Ballina Aktualitet Opinione Ibrahim Rugova, nga refuzimi estetik tek ai politik

Ibrahim Rugova, nga refuzimi estetik tek ai politik

Ndue Ukaj

Në fund të viteve të 80-ta, në Gadishullin e trazuar Ballkanik, ashtu sikurse edhe në pjesën tjetër të Europës, shembeshin muret e komunizmit dhe hapeshin perspektiva për integrime euro-atlantike. Për popujt që përjetuan tiraninë dhe shtypjen komuniste, kjo ishte dita e shumëpritur e lirisë. Mirëpo, për shqiptarët e Kosovës, gjërat morën kahe tjetër. Në këtë rrëmujë ngjarjesh e zhvillimesh të shpejta globale, ata u gjenden para regjimit brutal të Serbisë, ku shpërtheu një hegjemoni e tërbuar nacionaliste kundër shqiptarëve të Kosovës.Atëkohë, vendi ynë, i shkëputur padrejtësisht nga trungu amë, Shqipëria, përjetonte një ferr të vërtetë. Në Beograd, projektohej robëria dhe shtypja mbi shqiptarët. Kjo bëhej nga politika, përkrahej nga Kisha Serbe, dhe, nga shkrimtarë dhe akademikë në zë. Ndërkaq, në anën tjetër, në Prishtinë, po ashtu, projektohej liria dhe shkëputja e prangave të robërisë. Kjo ishte betejë e pabarabartë, në kuptimin e plotë të fjalës: shqiptarët e Kosovës përballë regjimit të egër ushtarak e policor, ishin të armatosur me të vetmen gjë: ligjërimin- letërsinë si alternativë. Pa dyshim, kjo betejë, si gjitha betejat e mëdha, nisi me fjalë dhe përfundoi me luftë. Në këtë përplasje të egër, pushteti tiranik i Beogradit shtrinte frikën, me tërë aparatin e dhunës që i shkonte pas, kurse, në anën tjetër, po në këtë rrëmujë, befas, si alternativë shfaqet letërsia dhe fuqia e epërme e saj. Si një thirrje hyjnore. Dhe, në krye të herës, Ibrahim Rugova, letrari që hyri në politikë, shkruante: “Për mua, denoncimi i terrorit së pari ka nisur përmes ligjërimit, letërsisë.”Me gjuhën e epërme, letërsia bëri punën e vet, në funksion të mbrojtës së lirisë, duke demaskuar pushtetin e të keqes, dhe duke dhënë kushtrimin për liri, siç bënin, ta zëmë, shkrimtarët e mëdhenj, Azem Shkreli, Ali Podrimja, dhe shumë të tjerë. Pra, shkrimtarët shqiptarë e sfiduan ankthin dhe shtypjen: duke shkruar dhe duke vepruar.

Siç mund ta kuptojmë, për shqiptarët e Kosovës, shkapja nga komunizmi- sistemi më çnjerëzor i shekullit- që më i pazakontë se për popujt tjerë. Sepse, derisa dielli i demokracisë perëndimore dhe entuziazmi për këtë ditë të madhe përfshinte të gjithë popujt e lindjes, në Kosovë shtohej terrori millosheviçian.Bota kapërcente ankthshëm nga nata e errët komuniste në pragun e shpresës, por shqiptarët e Kosovës, të dërmuar nën regjimin komunist, zgjoheshin me një pasiguri të plotë. Me një makth të ri, dhe të kërcënuar nga shfarosja. Kjo bëri që, për ta, proceset demokratike, të mos ishin të lira dhe as të lehta.

Përkundrazi, ata njëkohësisht mësoheshin me rendin demokratik, dhe përballeshin me regjimin e çmendur të Beogradit dhe politikën shtypëse serbe, që ata i privoi nga çdo e drejtë dhe liri.Përballë kësaj situate të tendosur, ku drama luhej në shumë akte dhe me shumë personazhe- në Prishtinë dhe Beograd- shqiptarët e Kosovës, sinkronizuan veprimet dhe rezistuan: fillimisht kulturalisht dhe pastaj politikisht.

