Për pak sa nuk pati përleshje fizike mes Gruevskit dhe Xhaferit në kuvend më 14 mars kur u votua Ligji për përdorimin e gjuhëve. Gruevski ia derdhi ujin kryeparlamentarit dhe pastaj ia zuri edhe rrugën për në dalje.
Debati mes tyre tani është zhvendosur në media dhe rrjetet sociale.
Për rastin e 14 marsit Xhaferi u pyet nga një gazetare derisa po qëndronte në Serbi, ndërsa kryetari i kuvendit tha se nuk ka asgjë personale me të, por tha se Gruevski është në krizë psikologjike si pasojë i proceseve gjyqësore që zhvillohen ndaj tij.
-Kjo është pasqyra e krizës psikologjike në të cilën gjendet aktualisht. Nëse merret parasysh se kundër tij po zhvillohen procedura për vepra penale, dhe duke marrë parasysh se në Kongresin e jashtëzakonshëm, pozitën “kryetar i partisë” ia ka lënë një personit tjetër, konsideroj se kjo është vetëm pasqyra personale e krizës në momentin e caktuar, kur nuk arriti ta kontrollojë veten, u shpreh Talat Xhaferi, kryetar i kuvendit.
Për këtë Gruevski reagoi përmes një postimi në Facebook, përmes së cilit thotë se nuk është hidhëruar nga deklaratat e Xhaferit, pasi sipas tij, kryeparlamentari nuk është për t’iu hidhëruar.
Shkruan Gruevski në “Facebook”
“Lexoj se Talati kishte deklaruar se kam qenë në krizë psikologjike. Duke e njohur çdoherë kur ndonjë ditë nuk ka mjaftueshëm të dezinfektohet, bie në krizë të maturisë dhe kështu sillet. Nuk i hidhërohem. Nuk është për t’iu hidhëruar”.
Ndryshe Gruevski nuk është shfaqur para mediave që nga dita kur gjykata e shpalli aktvendimin për rastin Titanik, në të cilin u dënua me 2 vjet burg.