Ballina Blog Faqe 615

“Një ish-punonjës policie del në përgjimet për grabitjen e Rinasit”

Gazetari Spartak Koka ka zbuluar sonte ne ‘Opinion’ se një ish-punonjës policie në Elbasan është kapur duke folur me pjesëtarë të grupit të grabitësve që vodhën ditën e djeshme rreth 10 milion euro në Tiranë. Sipas tij paratë i përkisnin 3 bankave të nivelit të dytë që do të nxirrnin paratë jashtë Shqipërie me destinacion Vjenën.

“Një ish punonjës policie, nga Elbasani dyshohet të ketë pasur telefonata me pjesëtarë të këtij grupi, ky grup shkon në 23-24 veta në total. Po verifikohen dhe informacione për ish-punonjës të ICTS-së dhe aeroportit që dyshohet se i kanë dhënë informacione grupit”, – tha gazetari në emisionin Opinion, që publikoi dhe mënyrën se si lëvizën autoblindat që çuan paratë në Rinas.

Pendarovski: Ligji për gjuhët përmbylli pjesën juridike të Marrëveshjes së Ohrit

Kandidati për president Stevo Pendarovski, i cili mbështetet nga partitë në Pushtet, në tubimin në Tetovë, ka deklaruar se ndjehet tejet i nderuar që mbështetet nga qytetarët e të gjithë bashkësive etnike në vend. Ai tha se me miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve është përmbyllur pjesa juridike e Marrëveshjes së Ohrit. Pendrovski i cilësoi si shumë të rëndësishme edhe marrëveshjet me Bullgarinë dhe Greqinë për rrugën eurotalntike të vendit.

“Fillimisht arritëm marrëveshje me Bullgarinë e cila i hapi dyert e Evropës për ne. E dyta, arritëm marrëveshje me Greqinë e cila në maksimum i zgjeroi perspektivat tona dhe praktikisht na dërgoi në Aleancën e NATO-s. Por unë do të dua që të potencoj këtu edhe një ligj, një projekt tjetër do ta quaja, për të cilin harxhuam shumë kohë, shumë energji, me shumë argumente, por nuk duhet të ankohemi. Ky është Ligji për gjuhët, me të cilin përfundimisht e mbyllëm pjesën juridike të Marrëveshjes së Ohrit”. – theksoi Stevo Pendarovski, kandidat për president.

Kush është shqiptari i vetëm që me emblemën e BESËS kandidon për Ohrin (VIDEO+FOTO)

Kandidati për kryetar të komunës së Ohrit nga lëvizja Besa Xhemal Mena, lindi në vitin 1994 në Ohër, ku gjithashtu përfundon arsimin fillor. Arsimin e mesëm dhe fakultetitn në Strugë. Fushat sportive në Voska dhe Daljan janë vendet e tij të preferuara ku shpesh kalon kohën e tij të lirë, si dhe vijën bregut të liqenit në këtë pjesë të qytetit. Është pjesë e këshillit të komunës së Ohrit dhe motivimi i tij për kandidim në zgjedhjet e ardhshme lokale është dashuria për qytetin e lindjes. Prioriteti më i madh është parandalimi i largimit të mëtejshëm të banorëve të Ohrit. Ai më detajisht zbërthen synimet dhe programin e tij në një intervistë për INA.

Cili është motivi juaj për të kandiduar për kryetar të komunës së Ohrit?

Xhemal Mena: Motivimi im më i madh ishte dashuria që kam për qytetin tim, por realiteti më i rëndësishëm dhe i ashpër është se shumë nga të rinjtë po emigrojnë dhe kërkojnë lumturinë e tyre në vendet perëndimore dhe një jetë të gurbetçarit.

Cili është vizioni juaj për Ohrin?

Xhemal Mena: Ohri është një qytet i bukur natyror, ne jemi me fat që ne jemi të pasur në shumë thesare natyrore që duhet të theksojmë. Vëmendje e madhe nga kryetarët e komunave të mëparshme i dedikohet vetëm qendrës dhe kalasë. Qëllimi im në fillim është përmbushja e disa premtimeve të mëparshme, për ti rregulluar problemet më të rëndësishme dhe më pas të fillojnë projektet.

Si njeriu i parë i qytetit cili do të jetë prioritet juaj?

Xhemal Mena: Prioriteti im është gjithmonë rinia. Kjo përfshin punësimin e tyre dhe më e rëndësishmja u jep atyre mundësinë dhe shumë arsye për të qëndruar dhe për të shpëtuar në vendlindjen e tyre në vend që të shohin dhe të shpresojnë për perëndimin. Kjo përfshin arsimimin e tyre brenda dhe jashtë shkollës me aktivitete të ndryshme. Sigurisht, një prioritet i lartë është edhe krijimi i një plani urbanistik të qëndrueshëm me një imazh karakteristik. Gjithashtu, do t’i kushtoj shumë vëmendje pjesëve të Ohrit që nuk janë përmendur më parë nga kandidatë të tjerë, si Voska, Daljan dhe të tjerë të cilët sipas mendimit tim kanë potencial të madh.

Çfarë vetëqeverisjeje lokale mund të presin qytetarët nëse fitoni në zgjedhjet e ardhshme?

Xhemal Mena: Fillimisht dua të punoj në mënyrë transparente, të hapur dhe të qasshme për të gjithë qytetarët. Të gjitha ndërmarrjet publike të punojnë me rend dhe mirëkuptim reciprok. Qytetarët duhet të presin trajtimit të barabartë dhe pa diskriminime etnike, fetare, gjuhësore, ngjyrës dhe të tjera. Do të prezantoj një qeveri lokale të hapur dhe shërbyse, një komunë të kapshme për çdo qytetar që të mund të marrë shërbime cilsore dhe me kohë. Do të prezantoj një sistem elektronik të shërbimeve dhe zyrave mobile që do të ofrojnë shërbime në bashkësit urbane, të cilat do të rikthenin fuqinë e bashkësive lokale dhe urbane. Gjithashtu parashihet një fond për qëllime humanitare, i cili do të plotësohet nga çdo punonjës i vetëqeverisjes lokale.

Sipas jush, a është Ohri në rrugën e duhur për zhvillimin e turizmit dhe tërheqjen e më shumë vizitorëve në qytet?

