Nga Mehmet Kraja
Pushteti absolut i injoranteve dhe i të korruptuarve, do të thoshte Sokrati, i vendosur përmes sistemit demokratik, është më i keq se çdo diktaturë.
Nuk kam asnjë llogari të pambyllur me këtë vend, as politike, as patriotike, as kulturore, as letrare. Nuk kam as nxitje intelektuale, nuk kam as llogari pragmatike për të folur në këtë kohë, sepse në kohë krizash të mëdha, siç është kjo e jona, kur të gjithë flasin dhe dërdëllisin hipokrizi dhe dëngla amorale, nuk është mençuri as heroizëm që edhe ti të këpusësh ndonjë nga ato gjepurat e mëdha ose të vogla. Më anë tjetër, tashmë të gjithë u mësuam më këtë realitet dëshpërues dhe e vetmja gjë që na ka mbetur, është që të shohim deri ku mban durimi dhe deri në çfarë mase mund ta përballojmë pafuqinë tonë. Tani për tani në Kosovë nuk ka një masë kritike, e cila do të përbente kufirin moral midis të mirës dhe të keqes, që do të ndante vlerat nga jovlerat.
Pavarësisht si dukemi së jashtmi, pavarësisht në jemi shkaktarë apo viktima të këtij realiteti, duhet ta pranojmë se edhe vetë plëngprishësit, shkatërrimtarët e këtij vendi, të gjithë kanë filluar tashmë të ndihen bashkëvuajtës, sepse për sjelljen tonë të papëlqyer (lexo: idiote, të papërgjegjshme, primitive) kemi filluar të paguajmë faturën. Mbi të gjitha, pavarësisht në e themi me zë ose jo, të gjithë kemi filluar të ndjejmë një dhembje që na sfilit, një dëshpërim që ka zënë të na lodhë. Të gjithë, pothuajse të gjithë, kemi filluar të vuajmë nga pafuqia për ta duruar fyerjen dhe poshtërimin, që ia bëjmë vetes ose na e bëjnë çdo ditë. Na fyejnë dhe na poshtërojnë politikanët, titullarë institucionesh ose liderë partiakë, deputetë ose këshilltarë, të rinj dhe të vjetër, burra dhe gra, të cilët në çdo paraqitje publike afishojnë paditurinë dhe imoralitetin e tyre. (Si është e mundur që Kosova të jetë kaq e padijshme, sa ta durojë në heshtje këtë injorancë, këtë rrugaçëri, këtë mediokritet të përbindshëm?! Si është e mundur që Kosova të mos ketë pasur më shumë se kaq dije, kulturë, moral, dinjitet, vlera njerëzore?!) Na fyejnë dhe na poshtërojnë çdo ditë kolegët e mi, gazetarë, shkrimtarë, artistë, profesorë, akademikë, filozofë, sociologë, historianë, juristë, të cilët do t’i falte edhe vetë providenca qiellore pse nuk dinë më shumë, por nuk e di pse i falin fëmijët e tyre, teksa e venë në funksion të gënjeshtrës publike dhe të korrupsionit intelektual edhe atë pak dije që kanë. Na fyejnë dhe na poshtërojnë studentët dhe krejt të rinjtë e këtij vendi, të cilët e kanë humbur sensin e kundërshtimit dhe të protestës, tek dëgjojnë me indiferencë (të mërzitur ose jo, po kush i pyet?), ndërsa i mashtrojnë, i gënjejnë të gjithë me radhë, baballarët dhe nënat e tyre, njerëzit e fesë dhe të pushtetit, të shkollës dhe të mejtepit, të gjithë pa përjashtim ua nëpërkëmbin të gjitha shpresat dhe idealet.
Vetëm se krejt kjo duket patetike dhe nuk besoj se vlen aq shumë.
Por nuk është patetike, është tmerrësisht cinike, që në Kosovën e dëshiruar për më shumë vlera, tashmë po kthehen zërat e errësirës: kërcënimi i çdoditshëm për të humbur atë që është fituar; sekush legalisht, sekush ilegalisht punon që Kosova të humb territor dhe të integrohet me Serbinë; dikush tjetër ka përvetësuar të drejtën historike të pajtimit; një tjetër ka uzurpuar të drejtën e ndarjes së territorit; Shqipëria politike e ndihmon Serbisë për pacifizimin dhe ndarjen e Kosovës; sekush e pohon publikisht se është i përfshirë në krimin e organizuar serb; sekush tjetër e ndërton krejt prestigjin ekonomik dhe shoqëror duke bërë tregti dhe kontrabandë me Serbinë; nostalgjia për ish-Jugosllavinë (edhe për Serbinë) është bërë trend politik dhe kulturor; autonomistët dhe ish-luajalët e jugosllavizmës janë bërë heronj; ish-spiunët e UDB-së ose trashëgimtarët e tyre bëhen këshilltarë të burrave të rëndësishëm të shtetit; ideologjitë po rifuqizohen; marksist-leninistët dhe enveristët e djeshëm kanë bërë “bashkim ideologjik” më ish-komunistët jugosllavë; rikonfigurohen koalicione fetare, politike dhe ideologjike më të pamundshme që janë parë ndonjëherë; mëkatarët dhe blasfemuesit me pedigre, mashtruesit, zhvatësit dhe masa e madhe e njerëzve me deficit moral kanë gjetur strehën më të rehatshme te feja dhe patriotizmi, ndërkaq institucionet e shtetit janë azili më i madh i vagabondëve dhe pushtave të këtij vendi.
