Ballina Aktualitet Opinione SHQIPTARËT DHE NDIKIMET E HUAJA

SHQIPTARËT DHE NDIKIMET E HUAJA

Xhelal Zejneli

Para disa ditëve shtypi grek bëri publike një letër me emra të personave dhe të mediumeve që ishin financuar nga njëfarë buxheti të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë.

Financime të tilla, nga shërbime të huaja, janë bërë në shumë rajone të botës. Financime të tilla bëhen edhe sot dhe do të bëhen edhe në të ardhmen.

Në të ashtuquajturin Ballkan Perëndimor me punë të tilla merren shërbime të vendeve të ndryshme, si për shembull: të Rusisë, të Turqisë, të Greqisë, të Serbisë, të Iranit, të vendeve të caktuara arabe, të vendeve të Perëndimit.

Shërbimi sekret i një vendi të caktuar vepron në shtetin apo në rajonin në të cilin ka interes të caktuar politik, ekonomik, ushtarak. Shërbimi sekret i një vendi vepron në një shtet tjetër apo në një rajon të caktuar për interesa të vet strategjikë dhe gjeopolitikë. Shteti i caktuar vepron me shërbimet e veta në një shtet tjetër apo në një rajon tjetër, me arsyetimin e lidhjeve fetare apo të lidhjeve historike.

Qëllimi i shtetit që vepron me shërbimet e veta në shtetin tjetër apo në një rajon të caktuar është shtrirja e ndikimit të vet. Shteti që vepron me shërbimet e veta në shtetin tjetër apo në rajonin e caktuar ka për qëllim të shtrijë dhe të zgjerojë sferën e vet të ndikimit dhe zonën e vet të interesit. Qëllimi i fundit i shtetit që vepron me shërbimet e veta është që shtetin ku vepron ta përfshijë në sferën e vet të ndikimit dhe në zonën e vet të interesit.

Ka raste kur shtetet veprojnë me shërbimet e veta, me qëllim që të parandalojnë veprimin dhe ndikimin e një shteti tjetër, i cili po ashtu vepron me shërbimet e veta.

Shteti që vepron me shërbimet e veta në shtetin tjetër apo në rajonin e caktuar, së pari e ka të përkufizuar, d.m.th. të definuar interesin e vet strategjik ndaj shtetit apo rajonit ku vepron. Një angazhim të tillë nuk mund të ndërmarrë çdo shtet. Për një angazhim të tillë, shteti që vepron me shërbimet e veta duhet të posedojë potencial dhe kapacitet ekonomik, politik dhe ushtarak. Një shtet me ekonomi të dobët, në shtetin apo në vendin tjetër, nuk mund të veprojë në mënyrë efektive, madje as atëherë kur ka arsye të njëmendët veprimi dhe ndikimi.

Shteti ekonomikisht i fortë, vepron në radhë të parë me investime ekonomike. Investimet ekonomike në shtetin tjetër apo në rajonin e caktuar, janë mënyra më e lehtë për ta gllabëruar atë apo edhe tërë rajonin.

Rajoni i Evropës Juglindore konsiderohet zonë e natyrshme e interesit perëndimor dhe sferë e natyrshme e ndikimit perëndimor. Përveç kësaj, duhet thënë se popujt e vendeve të rajonit të Ballkanit, ka kohë që janë përcaktuar për proceset e integrimeve transatlantike.

Mirëpo, interesim për rajonin tregojnë edhe dy fuqi të mëdha, siç janë Rusia dhe Kina. Penetrimin e vet në Ballkan, Moska e arsyeton me lidhjet historike që i paska me popujt sllavë dhe ortodoksë të rajonit. Turqia ndërkaq, mëton të depërtojë nëpërmjet asaj që është quajtur neo-otomanizëm. Me ideologjinë neo-otomaniste, Turqia synon të shtrijë ndikimi e vet sidomos në rajonet e gadishullit ku ka popullsi të fesë islame, si: Bosnja dhe Hercegovina, Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Sanxhaku, që ndodhet në Serbi. Mirëpo, nuk duhet harruar se në Bosnjë dhe Hercegovinë, përpos një popullsie të fesë islame, jetojnë edhe serbë të fesë ortodokse dhe kroatë të fesë katolike. Po kështu, edhe shqiptarët ku synon të shtrijnë ndikimin e vet Ankaraja, janë të tri feve – katolike, ortodokse dhe myslimane.