Xhemal Mena: Bukuria dhe rëndësia historike e Ohrit gjithmonë do të tërheqin turistë, dhe deri më tani mendoj se kemi krijuar një themel të mirë, por gjithashtu mendoj se mbështetemi shumë në turizëm. Qyteti në një farë mënyre u bë një resort, është i mbushur me njerëz në sezonin dhe bosh në pjesën tjetër të kohës. Qytetarët e Ohrit ndonjëherë as nuk kanë mundësi të gëzojnë qytetin e tyre për shkak të ekskluzivitetit të disa lokaleve të disponueshme vetëm për turistët e huaj që janë të gatshëm të paguajnë një shumë më të lartë parash. Gjithashtu, privatizimi bregut të liqenit është një problem i madh, numri i plazheve publike zvogëlohet, ligji është shkelur dhe plazhet e qytetit publik injorohen derisa të marrin ryshfet dhe privatizohen përmes korrupsionit. Unë gjithashtu mendoj se është zhvilluar vetëm turizmi veror mirëpo ne kemi potencial edhe për zhvillimin e turizmit dimëror. Një vit kishim një patinazh akulli që tërhoqi mjaft vëmendje dhe tërhoqi shumë qytetarë jo vetëm nga Ohri por edhe nga zona përreth dhe ishte mjaft fitimprurëse.

Cilat projekte planifikoni të zbatoni në lidhje me arsimin, sportin dhe kulturën?

Xhemal Mena: Projektet për të cilat planifikoj janë mjaft të lidhura me arsimin, sportin dhe kulturën. Plani për zgjerimin e Akademisë së Sporteve në disa gjuhë lokale, si dhe hapja e kopshteve të reja për nevojat e prindërve. Shumë nga shkollat fillore dhe të mesme në qytet nuk kanë fusha të përshtatshme të hapura sportive dhe të mbyllura. Noti është një mark e qytetit, por është ende i kufizuar nga stinët, sepse ndërtimin e pishinë olimpike është një projekt i mundshëm që ndoshta do të realizohet, natyrisht renovimin e disa objekteve ekzistuese sportive që janë në gjendje të keqe. Sa i përket kulturës, Qendra Kulturore në Ohër ka qenë praktikisht e vdekur prej vitesh. Ju do të investoni në një sallë të re të kinemasë me teknologjinë më të fundit, diçka që është me interes për shumë të rinj. (INA)

Ahmeti: Zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk janë opsion

Zgjedhjet parlamentare të parakohshme nuk janë opsion edhe pse nuk ka marrëveshje për Prokurorinë Publike Speciale, tha lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve gjatë vizitës së sotme në Institutin për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve.

“Mendoj që një opsion i tillë nuk do të ishte i dobishëm, nuk do të ishte funksional. Zgjedhjet e parakohshme nuk janë zgjidhje, sepse askush nuk mund të japë garanci që mund t; arrihet shumica prej dy të tretave, nëse organizohen zgjedhje të parakohshme”, tha kryetari i BDI-së Ahmeti.

Në pyetjen e gazetarëve rreth informatave se zëvendëskryeministri Hazbi Lika ka kaluar në radhët e Lëvizjes BESA, lideri  Ahmeti theksoi se nuk ka informata të tilla dhe se Lika ende është anëtar i Bashkimit Demokratik për Integrim.

Reka nga takimet në Veles dhe Jabollçishtë: Më 21 prill dëshmoni se nuk jeni statistikë

Kandidati për president, Prof. Blerim Reka, sonte vazhdoi fushatën e tij në Veles dhe fshtatin Jablloçishtë, ku takua me qindra qytetarë.

Gjatë takimit, Prof. Blerim Reka, me qytetarët diskutoi se si Republika nuk njehë demokracinë e dozuar për “kombet statistikore”, të cilëve u lejohen aq të drejta sa përqind janë.

“Mos lejoni, t’ju bindin që edhe pas 30 vitesh, ju duheshka të mos votoni vetveten. Me 21 prill, bëhuni vetvetja. Mos lejoni që me votën e juaj, të largoni edhe të rinjtë e fundit idealist. Dëshmoni, se ju nuk e pranoni konceptin e kombit statistikor. Tregoni, se ju nuk jeni vetëm votues, por edhe të votuar”, theksoi Reka.

FOTOT e rralla: Kur vdiste Enver Hoxha!

Si sot, 34 vjet më parë, ndërroi jetë udhëheqësi më jetëgjatë në historinë e Shqipërisë.

Enver Hoxha, diktatori komunist që sundoi me dorë të hekurt për afro 40 vjet, ndërroi jetë më 11 prill të vitit 1985.

Ai ishte zgjedhur në krye të Komitetit Antifashist Nacionalçlirimtar në 24 maj të vitit 1944, komitet i cili u shndërrua në Qeverinë e Përkohshme Demokratike në tetor të vitit 1944.

Qeveria e tij hyri në Tiranë në nëntor të vitit 1944.

I lindur më 16 tetor të vitit 1908, Enver Hoxha ishte kryeministër i Shqipërisë në vitet 1944-1954 dhe në kohë të ndryshme ka shërbyer si ministër i Jashtëm dhe si ministër i Mbrojtjes.

Ai ka mbajtur thuajse gjatë gjithë periudhës së sundimit të partisë së tij detyrën e sekretarit të Parë të Komitetit Qëndror (e barazvlefshme me atë të kryetarit të partisë), detyrën e kryetarit të Frontit Demokratik dhe postin e komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare (më pas Ushtria Popullore).

Pavarësisht se konsiderohet si një nga diktatorët më të egër në botë, sipas një ankete të OSBE, të vitit 2016, rreth 45% e shqiptarëve kanë mendim pozitiv për Enver Hoxhën, kurse 42% mendim negativ.(TemA)

Në strofullën e kryehajdutit: Kush e “tradhtoi” Admir Muratajn

“Të rrallë, shumë të rrallë janë kriminelët që nuk lënë gjurmë”. Kjo shprehje nga kriminalistika i shkon për shtat edhe Admir Muratajt, i cili pas arratisjes nga një burg grek sfidoi autoritetet së bashku me grupin e tij, duke ua vështirësuar agjentëve policorë punën e tyre.

Por, Admir Murataj, “i pakapshmi”, la gjurmë gjatë tri grabitjeve në dukje të vogla, por që pak e nga pak, duke u hedhur në arkivat e policisë krijuan gjithë panoramën.

Gjurma më e madhe që ai la, kishte lidhje me pasionin e tij për të pasur nën kontroll gjithçka. Pikërisht, kamerat e sigurisë në banesën private në Fushë Prezë u dhanë hetuesve material të bollshëm, një material që i vuri pikën mbi “I” tri grabitjeve. Emri i organizatorit quhej Admir Murataj.

Gjurma e parë

Ishte një grabitje që edhe regjisorët e filmave do ta kishin zili. U quajt grabitja me një shuplakë, ajo e 13 shkurtit 2015, në të cilën në derë të bankës në stacionin e trenit u grabitën 49.80 kilogramë valutë, sapo u hap qepeni i bankës dhe thasët do të transportoheshin drejt blindave. Shuma e rrëmbyer 900 mijë franga, 800 mijë paund britanikë dhe 16 mijë euro. Ilir Syla dhe Artan Duka që po shoqëronin thasët thanë se duke ecur në tunel dëgjuan një zë nga mbrapa “lekët, lekët”.