Atëkohë, ata nuk kishin ushtri, por kishin armën e fortë morale: fjalët si mburojë, për t’ i artikuluar të drejtat e një populli të shtypur, por të papërkulur. Kjo zgjedhje ishte e qëlluar, sepse, asnjë fushë këtë gjë nuk mund ta bënte më mirë se arti, përkatësisht letërsia. Kështu që, shkrimtarët e Kosovës, politikën serbe, njëherë e demaskuan me ligjërim dhe refuzim estetik, pastaj u vunë në aksion të drejtpërdrejtë politik, duke formuar Lidhjen Demokratike të Kosovës, të cilës i priu njeriu i letërsisë, Ibrahim Rugova.“Aty është ferri që e mbajnë mbi supe dy milionë shqiptarë”- shkruante Ismail Kadare në parathënin e librit të Ibrahim Rugovës, “Çështja e Kosovës”, një libër, që, siç thotë Kadare përfshinë të vërtetën e Kosovës dhe për Kosovën.

Pra, në këtë dramë, e cila, për shqiptarët qe tragjedi, ndesheshin dy botë: përplasej pushteti ushtarak e policor serb, i përkrahur nga makineria propaganduese e paskrupullt, dhe, ai shqiptarëve duarthatë, me institucione paralele, me një ekonomi të brishtë, të udhëhequr nga një president, që siç do të shprehej Ismail Kadare: “Ibrahim Rugova, kolosi i brishtë i Kosovës” (frele), siç është quajtur shpesh, është një president “sui generis.”Presidentë të tillë, pa armë, pa zyre, pa ushtri, mund të tallen e të keqtrajtohen nga ata që i kanë të gjitha këto, ashtu siç e tallën dhe i vunë kurorën me gjemba Krishtit. E në të vërtet serbëve u pëlqen të tallen ashtu. E megjithatë, ky president pritet ndërkaq prej shefave të shteteve, çka jep shpresë se bota diçka ka mësuar, së paku nga historia e Krishtit.”

Pra, me pushtetin e gjuhës, shqiptarët forcuan kampin e lirisë.

Natyrisht, në këtë betejë të ashpër dhe të pabarabartë, strategjema ishte e menduar mirë. Në fakt, ajo më shumë qe etike sesa politike, më shumë qe aureola e pushtetit të artit, letërsisë dhe historisë, sesa e të vërtetave që mund t’i prodhonte politika, në kuptimin e parë të fjalës.Në sajë të kësaj strategjmë të mrekullueshme dhe të panjohur më parë në rajon, ndodhi mrekullia: shqiptarët, si kurrë më parë, fituan besimin e botës së civilizuar. Kështu që, zëri i tyre, i prajshëm, i urtë, por kumbues, u dëgjua në Uashington, Londër, Berlin, Paris dhe Romë. Dhe bota e përparuar doli në krah të popullit të Kosovës, duke e përqafuan kauzën e saj. Dhe në fund, luftuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Gjatë viteve të rënda të 90- tave, ndonëse të robëruar dhe me një aparat shtetëror terrorizues, shqiptarët e kishin fituar lirinë e brendshme, siç thoshte Rugova, atë liri të shpirtit, që ishte më e fortë se ajo e ushtrisë dhe policisë serbe. Pa dyshim, kjo ishte beteja e parë e fituar në rrugëtimin e gjatë drejt pavarësisë. Sepse, ishte triumfi moral, dhe, siç tregon historia, triumfi moral ka domethënie të veçantë.

Liria e brendshme e shqiptarëve vinte si rezultat i vetëdijes kulturore dhe identitare, dhe ishte mbështjellë me të vërtetat historike: me gjuhë dhe kulturë. Siç mund ta shohim, hallka e parë që lidhi zinxhirin e gjatë dhe të fortë të betejës për Kosovën e lirë, qe letërsia, arti i përherëshmërive njerëzore, që në betejat për liri dhe përparim, është i pamposhtur dhe i pakompromis.

Në përkim me mësimin se, nuk ka politikë pa kulturë, siç shkruan Norberto Bobbio, filozofi dhe juristi i shquar italian, elita politike e kohës kulturën e vuri në epiqendër të organizimit politik.Ideja e lirisë e ngjizur si ide kulturore- si ide e mosnënshtrimit dhe e refuzimit-kulmoi si leksion moral dhe u bë detyrë politike. Pra letërsia nuk qëndroi vetëm duke i kënduar lirisë, por u përbirua nëpër labirintet e errëta, duke u bërë flakadan i rezistencës aktive.

