Pavarësisht këmbënguljes së Qeverisë, Athina Zyrtare kundërshton fuqishëm propozimin “Republika e Maqedonisë së Ilindenit” si zgjidhje e mundshme.
Shefi i diplomacisë greke, Nikos Kocias u shpreh i prerë se zgjidhja e pranueshme mund të arrihet vetëm nga propozimet e ndërmjetësit Metju Nimic, përveç propozimit “Republika e Maqedonisë (Shkupi)”. Kocias këto komente i bëri pas takimit me sekretarin amerikan të shtetit Majk Pompeo dhe zyrtarët e tjerë të lartë amerikan.
Ne e mbështesim nevojën për të pranuar një nga emrat që propozoi Nimic. Nuk pajtohemi, siç e dini, me emrin e pestë nga propozimet e tij. Dhe të ecim përpara me miratimin e një plani strategjik për bashkëpunim miqësor me këtë vend në të ardhmen, me emrin e saj të ri – deklaroi Nikos Kocias, Ministër i Jashtëm i Greqisë.
Pa zbuluar se cila ishte porosia e SHBA-ve, Kocijas tha se Greqisë nuk i bën askush presion, pasi në mënyrë aktive i qaset zgjidhjes së kontestit. Ndërsa DW shkruan se kancelarja gjermane, Angela Merkel e cila vazhdimisht interesohet për çështjen e emrit, ka telefonuar mbrëmë kryeministrat Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras.
Nga Berlini megjithatë nuk zbulojnë se cila ishte tema e bisedës. Ndërkohë partneri qeveritar, Panos Kamenos dhe njëherit Ministri i Mbrojtjes ia bëri të qartë Ciprasit se partisë që drejton ai nuk i bëhet vonë nëse emri eventual do të përmbajë fjalën “Ilinden” apo “E epërme”.