“Kthyem kokën dhe pamë tre persona me maska dhe rroba të zeza që qëlluan. Njëri prej tyre u afrua dhe na kërkoi çelësin e fuoristradës dhe na urdhëroi ta ndiznim shpejt”. Dhe ndërsa ata u larguan me fuoristradën e policisë private, një dëshmitar me inicialet H. M konfirmoi se më vonë kishte parë dy prej grabitësve të hipnin në një makinë të bardhë monovolum.

“Njëri prej tyre ishte i maskuar me kapuç”, ka shtuar dëshmitari i cili ka kujtuar për policinë se pasi ka dalë 7 apo 8 minuta me vonesë në oborr, aty ka kaluar një efektiv policie që i kishte sugjeruar të hynte në shtëpi sepse ishte situatë e rrezikshme.

Por, pikërisht ky detaj, pra makina monovolum me ngjyrë të bardhë, është gabimi i parë i grupit dhe gjithashtu i Admir Muratajt. Kjo makinë Peugeot Partner është përdorur gjithashtu edhe në grabitjen e Kasharit, të ndodhur në datën 9 shkurt 2017.

Gjurma e dytë

Vlera e grabitur në këtë episod është 2 milionë e 400 mijë euro, 200 mijë dollarë, 260 mijë paund, 85 mijë franga, 30 mijë dollarë australianë dhe 30 mijë dollarë kanadezë. Kësaj radhe grabitësit ishin të veshur me uniforma të zeza dhe me mbishkrimin “Policia”.

I ndërprenë rrugën automjetit me tetë thasë me vlera monetare dhe e përplasën me një mjet Jeep. Nga një mjet fuoristradë dolën katër grabitësit e maskuar, dy prej tyre me automatikë dhe dy me vare. Njëri qëlloi me automatik në krahun e blindit, ndërsa tjetri goditi me vare në krahun e shoferit. Pasi hapën derën me një gur fresibël, ata thyen kasafortën dhe morën paratë.

Pas grabitjes ata u larguan. Më tej, në distancë gjendej edhe një makinë e bardhë që nuk aktivizohet, brenda të cilës ndodheshin dy persona të tjerë që nuk zbresin. Pas ngjarjes edhe ata janë larguar në drejtim të Laknasit. Por kjo makinë që ngjan e rastësishme, në fakt ishte makina Peugeot e konstatuar edhe në grabitjen e 2015 përmes dëshmitarit

Gjurmimi

Dhjetëra kamera sigurie të bllokuara pas këtij momenti tregojnë se makina Peugeot ndjek dy makinat e mëparshme të grabitjes tre minuta me vonesë. Nga këqyrja është hetuar itinerari që ka ndjekur Peugeot në një kohë që dy makinat e tjera u dogjën. Udhëtimi i Peugeot është drejt Fushë Prezës, pikërisht aty ku Admir Murataj ka vilën e tij luksoze.

“Nga kamerat e sigurisë të regjistruara nga kamerat e Admir Muratajt në orën 13:42 ora reale, automjeti Peugeot Partner minifurgon, me ngjyrë të bardhë, hyri me nxitim duke goditur murin e oborrit të brendshëm pranë hyrjes kryesore dhe më pas u fut në garazhin e kësaj banese. Në këtë moment bëhet e mundur të dallohen targat e makinës TR 8561 E”.

Kështu thuhet në dosjen e prokurorisë për gjurmën më të rëndësishme që përfundimisht çoi policinë pikërisht në “strofullën” e Admir Muratajt dhe pikërisht me kamerat përmes të cilave ai ruante banesën.

Një muaj pas këtij çasti prokuroria rieksperton kamerat dhe zbulon prej aty detaje nga filmimet nga data 6 shkurt, tri ditë para se të kryhej grabitja deri në datën 13 shkurt 2017. Në kamerat e shtëpisë së Admir Muratit dalin anëtarët e grupit duke hyrë në shtëpi në orare të ndryshme, përshi edhe Admir Muratajn, i vëllai Aleksandri, Ernest Kupa dhe Dritan Sinani.

Ata shfaqen duke folur në telefon, herë hyjnë me qese me ushqime dhe në një çast Admir Murataj shfaqet nën shoqërinë e një personi tjetër teksa ngarkojnë në bagazhin e një automjeti një çantë të errët dhe një palë këpucë. Në dosje thuhet se pikërisht përmes këtyre filmimeve grupi hetimor mori shkas për të vazhduar gjurmimet dhe kontrollet e imtësishme.

“Poshtë kangjellave të një pusete në garazh, gjetëm një pasaportë greke” tregon për Gazeta Si, njëri nga pjesëtarët që ishte në ndjekje të Admir Muratajt. Hetuesit raportuan në dosje se ky dokument ishte në emër të Christos Papadias, që më pas rezultoi nga akt-ekspertiza e falsifikuar. Në këtë pasaportë ishte fotografia e Admir Nikajt, një dokument që besohet se për një kohë të gjatë i kishte siguruar paprekshmërinë.

Admir Nikaj apo Murataj mban numrin një në dosjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për tri episode grabitjesh. Pas tij radhiten Dash Kupa, Ernest Kupa, Neim Avdylaj, Ditjon Memlika, Admir Cerpja dhe Fatjon Xhyliu, Dritan Sinani dhe Aleksandër Murataj.

Ky i fundit është vëllai i tij që është tre vjet më i vogël se Admiri. Prokuroria thotë për Admir Nikaj Muratajn se ka lindur më 1 gusht 1972, në fshatin Cerem të Tropojës dhe banon në Prezë. Ai është i padënuar në Shqipëri, shpjegohet më tej, por është në kërkim ndërkombëtar dhe me masë sigurie në mungesë arrest me burg. Megjithatë, në Shqipëri akuzohet për:

-Vjedhje të bankave më shumë se njëherë

-Prodhim dhe mbajtje të armëve luftarake

-Krijim dhe pjesëmarrje në grup kriminal

Bankat që Admir Murataj ka grabitur dhe për të cilat vazhdonte të ishte nën hetim janë Uniqa Group Austria, Banka Kombëtare Tregtare, Banka Credins dhe Banka Union Sha. Por, ndërsa tetë të tjerët u dënuan me mbi 100 vjet burgim për këto grabitje, Prokuroria thotë për Admir Nikajn:

“Konform nenit 325 të kodit të procedurës penale u vendos pezullimi i gjykimit pasi nuk rezultoi marrja dijeni e tij personalisht për këtë gjykim, si dhe ndarja e çështjes penale në ngarkim të tij, duke krijuar një fashikull gjyqësor”.

Por Admir Murataj, megjithëse ka pak të dhëna për të në kartelën e policisë, sikurse është sa vite shkollë ka kryer apo gjurmët e gishtave të tij, ai u tradhtua nga pikërisht nga vetja e tij.

