndihmë e përkrahje.
Dihet që raportet e kryeministrit Rama në fakt me mediat nuk kanë qenë ndër më të mirat sa herë që ai është ndjerë i sulmuar duke i cilësuar jo pak herë edhe si “kazan”. Ai madje është dalluar gjithnjë si një person që ka ditur t’i kthejë të gjitha situata në favor të tij. Lëvizja më e fundit është shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, dhe shfrytëzimi i saj për luftën personale mediatike.
Kërcënimet se në kuadër të Gjendjes së Jashtëzakonshme do të mbyllte portalet, ai i ka realizuar sëfundmi me mbylljen e faqes së JOQ Albania.
Një vendim, i cili u dënua edhe nga Këshilli Shqiptar i Mediave, duke e cilësuar si të gabuar dhe në shkelje të ligjit.
“Qeveria ka të drejtën të dërgojë për ndjekje penale këdo që ka shkelur ligjet, qoftë dhe në kuadrin e gjendjes së jashtëzakonshme, por, nuk mundet të mbyllë me anën e AKEP-it dhe instrumenteve të tjerë, pa një vendim gjyqësor, asnjë media”, thuhet në reagimin e KMSH ndër të tjera.
Por rasti i JOQ Albania është vetëm maja e ajsbergut, në kuadër të Gjendjes së jashtëzakonshme, është bllokuar një editorial i Gazetës Dita me titullin: “Pse s’ka lekë qeveria, klasë politike shpirtzbrasur”.
Lufta anti-media
Kjo betejë e Ramës ndaj mediave, kryesisht atyre online nuk ka nisur tani. Vite më parë kryeministri Rama lançoi një nismë, e cilësuar nisma anti-shpifje ku përfshiheshin edhe dënime me vite burg për lajme apo njoftime të rreme.
Presioni i brendshëm dhe kryesisht ai i brendshëm bëri që kjo nismë të mbetej thjesht një letër.
Por kryeministri nuk e la me kaq, një vit më parë ai tentoi të vinte nën kontroll portalet online në Gjuhën Shqipe të regjistrohet në QKR, ndryshe AKEP do t’i mbyllte. Teksa ligjërisht e teknikisht edhe mund ta ndërhynte për domainet .al, ishte një kërcënim absurd për domainet .com .us .eu, e çdo lloj domaini tjetër në gjuhën Shqipe, por që funksion jashtë vendit.
Ato përfshihen në hapësirën globale, publike, falas të botës online dhe bllokimi i tyre do të thotë censurë.
Duke u rikthyer tek tërmeti i 26 nëntorit që solli edhe shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme më 28 nëntor. Brenda asaj dite, policia procedoi penalisht dy administratorët e faqes “Jeta Osht Qejf”, e sot AKEP mbylli edhe faqen e për Shqipërinë.
Çfarë pritet më të ndodhë?! Kryeministri Rama mund t’i lindë edhe dëshira për të mbyllur çdo portal, televizion apo gazetë në këto 30 ditë të Gjendjes së jashtëzakonshme, por a është normale kjo?!
Mediat online duhet të rregullohen që të frenohet abuzimi. Por t’i mbyllësh ato për një postim dhe pa asnjë vendim gjykate nuk duket aspak normale. Kjo shpreh dëshirën e Ramës, i cili në emisionin “Open” të Eni Vasilit, tha nën zë: Ah sikur të shuhen zërat e mediave….!
20-vjeçarja Xhesika Biqiku nuk arriti dot t’i bënte ballë plagëve të marra pas tërmetit 6.4 rihter që goditi vendin tonë mëngjesin e së martës. Ajo ndërroi jetë sot në spitalin e Traumës në kryeqytet, pasi prej ditësh ndodhej në koma.
Xhesika doli me familjarët e saj nga banesa pas tërmetit të fuqishëm, por teksa babai, nëna dhe motra shpëtuan duke pësuar dëme më të lehta, ajo mori një goditje të fortë.
Tullat nisën të bien nga kati i pestë, ku të gjithë morën dëmtime, por Xhesikës i ra një tullë në kokë duke i shkaktuar dëmtime të mëdha në tru.
Pallati ku banonte e reja është ndërtuar në vitin 1972. Në një thirrje përlotëse, babai i Xhesikës, Ilia Biqiku apeloi dy ditë më parë për trajtimin mjekësor të së bijës në Itali
Bashkë me zërin e dridhur dhe lutjet për jetën e së bijës, babai rrëqethi kur tha se më mirë të kishte vdekur ai, sesa vajza e vogël.
“Nëse nuk do të isha penguar teksa dilnim, Xhesika do të kishte shpëtuar”, ka rrëfyer ai.
Të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë Shqipërisë janë duke u munduar në mënyra të ndryshme që të ndihmojnë të prekurit nga tërmeti i mëngjesit të 26 nëntorit.
Dikush me ushqime, rroba dhe batanije e të tjerë me vlera monetare, të gjithë janë vënë në lëvizje që të jenë sa më pranë familjeve që kanë mbetur pa shtëpi.
Të shumtë janë edhe artistës që së bashku po përdorinin platformat e tyre për t’u bërë thirrje të gjithëve për solidarizim. E një ndër ta është edhe këngëtari i njohur, Robert Berisha, i cili nëpërmjet një postimi në “Instagram” bën me dije se së bashku me disa artistë të tjerë do të performojnë në Gjermani.
Ai shprehet se një pjesë e mirë e të ardhurave nga koncerti, do të shkojnë për të prekurit nga tërmeti. Gjithashtu përmes këtij postimi, këngëtari u bën thirrje të gjithë shqiptarëve që janë në Gjermani t’i bashkangjiten koncertit, pasi në këtë mënyrë do të ndihmojnë edhe ata shqiptarët që janë në kushte aspak të mira.
