Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari priti sot përfaqësuesit e lartë të Ambasadës së Britanisë së Madhe në Shkup, nënsekretarët Simon Adams dhe Ian Kraman, me të cilët bashkëbiseduan rreth çështjeve aktuale në komunë dhe në vend.
“Me dy përfaqësuesit e lartë të ambasadës britanike biseduam për rrethanat politike në komunën e Gostivarit, problemet me të cilat ballafaqohemi, raportet ndërmjet kryetarit dhe Këshillit të Komunës, raportet ndërmjet partive politike në Gostivar por edhe në nivel të vendit. Biseduam edhe në lidhje me projektin të cilin e bashkëfinancojnë ambasada e Britanisë së Madhe dhe ajo e Austrisë kundër ekstremizimit dhe radiakalizmit tek të rinjtë. Biseduam edhe për parapërgatitjet që i bëjmë ne si Komunë në lidhje me implementimin e këtij projekti si dhe modalitetet që si t’I largojmë të rinjtë e komunës sonë nga veprimet ekstreme”, deklaroi Taravari pas takimit.
Ai njoftoi po ashtu se në takimin konstruktiv dhe të këndshëm me mysafirët nga Britania, kanë biseduar edhe rreth votimit të buxhetit të Komunës së Gostivarit për vitin e ardhshëm, e që pritet të ndodhë në seancën e radhës në këtë fundvit, për problemet që u paraqitën me miratimin e buxhetit të vitit të kaluar, si dhe për zhvillimet e fundit në skenën politike në vend.