Ka qenë mania e tij për të mbajtur kamera sigurie në banesën private në Fushë Prezë që hapi dritën e parë jeshile për hetuesit që po e gjurmonin. Megjithëse gjatë grabitjeve në aksin e Kasharit prokurorët ishin të bindur se grabitësi ishte ai.(Gazeta Si)

Breshër “i çmendur” në Tiranë, zbardhet kryeqyteti (VIDEO+FOTO)

Reshje të dendura shiu dhe breshëri kanë prekur Tiranën këtë pasdite.

U deshën vetëm rreth 15 minuta që kryeqyteti të zbardhej i tëri.

Sigurisht, reshjet e rëna kanë shkaktuar edhe përmbytje në disa lagje të kryeqytetit.

Dy vitaminat që duhet t’i merrni për të mos ndjerë lodhje

Lodhja shpeshherë ndërlidhet vetëm me qëndrimet deri vonë në mbrëmje dhe me mungesë të gjumit. Por, në shumë raste mund të jetë simptomë e anemisë, e cila ndodh kur njerëzit kanë mungesë të vitaminave dhe mineraleve të caktuara.

Anemia është sëmundje ku personi ka shumë pak qeliza të kuqe të gjakut ose sasi shumë të ulët të hemoglobinës në çdo qelizë të kuqe të gjakut. Anemia mund të ndërlidhet me shumë shkaktarë, duke përfshirë edhe mungesën e vitaminës B12 dhe hekurit.

Vitamina B12 përfshihet në krijimin e qelizave të kuqe të gjakut dhe e mban sistemin nervor të shëndetshëm, si dhe liron energji nga ushqimi. Mungesa e kësaj vitamine mund ta shkaktojë trupin të prodhojë qeliza të kuqe të gjakut me madhësi anormale të cilat nuk mund të funksionojnë siç duhet.

Gjithashtu, mungesa e kësaj vitamine sjell me veti shumë simptoma, ku njëra prej kryesoreve është lodhja e tepërt dhe mungesa e energjisë. Shikimi i turbullt, depresioni dhe dobësimi i aftësive mendore janë gjithashtu simptoma të mungesës së kësaj vitamine.

Këtë vitaminë mund ta merrni përmes mishit, salmonit, qumështit, djathit, vezëve, por edhe në formët ë suplementit. Sipas ekspertëve shëndetësorë, të rriturve u nevojiten rreth 1.5 mikrogramë vitaminë B12 në ditë.

Në anën tjetër, hekuri gjithashtu luan rol të rëndësishëm në prodhimin e qelizave të kuqe të gjakut. Përveç që shkakton lodhje dhe mungesë të energjisë, mungesa e hekurit shkakton edhe probleme me frymëmarrje, rrahje të çrregullta të zemrës dhe lëkurë të zverdhur.

Ekspertët shëndetësorë këshillojnë që meshkujt mbi moshën 18 vjet dhe femrat mbi moshën 50 vjet të marrin 8.7 miligramë hekur në ditë. Ndërkaq femrave të moshës 19 deri 50 vjet u nevojiten 14.8 miligramë hekur në ditë sepse humbja e gjakut nga menstruacionet mund të shpijë në mungesë të hekurit në trup. Përndryshe, hekuri mund të gjendet në mish, produkte arrore, fruta të tharë, por edhe në formë suplementi.

Mjekët japin alarmin, rezistenca ndaj antibiotikëve vret më shumë se kanceri

Rezistenca ndaj antibiotikeve pritet që të vret më shumë se kanceri ka deklaruar mbrëmë politikani britanez, George Osborne. Në mungesë të ilaçeve të reja, infeksionet e shpeshta do të jenë përgjegjëse për vdekjen e miliona njerëzve në vit deri në 2050-tën, që është më shumë se vdekjet e tanishme nga kanceri që janë 8 milion në vit.

Përveç ndikimit shëndetësor, mungesa e medikamente ve adekuate, do të ketë edhe pasoja ekonomike, deklaroi Osborne, shkruan Daily Mail. Në fjalimin e tij tek Fondi Monetarë Ndërkombëtare në Uashington, ka theksuar nevojën urgjente për zhvillimin e antibiotikeve të rinj, njëkohësisht ka bërë thirrje për shtetet që të ofrojnë çmime milionëshe për kompanitë farmaceutike të cilat krijojnë ilaçe të reja.

Përdorimi i shpeshtë i antibiotikëve ka ulur efektivitetin e tyre si dhe ka bërë që bakteret të jenë më rezistente. Ekspertë mjekësorë kanë paralajmëruar për një të ardhme katastrofike ku infeksionet e rëndomta do të jenë vdekjeprurëse, ashtu siç ishin para zbulimit të penicilinës në vitet e 20-ta.

Kjo mund të çoj në një situatë ku lëndimet më të lehta si dhe operacionet të përfundojnë me fatalitet. Kanë kaluar përafërsisht dy dekada që nga zbulimi i një klase të re antibiotikësh.

Si të zbuloni nëse keni mungesë të vitaminave dhe mineraleve

Kuptoni se çfarë përpiqet t’u thotë trupi juaj për vitaminat dhe mineralet që i mungojnë.

Buzët e çara
Mungesa: Vitamina B2, sasia e rekomanduar ditore është 1,3 mg për meshkujt dhe 1,1 mg për femrat.

Çarjet dhe plagët rreth buzëve mund të tregojnë për mungesën e vitaminës B2, nutrientit të domosdoshëm për prodhimin dhe rritjen e qelizave. Pa të, trupi nuk mund të ripërtërijë mjaft shpejt qelizat e lëkurës dhe mukozën rreth gojës.

Kjo vitaminë është e nevojshme edhe për shndërrimin e ushqimit në energji, ndërsa lodhja dhe migrena po ashtu mund të tregojnë për mungesën e saj.
Një gotë qumësht në ditë do ta eliminonte këtë mungesë.

Shqisa e dobët e shijes
Mungesa: Zinku, sasia e rekomanduar ditore është 5.5 deri 9,.5 mg për meshkuj dhe 4 deri 7 mg për femrat.

Mungesa e zinkut mund të ndikojë në shqisën tonë të shijes. Nuk dihet saktësisht sa ndryshime në organizmin tonë shkakton ndikimi i mungesës së zinkut. Zinku është i nevojshëm për prodhimin e enzimave në pështymë dhe zhvillimin dhe ruajtjen e receptorëve të shijes.

Shenjat e tjera të mungesës së zinkut mund të jenë infeksionet e shpeshta dhe shërimi më i ngadalshëm i plagëve, meqenëse ky mineral ka rol vital në funksionimin e sistemit të imunitetit dhe ripërtëritjen e qelizave.

