Përfundoi mbledhja e Komisionit për ndryshimet kushtetuese. Me 10 vota pro dhe 7 kundër u aprovua nevoja për ndryshimet kushtetuese. Komisioni obligoi Qeverinë që në afat prej 15 ditësh, të përpilojë një propozim-tekst për amendamentet kushtetuese.
Pushteti edhe sot tentoi ta bindë opozitën për ndryshimet kushtetuese.
Deputetët e VMRO-DPMNE-së thonë se nuk janë kundër NATO-s dhe BE, por janë kundër ndryshimit të emrit. Në fokus të debatit për ndryshimet kushtetuese në mbledhjen e komisionit ishte ministri i Punëve të jashtme Nikolla Dimitrov, ku akuzohet se me nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës, ka shitur interesat kombëtare të shtetit, gjuhën dhe kulturën.
“Momenti më i trishtuar dhe më i turpshëm në jetën time, në historinë e RM-së është të kërkohet hapje e Kushtetutës me qëllim që ta ndryshosh emrin e shtetit, të mos ekzistosh më, tha Trajço Dimkov deputet VMRO-DPMNE-SË
Por reagoi ministri i Jashtëm, duke kërkuar nga VMRO-DPMNE-ja të tregojë në cilën votë dhe zërin e kujt thirren, kur nuk kishin qëndrim në referendumin e 30 shtatorit.
“Në çfarë vote, në çfarë populli thirreni dhe cili zë dëgjohet më shumë? Zëri i 609 mijë e 800 qytetarëve, të cilët votuan “për”, i atyre 37.700 që votuan “kundër”, apo zëri i qytetarëve që kanë heshtur. Si do ta dëgjojmë zërin e qytetarëve që kanë heshtur? , pyeti Nikolla Dimitrov, Ministër i Punëve të Jashtme.
Deputeti Stevananxhija tha se nuk do të japë votën e tij, pasi nuk ka mandat nga qytetarët për ndryshimin e emrit.
“Unë si Dimitar Stevananxhija, deputet nga Prilepi nuk kam mandat që të përkrah ndryshimin e Kushtetutës për shkak se asnjëherë në programin tim, as në vitin 2011,2014,2016, kur e kam marrë legjitimitetin nga votuesit e mi, në njësinë e katërt zgjedhore, nuk u kam thënë se do të votoj për ndryshimin e emrit të Maqedonisë, tha Dimitar Stevananxhija, deputet i VMRO-DPMNE-së .
Kryeministri Zoran Zaev, duke e mbrojtur Marrëveshjen e arritur në Prespë, thotë se me ketë marrëveshje mbrohet identiteti dhe gjuha maqedonase. Ai mendon se 25 deputetë e VMRO-DPMNE-së kanë vullnet për të mbështetur vendin drejt rrugës euroatlantike.
“Nëse votojmë kundër, dhe nuk ka 2/3, nuk mund ta lëmë shtetin në një situatë të paqartë, duhet të ndërmerren hapat e mëtejshëm dhe këtë duhet ta bëjmë së bashku. Besoj se më shumë se 25 deputetë të opozitës të cilët janë të vetëdijshëm për këtë përgjegjësi dhe janë të gatshëm për të marrë përgjegjësi” , Zoran Zaev, kryeministër
Kurse deputeti opozitar nga partia Grom Panço Minov, i kërkoi kryeministrit që të vazhdojë akoma bisedimet me kryetarin e opozitës, pasi deputetët tani ndodhen në një situatë të vështirë.
“Duke ju thirrur juve si lider më të përgjegjshëm të pozitës dhe opozitës, dëshiroj të ju porosis që të uleni, dhe të merreni vesh që të mundemi ne deputetët të ulemi dhe të merremi vesh, përndryshe patjetër do të duhet të dilet me vendim për zgjedhje të parakohshme”, tha Panço Minov, deputet i GROM-it
Debatin e mbylli kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, për ta nisur drejt seancës plenare. Debati për ndryshimet kushtetuese do të fillojë të hënën, dhe i njëti do të zgjasë 10 ditë, siç e parasheh Rregullorja e Kuvendit.