Nënkryetari i Partisë Demokratike Edi Paloka ka sulmuar kryeministrin Edi Rama.
Ai ka reaguar ashpër me një shenim në facebook, ku thotë se edhe ai po të kishte vilë nuk do të lëviste nga krevati për tërmetin.
Ndër të tjera Paloka shkruan:
“I pafytyri! Në vend që tju jap zgjidhje apo të pakten ti qetësoje qytetarët që janë në hall e në panik (se për pergjëgjesitë e tjera as nuk bëhet fjalë), bën arrogantin dhe trimin…;” unë nuk leviz as nga krevati kur bie termet”-thotë.
Sigurisht o i pafytyrë…edhe ne po të kishim vila betonarme si ty, “nuk do te leviznim nga krevati”.
Pak ditë më parë ju tha “rilindasve” se shtepi si e tija kishin gjysma e shqiptarëve! Sot ju shet mend i tall e i fyen! Nuk flenë rrugëve e nëpër makina nga qejfi shqiptarët, po sepse nuk kanë “shtëpi” si e jotja dhe nuk duan që ato pamje të tmerrshme të nënave përqafuar me femijët nën rrënoja, ti shohin e perjetojnë përseri.
Mos mendo se meqë opozita ka vendosur të mos bej politike në këtë moment të ankthshëm, ti ke të drejtë të besh të papërgjegjshmin e ca më shumë arrogantin…Boll me teatrin e skenat me lot fallco, po të paktën në këto momente, ku gjithë bota është solidarizuar me shqiptarët, bëj minimumin e asaj që po bëjnë të tjerët për ne.”
Përfundojnë opeacionet e kërkim – shpëtimit. Bilanci tragjik: 51 të vdekur, 41 të mbijetuar, mbi 900 të plagosur nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri.
Në mbrëmjen e të premtes, (29.11.2019) ekipet e kërkim –shpëtimit të Serbisë dhe Malit të Zi nuk gjetën asnjë viktimë ose të mbijetuar në rrënojat e hotelit ”Mira Mare”, në plazhin e Durrësit. Pas kontrollit të të gjitha rrënojave në Durrës dhe Thumanë ekipet e kërkim –shpëtimit përfunduam punën e tyre. ” Nga rrënojat u nxorrën 51 viktima përmes operacioneve, ku morën pjesë 250 efektivë të kërkim-shpëtimit nga Shqipëria, Kosova, Italia, Greqia, Mali i Zi, Serbia, Kroacia, Franca, Turqia, Zvicra, Rumania, Maqedonia e Veriut , BE, SHBA”, bëri sot me dije Ministriae Mbrojtjes.
Operacionet e kërkim–shpëtimit u mbyllën duke bërë një punë të jashtëzakonshme, heroike për katër ditë me rradhë. Ata nxorrën nga rrënojat 41 të mbijetuar, ndërkohë që tërmeti plagosi 913 persona.
Dita e shtunë (30.11) ka sjellë edhe viktimën e parë të tërmetit në Tiranë, që ndërroi sot jetë në Spitalin e Traumës nga plagët e marra në kokë gjatë tërmetit të 26 nëntorit.
Post Tërmeti- Modeli gjerman
Trishtimi, dhimbja dhe shkatërrimi mbretërojnë këtë fundjavë në Durrës dhe në Thumanë. Të mbeturit gjallë po organizojnë funeralet për përcjelljen e fundit të njerëzve të dashur që ua morri tërmeti, ku janë të pranishme edhe autoritetetet më të larta të vendit në nderimin e lamtumirës së fundit.
Fundjava e gjen qytetin bregdetar të Durrësit, normalisht plot gjallëri, të heshtur dhe të zbrazur. Frika nga tërmetet që vijojnë ka bërë që banorët të largohen drejt qyteteve të tjera të sigurta, ku ata kanë të afërm dhe miq; një pjesë ka shkuar në vendet fqinjë, kryesisht në Itali dhe Greqi, ku kanë familjarë emigrantë, me ekonomi tanimë të konsoliduara nga puna prej më shumë se 25 vitesh.
Rrënojat e ndërtesave të rrëzuara nga tërmeti janë ende të pahequra. Ato janë shtuar nga shembjet e reja të godinave të dëmtuara, që rrezikojnë të bien që nga dita e premte (29.11) dhe mund të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Tonelata me pllaka betoni, shufra hekuri, me arsenalin e të jetuarit në apartamentet e dikurshme të familjeve të zhdukura janë dëshmia e jashtme, e dukshme e fatkeqësisë.
Kryemnistri Edi Rama në mbledhjen e qeverisë, (30.11) tha se për inertet mund të ndiqet modeli gjermam i krijimi të zonave ekologjike.
„Gjermanët kanë krijuar kodra me inerte, që i kanë quajtur kodra të memories duke i shtuar një përmasë të gjelbër zonave të shkatërruara plotësisht. Duhet të pëgatisim një planpër këtë në bashkëpunim me arkitektë të huaj”, tha kryemnistri Rama.
Para drejtësisë ndërtues dhe supervizorë abuzues.
