BDI përmes një komunikate ka dalur me reagim pas zgjedhjes së këshilltarit të ASH-së, Eugjen Cami për kryetar të përkohshëm të komunës së Dibrës.
“Ruzhdi Lata ishte një prej kryetarëve më të mirë të Komunës, njeri shumë i respektuar në rrethin e tij, dhe mbase edhe me meritat më të mëdha për zhvillimin e Dibrës. Pikërisht për këtë edhe bashkëqytetarët e tij, dy herë me radhë i dhanë besimin për të udhëhequr me komunën e tyre si Kryetar i Komunës së Dibrës. Fatkeqësisht, vdekja e tij e parakohshme nuk e lejoi atë që të përfundojë mandatin e tij të dytë dhe të realizojë projektet për të cilat e mori besimin. Qytetarët e Komunës së Dibrës duhet të kenë durim deri në zgjedhjet e parakohshme lokale në këtë komunë dhe sërish të zgjedhin kryetar Komune sipas vullnetit dhe bindjes së tyre dhe të mposhtin koalicionin e krijuar në mes partive të vogla shqiptare në opozitë dhe VMRO-DPMNE-së”, thekson BDI.
Në reagim thuhet më tej se”politika nganjëherë i tejkalon standardet morale, dhe sipas agjendave politike, nganjëherë medoemos duhet të pranojmë edhe këtë vendim amoral të partive të vogla shqiptare në opozitë dhe të VMRO-së, që në vdekjen e Ruzhdi Latës të gjejnë suksesin e tyre personal politik.”
“Qytetarëve të Dibrës duam t’ju rekomandojmë që të kenë durim për disa muaj, kur, me forcën e ligjit, në zgjedhje, partitë e vogla shqiptare në opozitë së bashku me VMRO-DPMNE-në do të detyrohen të masin besimin për këtë aventurë të tyren, pikërisht me Ju – qytetarë të Komunës Dibër.”, thekson BDI. (INA)