Zgjidhja është mishi i kuq. Mishi i viçit apo i qengjit është burimi më i mirë i zinkut. Një deri në dy porcione në javë duhen të jenë të mjaftueshme. Zink ka edhe në arrat indiane, kikirik dhe drithërat e papërpunuara.

Problemet me stomakun
Mungesa: Vitamina A, sasia e rekomanduar ditore është 0,7 mg për meshkujt dhe 0,6 mg për femrat.

Shenja më e shpeshtë e mungesës së vitaminës A është mosrezistenca në infeksionet më të dobëta, pasi që kjo vitaminë është e nevojshme për prodhimin e sipërfaqeve mbrojtëse të cilat parandalojnë bakteret të hyjnë në sistemin respirator dhe në zorrë.

Një karotë në ditë ose shujta e kohëpaskohshme me mëlçi duhet të jenë të mjaftueshme. Femrat shtatzënë nuk do duhej të hanë mëlçi, pasi që teprimi me vitaminë A mund t’i bëjë dëm fetusit.

Nervozizmi
Mungesa: Hekuri, sasia e rekomanduar ditore është 8.7 mg për meshkujt dhe 14.8 mg për femrat.

Lëkura e zbehtë, marramendja dhe thonjtë e rrumbullakuar janë shenjat më të shpeshta të mungesës së hekurit, derisa nervozizmi (së bashku me lodhjen dhe koncentrimin e keq) është simptomat më e shpeshtë e hershme.

Hekuri është përbërësi kyç i rruazave të kuqe të gjakut dhe u mundëson të mbledhin oksigjenin dhe ta përhapin në organizëm.

Mishi i kuq, frutat arrore dhe perimet janë burime të mira të hekurit. Shtesat e ushqimit duhet të përdoren vetëm në raste të rënda të mungesës së hekurit.

Nyjat e ënjtura
Mungesa: Kaliumi, sasia e rekomanduar ditore është 3.5 mg.
Kaliumi ndihmon rregullimin e ujit në organizëm, ndërsa mungesa e tij, në veçanti nëse kombinohet me tepër shumë kripë dietale mund të çojë deri te shtypja e lartë e gjakut.

Rreth pesë porcione në ditë me pemë dhe perime janë të mjaftueshme të siguroheni nga mungesa e kaliumit. Bananet në veçanti janë të pasura me këtë mineral.

Dhimbja në tërë organizmin
Mungesa: Vitamina D, sasia e rekomanduar ditore është 5 mcg.
Eshtrat e dobëta janë shenjë e mungesës së rëndë dhe afatgjate të vitaminës D, derisa dhimbja në tërë trupin, të ndierit të dobët dhe lodhja janë shenjë e mungesës së lehtë.

Dhimbjet e shpeshta në shputa, ije, shpinë dhe gjunjë flasin për mungesën e vitaminës D.
Vitamina D ndihmon në rregullimin e mineraleve të kalciumit dhe fosforit, që janë vitale për zhvillimin dhe ruajtjen e eshtrave dhe muskujve. E rëndësishme është edhe për mbrojtjen e sistemit të imunitetit dhe mbron edhe nga kanceri.

Peshku i pasur me vaj, si salmoni dhe sardelet, janë burim i mirë i vitaminës D. Po ashtu 20 minuta ekspozim në diell janë të mjaftueshme për organizmin për të siguruar sasinë e nevojshme ditore të kësaj vitamine.

Xhenxhefili, bima që bën mrekulli për shëndetin

Xhenxhefili është përbërës i njohur në kuzhinën indiane dhe aziatike, ndërkaq është përdorur qysh nga kohërat e lashta për shkak të vetive të mira që ka. Kjo bimë fantastike jua përmirëson shëndetin e përgjithshëm në mënyra të ndryshme. Është e pasur me shumë minerale dhe vitamina.

Madje, xhenxhefili ka një profil mjaft të mirë nutricional, ku 100 gramë xhenxhefil ju furnizojnë me:
* 80 kalori
* 17.8 gramë karbohidrate

* 1.8 gramë proteina
* 0.7 gramë yndyrë
* 2 gramë fibra
* 415 mg kalium

* 43 mg magnez
* 5 mg vitaminë C
* 34 mg fosfor
* 0.2 mg vitaminë B6, etj.

Xhenxhefili ndër tjerash përmban kalcium, zink, riboflavin, etj.
Nëse filloni të konsumoni xhenxhefil çdo ditë për 1 muaj, ju do t’i përjetoni efektet e mëposhtme shëndetësore:

– Xhenxhefili do t’jua forcojë sistemin e imunitetit, do t’i vret bakteret e dëmshme dhe t’i parandalojë problemet e ndryshme shëndetësore, duke përfshirë gripat dhe infeksionet
– Vetitë e veta antipezmatuese i lehtësojnë dhimbjet e shkaktuara nga osteoporoza

– Konsumimi i rregullt i xhenxhefilit do t’jua ulë nivelet e sheqerit në gjak, dhe rrjedhimisht i ndihmon personat me tip 2 të diabetit
– Xhenxhefili i zvogëlon edhe nivelet e kolesterolit dhe i ulë rreziqet e sëmundjeve të zemrës

– Xhenxhefili është zbuluar se i lehtëson dhimbjet e muskujve deri në 25%
– Përbërësit bioaktivë dhe antioksiduesit që gjenden në xhenxhefil e luftojnë inflamacionin në trup, e përmirësojnë kujtesën, shëndetin e trurit, e ulin rrezikun e demencës, etj.

Dy ushqimet që bëjnë mrekulli kundër kolesterolit

Kolesteroli është substancë yndyrore në trup, e cila është vitale për funksionin normal trupor.

Ka dy lloje të kolesterolit – LDL (njohur si kolesteroli i keq) dhe HDL (njohur si kolesteroli i mirë).

Sasitë e mëdha të kolesterolit të keq mund ta rrisin rrezikun e problemeve serioze shëndetësore, siç është ngushtimi i artereve, sulmi i zemrës, sulmi në tru, etj.
Megjithatë, nivelet e kolesterolit mund të ulen duke i bërë disa ndryshime të thjeshta në ushqim.

Produktet arrore
Ekspertët shëndetësorë rekomandojnë të hani produkte arrore, sepse hulumtimet tregojnë se ato e zvogëlojnë kolesterolin, e posaçërisht arrat, kikirikët dhe bajamet.

Këto përmbajnë vitaminë E, e cila ka ndikim në kolesterol.

Soja
Nuk është ushqimi i preferuar i secilit, por soja është dëshmuar se e zvogëlon kolesterolin – 25g proteinë soje në ditë mund ta zvogëlojë kolesterolin për 5%, sipas ekspertëve.

Kur mund të pësoni infarkt edhe pse nuk vuani nga zemra

Nëse mendoni që me kontrollin e kolesterinës dhe me shmangien e ushqimit të shpejtë të zvogëloni rrezikun nga ataku në zemër – e keni gabim. Nuk është kjo edhe aq e thjeshtë.

