Ballina Aktualitet Kultura MANIFESTIMI KULTUROR DHE HAPJA E MUZEUT ETNOGRAFIK NË RAJONIN E PRILEPIT (FOTO)

MANIFESTIMI KULTUROR DHE HAPJA E MUZEUT ETNOGRAFIK NË RAJONIN E PRILEPIT (FOTO)

Të premten më 19 tetor 2018, në fshatin Cërnilishtë, rajoni i Prilepit, për herë të parë u mbajt manifestimi “ Valet e reja kulturore”. Manifestimin e hapi përfaqësuesi i Ministrisë së Kulturës z. Afet Jashari i cili theksoi se Ministria e Kulturës do të përkrah çdo projekt që do të afirmoj dhe gjallëroj kulturën dhe trashëgiminë shqiptare nëpër vendbanimet dhe komunat shqiptare, siç është ky sot.

Tubimin e përshëndetën edhe profesorë eminent universitar, si: prof.dr. Zeqir Kadriu, i cili vlerësoi lartë këtë nismë si një vlerë të rëndësishme për këtë rajon dhe në përgjithësi. Fjalë përshëndetëse dërguan edhe prof.dr. Gëzim Xhaferi dhe prof.dr. Ismet Osmani. Tubimit iu drejtua edhe mësuesi veteran nga ky fshat Rexhep Ibrahimi.

Në pjesën e parë të këtij manifestimi kulturor ku merrnin pjesë shumë intelektualë, qytetarë dhe mysafir nga rajoni dhe jashtë tij, prof.dr. Zeqirja Neziri foli për rëndësinë e folklorit dhe trashëgiminë materiale dhe shpirtërore, si thesar për ruajtjen e identitet, kulturës dhe gjuhës së një populli. Prof.dr. Vebi Bexheti foli për dy numrat më të rinj të revistës “Zëri i Pelagonisë”, duke theksuar se kjo revistë tani më është bërë zëdhënëse e kësaj ane dhe paraqitet si një pikë referimi nga shumë autorë shqiptarë.

Në vazhdim u lexua recensioni i mr. Kosovare Krasniqi për veprën “Prozë gojore shqiptare nga trevat e Prilepit dhe Krushevës” të autorit Mustafa Ibrahimi, si dhe përshëndetja e prof.dr. Begzad Baliut, të cilët nuk kishin mundësi të jenë të pranishëm.
Në fund të manifestimit Z. Afet Jashari i cili kishte ardhur me një delegacion katëranëtarësh nga Ministria e Kulturës në mënyrë solemne hapi Muzeun e parë Etnografik në rajonin e Pelagonisë. Të gjithë të pranishmit u njoftuan me eksponatet etnografike të mbledhura deri më tani. Në fund Shoqata Alb-Kult kishte organizuar një drekë me ushqime tradicionale, siç janë Petlla Xhelini, Thartur, Groshallnik dhe Kapama, me çka mysafirët kishin mundësi të njihen me ushqimet origjinale dhe tradicionale të kësaj anë. Manifestimin e plotësuan edhe nxënësit e Sh.F. Ismail Qemali nga fshati Cërnilishtë me recitimet dhe këngët përgatitur për këtë rast.