Nuk është e vërtetë se fotoreporterëve dhe kameramanëve u është ndaluar ta ndjekin takimin e liderëve. Të gjithë përfaqësuesve të mediave u është mundësuar qasje për fotografim dhe për të xhiruar, sallë pune dhe të gjitha kushtet e domosdoshme. Mbi 20 kameramanë dhe mbi 10 fotoreporterë janë brenda dhe janë duke punuar pa pengesa, shkroi në profilin e tij në Facebook këshilltari për marrëdhënie me opinionin në Qeveri, Marjan Zabërçanec.
Pasi disa fotoreporterëve sot nuk u është lejuar t’i fotografojnë liderët e partive politike se si hynë në Klubin e deputetëve, Zabërçanec në status thekson se “në hyrje, shërbimet e sigurisë vlerësuan se hapësira tek hyrja duhet të lirohet”.
Shton edhe se tre fotografë kanë refuzuar që të shkojnë në objektin ku kanë qenë përfaqësuesit e tjerë të mediave.
“Reaguan në mënyrë agresive me sulm se “kemi abuzuar”, të cilit unë iu përgjigja se bëhet fjalë për siguri, dhe jo për qëndrimin tim personal dhe se ne nuk i abuzojmë gazetarët siç ka ndodhur një gjë e tillë në 11 vitet e kaluara. Sapo u takova me fotografët me të cilët u krijua problemi, biseduam dhe u dakorduam se së bashku do të kërkojmë zgjidhje për lokacione më të mira terrenore për fotoreporterët në pajtim me standardet e sigurisë”, shkruan Zabërçanec në statusin e tij në Facebook.