Edhe pse mungesa e aktiviteteve fizike, ushqimi jo i shëndetshëm dhe anamneza pozitive familjare do të ndikojnë në rritjen e rrezikut nga kjo sëmundje, nuk janë këta të vetmit faktorë të cilët duhet t’i keni parasysh. Këta janë 6 faktorët befasues të pazakonshëm, të cilët mund të rrisin rrezikun nga sulmi në zemër.

Sëmundja autoimune
Nëse keni ndonjë sëmundje autoimune siç janë lupusi, artriti reumatik apo artriti i psoriazës, atëherë jeni të rrezikuar nga sulmi në zemër. Femrat të cilat gjatë shtatzënisë zhvillojnë ndonjë sëmundje autoiumine janë posaçërisht të rrezikuara.

Të ftohtët
Dimri mund të jetë shumë i rrezikshëm për shëndetin. Të ftohtët mund të rrisë rrezikun nga sulmi në zemër, sepse kur moti është i ftohtë trupi përpiqet të mos lëshojë ngrohtësinë të avullojë nga trupi. Kjo mund të jetë shkaktar i sulmit në zemër, sepse enët e gjakut dhe arteriet tkurren.

Keni filluar mënyrën e re të ushtrimit. Keni vendosur të ktheni formën, por është shumë me rëndësi si stërvitni. Nëse jeni mësuar me përtacinë dhe filloni përnjëherë kardio-treningun intensiv, rrezikoni ta dëmtoni zemrën.

Përgatituni ngadalë dhe ngadalë ktheni formën. Vjen deri te rritja e hormonit të stresit, i cili çrregullon qarkullimin e deritanishëm të gjakut nëpër zemër.

Keni kancer
Hulumtuesit kanë zbuluar lidhjen midis kancerit dhe sulmit në zemër, dy sëmundje të cilat vrasin më së shumti njerëz në botë. Terapi të caktuara të kancerit siç është rrezatimi i gjoksit, posaçërisht i anës së majtë, rrit rrezikun nga sëmundja e arterieve koronare, e cila konsiderohet e rrezikshme, sepse vjen nga grumbullimi i kolesterinës në arterie e cila çon gjakun deri në zemër.

Ilaçet kundër kancerit siç janë Adriamicini dhe Herceptini gjithashtu rrisin rrezikun nga sulmi në zemër.

Thithni ajër të keq
Ajri i papastër sjell perëndime shumë të bukura të diellit, mirëpo ekspozimi në ajër të cilësisë së keqe mund të ketë pasoja të mëdha negative për shëndetin tuaj, duke përfshirë edhe rrezikun nga sulmi në zemër.

Ajri i keq mund të çojë deri në sulm në zemër për shkak të inflamacionit, sepse me frymëmarrje thithim grimca irrituese nga ajri, andaj trupi ynë patjetër duhet të punojë më shumë.

Ngërçet e këmbëve
Shfaqen nga një numër i madh shkaqesh, shumica e tyre janë beninje.
Nëse çdo herë kur ecni pak më shumë ndiheni më mirë sapo të uleni, mbase vuani nga gjendja e cila është e njohur si sëmundje periferike e arterieve.

Në atë rast ngërçet i shkakton arterioskleroza apo mbyllja dhe ngushtimi i arterieve periferike të cilat shkojnë nëpër këmbë.

Përse bota po i thotë “stop” antibiotikëve

Antibiotikët po përdoren si aspirinat. Mjafton të keni rrjedhje të paktë nga hunda, që teshtitja apo dhimbja e kokës të ju bëj nervoz, dhe menjëherë të zgjatni dorën për ilaçin “shpëtimtar” – antibiotikun. Kështu konsumimi i ilaçeve, quhet keqpërdorim.

Në disa shtete janë zbatuar rregulla të shumta për përdorim më racional të këtyre ilaçeve. Jo vetëm që shtetet duan të ruajnë paratë në fondet e tyre shëndetësore por, çfarë është më e rëndësishme, me përdorimin e pakontrolluar të antibiotikëve zvogëlohen gjasat për shërimin nga sëmundjet më serioze, e për shkak të imunitetit të dëmtuar, edhe gjeneratave të ardhshme u lihen në trashëgim bakteret “e pashkatërrueshme”.

Antibiotikë të rinj nuk ka – ilaçet e reja nga ky grup të cilat hidhen në treg, janë modifikime të antibiotikëve ekzistues.

Në Francë, ku përdorimi i antibiotikëve para disa vjetësh ka qenë më i madhi në Evropë, është zbatuar fushata reklamuese kundër përdorimit të tyre të tepërt. Janë përdorë edhe spotet televizive, në të cilat pacientët lusin mjekët mos tu përshkruajnë antibiotikë pa nevojë.

Aksioni ka dhënë rezultate: – për tetë vite ka rënë përdorimi i antibiotikëve në ambulantë për një të tretën.

Çekia ka veçuar pikërisht përdorimin në masë të tepërt të antibiotikëve. Analiza ka dëshmuar se në Çeki madje gjysma e antibiotikëve përshkruhen gabimisht. E ilaçi pa efekt vetëm sa zgjat sëmundjen, qëndrohet shtrirë edhe më gjatë në spitale, që drejtpërsëdrejti ndikon në ndarjet e mjeteve shtetërore për shëndetësi.

Vlerësohet se problemi me mosefikasitetin e antibiotikëve, nga të gjitha shtetet, të jetë më i madhi në Ballkan, e më i vogli në Holandë.

Ekspertët tërheqin vëmendjen se është e domosdoshme që në praktikën tonë shëndetësore të vërtetohen në mënyrë precize indikacionet për përshkrimin e antibiotikëve.

Sa vezë duhet të konsumojmë në javë sipas nutricionistëve

Të pjekura, të ziera, të fërgura…, vezët shpesh i kemi në meny për mengjes. Nuk flitet mirë për to, sepse konsiderohen bomba kolesteroli. Nutricionistët gjermanë theksojnë që kjo është pjesërisht e saktë. Një vezë ka sasi solide kolesterine, mesatarisht rreth 400 miligramë.

Shefi i Klinikës së Spitalit Universitar të Fëmijëve në Munih, profesor Berthold Kletzko, sqaron: “Dy të tretat e kolesterinës në qarkullim të gjakut në të vërtetë i prodhon vetë organizmi. Kolesterina nga vezët e pulave ka rol më të vogël në metabolizëm sesa mendojnë njerëzit”, thotë Koletzko.

Mirëpo, nutricionistët thonë që duhet pasur kujdes sa vezë do të hani. Theksojnë që çelësi i shëndetit është ushqimi i balancuar, jo eliminimi i artikujve të caktuar nga menyja. Rasti i tillë është edhe me vezët e pulave.