Pushteti absolut i injoranteve dhe i të korruptuarve, do të thoshte Sokrati, i vendosur përmes sistemit demoktatik është më i keq se çdo diktaturë.
Por as adhurimi i diktaturave nuk na mungon: erdoganizmi fetar dhe politik ka marrë përmasat e një epidemie.
Po kultura? Unë bëj pjesë aty dhe më duhet ta pranoj se mungesa e vlerave, korrupsioni kulturor, shthurja institucionale kanë marrë përmasa të çmendurisë kolektive. Për më tepër, derisa politika merret me “punët e mëdha të kombit”, në arsim dhe në kulturë është duke ndodhur një masakër e vërtetë. Si brez ne mbajmë përgjegjësi, pse nuk arritëm të ngrehim dhe të fuqizojmë një gjeneratë iluministësh, krijuesish dhe animatorësh të kulturës, që do të dinin t’i identifikonin vlerat dhe do t’ia dinin kuptimin artit të lirë dhe lirisë në art. Sepse, tashmë dhe tashmë, pikërisht në këtë fushë liria ka marrë kuptimin e zhvlerësimit, të së drejtës për të shkelur dinjitetin e vet dhe të kombit të vet, për ta nëpërkëmbur atë dhe për t’u mburrur me përdhosjen që i bëhet. Liria e Kosovës tani ka marrë kuptimin e së drejtës për të fyer dhe për të zbrazur pëgërat (lexo: flligështirën) mbi çdo shenjtëri. Ose, për të ngarendur deri në Beograd, me një vepër letrare, me një performansë teatrore ose figurative, që nuk t’i bluan mideja dhe ta çojnë barkun po u bëre konsumator i pavëmendshëm i tyre. Nuk është problem i madh pse disa OJQ tonat i gjejnë me aq lehtësi paratë për promovime të këtilla pa dinjitet; as nuk çon peshë fakti pse para opinionit kulturor të Beogradit na prezantojnë me jovlera, sepse në qarqet e atjeshme kulturore as që çan bythën kush për “mirëdita, dobar dan”; vetëm se, pikërisht vetëm se, është e shëmtuar dhe neveritëse që këta djem dhe vajza (dikur i quaja të UNMIK-ut, por tani nuk e di kush më se të kujt dreqin janë!), për të marrë legjitimitet patriotik dhe për t’u bërë objekt e medies në Kosovë dhe në Serbi, i luten Zotit që ndonjë polic serb të bëjnë ndonjë proçkë në kufi dhe nja dhjetë protestues të gjenden në ndonjë rrugë të Beogradit, në mënyrë që “dishepujt kulturorë të Europës”, që i ndihmojnë Serbisë për integrim, kur të kthehen në Prishtinë, të fitojnë atributet e heronjve të kombit.
