Shkencëtari më i moshuar në Australi, i cili shkaktoi një zhurmë të madhe në vendin e tij kur universiteti ku punonte vendosi ta largonte nga puna në moshën 102-vjeçare, ka hapur një debat tjetër me vendimin e tij për t’iu nënshtruar eutanazisë.
David Goodall, 104 vjeç, ka zgjedhur një klinikë në Zvicër për t’i dhënë fund jetës.
Ai nuk vuan nga ndonjë sëmundje, por për shkak të moshës që nuk i lejon më jetë cilësore, ka kontaktuar me një klinikë të vetëvrasjes së asistuar në Basel.
“Më vjen keq që kam arritur në këtë moshë. Nuk jam i lumtur, dua të vdes.
Nuk është trishtues vendimi im, trishtues do të ishte fakti nëse dikush më pengon”, thotë ekologjisti 104-vjeçar.
“Mendoj se një njeri i moshuar si unë duhet të ketë të drejta të plota qytetare, përfshirë edhe të drejtën për vetëvrasjen e asistuar”, shprehet Goodall.
Vetëvrasja e asistuar është e ligjshme në shumë vende të botës.
Në Australi ka qenë e ndaluar deri në momentin kur shteti i Viktorias u bë i pari që e legalizoi si praktikë vitin e kaluar.
Por sipas ligjit që hyn në fuqi në qershor të vitit 2019, ky ligj gjen zbatim vetëm në rastin e pacientëve me sëmundje terminale dhe me jetëgjatësi jo më shumë se 6 muaj.
Exit International është një organizatë që po ndihmon profesorin të udhëtojë drejt Zvicrës.
Përfaqësues të saj thonë se është e padrejtë që një prej njerëzve më të moshuar dhe më të shquar të Australisë të detyrohet të udhëtojë jashtë vendit për të pasur një vdekje dinjitoze.
Grupi ka lançuar një fushatë për mbledhje fondesh në “GoFundMe” për t’i mundësuar udhëtimin nga Australia në Zvicës profesorit dhe personit që e shoqëron.
Goodall është një studiues i nderuar që punon për llogari të Perth Edith Cowan University.
Ai u bë kryelajm në mediat botërore në vitin 2016, kur universiteti e deklaroi të papërshtatshëm për punë.
Pas një mbështetjeje të madhe të komunitetit shkencor nga e gjithë bota, universiteti e anuloi vendimin për ta larguar nga puna.
Goodall ka përgatitur dhjetëra studime dhe deri kohët e fundit ka qenë i angazhuar si redaktor në shumë botime shkencore.
Përgatiti: Gazmira Sokoli