Në rajonin e Ballkanit veprojnë edhe vende të tjera arabe apo edhe Teherani. Duhet thënë se tendencat e Turqisë, të ndonjë vendi arab apo të Teheranit në Bosnjë dhe Hercegovinë, mund të ndikojë në intensifikimin e synimeve të Republikës Serbe të Bosnjës dhe Hercegovinës për t’u shkëputur prej saj dhe për t’iu bashkuar Serbisë. Ndërsa ndikimet e Ankarasë në botën shqiptare mund të ngjallin tendenca progreke ndër shqiptarët të fesë ortodokse apo tendenca proitaliane, ndër shqiptarë të fesë katolike. Së këndejmi, do të kishim një lloj bosnizimi të botës shqiptare.
Ndikime synojnë të arrijnë edhe vende të vogla, siç janë Greqia apo Serbia.
* * *
Shtetet e shtrijnë ndikimin e tyre në ndonjë shtet tjetër apo në një rajon të caktuar, në mënyra të ndryshme:
– nëpërmjet investimeve ekonomike, sidomos në objektet kapitale;

– duke hapur shkolla fillore, të mesme dhe universitete;
– duke i financuar klerikët e vendit ku duan ta shtrijnë ndikimin e vet;
– duke ndërtuar objekte fetare në vendin në të cilin duan ta shtrijnë ndikimin e vet;
– duke themeluar të ashtuquajtura organizata humanitare;
– duke mbështetur financiarisht mediume të shkruara;

– duke mbështetur financiarisht mediume elektronike;
– duke mbështetur financiarisht studio televizive;
– duke mbështetur financiarisht portale;
– duke mbështetur financiarisht shtëpi botuese;
– duke shpërndarë literaturë, gazeta, revista, tekste shkollore etj.;

– nëpërmjet filmave me përmbajtje nga historia e vet apo nga realiteti i vet;
– duke paguar apo duke blerë intelektualë, profesorë universiteti dhe dijetarë;
– duke themeluar parti politike e cila do të jetë përçuese e interesit të shtetit që synon të ndikojë;
– duke mbështetur financiarisht parti politike të caktuar;

– duke paguar deputetë dhe liderë partiakë;
– duke financuar gazetarë, analistë politikë, redaktorë gazetash dhe publicistë;
– duke bërë ndërtime apo rindërtime që nuk kushtojnë shumë, por që kanë efekt të madh propagandistik;
– duke pranuar në vendin e vet studentë për të studiuar falas;
– duke organizuar pushime verore apo dimërore falas për nxënës.

Shteti apo shtetet që ndërmarrin veprime si këto që u thanë më sipër, kanë vetëm një qëllim: si të shtrijnë ndikimin e vet në shtetin tjetër, të cilin duan ta përfshijnë në zonën e vet të interesit dhe sferën e vet të ndikimit. Pra, qëllimi është politik, ideologjik dhe strategjik.
* * *
Të gjithë ata që paguhen nga shteti ndikues, në mënyra të caktuara punojnë për atë shtet. Të tillët ndryshe quhen mercenarë. Mercenari është edhe tradhtar. Mercenarit nuk i intereson as kombi, as çështja kombëtare. Papritmas dhe pa e pyetur kush dhe pa qenë kompetent, heroin kombëtar – Skënderbeun, ta shpallë me prejardhje serbe. Krejt bota e di se Gjergji luftoi për Shqipëri, për shqiptari dhe për Evropë kundër mësymjeve osmane dhe se luftërat e tij nuk kanë asnjë lidhje me serbizimin.
Sikur listat me emrat e mercenarëve, d.m.th. të tradhtarëve të kombit, të publikoheshin edhe nga Moska, nga Ankaraja, nga Beogradi, nga vende të caktuara arabe dhe nga Teherani, çka s’do të na shihnin sytë?!