Verifikimi i pallateve dhe godinave, që u rrëzuan nga tërmeti i 26 nëntorit duke shkaktuar 50 viktima dhe dëme të mëdha materiale ka nxjerrë në dritë, se ato i përkasin ndërtimeve të pas vitit 1990. Në mënyrë paradoksale ndërtimet e para viteve 1990 kanë rezultuar të qëndrueshme dhe të paprekura nga tërmeti. Ky fakt flet qartë se kompanitë e ndërtimit, që mbinë si kërpudhat pas shiut në rreth tri dekada post-komuniste nga marzhi i lartë i fitimit, kanë abuzuar në përdorimin e kodeve europiane , të detyrueshme për mbrojtjen nga tërmeti. Në mënyrë kriminale kompanitë abuzuese kanë përdorur cilësi të ulët të betonit dhe hekurit, për të shpenzuar sa më pak dhe rritur sa mëshumë fitimet. Krahas ndërtuesve të tillë një zinxhir abuzuesish të tjerë: supervizorë dhe bashkiakë që kanë bërë një sy qorr dhe një vesh shurdh kur në godina janë shtuar kate më shumë sesa leja e dhënë nga bashkia duke e bërë godinën vulnerabël ndaj tërmeteve.
Kryeministri Rama tha në mbledhjen e qeverisë, se abuzuesit do të dalin para drejtësisë.
“Për ata që ndërtojnë për fitim sanksionet do të jenë të tmerrshme dhe pa hapësië për gjykatësit. Burg për supervizorët, arkitektët, ndërtuesit që abuzojnë. Arkitektët që nuk denoncojnë ndërtuesit që u deformojnë projektin do të dënohen”, theksoi kryeministri Rama.(DW)
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka vizituar Qendrën e Emergjencave në Shijak, ku ka takuar edhe vullnetarë nga Tetova dhe Kosova. Rama pasi që përqafoi gjimnazistët vullnetar të Tetovës, së bashku me grupin e vullnetarëve, ku kishte edhe psikologë që po kujdeseshin për gjendjen emocionale të fëmijëve pas tërmetit të 26 nëntorit, vendosën që për argëtimin e fëmijëve të këndojnë këngën Xhamadani Vija Vija.
“Ne shpresonim t’i gjenim të gjallë, shpresojmë keshtu gjithmonë dhe në çdo situatë dhe nuk mendojme kurre ndryshe. Por kete radhe nuk ndodhi keshtu. I gjetem te vdekur, nenen me tre femije, te gjithe te perqafuar’.
Behet fjale per anetaret e familjes Lala, kur forcat e shpetimit gjeten nene rrenoja te vdekur nenen me tre femijet e saj te perqafuar, binjaket dhe femijen tjeter ngjitur.
Eshte gruaja e Berti Lala, qe mbijetoi nga termeti, por humbi te gjithe familjen.
“Ishte një moment i tmerrshem per te gjithe ne, jemi prinder dhe kur e gjen veten para fëmijëve ne kete situate, te duhet te guxim jashte mase i madh qe te mund te vazhdosh me tej. ju duhet një guxim i madh për të vazhduar më tej’ thote me tej.
Sipas rrefimit, nena mbante ne krahe perfaqur dy binjaket, gati dy vjecare dhe motren e tyre 7-vjece.
‘Kurre ne nuk e mendojme kete gje, kur ndodh i dorezohemi realitetit’ thote kreu i ekipit italian te shpetimit.
I vetmi i mbijetuar eshte nipi i tij, 17 vjecar qe shpetoi nga nje lavatrivce dhe u nxor me pas nga rrenojat.
Nderkohe qe kemi ende bilanc paraprak per situaten e demeve te termetit katastrofik ne vend, qe la pas 51 viktima, kryeministri Edi Rama ka perseritur edhe sot ne mbledhjen e jashtezakonshme te Qeverise, se banoret e prekur nga termeti do te strehohen ne hotele.
Ne cadra sipas tij, do te rrine vetem ata banore qe nuk duan te shkojne ne hoetele per shkak te lidhjes me token, apo bagetine, e atyre do t’u sigurohen cadra te standardeve si te ishin qytetare te BE-se.
Per te gjithe ata banore qe jane te interesuar te shkojne ne hotel, duhet te mbajne parasysh keto hapa. Ja cfare duhet te bejne:
Ja hapat qe duhet te ndiqni per t’u strehuar ne hotele
1. Drejtohuni tek njësia administrative
2. Merrni vërtetim me vulë nga administratori që ndërtesa juaj është e pabanueshme dhe keni nevojë për strehim
3. Me vërtetimin paraqituni tek bashkia tek sporteli
4. Nga bashkia do të niseni në mënyrë të organizuar drejt hotelit
Në zbatim të udhëzimit të Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili dje premtoi ndërtimin e 500 njësive të banimit për të goditurit nga tërmeti, një delegacion turk nga Drejtoria e Administrimit të Banesave Publike dhe Ministria e Mjedisit dhe Urbanistikës, i kryesuar nga Ambasadori Yörük, zhvilloi sot takimin e parë me delegacionin shqiptar, për të kordinuar veprimet për zbatimin e projektit turk të ndihmës. Lajmi u bë i ditur nga Ambasada turke përmes një postimi në faqene saj në Facebook.
Kur sot filmon një ndërtesë me çarje, nuk bën ndonjë zbulim të madh. Të tilla ka me qindra, për fat të keq, në rrethet e Durrësit, Lezhës, Krujës, Kurbinit apo Tiranës, veçse një pallat me dy kate të nëndheshme në dritë të diellit, kjo është vërtet diçka tronditëse.
I tillë ky tek lagjja më lindore e kryeqytetit, e quajtur “Tek Fresku”, pranë zonës së Thesarit të Shtetit. I ndërtuar në shtratin e një përroi të devijuar, që sillte ujërat e Dajtit, e përjetoi kështu tërmetin e 26 nëntorit.