Por nuk është vetëm kjo. Një performansë e para do ditëve në sallën e Kuvendit të Kosovës më bëri të çmeritëm. Seç kishin hyrë në atë sallë ca delikuentë të artit dhe e përdhosën atë në mënyrën më barbare, të cilët me lejen ose me ndihmën e vetë kryetarit, apo të ca skuthave përreth tij, vunë maskat në fytyrat e tyre dhe i kënduan rekuiemin institucionit më domethënës të shtetit të Kosovës. Askush nuk u brengos, askush nuk tha gjë, se ai Kuvend, përveç që është përdorur dhe keqpërdorur së fundi për shumë paudhësi, ai e ka edhe historinë e tij, nga më domethënëset për Kosovën dhe lirinë e saj. Të gjithë u duken të lumtur për këtë sadomazohizëm politik dhe kulturor të paparë, një pjesë e komunitetit artistik, mediet, të gjithë, pa çka se është pikërisht ky komunitet artistik dhe kulturor që e di mirë, se këta biçim artistësh, të cilët, pasi iu ka skaduar afati, pasi kanë humbur terren dhe substancë, edhe kreativitet natyrisht, iu kanë vërsulur tani atyre dy metelikëve të buxhetit të varfër të kulturës në Kosovë, duke ua marrë bukën e gojës atyre që artin nuk e mendojnë, nuk e ëndërrojnë dhe as e perceptojnë si bagël e qelbur e lopës, as si bythë plastike në Galerinë e Arteve të Kosovës. Po kujt i thua! Unë nuk e di pse këta artistë kontemporanë nuk i realizojnë këto ide atje ku kanë zgjedhur ta bëjnë jetën e tyre. Pse këta artistë kontemporanë, ta zëmë, nuk i vënë Statujës së Lirisë në Nju-Jork, rreth kokës dhe rreth qafës, një çallmë nja njëqind metër të gjatë të Bin Ladenit? Ose, pse nuk e improvizojnë një mur betoni nja 20 metër të gjatë, me tel me gjemba sipër, në sallën e madhe të Kongresit Amerikan, mbi atë qilimin e kaltër, aty pranë foltores, duke i vendosur rrëzë atij muri 10-15 fëmijë meksikanë të leckosur, tek hanë përshesh me lugë druri nga ca govata plastike? Përse, pra, para Muzeut të Holokaustit, po në Nju-Jork, këta artistët tanë kontemporanë nuk vendosin një statujë të Adolf Hitlerit të veshur si rabin hebre? Këto janë ide që tronditin botën, dhe jo ca bagla lopësh në Galerinë e Arteve të Kosovës. Të gjithë e dinë se idetë e këtilla, të shkalluara e të lajthitura gjithsesi, kanë një problem të madh: nuk gjejnë dot një vend të çmendur për t’i realizuar ato.
Zhgjyri kulturor dhe politik na doli në sipërfaqe edhe me shtatoren ose bustin e Anton Çettës (po e shkruaj me dy “t” për respekt, jo pse ka ndonjë kuptim). Tani më vjen për të qeshur nga shqetësimi që ndihet në ajër për një gjest jokulturor, poshtërues për memorien historike të këtij vendi, i cili vjen nga një institucion simbol, siç është Instituti Albanologjik, por që shumë vjet e këndej i pushtuar nga ca shkencëtar minorë dhe makiavelistë. Çudi për t’u çuditur nuk është pse Instituti Albanologjik në oborrin e tij nuk i bën vend Anton Çettës (mbështetës i LDK-së), sepse atë hapësirë ia ka rezervuar Rexhep Qosjes (mbështetës i PDK-së), por të habit fakti pse njerëzit nuk e paskan kuptuar tanimë se Instituti Albanologjik, edhe Instituti i Historisë, me punën që bëjnë që nja njëzet vjet e këndej nuk nderojnë më askënd, as Ali Hadrin pak më lart, as Anton Çettën apo Rexhep Qosjen pak më poshtë. Çudi për t’u çuditur është pse njerëzit nuk e paskan kuptuar se nuk është i politizuar vetëm Instituti Albanologjik, por e politizuar është edhe Biblioteka Kombëtare (po Biblioteka Universitare ku mbeti?), i politizuar është edhe Universiteti, madje edhe fijet e barit në hapësirën gjelbëruar përreth tij. Të politizuara janë të gjithë institucionet e kulturës, të tilla kanë qenë dhe, mbase, do të jenë edhe për një kohë të gjatë, si Tetari Kombëtar (derisa të mos vendosin ta rrënojnë një ditë, si në Tiranë), si Galeria, si Qendra Kinemtografike, si Muzeu etj., të gjitha, pa asnjë përjashtim. Këto institucione për afro njëzet vjet me radhë janë sunduar nga partitë politike, kryesisht nga PDK-ja, ndonjëherë edhe nga LDK-ja, qoftë përmes bordeve, qoftë përmes drejtorëve të ligjshëm ose të paligjshëm, përmes konvertimit dhe shitblerjes të lojalitetit, përmes financimit, përmes projekteve, përmes punësimit etj. Po cili është ndryshimi, çfarë e bëri sundimin e LDK-së më të mirë se sundimin e PDK-së? Asgjë, përveç se të dy palët kanë përfituar në mënyrë të jashtëligjshme, u kanë bërë gjëmën institucioneve, kanë ushqyer pasione të pandershme dhe, në shumë raste janë bërë bashkë për të luftuar kundër ndonjë kauze të drejtë, kundër vlerave dhe kundër atyre që i krijojnë ato. (Ndërkohë, unë që jetoj në lagjen “Ulpiana” të Prishtinës, mund t’ju bëj me dije se kam në afërsi një rrugë qorre që mban emrin e Anton Pashkut dhe një rrugicë të shëmtuar që mban emrin e Ali Podrimjes. Esad Mekulin dhe Azem Shkrelin nuk i gjej dot askund.)
Në fund, në ndihmë të atyre që e kanë mendjen e turbullt dhe ende janë të përhantë, mund të shpreh një mendim: Vetëm diktatorëve iu caktohet vendi i përmendoreve para se të vdesin; me shkrimtarë nuk ka ndodhur kurrë një gjë e tillë.(Express)