“Rekomandimi ynë do të ishte deri në tri vezë në javë”, ka thënë zëdhënësja e Shoqërisë së nutricionistëve gjermanë, Antje Gahl. Kjo përfshin edhe vezët në artikujt e tjerë siç janë buka, ëmbëlsirat, makaronat apo majoneza.

Gahl pranon që është “shumë e vështirë të numërohen sa kolesterinë ka në to”, por shton që nuk është rrezik nëse ndonjëherë teprohet doza e rekomanduar javore. Vezët nuk janë të pasura vetëm me kolesterinë. Janë të pasura me proteina dhe me vitaminën A, janë të mira për sytë, sistemin e imunitetit dhe lëkurën.

– Përmbajnë edhe lecitinë që është “ushqim për trurin”, përkatësisht për sistemin nervor. Prandaj janë të mira për popullatën e moshuar, thotë Koletzko. Edhe një këshillë: Vezët duhet të zihen mirë apo të piqen. Kështu do të vrasin salmonelën. Nëse dëshironi t’i konsumoni të papërpunuara, sigurohuni që të jenë të freskëta.

Çaji që pastron trupin dhe shëron 50 sëmundje të ndryshme

Hulumtimet kanë konstatuar që ky çaj ka rol të jashtëzakonshëm në zgjidhjen e shumë problemeve shëndetësore Përbërës kryesor është shafrani, i cili ka rol të rëndësishëm në detoksikim, i cili ngadalëson procesin e plakjes.

Hulumtimet kanë treguar që ky çaj ka rol të jashtëzakonshëm në zgjidhjen e problemeve të shumta shëndetësore. Ai ka efekt pozitiv në rastet e demencias dhe të kancerit.

Me ndihmën e këtij çaji gjithashtu shërohen edhe krupa dhe problemet e tjera me stomakun. Këto janë vetëm disa ndër përparësitë potenciale të cilat i sjell ky çaj, mirëpo besohet që mund edhe të përdoret për shërimin e së paku 50 problemeve të ndryshme shëndetësore.

Ja si mundeni të bëni këtë pije të jashtëzakonshme dhe natyrale:
• 1/6 e lugës së vogël shafran
• gjysmë luge kanellë të bluar
• gjysmë gote qumësht

• pak mjaltë
• kardamon sa mund të merrni me gishta
• gjysmë luge xhenxhefil të grirë në rende.

Përgatitja:
Përzieni të gjithë përbërësit dhe pastaj mbi ta qitni në 500 mililitra ujë të vluar.
Duke përzier, mund t’i shtoni pak qumësht të nxehtë:

Përdorimi:
Pini sasinë e përgatitur përnjëherë.

“Batuta” e radhës me kinezë e kryeministrit Rama dhe ministres Balluku!

Enver Bytyçi

Belinda Balluku është mbesa e Beqir Ballukut. Në gjurmët e gjyshit të saj edhe ajo mbërriti shkallët deri në kabinetin qeveritar. Ashtu siç ish-ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë komuniste pati një histori me kinezët, edhe Belinda e sajoi një të tillë, por në invers, në të kundërtën e paraardhësit të saj si për t’i thënë opinionit se “Unë nuk jam “tradhëtarja”, “spiunja” e kinezëve.

Beqir Balluku u dënua me pushkatim në vitin 1974 për tradhëti të lartë ndaj atdheut. Në një mbledhje të Sekretariatit të KQ të PPSH-së Ramiz Alia deklaronte se Mao Ce Duni “u kishte thënë” puçistëve: “Në mos e bëfshi komplotin brenda gjashtë muajve, ta bëni në gjashtëmujorin tjetër”! Ndërkohë në atë mbledhje ndërynte diktatori Hoxha duke u shprehur: “Po vihet pyetja se kush duhej ta bënte në fillim puçin, kinezët apo Beqir Balluku në Shqipëri”?

Pardje ndodhi grabitja e radhës në aeroportin e Rinasit. Rasti e solli që koncensionar i aeroportit të jetë një kompani kineze. Edi Rama, për t’i shpëtuar përgjegjësisë shtetërore e politike, ashtu si diktatori komunist para 45 viteve, prodhoi nga imagjinata e tij “armikun” e jashtëm kinez, si shkaktar të “puçit që opozita dëshiron tia bëjë kryeministrit shqiptar”! Belinda, e kompleksuar ndaj akuzave të diktatorit Hoxha kundër gjyshit të saj, mori flamurin e “luftës kundër “komplotit kinez”” në Rinas.

Megjithëse edhe mediokrit e dijnë se përgjegjës për sigurinë kombëtare, veçmas në aeroporte, porte dhe institucione të tjera është shteti me instrumentet e tij, kryeministri shqiptar dhe ministrat e tij, Belinda, Lleshi, Spiro i palit etj po bëjnë garë që ta shesin këtë përgjegjësi diku larg Shqipërisë, madje shumë larg, deri në Pekin.

Belinda do të thërrasë presidentin e kompanisë koncensionare në Tiranë për të diskutuar rreth “shkeljeve” të kësaj kompanie me pasojë “cënimin e sigurisë kombëtare në Shqipëri”?! Por nuk merr mundimin të flasë me ish-shefen e kabinetit të saj për shkeljet e kompanisë së ngarkuar për sigurinë në aeroport, kompani e cila është në pronësi të bashkëshortit të saj. Ndërkohë Rama nuk dëshiron të flasë për policinë kufitare dhe policinë e rendit, e cila është e stacionuar në aeroport. Në çdo aeroport të botës kufirin dhe rendin e ruajnë forcat e policisë. Vetëm qeveria shqiptare kërkon që këtë funksion ta kryejnë kompanitë e vendeve të huaja që investojnë në vendin tonë. Se kompania koncensionare nuk është përgjegjëse për ruajtjen e sigurisë së aeroportit, kjo shprehet në kontratën midis qeverisë shqiptare dhe kësaj kompanie. Koncensionari, sipas kontratës, ka detyrë të ruajë rregullin, të bëjë kontrollin rigoroz të udhëtarëve dhe bagazheve, të kujdeset për pistën, me qëllim që të mos bëhen aksidente ajrore etj.

Por asnjë kompani në botë, koncensionare ose jokoncensionare nuk mundet të luftojë me bandat e terroristët e armatosur. Asnjë kompani koncensionare ose jo koncensionare në botë nuk bëhet përgjegjëse për shkeljen e kufirit në mënyrë të paligjshme e të dhunshme, për parandalimin e grabitjeve me armë, për aktet terroriste që ndodhin ose mund të ndodhin. Këto janë detyrime të ruajtjes së rendit dhe sigurisë nga shteti. Megjithatë Edi Rama me Ballukun, Lleshin e të tjerë ministra të rrjeshtuar para ekraneve kanë marrë përsipër të mashtrojnë shqiptarët në stilin e ish-diktatorit Hoxha, se “fajtori për situatën e krijuar pardje në Rinas nuk është qeveria shqiptare, por kinezët”!