Kur mbërritëm aty, banorët po debatonin me vëllanë e ndërtuesit. Ky i fundit thoshte se kolonat e struktura ishte shumë në rregull, por njëri nga qytetarët, i quajtur Fatbardh Haka, i quan parregullsi të mëdha.
Debati ishte i ashpër, por për fat të keq, nga vetëm pak prej qindra banorëve, të cilët ose janë larguar, ose kanë frikë të flasin. Dëmtimet në ndërtesë janë të mëdha, dhe me Bardhin nisemi për t’i parë nga afër. Bardhi thotë se pallati është ndërtuar aty ku ka qenë kolektori.
Më pas tregon dëmtime në katin e parë nëntokë, një pjesë e pallatit që nuk mbështetet mbi kolona, por që vetë bizneset aty kanë vendosur kolona hekuri.
Banore e pallatit, pronare e tokës, është një qytetare e quajtur Hanza Deliu. Ajo tregon se pallati është i papërfunduar, sipas saj pronari i pallatit nuk ka marrë asnjë masë për përfundimin e ndërtimeve. “Pronari, Rrok Gjoka ka lënë pallatin të papërfunduar, kolonat e pallatit janë të pambuluara, gati të shemben të gjitha, brezi përfundimtar i pallatit është në ajër, nuk është si gjithë të tjerët”, shprehet Deliu.
A ka pasur interesim nga pushteti, dhe çfarë do të bëjnë banorët? “Të gjithë si banorë i jemi drejtuar Bashkisë me shkresë me dokumente, por deri tani asnjë përgjigje. Do e çojmë në Prokuroi sepse nuk po marrim asnjë përgjigje”, tha ajo. Fatbardhi sqaron sesa kohë kanë këto probleme.
“Pa përfunduar mirë punimet i kemi marrë hipotekat, shumë qartë mund të shohim se dy katet e nëndheshme nuk janë mbuluar siç i kemi parë në projekt”, tregon Fatbardhi. Aty ndodhet edhe një grua që nuk është banore, por që ka aty njerëzit e saj.
Nuk banoj në atë pallat, por jetonin të afërmit që tashmë kanë frikë të futen në shtëpi. E kanë blerë 44 milionë dhe tashmë janë strehuar në shtëpinë time. Duan siguri, të jetojmë aty apo jo”, tha ajo.
Futemi në pallat me Bardhin. Hyjmë në një apartament, ku dëmtimet duken qartë.
Banori largon suvanë me dorë, punime shumë të dobëta. “Kemi shpenzuar paratë e jetës në emigrim, ku do të shkojmë tani, jemi rrugëve”. tha ai.
Në ndërtesë vijnë dy punonjës policie, që fotografojnë dëmet, dhe foto do t’i jepen autoriteteve kompetente. Është dita e katërt pas tërmetit.
Pak më poshtë Freskut, tek Rruga Myslym Keta, është një kompleks pallatesh të nxjerrë të pabanueshëm. Janë ndërtuar në 1989, në periudhën më të keqe të sistemit të kaluar, kur vjedhjet e materialit të ndërtimit ishin sheshit.
Vendimi i bashkisë dhe i Institutit të Ndërtimit është kategorik.
Një nga banoret e pallatit, nuk dëshiron të dalë nga shtëpia. Çfarë ka ndodhur në këtë pallat?
“Ku do ti çoj materialet me vlerë, të më garantojnë që më mbron shtëpinë 30 vjeçare, por jo të më nxirren jashtë, shtëpi tjetër dua nëse kjo është e pabanueshme”, thotë ajo.
Dëmtime jashtë. Edhe këtu hyjmë në një shtëpi.
Banori i saj na tregon dëmet, ndërsa e pyesim se ku do të shkojnë. “Ku të na çojnë ato, ne nuk kemi dalë, do rrimë të vdesim këtu, deri tani asnjë nuk ka ardhur të analizojë situatën”, tha ai.
Dëmtimet nuk duken tepër të mëdha, të paktën me sy të lirë, por specialistët thonë ndryshe. Halli është i mprehtë pasi flitet për qindra familje që mbeten pa strehë, që duhet të lenë shtëpitë pas 30 vjetësh. Nga kthesa e Tufinës, ja ku jemi tek ish-konviktet e shkollës së Komunales në Allias.
Këtu gjendja duket që është katastrofike. Ndërtesa të vjetra, pa breza betoni antisizmikë, dëmtime të mëdha. Hyjmë në ndërtesë nën shoqërinë e një banori, të quajtur Renato. Është vështirë të mendosh se këto mund të quhen ambiente banimi.
“Shyqyr zotit nuk ka pasur njëri në banjo në momentin e tërmetit, gjithë këto betone do të shkaktonin pasoja të rënda”, shprehet ai.
Renato ka 30 vjet këtu, dhe pavarësisht gjithçkaje është i detyruar të mbajë fort këtë të ashtuquajtur apartament, pa dyer e dritare.
Ai thotë se nuk mund të largohet nga banesa. “Nuk dimë ku të shkojmë, na presim vetëm rruga, çadrat, nuk kam asnjë garanci rikthimi. Nuk largohem nga këtu, kam punën këtu, shkollën e fëmijëve, nuk mund të zhvendosem në vendet ku na thonë”, tha ai.
Ka edhe më shumë se kaq. Duhet të kalojmë nga dritarja për në në tarracën e jashtme.
Pamje të frikshme, ndërsa autoritetet nuk duket se u ka rënë ndonjëherë rruga këtej. Një dru fiku ka mbirë dhe është rritur aty, padyshim rrënjët e tij kanë dëmtuar muret. Banorët e mbetur aty, hyjnë e dalin nëpër godina, ndërsa qendrojnë të mbledhur në sheshin para tyre.
