Ministri i Kulturës, Asaf Ademi, sot në zyrat e Ministrisë së Kulturës ka zhvilluar takim pune me ambasadoren e Austrisë në Republikën e Maqedonisë, Renata Kobler. Në këtë takim u diskutua bashkëpunimi i deritanishëm në sferën e kulturës, si dhe për aktivitetet e ardhshme nëpërmjet të cilave do të avancohet shkëmbimi kulturor i projekteve dhe artistëve nga të dyja vendet.
Të dy bashkëbiseduesit janë pajtuar se ekziston bashkëpunim në të gjitha veprimtaritë e kulturës. Artistët austriakë rregullisht ftohen në manifestimet kulturore ndërkombëtare që mbahen në Republikën e Maqedonisë, si Mbrëmjet Strugane të Poezisë, Vera e Ohrit, Mbrëmjet e Operës së Majit etj, ndërsa ekziston edhe kontinuitet në prezantimin e artistëve nga Maqedonia në Austri.
Në këtë takim u trajtua edhe çështja Ballit tradicional të Vjenës në Shkup, që do të mbahet për të 19 herë me radhë. Në këtë takim, ku mori pjesë edhe Oliver Arsovski nga organizata e këtij manifestimi, u theksua se Balli Vjenez në Shkup është manifestim që e konfirmon bashkëpunimin Maqedoni-Austri në sferën e kulturës dhe artit. Emrat e shquar të artit nga vendi dhe muzika e dinastisë legjendare Shtraus, thuajse dy dekada bëjnë lidhjen origjinale të kulturave të të dyja shteteve.