Nga Ersuida Shehaj
Gazetarja e publicistja e njohur Monika Shoshori Stafa, Doktore e Shkencave Historike dhe autore e disa librave, e cila pas një shkëputje dy vjeçare në një përvojë të re si Kryetare e Këshillit të Ankesave pranë Autoritetit të Mediave Audiovizive, (AMA) para pak javësh iu rikthye ekranit në televizionin Top Channel ku kishte punuar prej 15 vitesh, por jo vetëm si spikere e edicioneve të lajmeve ku ajo është konsideruar si një nga ikonat televizive, por edhe në realizimin e dokumentarëve.
Gjë të cilën gjithashtu ajo e ka ushtruar në atë televizion prej vitesh në emisionin Exclusive dhe së fundmi me ciklin e dokumentarëve “Përballje me të kaluarën”, në Radio-Televizionin Publik Shqiptar, me bashkëautor gazetarin e njohur, Dashnor Kaloçi. Poema e shkrimtarit tonë të njohur Ismail Kadare, me titull “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”, apo siç është njohur ndryshe; “Pashallarët e kuq”, e cila në vitin 1975 do të shkaktonte një zhurmë të madhe dhe një furtunë të vërtetë, jo vetëm në gazetën “Drita” e Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, por deri në Komitetin Qëndror të PPSH-së, ku autorit iu bë një gjyq i tmerrshëm si në periudhën e inkuzicionit, pasi me atë problem do të merrej vetë dikatori komunist, Enver Hoxha, e ka grishur gazetaren në fjalë për ta paraqitur atë ngjarje të shumëpërfoluar në një format dokumentari.
Duke iu rikthyer edhe njëherë debatit të pakryer i cili ka vazhduar edhe pas viteve ’90-të, por tashmë në shtypin e shkruar dhe mediat vizive, që kur ish-drejtori i përgjithshëem i Arkivave të Shtetit, Prof. Dr. Shaban Sinani në vitin 2003 zbuloi dhe bëri publike poemën e famshëme që deri asokohe konsiderohej e humbur, (fillimisht në shtypin e shkruar dhe më pas te libri i tij, “Dosja K”), gjë e cila shkaktoi diskutime dhe polemika të mëdha, ku si çështje kryesore shtrohej: ajo poemë, a i thurrte himne dhe ditrambe regjimit komunist, apo e godiste atë, ashtu me metodat e rafinuara që jo rrallë përdorte autori i saj në veprat e tij?! Ai debat që vazhdoi gjatë me diskutime e polemika të shumta në mes “dy palëve kundërshtare” pasi në “lojë” hynë edhe aktorë të tjerë të njohur, si Sadik Bejko e Maks Velo, të cilat botuan edhe nga një libër kushtuar kryesisht poemës në fjalë, gjërat u dukën se u daravitën dhe ajo çështje u mbyll.
Por “çështja ‘Pashallarët e kuq”, u rindez, madje më e ashpër se kurrë, në vitin 2016, kur gazetari i njohur dhe studjuesi i arkivave, Dashnor Kaloçi, botoi librin “Kadare në dokumenatat e Pallatit të Endrrave”, duke përfshirë aty mes 101 dokumentave arkivore, edhe ditarin sekret të diktatorit komunist Enver Hoxha, ku ai kishte mbajtur shënim pikërisht gjithçka kishte ndodhur me poemën “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”, ku mes të tjerave ai e etiketonte atë si “vepër reaksionare” dhe autorin e saj, si “poet korbash dhe armik”.
Ndezja e këtij debati futi “në lojë” emra nga më të njohurit e gazetarisë, publicistikës dhe medias shqiptare në përgjithësi, si: Spartak Ngjela, Henri Çili, Fatos Lubonja, Mero Baze, Mustafa Nano, Bedri Islami, Pëllumb Kulla, Andi Buashati, Monika Stafa, Agron Fico, Nevila Nika, Gjet Ndoj, Sadik Bejko, Alda Bardhyli etj, etj, si dhe disa gazetarë dhe moderator të njohur televizionesh si Eni Vasili dhe Ferdinand Dervishi që zhvilluan emisione dhe dokumentar historikë lidhur me atë debat të pazakontë që hapi libri i Kaloçit, “Kadare në dokumentet e Pallatit të Endrrave”.
Ndërsa pas zbulimit të ditarit ditari ku për herë të parë bëheshin publike jo vetëm akzuat e ashpra dhe fjalori banal që kishte përdorur Enver Hoxha ndaj atorit të poemës, por dhe kritikat që ai kishte adresuar ndaj Ramiz Alisë, njeriut që vinte pas tij në kupolën e lartë partiake dhe që mbulonte në rrugë partie artin, kulturën dhe propagandën e partisë shtet.
Të gjitha këto i ka trajtuar gazetarja e njohur, Monika Stafa, duke i sjellë në dokumentarin në fjalë nëpërmjet intervistave të gjata që ajo ka realizuar me shkrimtarin e njohur, Ismail Kadare dhe bashkëshorten e tij, Helenën, të cilët dëshmojnë për herë të parë me detaje atë ngjarje të largët që do t’u sillte shumë peripeci dhe andralla jo vetëm atyre si familje, por edhe mjaft kolegëve të tyre si në gazetën “Drita” e gjithashtu Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, ku pas mbledhjeve me analiza të gjata, disa syresh u dënuan dhe patën mjaft pasoja. Po kështu përveç dëshmive të Kadareve, autorja Stafa e vijon rindërtimine ngjarjes me personazhe të tjerë, aktorë kryesorë dhe kolegë të shkrimtarit Ismail Kadare, si Duro Mustafaj, ish-kryeredaktori i gazetës
“Drita” që hoqi poemën nga gazeta në momentet e fundit, redaktori dhe kritiku letrar, Bashkim Kuçuku, shkrimtari dhe poeti, Sadik Bejko, arkitekti e piktori disident, Maks Velo etj. Dhe deri tek gazetari i njohur Dashnor Kaloçi, autori i dy tre librave voluminoz për Kadarenë, të cilët me dëshmitë e tyre tentojnë të hedhin dritë e të plotësojnë sadopak kornizën e poemës “Pashallërt e kuq” dhe gjithçka tjetër ndodhi asokohe me shkrimtarin e njohur e kolegët e tij. Dokumentarin në fjalë, të cilin autorja Stafa e ka paisur e ilustruar edhe me dokumente arkivore, e ka titulluar “Demonët e kuq të Kadaresë” ku pjesa e parë e tij do të trasmetohet të dielën, datë 21 tetor, ora 20 e 12 në emisionin Exclusive në televizionin Top Channel.