Hyjmë brenda sërish, dhe takojmë babain e Renatos, Bertin i cili thotë se ka qënë i internuar. “Kam qënë i internuar, babai më ka vdekur në internim dhe sërish këtu na sollën, në internim”, tregon ai i revoltuar.
Bertit i ka ardhur deri në fyt me partitë që duken veç për zgjedhje, teksa thotë se kujtohen vetëm për zgjedhje. “Na dërgojnë disa ushqime, 1 kg oriz, sheqer, makarona dhe rroftë Partia e Punës, rroftë Xhaxhi Enver thonë këto, jemi në internim, këta janë zero”, thotë ai. Nëse këtu nuk bëhet diçka, tragjedia e Durrësit apo Thumanës mund të jetë në kryeqytet.
Në skajin tjetër të Tiranës, në Rrugën e Elbasanit, ndodhet Fakulteti Ekonomik. Këtu nuk mund të takoje studentë apo pedagogë, pasi është ditë pushimi, plus që shkollat janë mbyllur. Ekonomiku është kthyer në kantier ndërtimi, për rregullimin e dëmeve të tërmetit të shtatorit, ndërsa ky i nëntorit krijoi të tjera.
Ndërsa udhëtojmë nëpër Unazën e Madhe, drejtohemi për në Kombinat.
Ndërtimet vazhdojnë dhe për fat aty nuk është krijuar rrezik. Ja edhe zona më e rrezikuar e këtyre ditëve në qytetin tonë më të madh.
Pallati 160 në Kombinat, por edhe të tjerë. Disa banorë janë në çadrën e vetme përpara tij.
Të tjerë, të ulur aty rrotull, të dëshpëruar. Dëmtimet janë të shumta në tarraca, që rrezikojnë jetë njerëzish, ndërsa shiritat kërkojnë që njerëzit të mos afrohen.
Ja një banor i moshuar, i quajtur Halit Haznedari. “Asnjë gjë, asnjë ekip specialistësh, 4 ditë jemi në pritje dhe sipas fjalës së kryeministrit do të vinin specialistët, por asgjë deri tani thotë” ai.
Ndjenja e braktisjes dhe e pasigurisë është kudo, dhe shtohet nga pamjet e shkatërrimeve e apartamentet e braktisura. Ngjitemi në pallatin e dëmtuar, bashkë me një banor, me Florin. Rreziku është i madh sepse një tërmet tjetër mund ta rrënojë ndërtesën.
Hyjmë në një apartament. Bilanci duket si prej lufte, sidomos në njërën nga dhomat.
Flori tregon gjendjen e rëndë. “Ka dëmtime muri, pllakat janë dëmtuara, shihet qartë”, tregon ai.
Ndërsa ngjitemi në katet e sipërme, dallojmë më mirë gjendjen rreth e rrotull. Në pallatin përballë, punonjësit zjarrfikës po largojnë copa tullash nga tarraca që të mos rrezikojnë jetë njerëzish poshtë.
Vështirë të parashikosh sesa gjatë do të mbeten jashtë këta banorë. Ajo që dihet është vetëm se ka rrezik shembjeje, pra edhe jete.
Jemi në Festat e Nëntorit, por qytetarëve sot as nuk u shkon ndër mende për të kremtuar. Na thonë se ka shumë më tepër ndërtesa të rrezikuar por banorët e tyre nuk u bënë bashkë si ata të pallatit numër 160. Gjithsesi, autoritetet e kanë kuptuar.
Ndërsa largohemi shohim punonjësit zjarrfikës që rrethojnë me shirita objekte të tjerë banimi në Kombinat. Etapa jonë e fundit për të parë dëmet e tërmetit në Tiranë, ishte në lagjen e re në zonën e ish-komunës së Kasharit.
Një pallat i ri, me dëmtime të mëdha. Edhe këtu gjithçka duket qartë, qoftë në fasadë, qoftë edhe në ambientet e brendshme të përbashkëta.
Cilësia e punimeve kuptohet menjëherë që ka qenë e dobët. Kolonat ndoshta mbajnë mirë, por jeta apo shëndeti rrezikohen edhe kështu.
Hyjmë në një apartament, ku banorët janë të shqetësuar, por edhe të lumtur për një fakt, siç e sqaron i zoti i shtëpisë, Mahmut Çera.
“Fati më i madh për mua ishte se më shpëtoi djali i cili në momentin e parë u zgjua dhe erdhi pranë nesh”, tregon ai.
Dalim nga shtëpia, na përcjell e zonja e shtëpisë. Aty shihet një lokal me mure të shkatërruar që nga tërmeti i shtatorit.
Po ashtu, muri në pallatin përballë, i çarë lart dhe poshtë. Sokoli, një banor tjetër, shpjegon se dy pallatet nuk janë ndarë nga njëri-tjetri sipas rregullave.
Banorët përpiqen të qendrojnë sa më pak aty, për të ruajtur veten dhe fëmijët. Shkatërrim edhe në krahun tjetër. Mur i rrëzuar në këtë dyqan, por edhe në ndarësen për transformatorin e energjisë elektrike.
“ Ky mur e ka pasur ndërtimin siç e ka niveli i ndërtimin te pallati lart, në shtator ky është dëmtuar, pra një luhatje tjetër do sjellë dëmtime më të mëdha. Kanë ardhur e kanë parë murin, por nuk kanë bërë asnjë lloj reagimi” thotë ai.
Fusha me bar pranë pallatit, natën ishte plot me makina me njerëz, por që u larguan prej aty për shkak të reshjeve të shiut.
