Ballina Aktualitet Lajme “OMBUDSMANI” MBUSH 20 VJET, MEMETI: “TË DREJTAT E NJERIUT SHKELEN ME DY...

“OMBUDSMANI” MBUSH 20 VJET, MEMETI: “TË DREJTAT E NJERIUT SHKELEN ME DY KËMBË” (VIDEO)

Po të mos ishte raporti i Avokatit të popullit për rastin e Sopotit, i cili priti në sirtarë për 10 vjet, nuk do ta merrte përsipër Prokuroria Speciale, tha Memeti, duke shtuar se në shumë raste gjyqësore që kanë të bëjnë me palë të etniteteve të ndryshme, drejtësia ka qenë selektive. Kreu i këtij institucioni tha se në rastet “Monstra”, “Almiri”, “Sopoti”, “Maturanti”, “Alfa” e të tjerë, prokuroria ka ngritur akuza të gabuara dhe gjykata nuk e ka ndarë drejtësinë si duhet.

“Kryesisht Prokuroria Speciale është bazuar në raportin e Avokatit të popullit, pra me të dhënat dhe provat që i ka grumbulluar Avokati popullit, që atë kohë e tërhoqi atë aktakuzë. Në anën tjetër, sa i përket rastit të Almirit, në bazë të asaj që ne ndoqëm, ka shumë shkelje të procedurës që në mënyrë joprofesionale është udhëhequr hetimi. Këto raste jo transparente, lënë dyshime se ka edhe anime nacionale që është më e keqja dhe në këtë mënyrë të udhëheqjes së procedurave humbet besimi”, tha Ixhet Memeti, avokat i Popullit.

Me ndryshimet ligjore, mandati i Ombudsmanit është fuqizuar. Përveç se të mbroj të drejtat e njeriut, thotë ai, ky institucioni tani mund të merr pjesë në procedurat gjyqësore për të ndihmuar trupin gjykues që të jetë sa më e drejtë gjatë marrjes së vendimeve, sidomos kur rastet gjyqësore janë shumë delikate.

“Në anën tjetër, ndryshimi i fundit është që ka të bëjë me kontrollin civil ndaj punës së policisë. Jo që nuk është ndjekur puna e policisë dhe nuk është denoncuar kur policët kanë thyer rëndë të drejtat e qytetarëve, por efekti i hetimeve në prokurori ka ngecur. Për këtë do të krijohet një trup i posaçëm në institucionin e Avokatit të popullit në sektor civil dhe në prokurori për ndjekjen e brutalitetit policorë apo ndëshkimin e brutalitetit policorë”, u shpreh Ixhet Memeti.

Institucioni i Avokatit të popullit në Maqedoni, këto ditë mbush 20 vjetorin e themelimit. Ixhet Memeti në krye të këtij institucioni u zgjodh në dhjetor të vitit 2004 dhe për mandatin e dytë u rizgjodh në vitin 2012. Për 14 vjet sa ka ushtruar këtë detyrë, ai thotë se ka arritur të shmang konfliktet religjioze, etnike dhe sociale, ka parandaluar diskriminimin dhe ka mbrojtur të drejtat e qytetarëve. Ombudsmanit, ky mandat i skadon pas dy vjetësh. Pasi që nuk ka të drejtë ligjore të rikandidojë për herë të tretë, Memeti zotohet se do të vazhdoj misionin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, në ndonjë institucion tjetër.

Përgatiti: Adnan Qaili