Kosova në këtë fjalor paraqitet si entitet i mëvetësishëm dhe i tërësishëm politik, historik, ekonomik, arsimor dhe kulturor, duke u bërë kështu një kundërvënie e fuqishme ndaj tendencave dezitegruese, të cilat kanë filluar të shfaqen së fundi dhe që kanë krijuar hapësirë më të madhe se kurrë
Nga Mehmet KRAJA
Të gjithë në njëfarë mënyre kemi qenë skeptikë se do të realizohet ky projekt. Nuk kemi dyshuar në përkushtimin tonë, por kemi qenë të vetëdijshëm për vështirësitë, me të cilat do të ballafaqohemi. Ka qenë një maratonë, në të cilën, natyrisht, jo të gjithë kanë pasur të njëjtën kurajë dhe qëndrueshmëri. Megjithatë, pavarësisht nga abstenimet e ndonjë rasti, pesë vjet me radhë kemi bashkëpunuar si kurrë më parë dhe për këtë u jam mirënjohës të gjithëve, në rend të parë anëtarëve të Redaksisë Qendrore, të cilët më kanë mbështetur në çdo rast, pastaj të 24 redaktorëve të fushave, anëtarëve të redaksive të fushave dhe, natyrisht, të gjithë 506 autorëve të teksteve.
Puna rreth Fjalorit ka kaluar nëpër faza të ndryshme, duke filluar nga identifikimi i fushave, i lëndës që duhej përfshirë, pastaj i përzgjedhjes dhe klasifikimit të kësaj lënde, vjelja e të dhënave dhe natyrisht përpjekja që për herë të parë të krijojmë një standard i prezantimit, respektivisht i shkrimit enciklopedik. Të gjithëve na ka munguar përvoja dhe këtë punë e kemi bërë duke mësuar së bashku.
Krahas përdorimit të gjerë që mund të ketë Fjalori, identifikimi i lëndës enciklopedike dhe krijimi i një baze të të dhënave duhet të jetë arritja më e rëndësishme e këtij botimi. Pas botimit, natyrisht, vjen faza e shqyrtimit publik, e vërejtjeve dhe kritikave, të cilat duhet të merren para sysh, në mënyrë që një botim i ardhshëm të jetë më i plotë dhe më me pak gabime. Në përfshirjen e lëndës enciklopedike dhe në prezantimin e saj, përveç kriterit të gjithëpërfshirës, është ndjekur edhe parimi i qasjes pozitive ndaj subjekteve të zërave enciklopedikë. Dhe, mbi të gjitha neutraliteti politik, i cili ka qenë domosdoshëm në këtë rast. Sikundër mund ta vëreni, Kosova në këtë fjalor paraqitet si entitet i mëvetësishëm dhe i tërësishëm politik, historik, ekonomik, arsimor dhe kulturor, duke u bërë kështu një kundërvënie e fuqishme ndaj tendencave dezitegruese, të cilat kanë filluar të shfaqen së fundi dhe që kanë krijuar hapësirë më të madhe se kurrë.
Botimi i këtij Fjalori ka dëshmuar se ne kemi potencial solid për projekte të kësaj natyre, që nuk e kishim më herët dhe nuk e kishim me një përqendrim të këtillë. Studiues, profesorë universiteti, shkrimtarë, publicistë dhe njerëz të dijes, të mbledhur kështu së bashku, ndërsa kanë shkruar për gjeografinë e Kosovës, për historinë, për arsimin, artin dhe letërsinë, për informimin, për fusha të ndryshme të shkencës, pra, të mbledhur së bashku përbëjnë një zë të fuqishëm për Kosovën integrale, të qëndrueshme kundrejt ideve arriviste.