Enver Robelli
Ekziston një mit se homoseksualët janë më tolerantë. Duke qenë pakicë shpeshherë e shtypur, ata supozohet se kanë një sens më të zhvilluar për drejtësi dhe një empati më të madhe për viktimat. Kështu mendohej edhe për Ana Bërnabiqin, kur ajo nga Aleksandar Vuçiqi u prezantua si kryeministre e re e Serbisë. Një grua e shkolluar në botën perëndimore, punëtore shumëvjeçare e USAID-it, një njeri që hapur e pranon se është homoseksuale. Serbia u prezantua ndaj botës me këtë profil politikani: e hapur ndaj Evropës, e hapur ndaj grave. Aq i madh qe ky entuziazëm, saqë diplomati gjerman Michael Roth në Tëitter nuk harron t’ia urojë ditëlindjen Ana Bërnabiqit, por i njëjtë, pra Michael Roth dhe shumë diplomatë të tjerë heshtin. Dhe kjo heshtje është skandali i vërtetë. Sepse Serbia e Aleksandar Vuçiqit po i rehabiliton kriminelët e luftës, po i trajton ata si heronj dhe po pamundëson pajtimin në rajon.
Ana Bërnabiq e mohoi gjenocidin në Srebrenicë, ndërsa po i jepte një intervistë Deutsche Ëelles në Berlin. Pra, në kryeqytetin e Gjermanisë, si të thuash nën hijen e Kanzleramtit, selisë së kancelares, Bërnabiq mohoi atë që krejt instancat e drejtësisë ndërkombëtare e kanë konfirmuar. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka kualifikuar vrasjen e rreth tetë mijë boshnjakëve në Srebrenicë në korrik 1995 si gjenocid. Gjykata e Hagës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi ka arritur në përfundimin e njëjtë, duke dënuar për gjenocid disa serbë, mes tyre Radovan Karagjiqin dhe Ratko Mladiqin. Këshilli i Evropës e konsideron masakrën e Srebrenicës po ashtu si gjenocid. Kryeministrja e Serbisë argumentoi se në Srebrenicë nuk është kryer gjenocid nga forcat serbe, sepse atje nuk janë vrarë gra dhe fëmijë. Domethënë: nëse vriten vetëm burra, atëherë nuk është gjenocid, vetëm një masakër simpatike serbe e kryer me lehtësi e butësi nga trupat e Ratko Mladiqit. Sa injorante, sa mizore në shpirt duhet të jesh për të llomotitur këso deklaratash?
Në Serbinë e Ana Bërnabiqit dhe shefit të saj Aleksandar Vuçiq krimineli i luftës Ratko Mladiq kyçet drejtpërdrejt nga burgu në televizionin serb HappyTV. Në studion e Milomir Mariqit (ky ishte ai gazetari të cilit Ramush Haradinaj i dha intervistë) ishin renditur: krimineli i luftës Vojislav Sheshel, deputeti i Dumës ruse Pavel Dorohin dhe i biri i Mladiqit, Darko. Bashkë me ta edhe populli televizionshikues serb kishte mundësi të shihte idhullin e vet të burgosur në Hagë nga drejtësia antiserbe. Tribunali i Hagës protestoi vakët kundër paraqitjes së Mladiqit në televizionin serb, duke njoftuar se kjo sjellje e Mladiqit ishte kundër rregullave dhe se gjithçka do të hetohej. Por Mladiqi e arriti qëllimin: “Ju do gjyshi Ratko. Ky Mariqi të vijë të më vizitojë, le ta intervistojë ai Vojislav Sheshelin, edhe Voja le të vijë… Darko, thuaji Vojës të vijë të luajmë shah, sepse herën e fundit e kam mposhtur 7:1. Aty ishte e pranishme edhe ajo ‘Vasha e Kosovës’ dhe ai kaloi keq”. Mladiq pati edhe një porosi për Rusinë. “Përshëndetje të veçanta për Rusinë. Përshëndeteni Partinë Komuniste Sovjetike, pardon, të federatës ruse. Përshëndetje për Pavelin dhe le t’i hapë sytë se çfarë kërkon NATO, si tepër po shtrihet nga Rusia”.
