Zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakoski, hodhi poshtë zërat se pas ndryshimeve kushtetuese do të pasojë edhe ndryshimi i himnit, pasi në tekstin e tij përmendet Maqedonia, por edhe për faktin se konsiderohet se nuk reflekton realitetin multietnik në vend.
“Himni nuk do të preket për asnjë qëllim. Nuk do të ketë asnjë intervenim në tekstin e himnit të vendit tonë. Sa u përket ndryshimeve kushtetuese, dua të theksoj se KAÇKM-ja mbetet dhe në vend se një herë do të përmendet dy herë me të gjitha vendimet që janë marrë dhe që janë pjesë e dokumentit përfundimtar të KAÇKM-së”,– theksoi zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakoski.
Qeveria mbetet e përkushtuar në zbatimin e Marrëveshjes së Prespës dhe zbatimin e reformave për anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE, prandaj hodhi poshtë spekulimet për ndryshime të mundshme kadrovike, përkatësisht shkarkimin e ndonjë ministri.
“Qeveria e Maqedonisë për momentin është e fokusuar në zbatimin e reformave, gjithashtu edhe në zbatimin e
Marrëveshjes së Prespës dhe ratifikimin e saj. Me përfundimin e këtij procesi, RM do të bëhet anëtare e NATO-s dhe do të fillojë negociatat për në BE. Aktualisht në kuadër të Qeverisë së RM-së nuk është diskutuar për ndryshimet kadrovike apo për shkarkimin e ndonjërit prej anëtarëve të Qeverisë”,– u shpreh zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha.
Në frymën e Marrëveshjes së Prespës, dy vendet përkatëse kanë filluar procedurën për hapjen e një pike kufitare në rajonin e Prespës, më konkretisht në vendin e ashtuquajtur “Markova noga”. Ndërtimi i pikës kufitare do t’u kushtojë palëve mbi 4.6 milionë euro dhe pritet të hapet gjatë vitit 2023.