Partia maqedonase në pushtet LSDM, sot përmes një kumtese thotë se arritja e marrëveshjes përfundimtare me Greqinë është akt patriotik me të cilin mbyllet çështja 25-vjeçare, sigurohet ardhmëria e Maqedonisë si anëtare e plotë e BE-së dhe NATO-s dhe përforcohet identiteti i Maqedonisë.
Nga kjo parti shtojnë se me marrëveshjen largohet pengesa e fundit për procesin euroatlantik.
“Pas viteve të izolimit, Maqedonia përsëri është në rrugën drejt BE-së dhe NATO-s. Data për fillimin e bisedimeve me BE-në është definuar, ndërsa është siguruar edhe ftesë për hyrje në NATO. Në referendumin më 30 shtator, qytetarët e kanë fjalën e fundit për ardhmërinë e Maqedonisë në BE dhe në NATO. Qytetarët janë bartës të sovranitetit, ata zgjedhin në zgjedhje dhe në referendum, ndërsa vullneti i tyre është i pakthyeshëm dhe i detyrueshëm për të gjithë”, thuhet në kumtesë.
Ata më tej thonë se qytetarët e njohin rëndësinë historike të referendumit, e dinë se marrëveshja për çështjen e emrit me Greqinë është historikisht më e mira dhe mundësi e drejtë që njëherë e përgjithmonë të sigurohet ardhmëria e Maqedonisë, njëherë e për gjithmonë të sigurohet dhe të garantohet identiteti maqedonas./Telegrafi/