Nga Mentor Kikia
Sa herë popujt sivëllezër bëjnë ndonjë gjë të mirë, ne fillojmë bëjmë krahasimin: Po ne pse nuk e bëjmë?
Në verë, pati një diskutim këtu, ndër ne intelektualët e facebook-ut, se përse nuk reagojnë këta emigrantët shqiptarë, që kanë parë botë e sy dhe kanë mësuar ç’është demokracia.
Pra pse të mos organizoheshin siç bënë rumunët. Në fund të fundit ata nuk kanë frikë se do ti heqin nga puna. Madje pati edhe ndonjë mendje pak më e ftilluar si Fatos Lubonja, që i bëri deri edhe përgjegjës madje:
Ja cfarë shkruante ai në gusht të këtij vitit: “Emigrantët tanë janë më shumë me qeverinë.
Nëse do ishin të përfshirë në jetën e vendit si janë këta (rumunët), atëherë do ishte e rëndësishme se krahasimi do ishte motivues.
Duhet të ishin më të pranishëm, më të informuar. Por në nivelin që janë, s’besoj se ndikojnë në jetën politike.
S’mund të sillnin ndryshimin, e aq më pak një revoltë”.
Me pak fjalë janë thjeshtë tullaxhinj dhe punëtorë fermash, se kanë haberin nga lëvizjet politike.Tani, duke iu referuar gjithnjë kuvendimit facebook-or, lukunia e njerëzve vërhsonin të flisnin për paaftësinë e emigrantëve për të ardhur e për ta ndryshuar këtë vend (ndërsa ne do të qëndonin në hije duke pirë duhan, kuptohet).
Dhe përfundimi është si gjithmonë: Po nuk bëhet ku vend more jo!
Dhe ja, një ditë dimri, ca djem në Angli, vendosën të organizojnë një protestë në Shqipëri. Lajmi u përhap: Do të vijnë emigrantët të bëjnë protestë.
-Jo -thanë emigrantët, ne do të vijmë por po e organizojmë që të vini edhe ju.
-Aha, ne kujtuam se do të protestoni vetëm juve, pa ne këtu jemi, po të donim protestonim vetë.
Këta organizatorët, padyshim që morën kontakte me njerëz që janë afër opozitës se ata që janë në ministrira nuk protestojnë.
Dhe ja çfarë lexoj sot: Po vallahi edhe këta mund të jenë të implikuar politikisht. Se dëgjova që ky organizatori është me PD-në.
Dhe pastaj zbrazet batareja: Po u bë ky plehra të vijë ky të bëjë protestë këtu? Sa lekë i ka dhënë Basha me Monën sa? Ik more vemje se i dimë vetë këto punë ne.
Po mirë e kanë ore “vemje”, ikni. Ikni more siç ikët dikur nëpër male, me gomone, nëpër kamionë, nëpër bodrume anijesh, ikët dhe shpëtuat një popull të tërë nga uria.
Do të ishte vdekja më masive pas zisë së patates në vitin 1700, por të mos kishit ikur ju. Tani doni të na shpëtoni ëshë nga korrupsioni.
Po ne budallenj na dini që të vijmë pas jush?
Nuk dua të jap verdikt mbi një nismë të një grupi njerëzish, por është shokuese sjellja jonë si shoqëri. Padyshim unikale, e pashpresë.