Ballina Aktualitet Opinione A e kemi ne të nevojshme si shoqëri gjetjen e Njeriut të...

A e kemi ne të nevojshme si shoqëri gjetjen e Njeriut të Vitit?

Nga Koloreto Cukali

Ne nuk e kemi dhe aq të nevojshme si shoqëri gjetjen e Njeriut të Vitit, sepse si shoqëri nuk jemi e atillë ku spikat njohja e meritave.
Dmth, ne nuk vuajmë nga dëshira për t’u njohur vlerat njerëzve të mirë, të zotë e të aftë. Në të kundërt, ne vdesim të veçojmë nga të tjerët se kush është më p.s. kush ka bërë më shumë para, dhe mbi të gjitha, për të identifikuar kush është më i forti.
Në fund të vitit, megjithatë ne përfundojmë me lista gazetash, televizionesh e individësh që përpilojnë 10-shen e njerëzve më të rëndësishëm, dhe atë, Man Of The Year.

E shkruajta në anglisht meqë besoj se arsyeja pse na duhet një Njeri i Vitit është nevoja për të kopjuar atë që bën bota.

Listat

Po anashkaloj faktin që në Shqipëri nuk di asnjë votim të ndershëm publik; që në media listat i bëjnë pronarët apo shefat; që njerëzit me influencë luajnë të tërë gurët për të hyrë në listë; që Njeriu i Vitit apo “top 10” përkthehet në qokë politike a tjetër; apo që shqiptarët keq-orientohen me arrogancë në këso farë votimesh.

Më interesojnë dy gjëra: Kriteret e përzgjedhjes dhe Motivacioni i të përzgjedhurve. Kritere nuk kam parë, dhe duket sikur çdo media apo individ ka ca kritere që “i di vetë, meqë topi është i veti e penalltinë e gjuan vetë”. Në mungesë të kritereve, edhe motivacioni i të zgjedhurve është i çalë, qesharak e aspak bindës.

Personalisht, s’më duket se ka ndonjë filozofi të madhe të kriteri: Njeriu i Vitit i shqiptarëve duhet të jetë dikush që ka dhënë shumë për këtë vend, këtë vit.

Por, te ne askush nuk jep, vetëm merr. Ose dikush që ka bërë një akt a ka dhuruar një produkt me një vlerë të madhe civile a shoqërore. Por, ne jemi vendi i egoistëve llupsa e të pangopur.

Ndaj këto lista janë qesharake.

Anti-listat

Ne ankohemi tërë ditën për klasën politike, ndërsa listat e “top 10” janë plot me politikanë. Dikush fut në lista ndonjë artiste shqiptare të talentuar që ka sukses të madh personal diku jashtë Shqipërisë, por që nuk ka bërë asgjë për Shqipërinë.

Po ashtu, sporti e fushat e tjera. Njoh shumë pak njerëz që shoqëria shqiptare i do e i respekton; e di që nuk do t’i shoh në listat që po afrojnë.

Interesante ama, përpjekja e Ditë-s për të zgjedhur disa vite rresht Anti-njeriun e Vitit. Por vetëm kaq.

Mund të ruajmë konceptin “anti”. Të krijojmë çdo vit listat e njerëzve më të këqinj, më abuzues, më të pavlerë për shoqërinë. Dhe, do kishim alternativa plot. Madje, shumë dhe nga këta që janë në “top 10”-et e sotme.