Prijësi i programit politik të Kosovës, nga pozicioni i kryetarit të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ku, përpara se të vepronte politikisht, rezistonte me letërsi, doli në ballë të platformës politike.Refuzimi estetik, si kategori e proklamuar në fushën e artit, për të dhe popullin e tij, u shtri shpejt edhe në sferat tjera, dhe u bë vetëdije e popullit të Kosovës, që luftonte për liri, demokraci dhe pavarësi. Ata formuan institucione paralele, organizuan shëndetësinë, shkollimin, bënë pajtimin e gjaqeve dhe kështu krijuan kauzën e madhe të pavarësisë.

Aksiomë e politikës së kohës ishte intelektualizmi aktiv. Përkitazi me këtë, Rugova shprehej: “E dini, intelektualët kanë vetëm dy rrugë, të mbetën te libri apo të rrëmbehen nga veprimi. Sepse unë jam nga ai lloj i intelektualëve që nuk pret të vijë diçka vetë.”Po ashtu, mund të thuhet se, në vetëdijen kulturore dhe politike të Kosovës, është e vështirë të gjendet ndonjë figurë që të mund të ketë ushtruar ndikim më të madh kulturor dhe politik, sesa Pjetër Bogdani, heroi i kulturës shqiptare të shekullit XVII, që u bë model me të cilin personifikohej Ibrahim Rugova, studiues dhe më vonë si udhëheqës i shqiptarëve të Kosovës.

Ai, si studiuesi i pasionuar dhe lexuesi i thellë, duke e parë popullin e vet të katandisur në robëri, mori detyrën e protagonistit, por asnjëherë s’u shkëputë nga idealitet kulturor. Përgjatë viteve të angazhimit politik, Rugova, vazhdonte t’i shprehte idetë e tij për interesin e përgjithshëm, duke i përzier ndjeshmëritë prej letrari e politikani, në funksion të mirës së përgjithshme.

II.

Të shkruash për raportet ndërmjet letërsisë dhe politikës, ndërmjet letërsisë dhe historisë, ndërmjet letërsisë dhe robërisë, dhe, më thelbësorja, ndërmjet letërsisë dhe lirisë, është të rrokësh dhe të trajtosh tema dhe probleme komplekse të artit dhe të pushtetit, që lidhem ontologjinë e vet ekzistencës së artit letrar.Letërsia, gjithmonë i ka ushqyer qeniet njerëzore me ndjenjat e lirisë dhe i ka ngritur kampet kundër robërisë. Në kulturën perëndimore, ku bënë pjesë edhe letërsia shqipe, debati lidhur me këto tema është i vjetër, aq sa vetë ekzistenca e artit letrar.

Shkrimtari, dijetari dhe politikani, Ernest Koliqi, në tekstin “Tre poetët më të mëdhenj shqiptarë”, shkruante me vendosmëri prej eruditi: “De Rada (1814-1903), Naim Frashëri (1846-1900) dhe Gjergj Fishta (1871-1940), mund të konsiderohen me plot arsye ndërtuesit e Shqipërisë së sotme.”Një autor që i mungon këtij triniteti, por që mund të quhet ndërtues i Kosovës së sotme, është Ibrahim Rugova. Mendimit të Koliqit i japin të drejtë studiues e njohës të kulturës shqiptare. Kjo për faktin se, kultura shqiptare, me tiparet shënjuese nacionale, më tepër se nga çdo kush dhe nga çdo fushë tjetër shoqërore, u mbrojt dhe u kultivua nga shkrimtarët.