Ata janë të pakënaqur me autoritetet. “Vetëm pas dy ditësh erdhi policia për të parë, bënë vëtëm dy tre foto anjë fo rmular i plotësuar asnjë dokument, me duar në xhepa më këkruan numrin pa një mjet dëshmie”, tregon Çera.
Largohemi edhe nga kjo godinë e ndërtuar së fundmi, e re, por thuajse e pabanueshme. Hulumtimi ynë përfundon këtu, ndërsa trishtimi është I madh kur sheh kryeqytetin e Shqipërisë, ndërsa bie nata. Ndërtesat janë thuajse të zbrazura, dhe rrugët janë bosh, në një orar zakonisht me trafik të rënduar.
Tërmeti i ndodhur në datën 26 nëntor la pasoja tragjike pas. Por edhe më tragjike ishte fakti që Shteti Shqiptar u gjend i papërgatitur dhe i pafuqishëm për të përballuar kriza të tilla.
Gazetarët e ABC News, gjatë gjithë kohës, kanë qenë pranë zonave, ku tërmeti la pasojat më të rënda, dhe kanë vëzhguar e kanë raportuar, në kohë reale të gjithë dinamikën e kësaj ngjarje tronditëse për gjithë shqiptarët.
Një nga gazetaret e ABC News në terren, e vendosur pikërisht në Durrës, dhe pranë zonës ku gjendej familja Lala, e cila humbi 8 persona në këtë tragjedi, Esiona Konomi, ka rrëfyer në studio me Juli Xhokaxhi, se si zjarrfikësit e huaj kanë bërë të mundur gjithë operacionin e kërkim-shpëtimit, në këto zona.
Ajo që mund të thuhet është se forcat shqiptare, janë përfshirë pak, ose aspak, në këtë operacion, për shumë shkaqe.
Po çfarë ka ndodhur?
Juli Xhokaxhi: Nga sa është parë atje është folur edhe për aparaturat që përdoren, përveç nuhatjes së qenve, a ka patur ndonjë pajisje tjetër?
Esiona Konomi: Më ka ardhur keq që forcat shqiptare nuk kanë patur asgjë dhe janë lënë në prapavijë. Janë lënë vetëm të ruajnë perimetrin e sigurisë dhe gjithçka është bërë nga forcat e huaja. Nuk dua të mohoj punën e palodhur të zjarrfikësve që kanë ardhur nga e gjithë Shqipëria. Nuk është faji i tyre që nuk kanë patur pajisje, shumë prej tyre janë zhytur me trup poshtë rrënojave për të parë ndërkohë zjarrfikësit e huaj nuk e bëjnë këtë. Punonjësit e zjarrfikëseve serbe, malteze apo të tjerë, nuk fusin kokën poshtë rrënojave, por fusin një kamera termike, që funksionon e që sheh në brendësi, dhe më pas operojnë. Të bën përshtypje që edhe forcat e Kosovës, të cilat janë të reja dhe kanë shumë pak vite shtet, ishin me aparatura shumë të specializuara, dhe shumë moderne, e të gjithë ekipet ishin shumë të specializuara. Nëse ka patur teknologji të përdorur aty, ka qenë falë forcave të huaja, apo forcave Kosovare, që kanë ardhur në ndihmë. Forcat shqiptare, as skrepa nuk kishin, ato janë marrë me qera tek firmat e ndërtimit. Kështuqë e parë në këtë aspekt, ka qenë heroike puna e çdo zjarrfikësi shqiptar, që ka ardhur e ka gërmuar, për të shpëtuar çdo jetë njerëzore, por teknologji nuk ka patur./abcnews.al
Albin Kurti i ka tejkaluar të gjitha problemet me Isa Mustafën dhe pritet që sot të arrijë marrëveshje për ndërtimin e Qeverisë. Pritet të merren vesh edhe për pozitën e Presidentit të cilën e synon kreu aktual i LDK’së. Dikur VV e konsideronte Isa Mustafën njeri të Serbisë dhe e denonconte për dhjetëra shkelje në Komunën e Prishtinës.
Shpend Ahmeti si Nënkryetar i Vetëvendosjes për gati tri vitet e para si Shef i Prishtinës, punën më të madhe që kishte bërë, ishte të merrej me Isa Mustafën. Në fakt, e kishte përdorur veturën e blerë nga ish-Kryetari i Prishtinës për të treguar se sa keq kishte qeverisur me Kryeqytetin lideri i LDK’së i cili ishte denoncuar në Prokurori për dhjetëra shkelje.
Mirëpo, hija e Vetëvendosjes e kishte ndjekur Isa Mustafën edhe kur ishte ngjitur në krye të Qeverisë. Zyrtarët e Vetëvendosjes përpos se e kishin akuzuar si njeri të Serbisë, i kishin organizuar edhe protesta para shtëpisë.
Gjuha e Isa Mustafës dhe Albin Kurtit kishte degraduar deri në atë masë sa njëri-tjetrin e përshkruanin me emra kafshës.
Gjithë kjo histori do të përmbyllet sot kur pritet marrëveshje në mes të Albin Kurtit, tash si fitues i zgjedhjeve, dhe Isa Mustafa si lider i partisë së dytë.
Megjithëse para disa ditësh, Kurti provokoi Mustafën nga Tirana kur tha se Kryeministrat e mëhershëm kanë vjedhur derisa lideri i LDK’së kërkoi të mos bëhen provokime të tilla pasi minojnë çfarëdo bashkëpunimi ndërpartiak.
Sidoqoftë, sot në orën 13, Vetëvendosje dhe LDK pritet t’i ndajnë edhe pozitat qeveritare.