Kjo paraqitje e Mladiqit nuk është një llomotitje e një plaku të rrjedhur. Skena për të ishte e përgatitur me Sheshelin (kryekriminelin e gjuhës verbale dhe jo vetëm verbale serbe), me deputetin rus (mesazhi: Rusia është me neve!) dhe me Darkon, të birin e Mladiqit, për të prekur emocionet familjare jo vetëm të gjysheve e gjyshërve serbë në Shumadi.
Jovana Prusina, një gazetare dhe aktiviste e guximshme serbe, në një shkrim në BIRN tregoi se si në Serbi ishte dënuar bashkë me disa shokë e shoqe të saja për shkak se përmes një aksioni simbolik kishte protestuar kundër rehabilitimit të kriminelëve të luftës. Ajo shkroi: “Në nëntor të vitit 1991 në Vukovar të Kroacisë rreth 260 veta u vranë në atë që njihet si masakra e Ovçarës. Të martën (30 tetor), ne që ngritëm zërat tanë kundër autorëve të këtij krimi, u gjobitëm nga një gjykatë serbe. Unë isha një nga tetë aktivistë nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut në Serbi, të cilët u gjobitën me nga 50 mijë dinarë secili (rreth 420 euro), sepse protestuam kundër promovimit të një libri nga krimineli i dënuar i luftës Veselin Shlivançanin në janar të vitit të kaluar. Të tetë ne që u gjobitëm kemi lindur në vitet 1990 dhe të gjitha jetët tona u prekën negativisht nga lufta, ndërsa ata që kryen krime të tmerrshme dhe krime masive, tani mirëpriten dhe vlerësohen nga institucionet serbe dhe publiku i gjerë”.
Rehabilitimi u pa edhe në panairin e librit në Beograd së fundi, siç dëshmoi aktivisti për të drejtat e njeriut Nemanja Stjepanoviq. Në portalin Peshçanik ai shkroi: “Një pyetje e rëndësishme është nëse në Serbi më shumë kriminelë të luftës ishin në burg apo në panairin e sapopërfunduar të librit në Beograd. Kjo dilemë nuk lind vetëm për shkak të stendës së Ushtrisë së Serbisë, por edhe për shkak të programit letrar dhe kulturoro-artistik, që këto ditë u pa në stendën e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë së Serbisë. Aty u promovuan librat nga edicioni “Ratnik” (Luftëtari) të kriminelëve të dënuar të luftës Nebojsha Pavkoviq dhe Vladimir Lazareviq, ndërsa mes vizitorëve të stendës dhe pjesëmarrësve në tribuna dhe debate u panë edhe oficerë, njësitë e të cilëve kanë kryer krime, por Gjykata e Hagës nuk ka arritur t’i shtjerë në grusht, ndërsa gjyqet vendore (serbe) nuk kanë dashur të merren me ta (Bozhidar Deliq, Dragan Zhivanović, Lubisha Dikoviq). E gjithë kjo ceremoni u zhvillua me himnin e Beretave të Kuqe, njësisë së Shërbimit Sekret Serb, e cila s’ka vend ku nuk ka qenë – nga vrasja e civilëve joserbë deri te atentati mbi kryeministrin e Serbisë”. Me këtë hov rehabilitimi të kriminelëve të luftës, nuk do të ishte befasi nëse kapitullin e BE-së për sundimin e ligjit ta negociojë Ratko Mladiqi bashkë me Federica Mogherinin, ndërsa Ana Bërnabiq mund të shërbejë kafetë. /Marrë nga Koha. Titulli i origjinalit: “Ju do gjyshi Ratko”