Një dijetar tjetër i madh, Eqrem Çabej, në studimet e tij, po ashtu nënvizonte ngjyrën politike të shkrimtarisë. Në këtë aspekt, ai shkruan: ”Poetit si një prisi shpirtëror i ka rënë këtu zakonisht dhe barra e apostullit nacional, atij këtu i është duhur shpeshherë të ndërrojë pendën me pushkë.” Pra, shkrimtarët shqiptarë, në gjitha periudhat e zhvillimit të letërsisë shqipe, qenë njëkohësisht krijues të kulturës kombëtare, por edhe hartues të platformave për çlirim, pavarësi dhe emancipim. Atyre iu kërkua që shpeshherë, të linin librin dhe krijimin artistik, dhe të viheshin në aksion politik.Në vazhdën e një tradite pararendëse, të trasuar nga korifenjtë e kulturës shqiptare, prej Buzukut, Bogdanit, de Radës, Vëllezërve Frashëri, Fishtës, Gurakuqit, Konicës, Nolit, dhe shumë të tjerëve, edhe Ibrahim Rugova, së bashku me pjesën dërmuese të elitës së kohës, nga letërsia kaloi në politikë, duke u bërë protagonisti kryesor i gjitha zhvillimeve politike që ndodhën në Ish Jugosllavinë komuniste.

Letërsia shqipe, përkatësisht shkrimtarët shqiptarë, përgjatë historisë sonë, kanë patur rol protagonistë në çështje të lirisë dhe pavarësisë kombëtare. Ajo, që në krye të herës, me Buzukun, Budin e Bugdanin, ka pasur funksion ju parësor estetik, siç do të thoshte studiuesi Northrp Frye. Buzuku e Bogdani shkruan për dashni ndaj vendit, dhe për të mos lejuar dvarrjen e gjuhës shqipe.Kjo traditë e shtresuar letrare, u përcoll veçmas te Rilindja Kombëtare dhe letërsia e independencës, pra e viteve të 30-ta. Në fakt, programi politik i Rilindjes, kishte bazë te letërsia, e cila, me një hov të fuqishëm u bë paradigma themelore rreth së cilës u tubuan intelektualë e atdhetarë, ndërsa shkrimtarët qenë apostuj të idesë së lirisë dhe pavarësisë kombëtare.

III.

Ndonëse në rrafshin universal, ka ekzistuar dhe ekziston një betejë ndërmjet letërsisë dhe pushtetit të politikës, në kontekstin shqiptarë, këto dy veprimtari, ndonjëherë janë gjendur në llogore të njëjta, dhe janë sinkronizuar për ta ndihmuar njëra-tjetrën në misionin fisnik për ndërgjegjësim, liri dhe drejtësi. Kjo ka ndodhë për shkak të mungesës së lirisë, dhe, dihet, kur një populli i mungon liria, letërsia nuk mund të heqë dorë nga ajo.Në këtë aspekt, mund të thuhet se, letërsia shqipe dhe shkrimtarët shqiptarë, kanë kontribuar më shumë se çdo veprimtari tjetër në atë çfarë është Kosova e sotme. Nëse kthehemi prapa dhe i analizojmë zhvillimit politike në Kosovë, gjatë Jugosllavisë, robërisë, pra viteve të 90-ta, evidencat e shumta të arealit kulturor dhe politik, provojnë se, protagonistët kryesorë të shtetit të Kosovës, ishin shkrimtarët.

Po ashtu, platforma e shqiptarëve për liri, pavarësi, në thelbin e vet kishte substrat të fortë letrar e gjuhësor. Kështu që, shkrimtarët, përveç faktit që e bënë punën e tyre, duke shkruar vepra letrare, shumë prej tyre dolën në aksion politik, duke u bërë prijatarë të kombit, siç ishin: Ibrahim Rugova, Mark Krasniqi, Idriz Ajeti, Anton Çetta, Adem Demaçi, Rexhep Qosja, dhe shumë të tjerë.

IV

Kosova po e përmbyllë dekadën e parë të pavarësisë dhe po i afrohet dekadës së dytë si vend i lirë. Kjo mrekulli ndodhi pas një periudhe të egër, në të cilën, shqiptarët iu nënshtruan vrasjeve, terrorit, reprezaljes dhe luftës.Dhjetë vjet pas pavarësisë, ekzistojnë interpretime dhe rrëfime të ndryshme që lidhen me Kosovën. Ka shumë të vërteta, gjysmë të vërteta dhe të pavërteta.

Në perspektiven e re të zhvillimeve politike dhe kulturore, rrëfimet për historinë e Kosovës do të jenë të pafundme. Nuk do të mungojnë trillet, sajesat dhe deformimet e të vërtetës. Por, kultura tekstuale shqiptare, njeh një lëvizje letrare të shndërruar në lëvizje politike, që u bë flamurtare e proceseve themelore që ndodhen në Kosovë.