Një ditë më parë, Lutfi Haziri ka thënë se edhe pozita e Presidentit do të denfinohet dhe nuk do ta lënë për më vonë.
Deri më tash, Vetëvendosje përpos pozitës së Kryeministrit pritet të marrë edhe pesë ministri aq ministri sa prite të këtë edhe LDK’ja plus pozitën e Kryeparlamentarit dhe eventualisht të Presidentit.
Partia e Albin Kurtit në zgjedhjet e 6 tetorit ka arritur t’i marrë 29 deputetë, LDK një më pak: 28. Iu duhen edhe disa vota të pakicave për të ndërtuar Qeverinë e re.
Lideri i VV’së ka thënë se ka siguruar votat e pakicave joserbe, të cilat do ta votojnë Qeverinë pa asnjë kushtëzim.
Vetëvendosje për herë të parë pritet të jetë në Qeveri derisa ka dhënë premtime se do të përmirësojë arsimin, shëndetësinë, diplomacinë e ekonominë.
Tragjedia e tërmetit nxori në skenë, përveç shumë problemeve të mëdha me keqadministrimin e territorit prej ndërtimeve pa standarde, me inekzistencën e Emergjencave për tërmetet dhe me maninë e ndërtimeve pa studime gjeologjike, por tregoi sa djallëzisht u përdor dhe po përdoret tragjedia për kredo politike.
Kjo është, më e pakta, hipokrizi prej palëve politike.
Nëse shikojmë këto ditë kryeministrin Rama dhe liderin e opozitës Basha vërehet se janë aktorë, bile i pari “aktor Hollivudi”, ndërsa Luli mundohet të imitojë kryeministrin, por mbetet larg në stil e mjeshtri.
Kryeministri vrapon sa nga Durrësi në Thumanë, e prapë Durrës. Nxiton në ish-kombinat në Tiranë dhe ikën prapë drejt qendrës së tërmetit sikur është Zeusi që do na shpëtojë nga djalli-tërmet. Ka lënë dhe mjekrën e thinjur si Ismail Qemali, themeluesi i shtetit shqiptar, përqafon një burrë nga Struga që ka humbur shtëpinë dhe e portretizon te varrimi në Thumanë, me një finesë që edhe aktori i njohur irlandez Colin Farrell në filmin “The Killing of a Sacred Deer” e ku luan edhe e madhja Nicole Kidman, nuk mund ta luajnë kaq bukur.
Dhe si për ta ndjekur në këtë hipokrizi turret edhe Lulzim Basha. Lëshoi urdhër partie që të gjithë drejt tërmetit, atje ku “Zeusi-Rama” ka ecur 100 hapa para në imazh dhe aktorllëk. Pasi braktisi misionin e madh të të qenit opozitë në parlament, pasi ia la të gjitha pushtetet kryeministrit, pasi i dhuroi krejt pushtetin vendor “Zeusit”, tani Lul Basha po mundohet të rikuperojë me tërmetin. Dakord që hesht për momentin, por jo të bëhet lolo e kryeministrit. A nuk duhet të deklarojë lideri opozitar se do të kërkojmë të burgoset njeriu që firmosi gjithë lejet e ndërtimit në Durrës e ku u bë masakra?! Pse, mos po thyen kodin e vdekjes nëse Lul Basha thotë se sapo të kalojmë situatën emergjente kryeministri duhet të ikë, pasi vendi ka nevojë për qeveri të re?!
Por vetëm hesht!
Ndërkohë “Ismail Qemali” i dytë ka krijuar shtetin e “oligarkëve” dhe ndihet i qetë nga ndjekja e Lul Bashës në lojën e tij.
Pasi goditi dhe nxori me gaz lotësjellës qindra e qindra familje te Unaza e Re, pasi rrahu mirë e mirë popullin te parlamenti kur protestonte, tashmë kryeministri loton para kamerave, mjekrën e bardhë e bën po të dojë edhe të zezë para popullit që të duket i zi sterrë nga dhimbja për popullin e dëmtuar nga tërmeti.
Ajo që e bën sterrë të ardhmen mbetet se nuk kemi opozitë serioze që të jetë gati për pushtet, sepse lideri opozitar, ndonëse nuk ka krime mbi supe, por prapë se prapë është amator. Dhe për dreq sikur i pëlqen ky rol, edhe mundet, se ndihet më rehat në pushtetin e opozitës.
Lideri opozitar ka mision të madh mbi supe, ai është një kandidat për kryeministër kurdo, por ai duhet ta fitojë atë e jo të presë se “po i vjen radha”. Të jesh lider opozite edhe mund të futesh në burg përballë një regjimi, edhe mund të vritesh për lirinë e popullit, i cili të beson.
Natyrisht nuk duam të vrarë, pasi kemi boll këtë tragjedi nga tërmeti!
Por që të luajnë me popullin sikur po qajnë apo janë dobësuar nga meraku për hallet e popullit, kjo quhet
HIPOKRIZI.
Inxhinieri Bashkim Kopliku në emisionin “Provokacija” të Mustafa Nanos ka treguar sipas tij fajtorët që ndikuan në tragjedinë e madhe të tërmetit.
Kopliku u shpreh se fajtor i gjithë kësaj “jemi ne populli shqiptar”, por edhe drejtësia që ka bërë punën e saj me lejet e ndërtimeve, duke mos lënë pas gjyqtarët për të cilat tha se i janë ankuar banorët këto ditë.
Inxhinieri theksoi se i ka të gjithë emrat e fajtorëve të ruajtura në kompjuterin e tij.