Mercenarët apo tradhtarët kanë për detyrë që ujin e mullirit ta çojnë kudo, pos në mullirin kombëtar tonin. ata kanë për detyrë që ta censurojnë çdo ide kombëtare. Të tillët kanë për detyrë që një ide kombëtare ta cilësojnë si nacionalizëm, ekstremizëm, radikalizëm, anakronizëm, konservatorizëm, romantizëm i vonuar, ide retrograde dhe destruksion.

Shpirti i shitur ka për detyrë ta mjegullojë të vërtetën, ta murkullojë problemin, të bardhën ta shesë për të zezë, ta kanalizojë bisedën aty ku s’e ka vendin, të manipulojë me të dhënat, të mos e thotë të vërtetën, të thotë gjysmë të vërteta dhe të pavërteta, tradhtinë kombëtare ta quajë dhe ta cilësojë si konstruktive dhe vizionare.

Këta dhe mediumet e tyre, këta dhe urdhërdhënësit e tyre, këta dhe sponsorët e tare janë amortizues të mendimit të lirë, të pavarur. Këta s’janë as dijetarë, as intelektualë, as profesorë universiteti, as redaktorë gazetash e revistash, as analistë politikë, as ndërtues opinionesh, as klerikë në rrugën e Zotit. Këta s’janë veçse zëdhënës të qendrave të ndikimit, të pushteteve dhe të pushtetarëve. Janë vegla dhe instrumente në duart e huaja. Këta censorë modernë të përkujtojnë kohën e diktaturave, të tiranive, të regjimeve autoritare, të qeverisjeve autokratike, despotike dhe tiranike. Të sjellin para syve botën orveliane dhe atë kafkiane.

Shumë të përhapur janë edhe do mercenarë të cilët janë në shërbim të idesë së vëllazërim-bashkimit dhe të bashkëjetesës. Këta janë të paguar të afirmojnë edhe idenë e formimit të shtetit qytetar apo të shoqërisë qytetare. Madje, këtë koncept mëtojnë ta imponojnë edhe si frymë të përgjithshme. Të gjithë e dinë se ç’do të thotë shtet qytetar apo shoqëri qytetare. Në rastin e Maqedonisë, kjo do të thotë 99% pushtet për sllavo-maqedonasit dhe 1% pushtet për shqiptarët.

* * *
Të gjithë ata që aspirojnë të penetrohen në botën shqiptare, duhet ta dinë se shqiptarët nuk janë popull i konkurrencës. Shqiptarët janë popull evropian, properëndimor, janë pjesë e proceseve integruese transatlantike, janë populli më proamerikan në botë dhe partner strategjik të përjetshëm e kanë ShBA-në. Dielli për shqiptarët, lind në Perëndim – ka thënë Naimi para 138 vjetëve. Ky dhe vetëm ky, është interesi strategjik i shqiptarëve.
Të gjithë ata që synojnë të veprojnë në botën shqiptare duhet ta dinë se miq të përhershëm të shqiptarëve janë: Vatikani, ShBA-ja, Gjermania, Austria, Italia, Britania e Madhe. Shqiptarët janë i vetmi popull në Evropë i cili nuk ia dorëzojë Gestapos as edhe një hebre të vetëm, madje edhe me kushtin e jetës.

Rrogëtarët e listave të huaja zvarrisin dhe prolongojnë zgjidhjen e drejtë të kauzës kombëtare shqiptare. Tërë bota e di se çështja shqiptare në Ballkan nuk është luftë për zgjerim territoresh, por sakrificë ndër shekuj, për mbrojtjen e trojeve etnike dhe historike shqiptare.