Këtë aksiomë diabolike kryeministri i shfrenuar i vendit tim sot e shoqëroi me dërgimin e ushtrisë në aeroport, edhe pse aty gjendet policia, si dhe kompania private e sigurisë e shefes së kabinetit të Ballukut! Ushtria shqiptare ka marrë tashmë nën kontroll të vetmin aeroport ndërkombëtar të Shqipërisë. Ky akt, në shkelje të ligjit dhe kushtetutës, ka për qëllim të bëjë presion te qytetarët shqiptarë në prag të protestës së të shtunës, por edhe te koncensionari, përkatësisht kompania kineze, e cila administron aeroportin. Edi Rama gjuan vazhdimisht me gurë kur nuk i ka mbetur ndonjë shteg tjetër për t’i ik përgjegjësisë së tij për qeverisjen. Me gurin e përdorimit të ushtrisë ai përpiqet të frikësojë shqiptarët, si edhe koncensionarin kinez. Shqiptarët pasnesër do jenë në shesh, madje në orët e vona të mbrëmjes, gjë që e ka tmerruarr kryeministrin. Ndërsa koncensionarit i bën presion ose për të heq dorë nga sipërmarrja, ose për të heq menjëanë një pjesë të fitimeve e për t’ia dhënë nën dorë kryeministrit.

Ngado që ta shqyrtosh dhe analizosh ngjarjen që ka ndodhur pardje në Rinas, nuk mund të besohet se një kompani, një firmë të mund të mbrojë veten nga akte të tilla terroriste, çka ndodhi pardje. Shteti, kudo në botë, kurdoherë e në çdo rast, ka detyrim ligjor, kushtetues, funksional të ruajë dhe të mbrojë jetën e qytetarëve të vet, pronën e tyre, të ruajë rendin publik dhe qetësinë në çdo m2 të territorit që ai shtet e qeveris! Aeroportet janë epiqendra ku shteti duhet të jetë prezent. Por shteti shqiptar është present me gaz lotsjellës në familjet e të varfërve, ndërkohë që është I munguar në pikat kryesore strategjike të vendit! Për më tepër, segmente të shtetit tonë bashkëpunojnë me krimminelë të formatit të grabitësve të së martës në Rinas e më pas qeveria bën kurban të pafajshmit!

Diktatori Hoxha pasi e kishte pushkatuar Beqir Ballukun për tradhëti në bashkëpunim me kinezët, një vit ë vonë, në vitin 1975, i në një letër për udhëheqësin komunist të Kinës, Mao Ce Duni, I mohonte akuzat e bëra. Ai shkruante: “Beqir Balluku, si revisionist i vjetër e armik i popullit, ka qenë një antikinez i shfrenuar dhe armik i miqësisë shqiptaro-kineze…”. Në fillim të shkrimit keni të kundërtën e kësaj. (Shih AQSH. Fondi 14. M. P. K. Kineze, viti 1975, fae 2-3).

Jam i bindur se Edi Rama do të detyrohej, nëse do kishte jetë në fronin kryeinistror, që të gjente një “antikinez” për ta justifikuar këtë maskaradë të radhës në ikje të përgjegjësisë së tij për dështimet spektakolare në qeverisjen e vendit!

Tiranë, më 11.04.20019

DAP nis me dorëzimin e fletëparaqitjeve tatimore

Drejtoria e të Ardhurave Publike prej sot do të fillojë t’i dorëzojë fletëparaqitjet tatimore të plotësuara vjetore tatimpaguesve për të ardhurat e realizuara në vitin 2018.

Fletëparaqitjet e plotësuara vjetore do të dorëzohen në mënyrë elektronike edhe profilet shfrytëzuese që paraprakisht i ka regjistruar tatimpaguesit, ndërsa në e-mail adresën shfrytëzuesi do të marrë notifikacion se është dërguar fletëparaqitja tatimore e plotësuar vjetore, të cilën duhet ta konfirmojë apo korrigjojë.

Ky është viti i parë në të cilin qytetarët marrin fletëparaqitje të plotësuar vjetore tatimore. Deri vitin e kaluar qytetarët për të ardhurat e realizuara në vitin paraprak i kanë dorëzuar fletëparaqitjet tatimore vjetore deri te Drejtoria e të Ardhurave Publike, ndërsa me reformën që u realizua gjatë vitit të kaluar, qytetarët në mënyrë elektronike do të marrin fletëparaqitjet tatimore vjetore.

Në sistemin elektronik të Drejtorisë së të Ardhurave Publike janë regjistruar gjithsej 700 mijë tatimpagues.

Kanë filluar pazaret me votat, çmimi shkon deri në 1 mijë denarë (VIDEO)

Janë vërejtur aktivitete në terren për shit-blerje të votës, të cilës, sipas sektorit civil, i është rritur vlera në para në këtë cikël zgjedhor. Qendra për liri, Civil ka vërejtur fillim të parakohshëm të fushatës, gjuhë të urrejtjes, shfrytëzimin e fëmijëve në aktivitete politike dhe njoftime për prishje të heshtjes zgjedhore në ditën e zgjedhjeve.

“Jemi të njoftuar për disa raste në disa vendbanime se përgatitet blerje votash nga struktura të caktuara politike. Blerja e votës, siç mësojmë, më nuk është 500 denarë por është rritur çmimi i votës dhe kjo arrin shumën prej 1000 denarësh ose edhe më shumë në ditët para votimit.

Partitë politike i shfrytëzojnë të gjithë boshllëqet në Kodin Zgjedhor që të mund t’i ikin procedurës standard dhe demokratike të bindjes së votuesve për të votuar për një kandidat ose për një tjetër”, tha Xhabir Deralla, Qendra për Liri Civil.

Kreu i KSHZ-së Oliver Derkoski thotë se Kodi Zgjedhor ka pësuar më shumë se 30 ndryshime dhe si pasojë duhet një ligj komplet i ri. Ai kërkon të rregullohet çështja e votimit në diasporë dhe të vazhdohet me përpjekjet që personat me aftësi të kufizuar të mund të realizojnë pa pengesa të drejtën e votës.

“Për këtë cikël zgjedhor do të bëhen shpenzime me vlerë prej pothuajse 30 milion denarësh për 1782 persona të cilët janë paraqitur për të votuar në diasporë kurse me siguri nuk do të votojnë të gjithë. Do të votojnë gjysma ose rreth 1 mijë persona. Vota nga diaspora do të jetë më e shtrenjta. Kjo sjellë një dilemë të cilën në periudhën e ardhshme duhet patjetër ta zgjidhim. Por, unë nuk jam që t’u merret e drejta e votës qytetarëve tanë që janë në diasporë”, deklaroi Oliver Derkoski, kryetar i KSHZ-së.