“Fajtori i asaj që ndodhi jemi ne populli shqiptar, pikë. Ne popolli shqiptar e kemi bërë kështu punën që të vdesim për fajin tonë, për fajin e shqiptarëve. Jo çdo shqiptar është fajtor, ka klasifikime të ndryshme. Unë nxjerr fajtorë kryesorë drejtësinë. Edhe ne jemi pjesë e saj. Unë nuk pushoj së qenuri zv.kryeministër i këtij vendi dhe megjithatë kam dështuar, akoma ajo shtëpi është kandidat për tu bërë nga 6 kate në i rrafshuar, dhe shtëpisë time mund t’i ndodhë kjo. Kush do që pas këtij emisioni të bëjë dava me mua i kam të gjithë emrat e fajtorëve të regjistruar dhe janë në kompjuterin tim, por janë edhe në kompjuterin e një tjetri që po më humbi të mbesin.
Ata gjyqtarë që janë me emër dhe mbiemër dhe janë fajtorë. Për ata e kanë me të thënë më kanë thënë banorë dje”, tha Kopliku, teksa shtoi se ka ndikuar edhe cilësia e ndërtimeve.
Po ashtu inxhinieri më herët u shpreh se tërmeti i Shkodrës i vitit 1979 ishte më i fortë se ai i 26 nëntorit, ndërsa hedh poshtë pretendimet se media krijoi panik.
“Në rastin konkret paniku nuk është krijuar nga mediat. Mediat për herë të parë, unë që jam kritikues, në këtë rast nuk i kritikoj. Paniku është krijuar nga ngjarjet skandaloze që kanë ndodhur. Një tërmet fare fare i parëndësishëm, është një tendencë kolektive sidomos i fajtorëve për ta bërë të hatashëm gjë që s’ka ndodhur kurrë. Unë e kam jetuar tërmetin e ’79 mund të të them se pasi ula veten në tokë (asokohe) dhe po shihja pallatin, shtyllat e telefonit me gjithë pallatin tim bënin kështu…nuk ka ndodhur kjo punë tani, nuk ka qenë ky tërmet si ai në Shkodër. Nuk dua ta zgjas magnitudën. Por më mirë të fiksojmë se magnituda ka të bëjë me tërmetin aty ku buron dhe intesiteti ose ballët ka të bëjë me efektin që jep ai tërmet në vendin që diskutojmë”, tha ai. /abcnews.al
Mes dhimbjes dhe lotëve, tetë anëtarëve të familjes Lala në Durrës iu jepet sot lamtumira e fundit. Homazhet po zhvillohen në Pallatin e Kulturës ku marrin pjesë mijëra qytetarë. Dhimbja është e madhe, të gjithë janë në lot. Një familje e tërë u shua nën rrënojat e vilës katër katëshe në zonën e kënetës, pas tërmetit 6.4 ballë që goditi vendin.
Në homazhe marrin pjesë presidenti i vendit, Ilir Meta si dhe kryeministri Edi Rama. Krerët e shtetit kanë vendosur një kurorë me lule në korridorin e mbushur me arkëmortet për të gjithë anëtarët e familjes.
Të vetmit që arritën të shpëtojnë duke u nxjerrë gjallë nga rrënojat ishin 17-vjeçari, Ramë Lala. Vila qëndroi e anuar 8 orë pas tërmetit shkatërrimtar, ndërsa ekipet e emergjencave nuk arritën të futeshin brenda për trë shpëtuar të mbijetuarit deri në atë moment.
Ka disa mëmyra solidariteti. Edhe një poezi, një status, një shkrim, kërkojnë të shuajnë sadopak dhimbjen e një tragjedia si kjo e jona.
Gazeta italiane ‘La Repubblica’ i ka kushtuar një shkrim tragjedisë që goditi familjen Lala prej tërmetit të datës 26 nëntor.
Marjeta kishte tre fëmijë në krahë, kur zjarrfikësit italianë e gjetën atë nën rrënoja. Flinte me ta në shtrat dhe më kot e mbuloi me trupin e saj Emilion e vogël 6 vjeç si dhe dy të tjerët binjakë 2 vjeç, Dionisa dhe Enis.
Amelia, vajza dhjetë vjeçare, e cila u gjet në orën dy të mëngjesit të ditës së djeshme në grumbullin e rrënojave që vetëm pak orë më parë ishte një një ndërtesë familjare pesë-katëshe e ndërtuar pa rregulla, si të gjitha shtëpitë e lagjes, pas rënies së komunizmit, në një ish-kënetë në Durrës, aty ku jetonin bretkosat deri në vitet 1990.
Të gjithë pjesëtarët e familjes Lala vdiqën, përveç Ramë Lala, i cili u nxorr nga rrënojat pas 14 orë gërmimesh.
Historia e familjes Lala ta shokuar gjithë Shqipërinë, është bërë mishërim i një tragjedie kombëtare që deri tani numëron 50 viktima
Nëna Sadete, 79 vjeçe vdiq pranë djalit të saj Ilir, 52 vjeç. Ata u gjetën menjëherë sapo nisën kërkimet për të mbijetuar.
I vetmi i mbijetuar nga shembja e banesës së familjes 9 anëtarëshe, Lala në Durrës është 17-vjeçari Ramë Lala. Gjendja e tij shëndetësore nuk është paraqitur e mirë dhe pasditen e së enjtes ai është nisur drejt Italisë për të marrë një mjekim më të specializuar.
Jetën e Ramë Lalës, e ka shpëtuar një lavatriçe. Struktura metalike e kësaj orendie shtëpiake ka krijuar mjaftë hapësirë sa për t’i mbrojtur trupin e tij.