Në Forumin e Dytë të Rektorëve të Ballkanit Perëndimor, që u mbajt në Universitetin e Zagrebit, më 2 nëntor 2018, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr Vullnet Ameti, bashkë me 22 rektorë të tjerë, e nënshkruan deklaratën për themelimin e asociacionit të këtyre universiteteve. Kjo deklaratë u nënshkrua në përputhje me konkluzionet e Forumit të Parë të Rektorëve të Ballkanit Perëndimor, që u mbajt në Universitetin e Novi Sadit më 24 dhe 25 shtator 2018. Sipas protagonistëve të këtij forumi Asociacioni ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit ndëruniversitar si dhe realizimin e aktiviteteve të përbashkëta në shkencë, arsimin e lartë, kërkimin shkencor dhe transferimin e njohurive të reja.
Rektori i UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti, para homologëve u shpreh se Universiteti i Tetovës, si njëri nga pesë universitetet publike në Republikën e Maqedonisë, në vazhdimësi angazhohet për shtyrjen përpara të proceseve arsimore – shkencore, por edhe në lëmenj të tjerë me rëndësi për shoqërinë në Republikën e Maqedonisë e më gjerë. Sipas tij, pjesë e rëndësishme dhe e përhershme e agjendës së Universitetit të Tetovës është bashkëpunimi dhe forcimi i partneritetit me universitetet nga vendi, rajoni dhe arena ndërkombëtare, duke shtuar se në funksion të këtij qëllimi Universiteti i Tetovës mbështet plotësisht formimin e këtij asociacioni ndëruniversitar.
Universiteti i Tetovës, si institucion i arsimit të lartë në Maqedoni, është orientuar drejt vlerave evropiane dhe perëndimore dhe është kyçur në shumë asociacione ndërkombëtare. Nisur nga kjo Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, në punimet e forumit, kërkoi nga rektorët e Asociacionit të Universiteteve të Evropës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor, që në deklaratën dhe programin e punës, t’i përfshijnë edhe disa propozime të Universitetit të Tetovës, siç janë: Mobiliteti i studentëve dhe stafit akademik ballkanik; Themelimi e revistës së përbashkët shkencore; Përgatitja e një programi studimor të përbashkët për ciklin I, II, II; Themelimi i një instituti të përbashkët, që do të studiojë kulturat, gjuhët, historitë e popujve të Ballkanit; Organizmi i konferencës së përbashkët vjetore; Përgatitja e programeve duale – të dyfishta; Kyçja në programe të përbashkëta me qëllim të qasjes më të lehtë në fondet e Bashkimit Evropian; Organizimi i shkollës verore studentore; Organizimi i turneut vjetor të lojërave sportive; Përgatitja dhe miratimi i rregullores së forumit; Përcaktimi i udhëheqjes së forumit; Përcaktimi i kushteve dhe kohëzgjatjes,etj.
Bazuar në deklaratën e nënshkruar, Asociacioni do të vazhdojë të zhvillojë një platformë rajonale për bashkëpunim në hulumtime dhe kërkime shkencore, vëmendje të veçantë do t’i kushtojë përmirësimit të cilësisë së arsimit të lartë në Evropën juglindore dhe Ballkanin perëndimor. Do të krijojë kushte për ndërtimin e përbashkët të kapaciteteve në fushën e shkencës, arsimit të lartë dhe transferimin e njohurive. Në mënyrë aktive do të angazhohet për përfitimin e interesave të përbashkëta nga institucionet e Bashkimit Evropian me qëllim që të inkurajojnë mobilitetin e mësimdhënësve, bashkëpunëtorëve, shkencëtarëve, studiuesve dhe studentëve. Po ashtu nga BE do të kërkojnë të ndajë fonde për Universitetet e Evropës juglindore dhe Ballkanit perëndimor sa më shumë për ta financuar shkencën, e cila nuk duhet të jetë më pak se 1% e të ardhurave bruto kombëtare. Forumi i radhës i Asociacionit të Universiteteve të Evropës Juglindore dhe Ballkanin Perëndimor, i treti i këtij lloji pritet të mbahet në Universitetin e Mostarit gjatë periudhës janar – shkurt të vitit 2019.
Pas përfundimit të Forumit të Rektorëve, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, me ftesë të Rektorit të Universitetit të Zagrebit, Prof. Dr. Sc. Damir Buras, mori pjesë në shënimin e 350-vjetorit të këtij Universiteti.