Kryeministri Zoran Zaev në një intervistë për “BuzzFeed News” ka deklaruar se ka informata për biznesmenë pro rus të cilët tentojnë që ta pengojnë anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, duke krijuar protesta të dhunshme.
“Shtetas të huaj, të afërt me Rusinë kanë paguar mijëra dollarë që të shkaktojnë dhunë me qëllim që ta pengojnë integrimin e Maqedonisë në NATO”, deklaroi Zaev.
“Një pjesë e tyre janë të lidhur me media, një pjesë i nxisin të rinjtë që të protestojnë përpara Kuvendit dhe t’i sulmojnë policinë. Ajo shihet qartë”, shtoi Zaev.Zaev refuzoi që të tregojë se kush qëndron prapa pagesave, duke theksuar se ka një hetim për të njëjtën dhe se bëhet fjalë për marrëdhënie të ndjeshme diplomatike. Ai ka theksuar se policia ka mësuar për pagesat pas arrestimit të disa pjesëmarrësve në protestat e dhunshme përpara Kuvendit në muajin e kaluar.