Тë jesh ushtar i një vendi anëtare e Aleancës do të thotë të punohet në kushte shumë më të mira, sipas standardeve të aleatëve të NATO-s. Si ushtarë, duhet të jeni krenarë që do të jeni gjenerata e parë që do t’i shërbejë vendit të vet si shtet anëtar i NATO-s, tha sot Kryeministri Zoran Zaev në solemnitetin me rastin e pranimit të 125 ushtarëve profesionistë në ARM.
“Anëtarësimi ynë në Aleancë për ju do të hapë mundësi më të mëdha. Armata e Maqedonisë vitet e fundit krah për krah me ushtritë anëtare të NATO-s merr pjesë në misionet paqësore dhe po merr nota më të larta. Me pjesëmarrjen në këto misione u rritën edhe kapacitetet e ARM-së. Ministria e Mbrojtjes dhe Qeveria e RM bashkërisht punuan intensivisht që ta kthejnë dinjitetin e profesionit tuaj, ndërsa vitin e kaluar u ballafaquam me gjendje dekurajuese pas ngecjes në reforma. Por e pranuam sfidën dhe vetëm për një vit vendi ynë e arriti atë që askush nuk ka mundur ta parashikojë. Qasja jonë drejt zgjidhjeve këto ditë na solli lajme të mira dhe vendime pozitive. Njëra prej tyre është ftesa e paralajmëruar të jemi anëtarja e 30-të e Aleancës”, theksoi Zaev duke potencuar para ushtarëve se Maqedonia do të ulet në tryezën e njëjtë me fuqitë e mëdha botërore.
Kryeministri informoi se Qeveria ka filluar me rritjen e Buxhetit të mbrojtjes dhe se siguron mjete të mjaftueshme që do t’i përmbushin të gjitha nevojat e një armate bashkëkohore, ndërsa paralajmëroi edhe reforma të cilat, siç tha, do të ndjehen shumë shpejt.
Ftesën për në NATO të cilën do ta marrin javën e ardhshme, sipas ministres së Mbrojtjes Radimilla Shkekrinska, do të thotë fillim i një ere të stabilitetit dhe sigurisë për vendin tonë.
“Ju jeni grupi i parë prej gjithsej 375 ushtarëve të rinj profesional të cilët këtë vit duhet ta përforcojnë përbërjen e ARM-së. Dua të them se ju e filloni karrierën tuaj në kohën e vërtetë. Është kohë për sfida, modernizim dhe profesionalizim të armatës. Koha në të cilën Maqedonia do ta avancojë mbrojtjen dhe do t’i arrijë standardet e Aleancës”, tha Shekrinska dhe shtoi se anëtarësimi në NATO garanton ardhmëri të sigurt për qytetarët e vendit tonë.
Lidhur me disa nga përftimet nga anëtarësimi në Aleancë, Shekerinska e dha shembullin me Bullgarinë e cila për pesë vjet anëtarësim prej shtatë për qind BPV, investimet e drejtpërdrejta të huaja janë rritur për pothuajse 20 për qind nga BPV. Sipas ministres, ky është një prej shumë shembujve që e tregojnë lidhjen mes sigurisë dhe ekonomisë.