Ballina Aktualitet Opinione Abedini & Stojançe

Abedini & Stojançe

Abedini tingëllonte patetik dhe jo i bindur, për veprën e faljes. Me mënyrën e të folurit dhe të gjuhës së trupit, perceptohej se ishte në siklet të madh dhe me brejtje të ndërgjegjes. Shpesh i përmendi sulmet në Facebook, nga publiku. Ndërsa Stojançe, i bindur dhe i vendosur për veprën e tij. Stojançe reflektonte burrni dhe vendosmëri të paparë

Nga Shaqir ISLAMI

E nisa këtë shkrim sipas rendit të alfabetit. A e madhe e shtypit, a e vogël e shtypit: A-b-e-d-i-n-i. Prej sot, kështu duhet të nis të lexohet Abetarja e Maqedonisë. Abedini dhe Stojançe e krijojnë, apo e sajojnë historinë e re të shtetit të përbashkët, që së shpejti do pagëzohet Maqedonia Veriore. Kjo nismë e mbarë, e dy ish luftëtarëve, deri dje dushmanë të përbetuar, do t’i trazojë dhe shqetësojë disa qarqe të interesit politik; të cilat me vite e kanë ndërtuar armiqësinë mes nesh. Këto qarqe janë arkitektët e mosfunksionimit ose të çalimit të qëllimshëm të shtetit të Maqedonisë. Armiqësia jonë shërben, që frika nga njëri-tjetri ta paralizojë shoqërinë e përgjithshme, frika të na pushtojë plotësisht, dhe të shuhet shpresa për një ardhmëri të përbashkët; dhe se, vetëm ndarja është shpëtim nga tjetri. Këtë argument-politik e përtypin argatët-armiq të përbetuar të Maqedonisë. Nga të dy palët.

Sado naive t’u tingëllojë nacionalistëve, kjo vepër politike e dy ish-luftëtarëve Abedini dhe Stojançe, e rrënon ose e zhbën argumentin politik për mosfunksionimin e shtetit të Maqedonisë. Armiqësimi i përjetshëm i dy popujve tanë është vepër politike hileqare, e sajuar posaçërisht në dëm të dy popujve tanë dhe të vet shtetit. Armiqësia jonë është qindvjeçare dhe e sajuar nga jashtë, ndërsa jeta e përbashkët është më shumë se mijëvjeçarë, për këtë arsye i mbështes fuqishëm dhe u jap të drejtë dy heronjve bashkëkohorë Abedinit & Sojançes. Ky tregim duhet të shndërrohet në simbol të bashkëjetesës.

Thuhet se në politikë asgjë nuk ndodh rastësisht, por, le ta marrim se, edhe mund të ndodh! Sidoqoftë, kjo nismë e dy dushmanëve të dikurshëm, që së pari të kumtojnë (komunikojnë) me njëri tjetrin dhe pastaj, të falin të bëmat e njëri tjetrit është gjesti më njerëzorë që kam parë dhe dëgjuar në shoqërinë tonë. Ky guxim qytetarë i tyre, është njollë turpi për qarqet akademike, mediatike, kulturore, politike…, të cilët shtiren si avangardë e kësaj shoqërie.

Kjo nismë duhej të vjen nga qarqet akademike, të medias, nga qarqet politike, kulturore, … për habinë time vjen nga dy ish luftëtarë ! Këta dy i meritojnë shpërblimet më të denjë të shtetit. Me sa dëgjova nga dy nismëtarët e shkrirjes së akullit mes dy shoqërive, këta e kishin nisur kumtimin mes tyre, pasi që punuakan në të njëjtin institucion. Ma merr mendja se një kohë të gjatë janë shikuar ‘përmes nishanit’. Kumti është ilaç për çdo sëmundje; bën mrekulli! Aty ku kumtohet ka bereqet; aty ku nuk kumtohet, ka errësirë, padije dhe shumë hile.

Abedini tingëllonte patetik dhe jo i bindur, për veprën e faljes. Me mënyrën e të folurit dhe të gjuhës së trupit, perceptohej se ishte në siklet të madh dhe me brejtje të ndërgjegjes. Shpesh i përmendi sulmet në Facebook, nga publiku. Ndërsa Stojançe, i bindur dhe i vendosur për veprën e tij. Stojançe reflektonte burrni dhe vendosmëri të paparë. Sidomos gjesti për të kërkuar falje dhe buqeta lulesh në varrezat e katundit! Dorën në zemër, një gjest njerëzor, që për mjedisin tonë dhe kushtet tona, të le pa frymë. Aferim dhe flm … Stojançe !!! Na dhe, një ders të fuqishëm guximi dhe Burrnie.

Ky akt i dy ish luftëtarëve, Stojançes & Abedinit, të cilëve, unë ua heq kësulën nga respekti i thellë, duhet të shndërrohet në mith-politik. Ky tregim duhet të futet në Abetaret e të dy popujve, në këngët, në kinematografi… ky është mithi-politik i shtetit tonë të përbashkët. Çdo gjë që nevojitet për një mith-politik i ka ky tregim: struktura e narrativit, drama, e mira gjithmonë duhet ta mund të keqen, falja e fajit si vlerë njerëzore dhe qytetarie… Nëse shteti do ketë vullnet dhe dije, ky tregim do lexohet dhe rrëfehet brez pas brezi. Pasi që, mithi-politik e përforcon kohezionin shoqërorë…, i cili i mungon këtij shteti si Oksigjeni. (koha.mk)