Bisedimeve maratonike për zgjerimin e koalicionit qeveritarë po u vjen fundi. Filluan 5 muaj më parë, ndërsa javën e ardhshme pritet që të konkretizohet ndarja e resorëve ministrorë mes pushtetarëve dhe partive opozitare që pritet të bëhen pjesë e qeverisë. Bisedimet po zhvillohen larg syve të opinionit dhe nuk dihet definitivisht se cilat parti opozitare do ti bashkëngjiten qeverisë aktuale. Por Alsat jozyrtarisht mëson se Besës së Afrim Gashit i është ndarë një ministri me resorë ndërsa Partisë Demokratike Shqiptare një ministri pa resorë, me të cilin paraprakisht udhëhiqte kryetari aktual i Strugës, Ramiz Merko. Nga ana tjetër Besa e Kasamit mësohet se do vazhdojë të luaj rolin e opozitës. Burimet gjithashtu bëjnë me dije se partia e Gashit do të merr ministrinë që i takon LSDM-së, por ende nuk dihet se cilën ministri do ta sakrifikojë Zaev, për tre deputetët e Gashit në Kuvend. Kryeministri Zaev bëri të ditur se bisedimet kanë arritur në fazën përfundimtare të ndarjes së përgjegjësisë në ekzekutiv, duke mos potencuar as këtë herë se kush do të jenë partnerët e tij të ri të koalicionit qeveritarë.
Rekonstruimi i qeverisë tani më është në fazën e shqyrtimeve të ofertave mes partitë politike me të cilat kemi biseduar. Fundjava do të shfrytëzohet nga të gjitha partitë politike me të cilat kemi biseduar por edhe ne LSDM së bashku me koalicionin do të mendojmë, që në rast se biem dakord, do të jemi të gatshëm me vendimin për qeverinë, në kuadër të ministrave dhe zv/ministrave, dhe të pastaj do të vazhdojnë që ta diskutojmë atë për drejtorë dhe zv drejtor sepse në proces këtë çështje e shohim si ndarje e përgjegjësisë. Kjo do të thotë kuadro adekuat dhe njerëz adekuat. Pritjet e qytetarëve janë të larta dhe ne duhet ti përmbushim ata pritje – tha Zoran Zaev – Kryeministër i Maqedonisë.
As nga partia e Afrim Gashit e as nga partia e Menduh Thaçit nuk pranuan që të ndajnë asnjë detaj me atë që u është ofruar nga Zaev gjatë bisedimeve. Megjithatë, Afrim Gashi në Parlament pas vete ka 3 nga gjithsej 5 deputet të Lëvizjes Besa, ndërsa Menduh Thaçi, dy deputet. Nga ana tjetër shumica parlamentare që nga konstituimi i parlamentit ka tërhequr vazhdimisht deputet nga opozita, përfshi edhe dy deputet të Partisë Socialiste të cilët mësohet se gjithashtu janë të gatshëm për të dezertuar nga koalicioni opozitarë i udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja.
Besian Leka