Gjashtëdhjetë e pesë kompani, me mbi 800 milionë denarë do të bashkë-financohen nga ana e Qeverisë në të ashtuquajturën “vala e dytë investuese”, e cila realizohet në kuadër të thirrjes së parë nga Shtylla 3 e Planit për rritje ekonomike, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, në fjalimin para fituesve të granteve tha se plani për rritje ekonomike për vitin e kaluar jo vetëm që ka arritur qëllimin por edhe e ka tejkaluar.
“Mbështetja për hapjen e qendrave për zhvillim teknologjik dhe inovacione që për herë të parë u vendos në Maqedoni, përveç se në masë të madhe nxiti zhvillimin teknologjik, zgjoi edhe kreativitetin e kompanive: njëkohësisht kompanitë e Maqedonisë u bënë më konkurruese në tregjet e rajonit”, tha Zaev.
Ai po ashtu paralajmëroi se Qeveria do të vazhdojë të punojë me ritëm të përforcuar dhe përsëriti se viti 2019 do të jetë vit i kthesave në politikat ekonomike.
Zëvendëskryeministri Koço Angjushev, duke u bërë thirrje kompanive të Maqedonisë që të jenë të orientuara në aspektin e eksportit tha se inovativiteti dhe zhvillimi teknologjik janë bazë e çdo rritje të produktivitetit.
“Nëse dëshirojmë të kemi shkallë të rritjes prej 6-7 për qind, 5 për qind në shtetin tonë të prodhimit të brendshëm bruto, doemos duhet që eksportin ta rrisim nga 54 për qind sa është aktualisht, në 65-75 për qind në pjesëmarrje të prodhimit të brendshëm bruto. Kjo mund të bëhet vetëm me eksport të rritur, kjo mund të arrihet vetëm me konkurrentshmëri të rritur, ndërsa pikërisht këto masa që sot këtu i promovojmë mund ta bëjnë atë”, tha Angjushev.
Sipas tij, ky është një hapërim historik dhe pret që vitin e ardhshëm të jep impakt serioz në industrinë.
Rikujtojmë se në valën e parë investuese, 79 ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme iu ndanë grante në vlerë të përgjithshme prej 10.5 milionë euro, gjegjësisht 638 milionë denarë.