Analisti Fatos Lubonja në lidhje “Skype” me rubrikën “Opinion” në “News 24” u shpreh se qeveria e drejtuar nga kryeministri Rama duhej të ishte rrëzuar pas skandaleve që i shpërthyen së fundmi, duke rikujtuar dhe theksuar projektin tek “Unaza e Re”.
“Mendimi është që ne vërtetë kemi nevojë ta rrëzojmë këtë qeveri, për shumë shkaqe, të cilat po duken sheshit tashmë. Ka një lloj kontradiksioni vetë opozita dhe ne që kërkojmë zgjidhje.
Normalisht në një vend demokratik, mjaftojnë këto skandalet e fundit që kanë dalë në publik dhe ahjo duhej të rrëzohej.
Një pjesë e mirë e shqiptarëve po ikin vazhdimisht. Sot në një ndërmarrje kanë ikur të paktën 25 për qind e punonjësve”, tha ai.
Gjithashtu ai komentoi edhe lëvizjet e fundit në qeveri, ndërsa shtoi se edhe kur Rama shkarkon ministrat shprehet se kanë punuar mirë. Ai foli edhe për protestat, të cilat në spektrin e analistit Lubonja duken të zbehta dhe larg asaj që duhet të ishin në të vërtetë.
“Kemi një kryeministër arrogant, i cili edhe kur heqë edhe 8 ministra shprehet se kanë punuar mirë. Jemi në një situatë shumë delikate dhe shumë të vështirë.
Duhej që njerëzit të ishin ngritur dhe të merrnin përpara këtë qeveri. Të gjitha këto, çojnë deri aty se duhen protesta, por ndërgjegjësim nuk ka. Ky është një arsyetim është pak i vakët dhe jo intuziast për protestën. Unë kam qenë ndër ata që i kam mëshuar një lëvizje anti-sistem. Të gjitha partitë kryesore, që i kam quajtur banda kanë qenë pjesë e këtij sistemi. Duhet të kemi një lëvizje antisistem”, shtoi Lubonja.
Duke u shprehur se Shqipëria ende nuk ka arritur nivelin bazë të demokracinsë, Lubonja shtoi faktin se partitë politike duhet të garojnë me kundërshtarë politikë dhe jo me “armiqtë e tyre”, pasi kjo prirje dëmton demokracinë.
“Rama është pjesë e këtij sistemi oligarkësh. Në këtë vend banda më e fortë eliminon të tjerat. Unë besoj se protestat janë pozitive sepse këto ndikojnë në formësimin e ndërgjegjes politike. Ky ligj që është hartuar nuk është pa lidhje me atë sistem që folëm më parë, por është pjesë dhe ka favorizuar universitetet private. Universitet private mbyllin gojën, sepse ushqehen nga ai sistem. Nëse bie ligji, merr një goditje të fortë ky sistem.
Kam përshtypjen se situata është shumë tragjike dhe në vend që të luftohet për interesat e popullit, politikanët grinden për pushtet me në krye Edi Ramën. Shqipëria ka nevojë, që të normalizohet në një gjë kryesore, që të kemi jo armiq politikë, por kundërshtarë politikë. Ky kryeministër nuk pranon asnjë faj dhe përgjegjësi”, theksoi Lubonja.