Nga Ben Andoni
Nuk dihet sesi ka nisur këto ditë një fushatë për bamirësit në Shqipëri. Mbase nga emisioni televiziv, ku ishte i ftuar kryeministri i vendit Rama dhe një nga biznesmenët më të fuqishëm shqiptarë. Ashtu si ndodh rëndom në vendin tonë, ku nuk ka rregulla loje, ku nuk ka vijimësi modelesh dhe mungon tradita, problemet dhe debatet lindin aty-këtu dhe shuhen ashtu si nisen për t’i lënë radhë asaj që vjen më pas, që bën të njëjtën tollovi e shuhet. Një e tillë ndodhi me atë që po flitet sot për bamirësit dhe varfërinë.
Për arsyen që statistikat e shtetit shqiptar, megjithë përmirësimet dhe rregullimet e modaliteteve, çalojnë ende, po i drejtohemi treguesve të nivelit të varfërisë sipas Bankës Botërore (llogaritur deri në Tetor 2017): Gati 20 mijë e 300 persona (0.8 % e popullsisë) bëjnë një jetë në nivele të varfërisë ekstreme me vetëm 1.9 dollarë në ditë. Pothuaj 6.3% e popullsisë Shqiptare (181,225 persona) jeton me vetëm tre dollarë në ditë (vlerësim për vitin 2017). Ndërsa Banka Botërore përllogarit se 32.8% e popullsisë ose rreth 1 milion persona i plotësojnë nevojat e tyre të jetesës me rreth 5 dollarë në ditë.
A është normale kjo në këtë vazhdë debati që bëhet në vend?! Për kushtet e Shqipërisë mund të thuhet se është normale me drejtimin jashtëzakonisht të dobët të qeverive shqiptare të pas viteve ’90. Po a mund të lehtësohet kjo? Ka një rrugë që është përmes reformave dhe Shqipëria fjalën reformë e ka të vazhdueshme e të lodhshme në këto gati tre dekada. E dyta është një rrugë strukturale dhe e bën një qeverisje më e mirë, që ndjek logjikën dhe përmirëson atë të paraardhësve. Kjo, jo vetëm nuk ka ndodhur, por është në kushte katastrofale sepse Ekzekutivet tona ç’bëjnë politika ekonomike duke i mos dhënë vendit as edhe një model normal të qenësishëm ekonomik.
Në këtë vazhdë po dalin gjithnjë e më shumë bamirësit dhe përmes spektaklit televiziv, show-eve të ndryshme, debateve përcillet vuajtja përmes vuajtjes duke e përdorur në mënyrë skajore varfërinë e njerëzve.
Bamirësia megjithë vlerën e saj nuk e lehtëson asesi vuajtjen, përveçse e stimulon në një farë mënyrë. Por, vendit tonë i mungon realisht kultura e filantropisë. Këtu duhet të ndajmë me kujdes faktin se filantropia mund t’i shkojë disi bamirësisë, porse kjo e fundit s’mund të jetë dot asnjëherë filantropi.
Është e vërtetë që bamirësia e lehtëson problemin social, por është aq e pakët dhe aq e pamundur në një shoqëri me probleme si tonat, sa kuptohet se shpesh ajo përfundon në masë në procese show. Kjo është arsyeja që populli ka lënë një fjalë të madhe për ata që vërtet bënin bamirësi dhe nuk bënin show: Bëj një të mirë dhe harroje! Kurse filantropia shkon shumë më tepër dhe mu për këtë kemi nevojë si shoqëri por edhe si kulturë. Ajo zgjidh hapur problemet sociale përmes akteve të dhurimit dhe mundohet që me zgjuarsinë e dhurimit dhe kohën e dhënies të ndihmojë proceset e zbutjes së varfërisë dhe lehtësimin e problematikave të shumta.
Ishte kjo traditë që krijuan disa pronarë shqiptarë të para luftës, që do mbetej e shënjuar në thellë në mendjet e njerëzve. Të kujtojmë familjen Turtulli në Korçë dhe veprat publike që ka lënë por edhe funksionalizimin e tyre që të kuptosh impaktin që patën për Korçën por edhe për qytetërimin e këtij vendi, nga e cila ka përfituar e gjithë Shqipëria.
Me pak fjalë, për t’i lehtësuar nga zhurma bamirësit e sotëm, do të donim t’i kanalizonim drejt filantropive, bash nga ato që do të kishin përftime reale për shqiptarët dhe jo ato të dukësve, që janë bërë kaq të shumtë kësokohe.
…
Po mos harrojmë: ka një justifikim dhe për ta, Turtullit, i prishëm dhe varrin sepse… “nuk e meritonte“ atë nderim që i krijuan bashkëkohësit. E megjithatë na duhen filantropët.