Nuk ka asgjë të dyshimtë në tenderin për blerje të reagensëve kimike. Procesi ishte transparent dhe i hapur për publikun, pohon ministri për shëndetësi Venko Filipçe, pasi që disa mediume shpërndanë informacione se kompania AHR LAB, e formuar para katër muajsh ka qenë kompania e vetme e cila është paraqitur në këtë tender. Ai thotë se nuk ka nevojë që të bëhet panik, pasi që marrëveshja ende nuk është nënshkruar, megjithatë pranon se nuk e ka njohur firmën.
“Deri në momentin e fundit ka arritur vetëm një ofertë. Për momentin procedura është në fazë të evoluimit dhe ende nuk ka arritur në ankandin elektronik. Për arsye se bëhet fjalë për furnizim tre vjeçar për blerje të testeve dhe reagensëve për biokimi, analiza imunologjike, hematologjike dhe të gazit, vlera për të njëjtën është e lartë, por kursimi i buxhetit të qytetarëve është i madh. Nëse nuk arrijmë të kursejmë tenderi do të anulohet”, tha Venko Filipçe – ministër i shendetësisë.
Derisa Filipçe pohon se me këtë tender do të kursehen të holla, nga VMRO-DPMNE nuk pajtohen me këtë gjë. Ata i bënë thirrje Prokurorisë Publike që të hapur procedurë hetuese, për siç thonë, skandalin më të madh në shëndetësinë e Republikës së Maqedonisë.
Ideja e Zaevit dhe Filipçes do të kushtojë mjete shtesë për transport të materialeve biologjike. Do ti rrisë çmimet e kryerjes së reagensëve biokimike për 2 deri 3 herë. Prej 368 milion denarëve kjo shumë do të shndërrohet në 803 milion denarë. Reagensët imunologjike nga shuma e mëparshme 692 milionë denarëve tani do të jetë 940 milionë denarë, ndërsa reagensët hematologjik për madje 4 herë më shumë, nga 50 milion denarë, në 208 milion denarë tani.
Edhe nga Aleanca për Shqiptarët mendojnë se bëhet fjalë për tender të dyshimtë.
“Ky tender skandaloz që rrjedh nga projekti për centralizimin e laboratorëve biokimikë në nivel qendror është shumë i dyshimtë pasi që kompania fituese do ketë monopol mbi gjithë biznesin me aparate dhe reagensë biokimike në periudhë prej tre vjet. Që gjithçka të jetë edhe më e dyshimtë dhe skandaloze është fakti se tenderi në fjalë është ashtu i përpiluar që fituese të jetë një kompani e dyshimtë e cila ekziston jo më shumë se katër muaj dhe udhëhiqet nga njerëz në moshë të re dhe pa përvojë në këtë lëmi”, thanë nga Alenaca Për Shqiptarët.
Deri në fund të javës do të dihet nëse Ministri i shëndetësisë do ta anulojë tenderin për blerje të reagensëve kimike. Deri tani ankesa kanë paraqitur katër kompani të cilat nuk kanë mundur të konkurrojnë në këtë tender për shkak të procedurës, duke pretenduar se është bërë kurdisje që këtë tender ta marrë vetëm një kompani. Nga kompania AHR LAB lajmëruan se gjatë ditës së nesërme do të dalim me qëndrim në lidhje me këtë rast.