Ballina Aktualitet Opinione Azizi: Ne po bëjmë punën tonë, ku janë të tjerët, pse heshtin?

Azizi: Ne po bëjmë punën tonë, ku janë të tjerët, pse heshtin?

Nga Adnan Azizi

Të nderuar shqiptarë,

Pas takimit të kryetarit Bilall Kasami me kryeministrin Zoran Zaev, gjatë këtyre 2-3 ditëve në adresë të Lëvizjes BESA dhe të lidershipit të saj kanë ardhur mesazhe të shumta me porosi të ndryshme: Bilall mos u dorëzo, Bilall qëndro stoik, Bilall mos lësho pe, Bilall mos u shit, nëse u qëndron fjaleve na ke të gjithëve mbrapa, nëse edhe ti shitesh nuk na mbetet shpresë tjetër, përveç se me i marrë çantat dhe të gjithë me u nis për në kurbet.

Te nderuar atdhedashës, të nderuar besatarë, dua t’ua bëjë me dije disa gjëra për të larguar hallin dhe shqetësimin që keni, se Bilall Kasami, as nuk blihet, as nuk shitet, e aq më pak dikush mundet ta komprometojë për një arsye shumë të thjeshtë se Bilall Kasami nuk ka asnjë hipotekë, asnjë skandal, asnjë aferë prapa vetes, ashtu siç ua kanë zënë bishtin me derë të tjerëve.

Lëvizja BESA dhe lidershipi i saj do të qëndrojë stoik deri në atomin e fundit me përgjegjësinë më të lartë morale e kombëtare për të ruajtur dhe mbrojtur identitetin dhe dinjitetin e shqiptarëve të Maqedonisë me të gjitha forcat dhe kapacitetet që i ka në dispozicion dhe jam i bindur se do ta nxjerr më të mirën e mundshme nga bisedimet që po zhvillohen.

Të dashur shqiptarë! Poashtu dua që t`u drejtohem me një sugjerim të sinqertë duke shprehur konsideratë të lartë ndaj jush, para së gjithash të jemi realistë për situatën që gjendemi. Ju e dini fort mirë, se Lëvizja BESA për momentin i ka vetëm dy vota, kurse në Kuvendin e SRM ka 22 deputet shqiptarë, pavarësisht vullnetit, vendosmërisë dhe dëshirës së deputetëve të Lëvizja BESA, nëse deputetët tjerë heshtin bile ata që janë pjesë e qeverisë në vend që të bëhen tok për kërkesat e Lëvizjes Besa dhe opozitës shqiptare, ata janë palë me hipotekat e tyre, me ata që nuk duan barazinë e shqiptarëve me maqedonasit etj. Në këtë drejtim misioni ynë bëhet akoma edhe më i vështirë, andaj ju kisha lutur miqësisht që presionin dhe kërkesat tuaja dhe tonat t`i orientojmë edhe ka ata që kanë mundësi për të votuar, por nuk e kanë vullnetin e duhur, duke ua drejtuar gishtin e fajësisë dhe duke u kërkuar llogari se: Pse heshtni ju deputët tjerë shqiptarë në këto momente historike? Pse nuk flisni? Interesat e kujt i mbroni ju? Jeni peng i kokës së prishur, apo peng i bishtit të zënë me derë?…

A nuk e morët votëbesimin e shqiptarëve pikërisht duke ju dhënë premtimin mandat pas mandati se kur do të hapet kushtetuta ne do ta fusim çështjen shqiptare në agjendë dhe do t`i bëjmë shqiptarët shtetformues dhe të barabartë me palën tjetër?

Por, sidoqoftë për secilin nga ne do të shkruajë historia qoftë për të mirë, apo për të keq. Ku secili do të përgjigjet për bëmat e veta.
Zoti nuk e ngarkon robin për atë që nuk ka forcë dhe mundësi ta bëjë, por për atë që ka mundësi ta mbajë mbi supe.

Dhe në fund nuk na mbetet gjë tjetër, se Ju duhet të keni besim tek lidershipi i Lëvizjes BESA e në veçanti tek lideri i saj Bilall Kasami, të jeni të sigurt se ne do qëndrojmë stoik në kërkesat sublime të shqiptarëve që janë pjesë edhe e platformës së Lëvizjes BESA.


Adnan Azizi