Nga, Abdulla Mehmeti
(Logjika historike thotë: ajo që ka qenë dje, nuk është sot; ajo që mund të krijohet sot, nuk mund të mbetet përgjithmonë.)
Pavarësisht nëse do të zgjidhet dhe si do të zgjidhet çështja e emrit të shtetit të Maqedonisë në kontestin me Greqinë, propozimet për emrin duhet t’i nxitin historianët dhe studiuesit tjerë që t’i thellojnë studimet për këtë krahinë të lashtë ilire dhe për shtetin me këtë emër, të krijuar më 1944, edhe atë, për shpalosjen dhe sqarimin e plotë të fakteve historike.
Nga propozimet, nënkuptohet:
– nëse “Maqedonia e Re” konsiderohet si fakt, kjo dëshmon se ka pasur edhe “Maqedoni Antike” (të lashtë);
– nëse “Maqedonia e Epërme” konsiderohet si fakt, kjo dëshmon se ka edhe një “Maqedoni të Poshtme”;
– nëse “Maqedonia Veriore” konsiderohet si fakt, kjo dëshmon se ka edhe disa të tjera: “Maqedonia Jugore”, ,,Maqedonia Lindore”, ,,Maqedonia Perëndimore”, madje dhe ,,Maqedonia Qendrore”, siç quhet një njësi administrative e ktij rajoni në Greqinë e sotme;
– nëse “Maqedonia e Vardarit” konsiderohet si fakt, kjo dëshmon se këtij shteti aktual i mungon gjysma e tij, përgjatë rrjedhës së Vardarit, tokat që përshkohen dhe lagen nga brigjet e këtij lumi, i cili buron në Malin Sharr dhe derdhet në Detin Egje, afër qytetit të Selanikut në Greqi;
– nëse “Republika e Maqedonisë-Shkupi” konsiderohet si fakt, kjo dëshmon se ka edhe një “Maqedoni-Selaniku”, dhe jo vetëm.
Akuzat e palës greke për kinse tendencën dhe shprehjen e ,,irredentizmit” nga fqinji i saj, Maqedonia e sotme, nuk kanë bazë reale, historike dhe shkencore, sepse ky irredentizëm mund vetëm të nënkuptohet, por jo si i njëanshëm, nga njëra palë. Ai buron nga disa anë, atë greke, serbe (Mbretëria SKS-RSFJ-Maqedonia e sotme) dhe gullgare; më saktë, vjen nga aq drejtime në sa pjesë është ndarë e coptuar rajoni gjeografik i njohur historikisht me emrin Maqedoni, në Konferencën e Bukureshtit, më 1913.
Për më tepër, hostorianët dhe studiuesit tjerë nuk duhet të harrojnë që faktet historike të shumëta dhe të pakontestueshme dëshmojnë se Maqedonia, dikur krahinë ilire (pajone dhe pjesërisht dardane), më tepër se gjysma e territorit të saj edhe sot banohet nga popullsia shumicë shqiptare, e cila është autoktone dhe ka të drejtën historike të vendosë për fatin e këtij shteti (krijimin e të cilit e diktuar rrethanat specifike) dhe emrin e tij, bashkë me popullin maqedonas sllav, popujt tjerë dhe grupet etnike që jetojnë në këtë shtet të përbashkët.
Emrat e rajoneve gjeografike, krahinave dhe shteteve, nuk krijohen dhe ruhen nga politika, fuqitë sunduese të përkohëshme, por nga banorët vendës që jetojnë në atë vend, me identitetin, historinë, traditën, gjuhën dhe kulturën e tyre.
Nëse dje kanë ndikuar raportet e forcave për shkeljen e të drejtës historike dhe autoktoninë e shqiptarëve në Maqedoni, kryesisht nën regjimin komunist, me këtë edhe iu mohua dhe shkel e drejta të jetë popull shtetformues në shtetin aktual të Maqedonisë, ndërsa edhe sot rrethanat diktojnë që të mohohen dhe shkilen këto të drejta mbi shqiptarët dhe maqedonasit sllavë në këtë shtet, logjika historike thotë se edhe nesër mund të lindin forca që do ta ndryshojnë këtë realitet, bashkë me të edhe emrin e shtetit të sotëm të Maqedonisë.