Këngëtari i njohur i skenës muzikore, Ramadan Krasniqi në emisionin “Histori Suksesi” në RTV Dukagjini vjen me një rrëfim interesant me jetën e tij personale. Dani i cili tashmë ka kaluar 60 vite jetë, thotë se mbështet atë shprehjen se “vitet janë vetëm numra”. Këngëtari nga Peja rrëfen se si shumica e fëmijëve shqiptarë ato vite i ka kaluar më vështirësi.
“Deri në klasën e gjashtë kam mbathur pantallonat e arnuara”.
Edhe pse ai është edhe qytetar i Belgjikës, thotë se nuk preferon të qëndrojë shumë në Bruksel.
“Në Bruksel qëndroj pak ditë. Atje bëj vetëm blerjet e rrobave dhe këpucëve, ndërsa jetën e jetoj në Pejë”.
Krasniqi i cili ka tri vajza dhe një djalë, thotë se është ndër baballarët më të mirë në botë, pasi është i kuptueshëm dhe liberal.
Dani tregon se karrierën muzikore e ka filluar shumë i ri.
“Pronarët e hoteleve më kanë dëgjuar zërin si i ri dhe më kanë pëlqyer. Më kanë angazhuar në mbrëmjet e vitit të ri. Si 14 vjeçar njerëzit me kanë pranuar mirë, pasi atë kohë këndonin vetëm njerëzit që kishin një moshë”.
Këngëtari thotë se në karrierën e tij muzikore nuk e mban mend saktësisht sa albume muzikore i ka, por thotë se duhet të jenë 38 të tilla.
“Në vitet e mëhershme, çdo vit publikoja nga një album”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Ramadan Krasniqi thotë se ndër evenimentet më të rëndësishme në karrierën e tij muzikore ishte pjesëmarrja e tij në “Këngët e Shekullit”.
“Ftesën ma ka bërë Adi Hila, më ka thënë se ndër të gjithë këngëtarët e Kosovës, ti je i përzgjedhur. Pavarësisht se spektakli mbahej të shtunave, dhe për ne këngëtarët, e shtuna është dita kur këndojmë në lokale. Por e pranova ftesën dhe kam kaluar shumë mirë”, tha ndër të tjera Ramadan Krasniqi./Telegrafi/