Udhëtimi zyrtar për në Bruksel e ndërpreu seancën për rastin “Titanik 3”. I pandehuri nga radhët e BDI-së, Ejup Alimi, tha se e kishte patjetër të shkojë në këtë udhëtim zyrtar. Seanca e ardhshme është caktuar në gjysmën e dytë të muajit shtator, edhe kjo për shkak të detyrave zyrtare të Alimit. Pas një konfrontimi mbi afatet për seancat e ardhshme, gjykatësja Ljubinka Bashevska e paralajmëroi Alimin se së pari është i akuzuar dhe pastaj është deputet. Alimi iu përgjigj se së pari është deputeti dhe pastaj i akuzuar.
Nuk mundem në gjysmën e parë të shtatorit, e dini e kemi Zhan Monen. Duhet të punojmë për reforma dhe duhet ta reformojmë gjyqësorin… – deklaroi Ejup Alimi, i akuzuar në rastin “Titanik 3”.
Alimi refuzoi të jep deklaratë për mediat. Përveç tij, në rastin “Titanik 3” të Prokurorisë Speciale i akuzuar është Ismet Guri. Specialja i ndjek për atë se si anëtarë të Komisionit Komunal Zgjedhor në Çair në zgjedhjet lokale në vitin 2013 , kanë shkatërruar material zgjedhor. Prokurorja Fatime Fetai theksoi se me prova materiale dhe audio do të dëshmojë se të pandehurit kanë bënë korrigjime në proces verbalet e votimit, i kanë ndryshuar rezultatet dhe në mënyrë të paligjshme kanë vendosur vulë dhe nënshkrime. Në seancën e fundit dëshmoi edhe kryetarja e këshillit zgjedhor në vendvotimin 2,944 gjatë zgjedhjeve të vitit 2013.
Ishte e diel. Filluam në orën shtatë në mëngjes dhe përfunduam siç duhej në orën 19 pasdite. Pas orës 19:00 filluam të numëronim dhe në mesnatë arritëm në komunë, ishim të parafundit, materialet i dorëzuam në orën pesë të mëngjesit. Mendoj se procesverbalin e kemi dorëzuar pa ndonjë korrigjim, pa ndërhyrje – dëshmoi Irman Demiri , dëshmitare e Speciales në lëndën “Titanik 3”.
Në listën e Speciales janë edhe shtatë dëshmitarë. Seanca e ardhshme është caktuar për më 20 shtator./Alsat/