Ballina Shëndeti Kanceri i tiroides, simptomat, diagnoza dhe trajtimi

Kanceri i tiroides, simptomat, diagnoza dhe trajtimi

Në dekadën e fundit, incidenca e kancerit të tirodies është rritur në shifra të konsiderueshme në të gjithë botën. Kjo për shkak të shtimit të procedurave diagnostike duke bërë të mundur diagnostikimin e kancerit me përmasa të vogla në faza të hershme, por dhe si rrjedhojë e shtimit real të numrit të personave të prekur nga ky kancer.

Femrat janë më të prirura se meshkujt për t’u prekur nga kanceri i tiroides me një raport 3:1 dhe e shfaqin atë në një moshë më të re sesa meshkujt. Prek të gjitha moshat, por tek femrat haset më shpesh në moshën 30-40 vjeç, ndërsa tek meshkujt mbi moshën 40 vjeç.

Cilat janë shkaqet dhe faktorët prirës për kancer të tiroides?

Ashtu si për të gjithë kancerët, shkaku i vërtetë i shfaqjes së kancerit të tiroides është i panjohur, megjithatë ka faktorë që shoqërohen me rritjen e riskut për të zhvilluar këtë lloj.

Mosmarrja e sasive të duhura të jodit me anë të dietës është një faktor tepër i rëndësishëm dhe vendi ynë konsiderohet akoma si një vend me deficencë jodike. Gjendra tiroide përdor jodin si element bazë për funksionin e saj, pra, për sintezën e hormoneve FT3 dhe FT4, në rastin e mosmarrjes së sasive të duhura të jodit nga jashtë ajo do të zmadhohet për të kompensuar funksionin e saj dhe duke rritur kështu prirjen për noduj në tiroide. Struma endemike është ende e shprehur në vendin tonë.

Personat me tiroidet kronik Hashimoto, individët me prirje familjare, si dhe  personat e ekspozuar ndaj rrezatimeve të qafës apo kokës (kjo është vërtetuar pas aksidentit nuklear të Çernobilit në 1986-n, ku të mbijetuarit shfaqën incidencë të lartë të kancerit të tiroides), konsiderohen më në risk për të zhvilluar kancerin e tiroides.

Cilat janë simptomat që lidhen me kancerin e tiroides?

Kanceri i tiroides jo gjithmonë shkakton simptoma; shpesh shenja e parë është shfaqja e një noduli në pjesën e përparme të qafës apo nga një vizitë rastësore tek mjeku, ku ky i fundit mund ta zbulojë atë me anë të palpimit të gjendrës tiroide. Në rastet e avancuara, kur tumori është përhapur lokalisht, manifestohet me ngjirje zëri, kollë, dhimbje fyti, daljen e limfonodujve në qafe.

Si diagnostikohet kanceri i tiroides?

Me zbulimin e një noduli në gjendrën tiroide është e rëndësishme të përcaktohet nëse ky nodul është beninj apo malinj. Prania e nodujve të tiroides është tepër e shpeshtë në popullatë dhe incidenca e tyre rritet me moshën. Nëse do të bënim një ekzaminim ekografik në popullatën mbi moshën 50 vjeç, një në dy persona do të paraqesin nodul në tiroide, por vetëm 5% e këtyre nodujve janë me natyrë malinje. Përveç pranisë së nodulit, ekografia na ndihmon për të përcaktuar dhe numrin e nodujve, natyrën e tyre (kistike apo solide) përmasat, praninë e limfonodujve në qafë etj. Pra, ekografia është një ekzaminim që na jep të dhëna të rëndësishme për këtë patologji.

Hapi tjetër do të ishte matja e hormoneve të tiroides në gjak, për të përcaktuar nëse ky nodul prodhon sasi të shtuar hormonesh, si dhe shintigrafia e tiroides e cila na ndihmon në vlerësimin e përthithjes së jodit radioaktiv nga noduli. Është për t’u theksuar fakti që nodujt me natyrë malinje në përgjithësi nuk sekretojnë hormone dhe nuk e fiksojnë lëndën radioaktive, pra, quhen noduj të ftohtë.

Pikërisht këta hapa diagnostikues do të na ndihmojnë për të përcaktuar riksun e një noduli për malinjitet, si dhe për të vendosur nëse duhet të bëhet biopsi e nodulit (kur është nodul i vetëm) apo për të përcaktuar se cili nodul është me risk (në rastin kur nodujt janë të shumtë).

Si trajtohet kanceri i tiroides?

Trajtimi do të përcaktohet nga lloji i kancerit, si dhe nga stadi i tij në momentin e diagnostikimit. Në pjesën dërrmuese kirurgjia është hapi i parë dhe konsiston në heqjen e gjendrës tiroide, si dhe të limfonodujve të qafës kur ato janë të pranishëm. Më pas në varësi të tipit dhe stadit të kancerit vendoset për trajtim me jod radioaktiv, i cili synon shkatërrimin e indit mbetës apo metastazave në distancë. Rrezatimi i jashtëm, si dhe kimioterapia përdoren në raste të rralla, për kancerin që nuk e fikson jodin radioaktiv.

Cila është prognoza e kancerit të tiroides?

Pjesa më e madhe e kancerëve të tiroides janë të kurueshme, kuptohet kur diagnostikohen në faza të hershme, gjithsesi prognoza varet nga lloji dhe stadi i kancerit në momentin e diagnostikimit, mosha e pacientit, si dhe gjendja e përgjithshme e tij. Në fakt, tipat më të shpeshtë janë më të kurueshmit, kanceri agresiv fatmirësisht është i rrallë.

A mund të parandalohet kanceri i tiroides?

Kuptohet, kontrollet e shpeshta mund të bëjnë që kanceri i tiroides të kapet në faza të hershme, përveç kësaj personat që kanë familjarë apo të afërm me kancer të tiroides duhet të jenë në kontroll të vazhdueshëm, pasi kanë risk më të madh sesa pjesa tjetër e popullatës. Shmangia e ekspozimit ndaj rrezatimeve është një tjetër element që mund të kemi në dorë për të parandaluar këtë lloj kanceri si dhe përdorimi i kripës së jodizuar dhe i ushqimeve me përmbajtje jodi (produktet e detit, bulmeti, veza, buka etj.). Në gratë shtatzëna rekomandohet marrja e suplementeve me përmbajtje jodi pasi gjatë shtatzënisë kërkesat për jod janë më të mëdha.

Shendeti