Ballina Aktualitet Lajme Ziadin Sela: Gëzuar dhe urime për këtë Festë të madhe të gjuhës...

Ziadin Sela: Gëzuar dhe urime për këtë Festë të madhe të gjuhës dhe kulturës sonë!

Të nderuar dashamirë të gjuhës së bukur shqipe dhe shkrimit të saj me alfabetin që doli nga Kongresi i Manastirit 110 vite më parë,

Të dashur bashkëkombësit e mi,

Sot është një ditë e ndritur e gjuhës shqipe që na bën krenarë të gjithëve, dita kur Manastiri historik i tuboi figurat më të ndritura të kombit, që në këtë qytet erdhën në Kuvendin historik për ta zgjidhur përgjithmonë çështjen e alfabetit tonë.

Kongresi i Alfabetit që u mbajt në Qytetin e konsujve ishte ngjarja më e ndritur për gjuhën dhe kulturën tonë, e organizuar nga bijtë mendjendritur të Kombit, që erdhën nga të gjitha trojet e katër vilajeteve me shumicë shqiptare. Orientimi evropian i intelektualëve tanë, të afirmuar me kohë për veprimtari atdhetare, u reflektua edhe në përcaktimin e një alfabeti me bazë latine, të vetëdijshëm se vetëm orientimi pro perëndimor është ardhmëria e sigurtë e kombit.

Sot, edhe pas aq shumë vitesh të zgjidhjes përfundimtare të çështjes së alfabetit, pikërisht në Manastir, shqiptarët e këtij shteti po ballafaqohen me përbuzje dhe nënçmim, të shndërruar në përqindje, bashkë me gjuhën e tyre, shkrimi i të cilës lindi pikërisht në këto hapësira.

Do ishte shumë më mirë që kujtimin për këtë ngjarje historike për shqiptarët, ta festonim me fitoren për përdorim të plotë të gjuhës shqipe dhe shkrimit të saj, kërkesë kjo e vazhdueshme e jona si parti politike.

Vetëm me barazi të plotë të përdorimit dhe shkrimit të gjuhës shqipe, të garantuar edhe me Kushtetutën e Maqedonisë, që është edhe pikësynimi ynë programor, do realizohej dëshira e pjesëmarrësve të këtij Kongresi historik dhe amaneti i tyre që ua lanë brezave.

Gëzuar dhe urime për këtë Festë të madhe të gjuhës dhe kulturës sonë, me shpresë se do vijë edhe ajo ditë kur gjuha jonë do jetë plotësisht e barabartë në këtë shtet të përbashkët që ende nuk gjen forcë ta njohë realitetin e ri, për t’u ndarë përgjithmonë nga e kaluara që e pengonte orientimin perëndimor, që pjesëmarrësit e Kongresit të Manastirit me kohë e kishin pikësynim!

I juaji Ziadin Sela,